Ja si krijohen monopolet, që prishin tregun ushqimor/ Prof. Dr. Edmond Panariti: Mospublikimi i shkaqeve të bakterieve për produktet e infektuara, spekulimet, për të nxjerrë konkurentet nga tregu, shkatërrimi idrejtorive bujqësore dhe pse nuk publikohen emrat e bizneset që sjellin produkte të rrezikshme. Monopolizimi i thertoreve, falimentimi i fermerëve, pesticidet dhe antibiotikët në produktet bujqësore e blegtorale 

646
Sigal

Jakup B. GJOÇA

GAZETARI I TELEGRAF

Prof. Dr. Edmond Panariti, Ishministër i Bujqësisë në intervistën për gazetën “Telegraf” ngrë shqetësimin për monitorimin dhe analizat për produktet ushqimore dhe blegtorale, për shkak se, siç ndodhi në rastin e sekuestrimit të disa tonëve me mish nga Brazili, nuk u publikuan analizat e plota. Prof. Panariti  shprehet se duhet të bëhen publike edhe emri i bisnesit edhe emrat e pronarëve të tyre, që importojnë dhe tregëtojnë produkte blegtorale me sarmonellë dhe shprehet se mospublikimi i analizave mund të bëhet edhe për shkak spekulimi, është një luftë konkurence e pandershme, siç ndodhi me midhjen e Butrintit. Prof. Panariti kundërshton edhe monopolizimin e thertoreve dhe jep shembujt pse kjo ka dëmtuar edhe fermerët, edhe blegtorinë. Prof. Panariti shpeh qëndrimin e kundërt të shkrirjes së drejtorive të bujqësisë në qarqe, sepse tani nuk ka më specialistë agronomë dhe veterinerë, që të monitorojnë dhe analizojnë sasitë e antibiotikëve, të pesticidëve, plehrave kimike dhe hormonëve në produktet bujqësore dhe blegtorale, duke i bërë këto produkte të pagarantuara në treg.

– Prof. Panariti, sa të sigurtë i kemi ushqimet në raftet e supermarketeve?

Së pari, vetë rrjeti i supermarketeve tona, pretendohet të ofrojë parametra më të lartë të sigurisë, sesa tregëtimi ambulant, sepse për produktet e tyre dihet kush është furnizuesi, kush është transportuesi, njëkohësisht, ato garantojnë më shumë çështjen e ambalazheve të përshtatshme dhe të përdorimit të treguesve të produktit ushqimor, qofshin nga përbërësit, qofshin edhe nga data e skadencës. Por, kjo nuk do të thotë që edhe një prodhues i vogël nuk i garanton këto parametra. Unë personalisht, jam për një heterogjinitet të faktorëve në fushën e prodhimit , të shpërndarjes dhe tregëtimit të ushqimit, sepse kështu funksionon në gjithë botën. Unë nuk jam ndaj politikës që po ndiqet përgjithësisht, çështja e prodhimit e shpërndarjes të tregëtimit të përqëndrohet në duar të pakta, duke nxjerrë jashtë lojës prodhuesit e vegjël. Madje, nëse ne do të krijonim një indentitet të prodhimit shqiptar, këto mund ta gjejmë shumë pak në supermarkete. Supermarketet janë globale, nuk janë ato që i japin fizionominë dhe indentitetin e prodhimit shqiptar. Dyqanet e vogla, oukat e vogla të tregëtimit, prodhimet bio të tregëtuara edhe lokalisht, natyrisht mbartin fizionominë e karakteristikat e vendit që i prodhon dhe i tregëton, janë ato që i japin fizionominë indentitetin produktit shqiptar.

– A kontrollohen sa duhet produktet ushqimore e blegtorale, që tregëtohen?

