“Java e Fëmijëve Jetimë”, Meta: Edukimi i të vegjëlve pa kujdes prindëror, investim për të ardhmen e shoqërisë

434
“Java e Fëmijëve Jetimë”, Presidenti Meta vizitë në fshatin ‘SOS’. Ja mesazhi që dha

Ky muaj pritet të dominohet nga aktivitete të shumta organizuar nga presidenca, me rastin e 100-vjetorit të themelimit të “Strehës së Parë Vorfnore” dhe festat kombëtare të 28-29 Nëntorit
Presidenti Ilir Meta, vazhdon vizitat në shtëpitë e fëmijëve jetim, në kuadër të “Javës së Fëmijëve Jetim”. Pas vizitës që kreu ditën e shtunë, në “Strehën e parë vorfnore”, Presidenti Ilir Meta, ditën e djeshme, ishte i pranishëm në fshatin SOS. Në kuadrin e “Javës së Fëmijëve Jetimë”, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta zhvilloi një vizitë në fshatin e fëmijëve SOS në Tiranë si dhe në shtëpinë e foshnjës “Ana dhe Rozana”. Në takimin dhe drekën e ngrohtë që pati me fëmijët dhe edukatoret e tyre në fshatin SOS, Presidenti theksoi se prioriteti i tij do të jetë solidarizimi dhe përkrahja e fëmijëve pa kujdes prindëror. “Investimi për zhvillimin e shëndetshëm dhe edukimin arsimor të fëmijëve pa kujdes prindëror, me qëllim integrimin e tyre të denjë në shoqëri, është investim për të ardhmen e shoqërisë”, theksoi Presidenti. Presidenti Meta përshëndeti veçanërisht rolin e madh që fshati SOS dhe donatorët e huaj të kësaj organizate kanë dhënë ndër vite në këtë drejtim. Bisedoi me fëmijët, dhe për disa orë u dhuroi atyre qetësi dhe pak shpresë për të ardhmen. Për Presidentin e vendit, e ardhmja e këtyre fëmijëve duhet të jetë e sigurtë në vendin tonë dhe për këtë qëllim, ai premtoi se do të bënte gjithçka për integrimin në shoqëri të kësaj kategori fëmijësh që rriten larg familjes. 

Në ‘Strehën e parë Vorfnore’: Më shumë përkujdesje për fëmijët

Në jubileun e 100-vjetorit të themelimit të “Strehës së Parë Vorfnore” në Shqipëri dhe me rastin e festave kombëtare të 28-29 Nëntorit, institucioni i Presidencës në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë promovuan të shtunën “Javën e Fëmijëve Jetimë” e cila do zhvillohet, nën kujdesin e veçantë të kreut të shtetit.

Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës Ilir Meta zhvilloi një vizitë në “Strehën e Parë Vorfnore”, në Tiranë, për të përkujtuar, vlerësuar por edhe për t’i shprehur mirënjohjen familjeve tiranase për humanizmin e shkëlqyer që kanë treguar ndaj fëmijëve jetimë. Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të familjeve Hallulli, Harasani dhe Fico, personalitete të artit dhe kulturës, Zhani Ciko, Ardit Gjebrea, Rajmonda Bulku, Bujar Kapexhiu, Muntaz Dhrami, Justina Alia, Mimika Luca etj, si edhe përfaqësuesit më të lartë të komuniteteve fetare. Në bashkëbisedimin me ta, Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e sensibilizimit për më shumë dashuri dhe përkujdesje ndaj fëmijëve jetimë.
Sigal