Ja institucionet që prek ligji i dekriminalizimit dhe çfarë ndodh pas vetëdeklarimit

1025
Mazhoranca dhe opozita e kanë gjetur konsensusin për projektligjin e dekriminalizimit, diskutimi i të cilit filloi të enjten e shkuar në Kuvend, pavarësisht se kanë mosmarrëveshje për testin e drogës. Ligji konsensual i dekriminalizimit pritet të prekë thuajse të gjitha nivelet drejtuese të institucioneve shqiptare, me nivel të lartë, të mesëm dhe të ulet duke zbritur deri në nivel ekspertësh. Instrumenti kryesor i ligjit është vetëdeklarimi. Duhet të plotësojnë e të nënshkruajnë një formular vetëdeklarimi punonjësit: Në organe kushtetuese, apo të krijuara me ligj. Në postin e zëvendësministrit, apo të njëvlershëm me të. Në postin e prefektit. Funksionarë politikë në kabinetet e drejtuesve të çdo institucioni kushtetues apo të krijuar me ligj. Në Shërbimin Informativ Shtetëror. Në shërbimin civil. Në çdo nivel drejtimi të policisë së shtetit. Ushtarakë të forcave të armatosura. Çdo post drejtues të kompanive që zotërohen plotësisht apo në mazhorancë ose administrohen nga shteti. 
Dorëzimi
Këto formularë, që përbejnë instrumentin thelbësor të ligjit, dorëzohen dhe administrohen, sipas rastit. Pranë KQZ, për të zgjedhurit dhe kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë apo në organet e qeverisjes vendore. Pranë Kryetarit të Kuvendit, për kandidatët për funksione në organet kushtetuese apo të krijuara me ligj dhe që zgjidhen nga Kuvendi. Pranë Prefektit të qarkut përkatës për personat që emërohen në funksione publike me votim nga këshilli bashkiak nën juridiksionin e prefektit apo nga këshilli i qarkut përkatës. Pranë KQZ për anëtarët e Këshillit të Ministrave që nuk kanë mandat deputeti dhe nuk kanë paraqitur vetëdeklarim. Pranë titullarit apo organit që bën emërimin për funksionarin publik. Pranë drejtorit të SHISH, apo drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Pranë Departamentit të Administratës Publike. Pranë Ministrit të Mbrojtjes. Por ka një pyetje krejt të natyrshme: Çfarë ndodh pas vetdeklarimit? Vetdeklarimet nuk verifikohen deri ne momentin kur ndaj një punonjësi apo zyrtari te larte nuk iniciohet një proces i tille nga organet e përcaktuara ne ligj. Ligji ngarkon 1/10 e deputetëve, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin dhe Prokurorin e Përgjithshëm, për verifikimi e të dhënave të deklaruara për një deputet të Kuvendit, apo një anëtar të Këshillit të Ministrave, përfshirë Kryeministrin, gjithashtu dhe për një të zgjedhur në organet e bashkisë apo të qarkut si dhe për anëtarin apo drejtuesin e një organi kushtetues apo të krijuar me ligj. Verifikimi i Formularit të vetëdeklarimit, për ministrin, zëvendësministrin apo funksione të njëvlershme me të, prefektin dhe çdo drejtues institucioni në varësi të Kryeministrit apo Ministri si dhe për drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror, kërkohet nga Kryeministri, çdo deputet apo Prokurori i Përgjithshëm. Ndërsa verifikimi i drejtuesit dhe pjesëtarët e shërbimit civil të çdo niveli në administratën publike në nivel qendror ose vendor, kërkohet nga Ministri i linjës, çdo deputet ose një prokuror. Gjithashtu ligji mandaton dhe 500 shtetas më të drejtë votë për të iniciuar verifikimin e çdo zyrtari shtetëror. Organi kompetent është i detyruar që t’i kërkojë brenda 5 ditëve Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e të dhënave, sipas këtij ligji.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 01.12.2015
Sigal