– Ne jemi të detyruar të kemi një sistem të mirëvendosur, siç kërkon edhe në BE, të monitorimit të ndotjeve dhe mbetjeve në përbërjet ushqimore, kontrollin e tyre, përsa i përket parametrave higjeno-sanitare. Problemi është se si këto kapacitete të instaluara i bëjnë funksionale, që mund të jenë edhe formale, që mund të bëjnë rolin e një polici, bblokuesi, gjobvënësi, por se sa efektivë janë ato për të parandaluar, kontrolluar, zbuluar ndotjen e ushqimeve, toksin e infeksioneve, kjo është një tjetër gjë. Unë kam vënë re me shqetësim, që shpesh herë organet përkatëse për kontrollin e ushqimit, siç mund të jenë AKU dalin me masa bllokuese, siç është rasti i fundit, të bllokimit të një sasie të madhe të mishit nga Brazili me prani të sarmonellës, por ajo që mungon në këtë element, që e bën jo shumë serioz këtë proces, është se ne nuk e njohëm subjektin, i cili ka sjellë këtë sasi të madhe mishi të ndotur me sarmonella, që konsumatori ta ketë të qartë se kush është burimi i këtij infeksioni, nuk u bënë publike matjet e analizave.

-Prof. Panariti, a duhet të publikohen emrat e bizneseve të cilat importojnë dhe tregëtojë produkte të infektuara, të dëmshme për shëndetin publik?

– Unë  u kam kërkuar institucioneve përkatëse që kanë zbuluar praninë e e bakterit të rrezikshëm të sarmonelës, janë të detyruar edhe me ligj të bëjnë të bëjnë një raport analitik të detyruar për rezultatin, tipin, llojin e sarmonellës, nga është zbuluar, sasinë e infektuar, sepse këto tregues e bëjnë serioze. Nëse ky raport nuk ekziston, atëhere mund të ekzistojë edhe dyshimi i arsyeshëm që mund të ketë edhe spekullim të dyshimtë, që mund të nxjerrë një prodhues nga tregu. Këtu tek ne kemi një mungesë totale të transparencës, e kjo bën të dyshojmë, plus që krijon edhe një panik të madh, njerëzit janë të shqetësuar. Plus që ka edhe implikime ligjore. Mundet që subjekti që është nën akuzë, të hap një proces gjyqësor. Institucioni monitorues duhet të ketë përgatitur shumë mirë dokumentacionin teknik, subjekti të bëhet i ditur publikisht, sepse, kur këto elementë mungojë, krijojnë dyshime për abuzime dhe spekulime për qëllime të caktuara.

– A është i mjaftueshëm justifikimi nga autoritetet shtetërore, që nuk publikojnë emra të bizneseve dhe të pronarëve, sepse është hera e parë, e nuk duan të prishin imazhin e bizneseve?

– Në rast se del një kampion i ndotur, kjo nuk ka të bëjë me imazhin e biznesit. Konsumatori nuk ushqehet me imazhin e biznesit, por ushqehet me produktin që tregëton ky biznes. Mund të kërkojmë edhe një referencë të institucioneve ndërkombëtare, po qe se ka përplasje. Këto janë edhe prova ligjore. Ky nuk është vetëm proces analitik, por është edhe proces ligjor.

– Pse mungojnë referencat nga institucionet shtetërore, se këto sasira ushqimesh të sekuestruara nga importi, ku janë ndotur nga sëmundjet: Në vendin e blerjes, gjatë transportit?

– Kjo mbetet për t’u vërtetuar nga specialistët e fushës, e kërkon analiza të thelluara dhe serioze. Ka ndotës, që dihet se janë tipikë të origjinës, ka tipe sarmonellash, që janë tipike të stallës. Analiza duhet të përcaktojë edhe origjinën e infeksionit. Nëse janë infeksione në stallë, jo akuzon vendin e origjinës. Nëse infeksioni ndodh gjatë transportit, përgjegjësinë e mban transportuesi. Prandaj unë kam instituar që raporti analitik, i dalë nga AKU nga instituti i Sigurisë Ushqimore, duhet të jetë shumë i detajuar. Pa këto tregues, ne mund të futemi në të dhëna spekulative, të cilat mund të mos jenë as të vërteta.

– Institucionet tona shtetërore të monitorimit e kontrollit, a kanë laboratorë të të gjitha llojeve të analizave të produkteve ushqimore?

– Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë ka për detyrë funksionale të kryejë analiza zbuluese dhe indentifikuese të agjentëve toksikë për një spektër të gjerë, të parashikuara edhe në ligjin “Për Ushqimin”. Nëse i bën apo nuk i bën, kjo është tjetër gjë.

– A kemi ne laboratorë për të kryer këto analiza të hollësishme?

