Ish-Presidenti Bujar Nishani: Djegia e mandateve është akt historik

432
Sigal

Dorëzimi i mandateve parlamentare nga opozita është një akt historik në shërbim të një triumfi për kthimin e Shqipërisë në një rrugëtim normaliteti, për nisjen e një projekti të madh të një Shqipërie ndryshe. Ky akt i demonstrimit të përgjegjshmërisë më sipërore civile shënon marrjen në dorë dhe udhëheqjen prej opozitës të një Lëvizje madhore qytetare të rëndësisë dhe përmasave të Lëvizjes së vitit 1990, por sot me mjete dhe akte më të ndryshme. Në këto 6 vitet e pushtetit të një sekti i vetëquajtur ‘rilindje’, i cili shfrytëzoj bazën e Partisë Socialiste si koperturë dhe krimin e organizuar si kolonën bazë për të marrë pushtetin, ky rrezik u shfaq realisht. Institucione të rëndësishme ndërkombëtare dhe media prestigjioze ndërkombëtare më së fundi kanë publikuar dhe denoncuar fakte të rënda ku vërtetohet se qeveria aktuale ka tjetërsuar vullnetin politik të popullit shqiptar gjatë zgjedhjeve të fundit politike në 2017 duke provuar publikisht dhe formalisht se kjo qeveri nuk e ka legjitimitetin e shumicës qeverisëse, se vendet e maxhorancës në parlament në masë të konsiderueshme nuk janë produkt i vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë por të dhunës, agresivitetit, grabitjes së grupeve të krimit të organizuar, parave të pista dhe veprimeve antiligjore të detashmenteve nga policia e shtetit dhe degët operacionale (në kuptimin e kontaktit dhe shërbimit me publikun) të administratës shtetërore. Opozita shqiptare ka sot një përgjegjësi dhe detyrë historike. Së bashku me shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë të nisë një rrugëtim ndryshe, të ri dhe serioz të Shqipërisë. Të kthej besimin, shpresën, normalitetin e shtetit dhe njerzillëkut për shoqërinë e popullin. Opozita ka ndërmarrë sot një hap që sakrifikon një privilegj nominal të përkohshëm siç është mandati i deputetit por që po investon dhe angazhohet në shërbim të një interesi madhor për të nesërmen e çdo shqiptari pavarësisht se çfarë statusi ka në shoqëri, rend institucional, besim religjioz apo përkatësi partiake. Një Shqipëri ku detyrën, sjelljet, të drejtat, detyrimet e gjithsecilit i përcakton, rregullon, mbron e gjykon ligji dhe Kushtetuta jo Kryeministri dhe të fortët përreth tij.