Jakup B. Gjoça: Braçe shkel kushtetutën, presion ndaj prokurorit

528
Sigal

Erion Braçe, zëvendëskryeministër, parmbrëmë në një intervistë televizive, duke u përpjekur që të bëjë gazetarin investigativ, deklaroi publikisht se prokurori që ka bërë rrjedhjen e audio-përgjimeve të dosjes 339 tek media gjermane “Bild” është prokurori Hajdarmataj, i cili vërtet ka qenë një nga prokurorët që është marrë me hetimin e kësaj dosjeje. Erion Barçe, edhe pse deshi shumë të luante rolin e investiguesit, kur deklaroi emrin e prokurorit që ka bërë rrjedhjen e dosjes 330 në media, nuk tha asnjë fjalë për brendinë e audio-përgjimeve që publikoi “Bild”. Erion Braçe, si përfaqësuesi i mazhorancës, e cila akuzohet në audio-përgjimet se bleu votat në zgjedhjet parlamentare me paratë e krimit, duhet të fliste për thelbin: A është e vërteta siç dëgjohet në audio-përgjimet? A ka blerë PS-ja votat në zgjedhjet e 2017-s? Por zëvendëskryeministri Erion Braçe, përmendi emrin e një prokurori si burimin i rrjedhjes së dosjes hetimore në media, për të fshehur të vërtetën e blerjes së votave. Braçja, gjithashtu, duhej të paktën, që të argumentonte me prova, pse prokurori Hajdarmataj është ai që ka bërë rrjedhjen e informacionit nga një dosje hetimore e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Mirëpo, Kushtetua e Shqipërisë ia ndalon në mënyrë kategorike përfaqësuesit të Pushtetit Ekzekutiv, e ca më pak, zëvendëskryeministrit, (qoftë ky edhe Erion Braçe) që të përzihet në çështje që kanë të bëjnë me pushtetin e Drejtësisë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka deklaruar publikisht se ka filluar hetimet për të gjetur sesi dhe cilët janë ata persona që kanë bërë rrjedhjen e informacioneve të dosjes 339 në media, siç e përcakton ligji. Pra, edhe gjetja e personit apo personave që kanë bërë rrjedhjen e dosjes hetimore në media është subjekt i një hetimi nga prokuroria. Atëherë, përse zëvendëskryeministri Erion Braçe përmend emra të prokurorëve në emisione televizive? Kush ia ka dhënë nga prokuroria e Krimeve të Rënda informacionin e emrit të prokurorit zvkryeministrit Braçe? Nëse askush, atëherë zv. kryeministri Braçe shpif publikisht. Dhe jo vetëm kaq! Zëvendëskryeministri Erion Braçe, duke e ditur që ligji nuk e prek aspak atë, duke thënë publikisht emrin e prokurorit, i dërgon mesazh të drejtpërdrejtë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që hetimet të kanalizohen e të fokusohen vetëm tek emri që ai u dikton. Tek prokurori Hajdarmataj! Edhe sikur të mungojnë provat dhe faktet, prokuroria e Krimeve të Rënda duhet t’i adresojë hetimet e saj e më vonë edhe akuzat për rrjedhje informacioni vetëm tek emri i prokurorit që u dikton zëvendëskryeministri Erion Braçe! Ne nuk mund të hamendësojmë, pse Erion Braçe, i veshur me pushtetin e Zëvendëskryeministrit i bën presion Prokurorisë së Krimeve të Rënda që të akuzojë për rrjedhje të informacionit prokurorin Hajdarmataj. Por, të paktën, vetë Erion Braçe, tani e ka detyrim ligjor, që publikisht të provojë ato që di, pse akuzoi publikisht prokurorin Hajdarmataj. Nëse Braçe hesht, atëherë Prokuroria e Krimeve të Rënda duhet të marrë të pandehur Erion Braçen, si shpifës, por edhe për shpërdorim të detyrës dhe për ushtrim të kërcënimit për shkak të detyrës ndaj prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe ndaj vetë prokurorit, të cilin e akuzoi publikisht si personin që ka bërë rrjedhje të dosjes hetimore në media.