– Ne kemi laboratorë dhe të pajisur shumë mirë. Por, nëse ky laborator është i furnizuar, paskëtaj, në mënyrë sistematike, me bazën e duhur materiale që kërkohet, sepse kanë aparatura, por u mungojnë sonventet, nuk kanë reagentet, kanë probleme të mbajtjes në gjendje funksionale të aparaturave, kjo e bën procesin të pasigurtë. Unë them, që nëse instituti nuk është në gjendje të bëjë analizat, është më mirë ta thotë që në fillim, dhe nuk ka pse të jetë nën presionin e ministrisë dhe të AKU, sepse përgjegjësi ligjore mban analisti dhe drejtori i institutit e jo ministri dhe drejtori i AKU-së. Nëse laboratori nuk i kryen analizat, atëhere monstrat duhet të dërgohen në laboratorët e vendeve fqinje për të bërë analiza konfirmatore.

– Si konsumator a kemi mundësi të pyesim, të dimë sa janë prezente në produktet bujqësore dhe blegtorale hormohet dhe elementët kimikë, të plehërimeve, spërkatjeve?

Po nuk e kërkoi konsumatori këtë, nuk e kërkon askush. Përgjigjen (me ton ironik),  mund ta gjeni sipas të gjitha rregullave për transparencë, qeveria ka krijuar edhe shumë platforma, për AKU-në, ku ti si konsumator mund të shkruash se dyshon që domatet e blera në tregun qëndror të Tiranës, apo Lushnjës janë me pesticide. Ju lutem, më jepni përgjigje për përmbajtjen e pesticideve tek domatja e blerë?  Dhe, si përherë, qeveria të kthen përgjigje brenda 10 ditëve, ndryshe kryeministri shkarkon drejtorin….

A bëhen analiza të tilla në institucionet tona shtetërore?

– Shqipëria ka një listë të caktuar të pesticideve të lejueshme dhe të plehrave kimike, të lejueshme të përdoren në kultivimin e bimëve bujqësore, dhe komformë listës që ka edhe në vendet e BE-së. Nuk lejohet që të futen në Shqipëri asnjë lloj tjetër nga vendet e treta.

– Sa respektohet kjo listë?

– Mbetet ta respektojnë, ta kontrollojnë institucionet shtetërore përkatëse. Duhet të kenë gjithashtu në monitorim të rreptë edhe sasitë e pesticideve, plehrave kimike, hormoneve të përdorura në kultivimin e bimëve bujqësore. Ministria e Bujqësisë ka planin kombëtar të mbetjeve të rrezikshme në produktet me origjinë bimore. Ky plan kombëtar është i detyrueshëm të zbatohet dhe kjo supozon, që me metodikë të caktuar, në mënyrë rastësore inspektorët e ushqimit marrin produktet me origjinë bimore nga serrate, nga arat në të gjithë ciklet e tyre të zhvillimit, veçanërisht në periudhat kur përdoret spërkatjet.

– Cilat ju shqetësojnë, praktikisht?

– Tani ne kemi një destrukturim të drejtorive të Bujqësisë nëpër qarqe. Këto monstra për analizë i merr specialisti i Mbrojtjes së Bimëve. Ne tani nuk i kemi më drejtoritë e bujqësisë funksionale, janë shkrirë, supozohet që janë krijuar 4 drejtori rajonale, dhe një pjesë e kompetencave u kanë kaluar bashkive. Sa mund të monitorojnë ata agronomë të paktë që kanë mbetur, gjithë procesin e spërkatjeve, të dozës së përdorur, sepse fermeri për interesat e fitimit të çastit, mund të përdorë doza shumë herë të larta të lëndës aktive, por që këto perceptohen dhe mbeten në produktin bujqësor, e më vonë dëmtojnë shëndetin e njerëzve. Ose fermeri mund të përdorë pesticidin dhe hormonin e gabuar. Më pas, fermeri duhet të respektojë periudhën e ashtuquajtur të klorancës, kur produkti nuk lejohet të tregëtohet, nëse nuk kanë kaluar një sasi ditësh nga përdorimi i fundit i spërkatjes, apo plehërimit kimit. Po të shkosh në Greqi, përshembull, në ministrinë e Bujqësisë punojnë 34 specialistë të Mbrojtjes së Bimëve. Ne nuk kemi sektor të Mbrojtjes së Bimëve në ministri, mendo që nuk kemi më as në qarqe, as në bashkitë. Pa këta njerëz, pa këto struktura monitorimi, nuk mund të shkojmë dot në integrim në Europë. Po kështu, edhe specialistët të monitorojnë edhe antibiotikët në blegtori. Ne tani nuk shikojmë më as agronomë, as veterinerë. Si mund të flasim për bujqësi e blegtori, si mund të pretendojmë se kemi ushqime blegtorale dhe ushqimore të gatantuara, të kontrolluara?

