James Pettifer: Vizita e Presidentit Bush në Shqipëri është pikërisht ajo që meriton populli shqiptar

575
Profesor James Pettifer i Akademisë britanike të Mbrojtjes thotë se vizita e Presidentit Bush në Shqipëri i atribuohet faktit se populli shqiptar është një prej popujve më pro perëndimorë, më pro amerikanë dhe më pro britanikë në Evropë. Për sa i përket çështjes së Kosovës, studjuesi britanik i çështjeve ballkanike thotë se në qoftë se Rusia i vë veton rezolutës së rishikuar për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, asgjë nuk do t’i pengonte vendet nëpër botë që të njohin pavarësinë e Kosovës dhe asgjë nuk do ta ndalte Parlamentin e Kosovës të shpallte pavarësinë. Profesor Pettifer ishte i ftuar ditët e fundit nga qendra Woodrow Wilson si folësi kryesor në diskutimin me temë “Vendimi për Kosovën: Implikimet rajonale dhe çështja shqiptare”. Kolegia Isabela Çoçoli bisedoi me profesor Pettiferin për çështjen e Kosovës dhe vizitën e Presidentit Bush në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Profesor Pettifer, Presidenti Bush e përfshiu Shqipërinë në turneun e tij më të fundit në Evropë, i pari president amerikan në detyrë që viziton atë vend. Cila është, për mendimin tuaj, domethënia e kësaj vizite?
James Pettifer: Kjo i atribuohet faktit se populli shqiptar është një prej popujve më pro perëndimorë, më pro amerikanë dhe më pro britanikë në Evropë. Është një gjë shumë e mirë që Presidenti Bush vendosi të vizitojë Shqipërinë, por kjo për mendimin tim, është pikërisht ajo që meriton populli shqiptar. Ata janë mes atyre pak vendeve të Evropës Lindore, që kanë mbetur vendosmërisht pro amerikanë.

Zëri i Amerikës: A është vizita e Presidentit Bush në Shqipëri, prologu apo epilogu i ndonjë zhvillimi të rëndësishëm?
James Pettifer: Kjo është një pyetje shumë e mirë, por e vështirë për t’iu përgjegjur. Mendoj se ajo do të shikohet si një formë miratimi për pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës. Në Shqipëri ajo mund të shikohet si shpresë për anëtarësimin e vendit në NATO, sepse në ralitet zgjerimi i Bashkimit Evropian duket se është ndërprerë, nuk duket se BE-ja është e predispozuar të pranojë anëtarë të rinj, veçanërisht jo nga rajoni i Ballkanit. Shumë njerëz në Shqipëri do të shpresonin se anëtarësimi në NATO do ta kompensonte këtë dhe se vizita e Presidentit Bush do të hapte më shumë dyer në Buksel drejt NATOs.

Zëri i Amerikës: Profesor Pettifer, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të diskutojë rezolutën e rishikuar për Kosovën, por kjo procedurë vazhdon të shtyhet. Si i shikoni ju këto shtyrje?
James Pettifer: Shtyrjet në raste të tilla janë të pashmangshme, se kjo është një çështje shumë e vështirë për t’u trajtuar nga Kombet e Bashkuara. Por shpresoj që kjo të mos zgjatë shumë. Personalisht nuk shikoj asnjë vlerë në këto shtyrje, pasi gjendja nuk do të ndryshojë dimrin apo pranverën e ardhëshme. Tani është pikërisht koha për t’u marrë me këtë çështje.

Zëri i Amerikës: Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, la të kuptohet menjëherë pas qarkullimit të rezolutës se Rusia do t’i vërë veton asaj? Në qoftë se ndodh kjo çfarë do të pasonte?
James Pettifer: Asgjë nuk do t’i pengonte vendet e ndryshme të njihnin pavarësinë e Kosovës dhe asgjë nuk do ta ndalte Parlamentin e Kosovës të shpallte pavarësinë. Për mendimin tim do të ishte më mirë që ky proces të sinkronizohej me kujdes. Duhet patur parasysh se Kombet e Bashkuara nuk krijojnë vende të reja, Kombet e Bashkuara njohin realitet kur ato marrin formë, si rasti i Timorit Lindor dhe vende të tjera, si dhe gjithë ish kolonitë e fuqive të mëdha. Nuk ka asnjë arsye që të mos organizohet një seri hapash për të filluar procesin e njohjes së Kosovës, në mënyrë shumë të ngjashme me mënyrën se si u njoh Maqedonia nga Shtetet e Bashkuara. Nga eksperienca ime direkte si profesor në Maqedoni, do të thosha se ky është një rast relativisht i suksesshëm.

Zëri i Amerikës: Rusia i është përmbajtur pozitës së saj se nuk do të miratonte diçka për të cilën shqiptarët dhe serbët të mos binin dakord. Çfarë do të fitonte Rusia nëse do ta miratonte apo do t’i vinte veton rezolutës së rishikuar?
James Pettifer: Mendoj se Rusia ka parë zvogëlimin e numrit të vendeve rreth saj ku ajo ka patur ndikim ose nëpërmjet Traktatit të Varshavës ose në forma të tjera. Ajo përpiqet të rifitojë atë influencë që ka humbur. Rusët kanë tani paranë me të cilën mund të bëjnë shumë gjëra që nuk ishin në gjendje t’i bënin më parë. Mendoj se ne do të shikojmë se me kalimin e kohës Rusia do ta shtojë presionin ndaj Evropës, pavarëshit nga çfarë do të ndodhë në rastin e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Profesor Pettifer, për sa i përket gjendjes në terren, qendrimet e palëve shqiptare dhe serbe mbeten diametralisht të kundërta. A do të ishte realiste të pritej që këto dy qendrime, në një farë mënyre, mund të konvergjojnë?
James Pettifer: Nuk mendoj se është e mundur, por shumica e njerëzve inteligjentë në Serbi duhet të pranojnë realitetin se çështja e Kosovës duhet zgjidhur, ajo nuk mund të vazhdojë të shtyhet, për më tepër duke patur parashysh edhe ambicjet e tyre për të hyrë në Bashkimin Evropian. Serbët inteligjentë besoj se e kanë të qartë se ata do të ishin në kushte më të mira pa dy milionë shqiptarët, që nuk duan të bashkëjetonë me ta. Ky është realiteti i tanishëm.

Zëri i Amerikës: Çfarë ndikimi do të kishte pavarësia e mbikqyrur e Kosovës në rajonin e Ballkanit dhe më tej?
James Pettifer: Do të ishte në favor të tij, sepse të gjithë e dinë se çështja më e nxehtë që ka patur mbi shpatulla Ballkani Jugor në 15 apo 20 vjetët e fundit ka qënë kriza e Kosovës. Ishte pikërisht kjo krizë përmes të cilës, Sllobodan Millosheviçi erdhi në fuqi në Serbi rreth 25 vjet më parë dhe që prej atëhere kjo krizë ka vazhduar në forma të ndryshme. Prandaj zgjidhja e kësaj krize, megjithëse jo ideale, do të ishte një hap i madh përpara. Plani Ahtisari, megjithë mangësitë e tij, disa prej të cilave serioze, është më i mirë se ai i paraqitur fillimisht. Ende mbeten probleme për t’u zgjidhur dhe Kosova do të ketë nevojë për një angazhim të mëtejshëm të Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara, dy miqtë e saj më të fushiqëm ndërkombëtarë.//iç//
Sigal