Ja si do votohet për kreun e Partisë Demokratike

509
Sigal

Sot votohet në PD për të zgjedhur kryetarin e ri, midis dy kandidatëve: Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale ngritur në PD para pak ditësh miratoi një udhëzim të veçantë për votimin në rrethin e Tiranës, ku është përcaktuar që në qytet do të ngrihen 11 qendra votimi dhe gjashtë të tjera do të jenë për rrethinat. “Një qendër votimi në selinë qendrore për anëtarët e Këshillit Kombëtar që nuk kanë emrin në listat e grupseksioneve, deputetët aktualë dhe të zgjedhur rishtazi, për grupseksionin 10 dhe administratën e PD-së. Grupseksioni i Kasharit do të votojë me grupseksionin 6 në Kombinat”, thuhet në udhëzimin e PD-së. Disa ditë më parë KQZ-ja përmes një udhëzimi tjetër përcaktoi procedurat dhe rregullat se si duhet dhe ku do të votojë anëtarësia e PD-së në mbarë vendin. Ambienti ku do të kryhet votimi miratohet nga komisioni i organizimit dhe kontrollit të operacioneve elektorale me propozim të kryesive të degëve të PD-së, jo më vonë se 5 ditë para datës së votimit. Për çdo qendër votimi ngrihet një komision votimi që në përbërje do të jetë sekretari i degës, kryetari, dy anëtarë kryesie, zgjedhur në kryesinë e degës dhe dy përfaqësues nga kandidatët në degët përkatëse. Propozimet për anëtarë paraqiten për miratim në komisionin e organizimit jo më vonë se 5 ditë para zgjedhjeve dhe po ashtu edhe komisionet e votimit. Në udhëzim përcaktohen edhe procedurat e votimit të anëtarësisë, të cilat ditën e votimit që fillon në orën 8 të mëngjesit dhe mbyllet në orën 19 të darkës duhet të kenë me vete kartë dixhitale ose kartë identiteti.

Lulzim Basha: “Forcë për t’u ringritur, opozitë të fortë dyshes së zullumit Rama-Meta”

Një dita para zgjedhjeve për kreun e ri të PD-së, kandidati Lulëzim Basha ka mbyllur fushatën në një takim me anëtarët e njësive 1,3,4 dhe 11 në kryeqytet. Përpara mbështetësve të tij, Basha premtoi se zgjedhjet e sotme në PD do gjejnë mënyrën për t’u ringritur dhe për të fituar beteja të tjera. “Kjo garë po vërteton se si ne demokratët në momentet jo më të mira tonat rrezatojmë vlera dhe dinjitet për qytetarët e politikën shqiptare. Falenderoj nga zemra çdo anëtar që u përfshi në këtë proces të jashtëzakonshëm dhe emancipues. Të nisim rrugën tonë drejt rikthimit dhe fitores. Kemi vendosmëri për t’u ringritur”, tha ai. Më te,j Basha lëshoi një thirrje për bashkim mes çdo demokrati. “Në këtë garë, që në momentin e parë kam pasur një thirrje, kërkesa ime e parë, e dytë dhe e tretë e ndaj çdo demokrati, është që edhe sot të jemi më të bashkuar dhe me afër se kurrë me njëri-tjetrin”.  Duke u shprehur se është përgjegjësi të kandidosh për kreun e ri të PD-së, Basha tha se nuk kandidon për të zëvendësuar Berishën, por për të mos e lënë të ndalë orën e lirisë. “Askush nuk e zëvendëson Berishën, ai është lideri historik i PD-së, por ora e PD-së nuk mund të ndalë, është ora e lirisë dhe zhvillimit europian. Nuk jam i shtyrë nga ambicia personale, sot marr përgjegjësinë time para çdo demokrati dhe mbështetësi për të ofruar gjithçka nga shpirti, mendja e trupi im për t’u ngritur në nivelin e duhur. Teksa komentoi zgjedhjet e 23 Qershorit, Basha u shpreh se pas zgjedhjeve të reja brenda PD-së do të bëhet edhe një analizë për të gjetur pikat e forta dhe të dobëta të forcës së djathtë, më të madhe në vend. “Rezultati nuk ishte ai që prisnim, dëshironim, për të cilin kishim punuar. Këto ditë dhe javë kanë qenë të një reflektimi të thellë. Ky tur takimesh e ditët para tij më kanë dhënë mundësinë të ndjej dhe prek hidhërimin për humbjen të militantëve anë e mbanë vendit. Kam dëgjuar dhe ndjerë tronditje, edhe për dorëheqjen e liderit tonë historik, Sali Berisha”, tha Basha ndërsa shtoi se, “Do bëhet një analizë për humbjen e zgjedhjeve, të evidentojmë pa emocion gjithçka që bëmë në këtë fushatë e vitet pararendëse”, tha ai. Sipas Bashës, një nga shkaqet e humbjes ishte edhe mungesa e vëmendjes ndaj bazës, anëtarëve dhe militantëve të PD-së. Ai premtoi më tej, se në krye të PD-së do të respektojë vlerat e çdo anëtari, do dëgjojë zërin e tyre dhe do i bëjë ata pjesë të vendimmarrjes në këtë parti.“Anëtari i PD-së është sovran i padiskutueshëm. Zgjedhjet do zhvillohen sipas parimit një anëtar një votë. Nuk ka, nuk shoh asnjë arsye që ky parim të mos jetë në statutin e PD-së. Unë do kërkoj mendimin e sovranit për çdo veprim, kjo duhet të kthehet në një normë standarde në punën e PD-së. Të mobilizojmë çdo mendje, e çdo shpirt, çdo anëtar”, -tha ai.