Prof. Panariti, përse ka edhe monopolizim të thertoreve në Shqipëri, kur blegtorinë e kemi jo të kooperuara në ferma?

– Për mua, monopolizimi i thertoreve ka qënë një hap i madh regres, është bërë nën pretendime të sigurimeve të parametrave të cilësisë dhe sigurisë, sepse pretendohet që në stan, në pikat e therrjes atje, në mal, nuk garanton, gjë që është absolutisht e pavërtetë. Prodhuesit e vegjël duhet të ndihmohen, të nxiten, sepse, ata janë kudo, edhe në Gjermani, edhe në Hollandë, madje ata janë edhe atraksioni i madh turistik, sepse një fermë agroturizmi me produktin e saj bletoral do të funksionojë. Ai do ta mbarështrojë bagëtinë dhe mundësisht ta therrë dhe përpunojë mishin e freskët aty ku është. Sigurisht, këtë mund ta bëjë edhe pa thertore moderne, por mund ta bëjë edhe me minithertore dhe shteti duhet ta ndihmojë atë.

– Çfarë kërkohet?

– Gjëra të thjeshta, pllaka majolike, uji i rrjedhshëm, një banak frigoriferik dhe çengeli inoks. Pse duhet që shteti ta përqëndrojë therrjen e bagëtive vetëm në therrtore moderne? Dhe, ja mendojeni edhe ju, a ka mundësi fermeri i Mokrës, që të bëjë 40 km rrugë për të çuar një kokë bagëti aty? Kjo është një padrejtësi e madhe. Edhe statistikat tashmë tregojnë që kemi ulje të numrit të blegtorisë, nuk ka më interes fermeri. Prandaj, qeveria duhet të tërhiqet nga kjo histori e monopolizimit të therrtoreve dhe most a lëmë këtë histori në duart e 3-4 operatorëve të mëdha.

– Cilat ju shqetëson juve më tepër?

– Ëshë kjo të nxiste rritjen e numrit të krerëve  dhe, atë që u trumbetua me të madhe, eksportin e qingjave për herë të parë, ne tani, kemi për herë të parë, importimin e qingjave, pikërisht me këtë organizim të ri. Këto monopole do ta vrasin blegorinë e vendit tonë dhe po e vrasin realisht dhe po favorizojnë linjat e tjera, siç janë importet dhe përqëndrimin, sigurisht, për qëllime fitimi, të biznesit të mbarështrimit dhe përpunimit të mishit në pak duar.

– Prof. Panariti, do ta nis pyetjen me një shembull konkret, për ta përgjithësuar. Pak muaj më parë u dha alarmi për midhjen e Butrintit me sarmonelë dhe ju ishit i pari që e përgënjeshtruat dhe kishit të drejtë. A ka spekulime të kontrolleve, që veprojnë për qëllime të konkurencës jo të ndershme?

– Unë jam për mbikqyrje, për monitorim, për analiza periodike, por kam kërkuar që të bëhen transparente dhe publike rezultatet e analizave. Të vërtetohet që analizat janë kryer, janë kryer me metoda të autorizuara dhe që është zbuluar agjenti bakterial ose agjenti toksik. Në momentin që nuk bëhet kjo transparencë, kam gjithë dyshimin e arësyetuar, që mund të bëhet kontrolli edhe për qëllime tregëtare.

– Pse?

– Për t’u futur në tregun shqiptar, nuk është kandidate vetëm midhja e Butrintit, ka prodhime e fruta deti nga Greqia, që kërkojnë hapësira tregëtare  për të zënë tregun e midhjes së Butrintit. Ka interesa të tjera, që, duke përdorur fletë analize të pabazuara, të nxjerr lashtë loje.

– Faleminderit!