Ja si grabiten paratë e Europës dhe Amerikës

615
Sigal

Ka ditë, që në media ka shpërthyer një skandal për të cilin gazeta “Telegraf” para dy muajsh ka botuar disa shkrime dhe investigime të përgatitura nga specialistët e fushës dhe që ishin pjesë e institucioneve shtetërore, por që nuk guxonin të dilnin hapur sepse ishin të pambrojtur dhe u rrezikohej vendi i punës. Madje, një kopje e këtij materiali të zgjeruar është dërguar pranë organeve të specializuara apo interesuar në Europë dhe SHBA. Ky skandal, pra nuk është i ri, është i njohur dhe që në mënyra dhe forma të ndryshme ekziston edhe në institucionet e tjera BE-së, SHBA-ve, Bankës Botërore në Tiranë apo organizmave të tyre etj.. Bëhet fjalë për miliarda dhe miliarda që jepen në emër të Shqipërisë, për të shëndoshur demokracinë e brendshme. Këto miliarda jepen falas dhe kanë një destinacion dhe një qëllim. Me pak fjalë këto para duhet të kthehen në të mirë të demokratizimit të brendshëm të jetës qytetare, ekonomike dhe politike të vendit. Qëllimi final i këtyre donacioneve të nxjerra apo të kursyera nga popujt dashamirës të Europës dhe SHBA-ve është investimi i shpejt për politika paqësore dhe sociale, janë para të harxhuara sot në mënyrë që nesër qytetarët e vendit tonë të mos dergjen në rrugët e Europës apo botës dhe se vendi të mos përfundojë njëlloj sikurse ndodhi në disa vende të Lindjes dhe sidomos në Ukrainë (Krime). Afërsisht 2 muaj më parë në takimin e zhvilluar në Gjermani, në Konferencën e Mynihut, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry deklaroi mes të tjerash se: “Megjithëse, ka një situatë kaotike në rrugët e Kievit, pjesa më e madhe e ukrainasve kërkojnë të jetojnë të lirë, në mjedis të sigurt, në një vend të begatë dhe po luftojnë për të drejtën dhe aspiratat e tyre…”. Po në Shqipëri si është situata dhe cila është paralelja mes Kievit dhe Tiranës? A ka lidhje midis të drejtave, mbështetjes me fonde nga vendet e BE-së,  SHBA-ve, shoqërisë civile dhe individëve që i përfitojnë këto fonde. Lidhja është e qartë dhe se në Ukrainë qytetarët treguan integritet për të mirën e vendit të tyre, ndërsa në Shqipëri jepen para dhe këto para, nuk dihet se ku kanë përfunduar. Paratë që jepen nga Europa, SHBA-të, Banka Botërore dhe organizmat e tjerë që janë në Tiranë, kanë destinacione që të ngrenë në këmbë shoqërinë për çdo padrejtësi, për çdo makutëri, babëzi dhe maskarallëk të politikanëve shqiptarë dhe jo krerët e shoqërisë civile, që i marrin paratë për t’i bërë rrush e kumbulla. Këto shoqëri harxhojnë disa “qindarka” dhe “pjesën e luanit” e ndajnë mes atyre që i marrin dhe atyre që ua garantojnë marrjen e tyre. Ja çfarë ishte evidentuar

Sipas një të përditshme është denoncuar me emra dhe shifra konkrete kjo situatë, ku aktorë janë ish- kreu i BE-së dhe shoqatat që ai ishte financuar nga paratë e qytetarëve europianë. Sipas të përditshmes, ai do të mbahet mend për meritën e ngritjes së një sistemi të paprecedentë korrupsioni në Shqipëri, me metoda dhe skema shqiptare. Ai do të kujtohet gjatë si arkitekti i korrupsionit me donacionet e Bashkimit Europian në Shqipëri. Ky njeri do të mbahet mend si ideatori i trekëndëshit nepotik dhe klientelist në Tiranë, trekëndësh, i cili thithte dhe qarkullonte donacionet e Brukselit në Shqipëri, në bashkëpunim me një rreth të caktuar klientele. Ai do të përmendet për devijimin e parave për shqiptarët në duart e Igli Totozanit, bashkëshortes së tij Marta Onoratos, Lutfi Dervishit, Remzi Lanit, Artan Hoxhës (kandidati për President i Berishës) etj.. Hallka e dytë e zinxhirit të korrupsionit lidhet me menaxhimin e donacioneve të BE-së nga organizatat në Shqipëri, shumica e të cilave, fantazmë dhe inekzistente. Paratë e taksapaguesve të qytetarëve të Bashkimit Europian, kanë gjeneruar një skemë të thjeshtë korrupsioni në Shqipëri. Ndërkaq, dy janë rrugët që organizatat në Shqipëri thithin fondet e BE-së: Aplikimi tek Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, i cili dikton kryesisht përfundimin e donacioneve. Rruga tjetër është aplikimi i drejtpërdrejtë tek institucionet e Brukselit. Po ashtu, ka disa kritere të qarta për të përfituar një financim të një projekti. Që kërkesa të miratohet nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, duhet që organizata të ketë jo më pak se tre vjet eksperiencë pune në realizim projektesh. Ndërkaq, që kërkesa të miratohet në BE, duhet që organizata të ketë jo më pak se pesë vite eksperiencë pune në realizimin projekteve të ndryshme.

