Jakup B. Gjoça: Përgjegjësitë penale të Denar Bibës për 30 qershorin

579
Sigal

Raporti i OSBE-së dhe përgjegjësitë penale të Denar Bibës dhe KQZ-së

Jakup B. GJOÇA

Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet (votimet) e 30 qershorit, është ndër më të kritikët për procesin zgjedhor të 25-viteve të fundit. Shqipëria pretendon të marrë negociatat për të qenë kandidat për në BE, por elementi më bazë në demokraci funksionale, siç janë zgjedhjet e lira dhe ndershme, këtë herë na kanë kthyer shumë pas në kohë. Ajo që vihet re në raport janë parregullsitë e mëdha të nisura dhe bitisura në KQZ. Raporti i OSBE/ODIH-it: “KQZ interpretoi ligjin në mënyrë të paqëndrueshme dhe në një mënyrë tepër të zgjeruar, duke ulur sigurinë juridike”. Një konstatim të drejtpërdrejtë ODIHR e bën edhe lidhur me mospranimin e komisionerëve të opozitës. “Disa bashkëbisedues të MVZ të ODIHR shprehin shqetësime për mungesën e paanshmërisë së KQZ-së, duke treguar raste kur shumica e anëtarëve të KQZ-së votuan përgjatë linjave partiake”-thuhet në raport. Gjithashtu një pikë e veçantë i është kushtuar edhe regjistrimit të subjektit politik Bindja Demokratike. “KQZ-ja e regjistroi Partinë Bindja Demokratike si subjekt zgjedhor më 27 prill, megjithëse kjo e fundit u regjistrua si parti politike vetëm në 25 Prill, me një vendim gjyqësor që mori formë të prerë në 10 maj. KQZ nuk i kërkoi partisë së sapo regjistruar BD që të mbledhë nënshkrime mbështetëse siç e kërkon ligji”. Paligjshmëria e KQZ-së vijon edhe me procesin e numërimit dhe në fund edhe shtimit fiktiv të pjesëmarrësve në votime. Katër anëtarët e KQZ-së përfaqësues të PS u treguan kamikazët e një procesi që sot i ka vënë damkën e zezë vendit. Mbi ta është Denar Biba, nënkryetar i KQZ-së dhe militant i thekur, i vetëofruar në përulësi deri në atë pikë sa të pranojë që të marrë atributet e Gjykatës Kushtetuese dhe të shpërfillë dekretin e Presidentit të Republikës, i cili e shfuqizoi 30 qershorin si datë e zgjedhjeve vendore, e të organizojë zgjedhjet. Raporti më i fundit i OSBE/ODIHR mbi rolin e KQZ-së nuk është vetëm në aspektin moral dhe procedural, por mbi të gjitha ligjor. KQZ konstatohet se ka shkelur ligjin dhe kjo është vepër penale. Prokuroria menjëherë duhet të hetojë cilat janë përgjegjësitë penale të Denar Bibës dhe KQZ-së, sikurse thotë raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it për 30 qershorin. Edhe pse vendimet kanë qenë kolegjiale, ku kanë ngritur duart në shenjë aprovimi të çdo parregullsie e paligjshmërie për zgjedhjet e 30 qershorit, përsëri “truri” i një procesi që në gjeneze të manipuluar është Denar Biba. Tani Prokuroria duhet të hetojë përgjegjësitë penale të Denar Bibës, pasi OSBE/ODIHR-I e thotë qartazi që vetëm Gjykata Kushtetuese ka kushtetueshmërinë që të gjykojë dekretin e Presidentit të Republikës për procesin zgjedhor, ndërkohë që KQZ-ja ka kompetenca kushtetuese vetëm që të zbatojë verbërisht dekretin e Presidentit të Republikës, e jo ta gjykojë. Denar Biba, duke gjykuar dekretin e Presidentit, ka shkelur edhe Kodin Zgjedhor dhe kjo shkelje është kryerje e veprës penale. Raporti i OSBE/ODIHR është më se i qartë dhe e thënë edhe nga ndërkombëtarët më së paku në një sistem drejtësia të pavarur dhe të patrembur nga politika përgjegjësia do ishte penale. Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it për 30 qershorin thekson edhe për rolin pasues të Prokurorisë Shqiptare që nuk ka hetuar dhe ndëshkuar deri tani krimin zgjedhor. Dhe ky krim zgjedhor fillon së pari nga vendimet politike që mori Denar Biba dhe 3 anëtarët e tjerë të KQZ-së, për të shpërfillur dekretin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e 30 qershorit si datë e zgjedhjeve, ku Denari me verbësinë e tij militante ndaj urdhrave të Partisë, mori përsipër atributet e Gjykatës Kushtetuese, në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin Zgjedhor.