Ja 9 kryetarët e partive, “viktimë” e 25 qershorit

568
Zgjedhjet, 9 kryetarët e partive që ranë “viktimë”
Çfarë ndodhi me drejtuesit e partisë që humbën zgjedhjet apo mbetën jashtë Kuvendit. Nga ikja e Kreshnik Spahiut, te “mbretërimi” i shkurtër i Vasilit
Zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit shkaktuan një tërmet të vërtetë në skenën politike, duke tronditur kolltukët e disa prej kryetarëve të partive. Rezultati ndëshkoi opozitën, ndërsa për shkak të zgjedhjesh së Ilir Metës si President, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim u përfshi në një seri ndryshimesh. Megjithatë, rënia e kryetarëve nisi në fakt përpara zgjedhjeve. Ishte Kreshnik Spahiu, i larguari i parë. Ai mbeti jashtë listave të kandidatëve për deputetë të opozitës, për shkak të mospajtimeve me kryedemokratin Basha. Duke refuzuar propozimin e Bashës, Spahiu vendosi të japë dorëheqjen nga drejtimi i Aleancës Kuqezi dhe të largohet nga politika. Por “viktima” kryesore e këtyre zgjedhjeve mbetet Lulzim Basha, për shkak të humbjes së rëndë dhe rezultatit zhgënjyes. Ai u detyrua të largojë veten nga drejtimi organizativ i partisë dhe pritet të garojë më 22 korrik për të rimarrë “frenat” e Partisë Demokratike. Sidoqoftë, Basha përballet me një valë kritikash për rezultatin e demokratëve në zgjedhjet parlamentare. Krahas Bashës, edhe kreu i një partie tjetër të rëndësishme, si Lëvizja Socialiste për Integrim, u detyrua të marrë një vendim të rëndësishëm pas zgjedhjeve. I ndodhur prej vetëm një muaji në drejtimin e LSI-së, Petrit Vasili vendosi të rikthehet në krye të grupit të ardhshëm parlamentar të LSI-së, për t’i hapur rrugë ngjitjes së Monika Kryemadhit. 

Një tjetër dorëheqje për shkak të rezultatit në zgjedhje ishte ajo e Gjergj Bojaxhiut. Ai ishte drejtues politik i “Sfida për Shqipërinë” dhe votat e marra në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë ishin fare pak. Ato jo vetëm nuk siguruan një mandat, por rezultuan edhe shumë larg këtij objektivi. Ndonëse formalisht jo kryetar i “Sfida për Shqipërinë”, Bojaxhi u largua nga drejtimi politik i kësaj partie. 

Humbës në këto zgjedhje ishin edhe kryetarët e 4 partive të tjera, ndërsa ish-presidenti Bamir Topi nuk e përfshiu emrin e tij në listat e kandidatëve të Frymës së Re Demokratike. Mes humbësve spikat emri i Shpëtim Idrizit. Ndonëse PDIU arriti të siguronte 3 mandate, vetë Idrizi mbeti jashtë Parlamentit të ardhshëm për shkak të moskalimit të pragut të kërkuar të votave në Tiranë. PDIU ka paralajmëruar se do të zhvillojë një betejë ligjore për të siguruar mandatin e Idrizit, duke pretenduar një numërim jo të saktë të votave. Gjithashtu, drejtuesi i partisë së re LIBRA, Ben Blushi, mbeti jashtë Kuvendit për shkak se mbi 9 mijë votat në Tiranë nuk mjaftuan për të “prodhuar” një deputet. Ndër VIP-at humbës është edhe Agron Duka, kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste. Ndonëse kandidonte i pesti në listën e PD-së në Durrës, Duka nuk arriti të ishte mes fituesve, duke mbetur jashtë Kuvendit. Në listën e humbësve nuk mungon edhe deputeti ndoshta më i veçantë i Parlamentit aktual. Eduart Ndocaj, kryetar i Partisë Bashkimit Demokristian të Shqipërisë, mori vetëm 273 vota në qarkun e Lezhës. Në këtë mënyrë, skena politike shqiptare duket se ka pësuar ndryshime jo të vogla. Partitë në këto zgjedhje garuan pa koalicione, duke e bërë më të vështirë për partitë e vogla të sigurojnë vende në Parlament. Alternativa më e mirë për t’u përfaqësuar në Kuvendin e ardhshëm mbeti ajo e përfshirjes në listat e njërës prej partive të mëdha. Ky fat u buzëqeshi Fatmir Mediut, Nard Ndokës, Dashamir Shehit e Vangjel Dules. Ndërsa Skënder Gjinushi e Paskal Milo vijojnë të jenë jashtë Kuvendit, me ndryshimin se tashmë PSD-ja do të ketë si përfaqësues Tom Doshin. 

“Viktimat” e zgjedhjeve:
1 – Lulzim Basha
Ngriu funksionet organizative në drejtim të Partisë Demokratike. Pranoi humbjen e zgjedhjeve dhe hapi garën për kreun e PD-së. Përballet me një seri kundërshtimet dhe kritikash brenda partisë. 

2 – Petrit Vasili
Ndonëse LSI-ja shtoi numrin e votave, ai dha dorëheqjen nga drejtimi, duke preferuar të mbajë udhëheqjen e grupit parlamentar. Mbetet ndër kryetarët më jetëshkurtër të një partie politike. 

3 – Kreshnik Spahiu
Mbeti jashtë listës së kandidatëve për deputetë për shkak të mosmarrëveshjeve me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. E la drejtimin e Aleancës Kuqezi dhe vendosi largimin nga politika.

4 – Gjergj Bojaxhi
Deklaroi largimin nga udhëheqja e “Sfida për Shqipërinë”, të cilën e drejtonte politikisht, ndonëse nuk mbante zyrtarisht postin e kryetarit. Mori një rezultat zhgënjyes në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë.

5 – Shpëtim Idrizi
Mbeti jashtë Kuvendit të ardhshëm, pasi nuk mundi të fitonte mandatin e deputetit në Tiranë. Pavarësisht votave të marra, nuk arriti të kalonte pragun e nevojshëm prej 3 % për t’u zgjedhur deputet. 

6 – Ben Blushi
Nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të ri. Ndonëse me partinë e re dhe të sapothemeluar LIBRA mori rreth 20 mijë në të gjithë vendin, nuk siguroi një mandat as në Tiranë, ku iu afrua shifrës 10 mijë mbështetës. 

7 – Agron Duka
Dështoi të ishte pjesë e Kuvendit, ndonëse renditej në vendin e pestë të listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, në mungesë të një koalicioni parazgjedhor.

8 – Bamir Topi
Nuk u përfshi fare në kandidim në zgjedhjet e 25 qershorit, duke mos e renditur emrin e tij mes kandidatëve të partisë që drejton. Prej largimit nga Kuvendi në vitin 2007 nuk ka mundur të rikthehet.

9 – Eduart Ndocaj
Nuk arriti të zgjidhej në Kuvend, ndonëse krijoi Partinë Bashkimi Demokristian të Shqipërisë, duke u përpjekur të marrë vota në qarkun e Lezhës. Në zgjedhje mori vetëm 273 vota. 
Sigal