Ja kush i merr paratë e Brukselit

Universiteti “Marin Barleti”, 90.148 euro

Remzi Lani, Drejtor i Institutit Shqiptar të Medias, 136,942.46 euro

Shkodra, 2 milionë euro grande

Bashkëshortja e Avokatit të Popullit,

Marta Onorato, 500 mijë euro, Avokati i Popullit, 1.2 milionë euro

“Transparency International Albania”, Lutfi Dervishi 99.963 euro

“Komiteti Shqiptar i Helsinkit”, Vjollca Meçe, 168.476 euro

“Amoro-Drom” Skënder Veliun, 191.132 euro  “Unë, gruaja”, Afroviti Gusho, 26.562 euro edhe 53.344

Shoqata kombëtare Edukimi për Jetën 190,457.28 euro,

 Psikologët shqiptarë 167,534.00 euro ,

Albania Blind Association 216,726.81 euro,

 ARSIS Albania 169,563.58 euro

Tjetër Vizion 249,952.00 euro

Institute for Democracy and Meditation, 259,869.00 euro

 Roma Active Albania, 250,003.00 euro

 Centre for Rural Studies and International Agriculture 15.07.2012 euro

Albanian Centre for Human Rights 150,000.00 euro

 Institute of Nature Conservation in Albania 112,221.60 eurosh.”.

 Këto janë shifrat e publikuara dhe është e drejta e personave në fjalë që të vërtetojnë nëse këto fakte dhe këto shifra qëndrojnë apo jo.

 Dhe ne, këto shifra pa i cilësuar si të vërteta ne po i  përdorim për  analizën tonë për t’i kujtuar vetë këtyre donatorëve se për ç’qëllim janë dhënë. A kanë dhënë rezultate apo janë shuma që duhen “grabitur” për interesa të ulëta dhe të ngushta. Faktet janë tronditëse dhe mund të përmendim, milionat për rehabilitimin e ish-të përndjekurve të diktaturës komuniste, të romëve që janë rrugëve nëpër semaforë, të jetimëve që flenë pa bukë, për media që nuk dihet, ku dhe kush i specializon dhe sa janë prezente me shkrime në mediat televizive dhe atë të shkruar, etj., etj.. Por le të marrim faktin më skandaloz të këtyre ditëve të fundit, ku në Parlamentin shqiptar deputetë dhe liderë partie, funksionarë të lartë të shtetit dhe qeveritarë, me një fjalor rrugaçërie fyen kombin, nënat, gratë dhe motrat shqiptare. Ku e gjejnë të drejtën si z.Berisha, si z.Rama të përdorin një fjalor të ulët dhe të pisët?! A mendojnë ata, për gratë që kishin në krahë, po ata mijëra e mijëra burra, gra dhe fëmijë në Shqipëri dhe në botë që i dëgjonin dhe u vinte turp nga fjalori prej rrugaçi. A mundet që në Gjermani,SHBA apo Angli të flitet me këtë gjuhë? E pra, këta njerëz duan një mësim që t’u bëhet pësim për tërë jetën. Dhe këtë gjë, duhej ta jepte “Shoqëria  Civile”, e bashkuar , e cila duhej të dilte në rrugë dhe të protestonte deri në dorëheqjen e Kryeministrit dhe të ish-Kryeministrit nga Parlamenti. Kuvendi është organi më i lartë dhe tempulli i demokracisë dhe jo “shtëpi publike”, ku flitej për “prezervativë” dhe të tjera fjalë të pista që etika jonë nuk i pranon për tua servirur lexuesve. Ku janë shoqatat e grave që kanë marrë financime nga BE-ja dhe SHBA-të? Pse heshtin pse nuk kërkuan që të gjitha gratë e Parlamentit të dalin në rrugë dhe të kërkojnë largimin nga Parlamenti të  “gangsterëve” të politikës? Ja pra, ky është qëllimi se përse milionat që jepen çdo vit nga demokracitë perëndimore të kenë efektivitetin e tyre në ditë, si ajo kur u përdhos Kuvendi i Shqipërisë. Po organizatat që mbrojnë fëmijët ku janë? Po i vetëquajturi Institut i Medias? Po Komiteti Shqiptar i Helsinkit? Po ata që kanë marrë para me të ashtuquajtura projekte ku janë? Janë që të gjithë të kapur nga politika dhe fajtori kryesor është organizmi që i ka ushqyer me këto para. Qeveritë e BE-së dhe SHBA-ve, si dhe ambasadorët e tyre, duhet të analizojnë këtë situatë dhe t’u presin rrugën këtyre ordinerëve që po mbushin xhepat e tyre dhe të atyre që kanë dalë garantë. Dështimi dhe heshtja para kësaj situate është një turp i vërtetë. Ndoshta, fjalët e Sekretarit Amerikan të Shteti, John Kerry, për korrupsionin mbajtur në Konferencën e Mynihut janë gjetja më me vend për situatën, ku ndodhet Shqipëria dhe drejtuesit europianë dhe amerikanë që shpërndajnë parave të popujve të tyre. Në këtë fjalim, Sekretari Kerry theksoi: “Fakti është që vërejmë një prirje shqetësuese në shumë vende të Europës Qendrore dhe Lindore si dhe në Ballkan. Aspiratat e qytetarëve të këtyre vendeve po shtypen nën barrën e korrupsionit, interesave oligarkie, interesave që përdorin paranë për të shtypur kundërshtarët politikë, për të blerë politikanët dhe grupet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit, si dhe të drejtat e organizatave jo qeveritare”.