Jam për lista të hapura për kandidatët deputetë, të ndryshohet ligji për referendumet

235

Kryetari i PD-së Lulzim Basha për herë të parë pohon se është dakord për të ndryshuan sistemin aktual zgjedhor

Jakup B. GJOÇA

Më në fund, kryetari i opozitës Lulzim Basha ka marrë përsipër të pohojë publikisht qëndrimin politik të PD-së për reformën zgjedhore. Aleatët e së Djathtës përherë kanë kërkuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që të ndryshojë Kodi Zgjedhor, trë zhbëhen listat e mbyllura, pasi ky sistem elektoral më shumë penalizon të Djathtën. Për më tepër, reforma territoriale, që u zbatua në zgjedhjet parlamentare të 2017-s, e penalizoi edhe më shumë votën e elektoratit të Djathtë.

Basha: Po Listës së Hapur për kandidatët deputetë

Dje, në një takim ne studentë të Universitetit të Tiranës, kryetari i PD-së për herë të parë, kur u pyet nga studentët për reformën zgjedhore, u përgjigj, se është pozitivisht edhe për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Basha: Ka ide të vlefshme si listat e hapura, ku qytetarët të vendosin jo thjesht për siglat e partisë, por të vendosin kë preferojnë nga lista e deputetëve. Për një parlament që ke deputetët që e lidhin fatin me qytetarët. Kjo është garanci që i shërben interesave të qytetarëve. Tek ndërhyrja në sistem, kryetari i PD listoi dhe një ligj të ri për referendumet popullore. Basha: Përmes një ligji të ri për referendumet që qytetarët të kenë mundësi të shprehen me votë për çështje të rëndësishme.

Përfaqësues të Partisë Konservatore të Britanisë në Tiranë

Në takimin me studentët, Basha, njoftoi se të shtunën dhe të dielën do të jetë në Tiranë një delegacion me përfaqësues të partive konservatore për të asistuar Partinë Demokratike në reformimin e saj.

Basha: Sistemi që ne do të adoptojmë është një sistem që e hap PD. E hap ndaj çdo kujt që ndan vlerat tona dhe i jep mundësi përmes garës që të kontribuojnë. Që të ndryshojë politika duhet të ndryshojnë partitë politike.

Do anulojmë ligjin “Për Arsimin e Lartë”

Duke folur me studentët, kryetari i PD-së, Basha tha se do hartohet një ligj i ri për Arsimin e Lartë, ku sipas tij do përqafohen norma e standarde evropiane. Basha premtoi dyfishim të buxhetit për arsimin. Gjithashtu, Basha, tha se Partia Demokratike parashikon në programin e saj stazh pune për 10 mijë studentë në vit.

Studentja akuzon Ramën: ‘Më përjashtoi nga bursat e ekselencës, pse mora pjesë në protestë’

Ambra Nazarko, studente e pranishme dje në takimin që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pati me studentët e Politeknikut, akuzoi kryeministrin Rama, se e ka përjashtuar nga bursat e ekselencës, vetëm për faktin se ishte pjesëmarrëse në grevën e studentëve. “Jam Ambra Nazarko, studente e fakultetit të drejtësisë, Universiteti i Tiranës, viti i dytë bachelor. Kam qenë studente protestuese, studente e ngujuar në Fakultetin e Drejtësisë, studente ekselente, ku me VKM-në e parë të zotit kryeministër, dola në listat e përfitimit të bursës së ekselencës. Ditën e hënë ne kemi mbyllur ngujimin dhe ditën e dytë dalin listat e tjera ku emri im nuk figuronte më. Kam kërkuar një vërtetim studenti nga fakulteti, ka një muaj dhe akoma nuk ka dalë ai vërtetimi çuditërisht.”, tha studentja.