 Sokol Olldashi : “Do punoj për suksesin e Partisë Demokratike”

Në ditën e fundit të fushatës për kreun e PD-së, Sokol Olldashi ka intensifikuar takimet me anëtarësinë duke u ndalur në Sukth, Rrashbull dhe Kashar. Sokol Olldashi u është drejtuar edhe gjithë militantëve të PS-së me një manifest politik. “Sot është dita e fundit e fushatës brenda partisë, ndaj jam përpara jush, për të falenderuar të gjithë demokratët për procesin shumë pozitiv që kanë zhvilluar, për seriozitetin me të cilën e kanë përcjellë dhe dinjitetin që i kanë dhënë kësaj gare brenda nesh. Për mua kanë qenë 19 ditë të jashtëzakonshme, takimesh me strukturat dhe demokratët në të gjitha degët e PD-së. Kam folur dhe më kanë folur, më kanë dëgjuar dhe i kam dëgjuar.  Kemi shkëmbyer bashkarisht opinione se si duhet të ringrihet PD-ja, për t’u rikthyer aty ku ajo ka destinacionin e vet të përhershëm, tek të qenit forca përfaqësuese e shumicës së shqiptarëve. Kemi konkluduar së bashku se ky është një moment historik për PD-në dhe për gjithë shoqërinë shqiptare. Kemi konkluduar se mënyra më e mirë për të shënuar një fillim të ri dhe një rikthim të shpejtë, është që, mbi gabimet të ndërtojmë një eksperiencë dhe mbi eksperiencën një platformë suksesi.
Ne na duhet me shpejtësi të përcaktojmë se:
– vetëm duke iu përmbajtur në mënyrë rigoroze kufijve politikë të qendrës së djathtë,
– duke identifikuar qartësisht një skenë politike dypolare me partinë e vjetër të punës të rithemeluar në 1 prill në njërën anë dhe PD-në në anën tjetër
– duke konsoliduar marrëdhënien tonë me të përndjekurit, pronarët, botën akademike, të rinjtë dhe biznesin,
– duke ndërmarrë një opozitë parlamentare energjike, të paepur, të mirëstrukturuar dhe të pakompromis
– duke riorganizuar mekanizmin e PD-së, përmes inventarizimit të menjëhershëm të kontributeve të secilit anëtar, përmes konsolidimit të mekanizmit të përgjegjësive dhe stimujve, përmes rikthimit tek struktura baze e PD-së të cdo të drejte përfaqësimi dhe përmes riorganizimit dhe reformimit të thellë të çdo strukture të PD-së, nga seksioni më i vogël, deri tek kryesia qendrore;  PD-ja do të rikthehet tek fitorja, në përballjen e parë elektorale, zgjedhjet lokale të vitit 2015. Unë mundem t’i drejtoj demokratët në këtë sipërmarrje të vështirë, por sigurisht të arritshme, sepse
– E njoh strukturën e PD-së në nivele të ndryshme, nga anëtar i thjeshtë deri në nivelet më të larta drejtuese.
– Kam eksperiencën e duhur opozitare për të ngritur një veprim politik efikas.
– Kam prezencën parlamentare që më jep mundësinë ta kthej foltoren e kuvendit në një tribunë të opozitës.
– Kam 24 orë në ditë, në dispozicion të ristrukturimit, opozitarizmit dhe fitores së shpejtë të PD-së. Në përfundim të kësaj fushate, vendimi kalon në duart e anëtarëve të PD-së, ndaj unë dua edhe një herë t’i falenderoj të gjithë ata që ndenjën në krah, përballë, apo kithët meje në këtë fushatë. I ftoj të gjithë të marin pjesë në votim, të vendosin secili ne liri të plotë duke i siguruar se, cilido qoftë rezultati i këtyre zgjedhjeve, unë do të vazhdoj me të gjithë energjithë e mia, të punoj për suksesin e PD-së dhe për ringritjen e demokratëve dhe të parimeve të shenjta tek të cilat ne bashkarisht besojmë.”- përfundon Sokol Olldashi.