Ish Presidenti Bamir Topi/ Pa ndryshuar ligjin zgjedhor, nuk ka rotacion politik. Rama ka infrastrukturën e kontrollit të zgjedhjeve

467
Sigal

Prof. Dr. Bamir Topi, ish President i Republikës

Në bindjen time, mbajtja e pa reformuar e ligjit të zgjedhjeve favorizon z. Rama i cili e ka gati infrastrukturën e kontrollit të zgjedhjeve me të gjitha pushtetet që zotëron

Pa ndryshuar ligjin zgjedhor, nuk ka rotacion politik

Jakup B. GJOÇA

(Vijon nga numri i kaluar)

Prof. Dr. Bamir Topi, ish President i Republikës në pjesën e dytë të intervistës eskluzive për gazetën “Telegraf” shprehet se PS-PD zgjedhjet parlamentare i shikojnë si kapitalin e tyre dhe jo si mundësi që sovrani të votojë përfaqësuesit e vet në parlament, prandaj kemi monopolin bipartisan PS-PD. Ish Presidenti Topi, ish edhe nënkryetar i PD-së thotë se me këtë Kod Zgjedhor, opozita e PD-së i ka të humbura zgjedhjet, sepse mbajtja e pa reformuar e ligjit të zgjedhjeve favorizon z. Rama i cili e ka gati infrastrukturën e kontrollit të zgjedhjeve me të gjitha pushtetet që zotëron. Ish Presidenti Topi, duke iu referuar procesit të integrimit, thotë se shqiptarët presin që të huajt t’i duan më shumë sesa shqiptarët veten e tyre ata vetveten.

– Zoti President, sipas jush, çfarë ndryshime duhen bërë në Reformën e re Zgjedhore, në mënyrë të atillë që të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme?

–  Nëse do të shikoni traditën dhe mënyrën se si sillen anëtarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore, duket qartë që PS dhe PD i shohin zgjedhjet si kapitalin e tyre dhe jo si asetin më të vyer të shoqërisë që zgjedh përfaqësuesit e vet në Parlament. Edhe sot, ndonëse shumë gjëra kanë ndodhur pozita dhe opozita nuk e shesin njëra tjetrën kur bëhet fjalë për Ligjin zgjedhor. Unë nuk mendoj se problemi zgjidhet duke e mbajtur si monopol bipartizan PS-PD, por duke e hapur, pasi nesër nuk do të kishte alibi për opozitën nëse do t’i humbte sërish zgjedhjet.

-Edhe Kryetari i opozitës Lulzim Basha është shprehur se nuk do të ndryshohet Kodi Zgjedhor aktual. Mirëpo fakt është që ky Kod Zgjedhor favorizoi inkriminimin e Parlamentit. Ju, për kë sistem elektroral jeni?

Kjo që më thoni, natyrisht që e di përpara se z. Basha të shprehej, pasi njoh filozofinë politike të bashkarkitektit të ndryshimeve kushtetuese të prillit 2008. Natyrisht z. Basha e ka një njeri mbi krye që nuk e lejon të ketë iniciativë për të vetvepruar. Përpara se ta thonte z. Basha e kishte paralajmëruar z. Berisha. Në bindjen time, mbajtja e pa reformuar e ligjit të zgjedhjeve favorizon z. Rama i cili e ka gati infrastrukturën e kontrollit të zgjedhjeve me të gjitha pushtetet që zotëron. Unë mund t’i them z. Basha që interesi yt dhe i opozitës nuk është i njëjtë me atë të ish-kryeministrit. Sipas mendimit tim dhe kjo mbetet shumë personale, ish-kryeministri paradoksalisht ndjehet më mirë sot, se sa me dishepullin e tij nesër në Kryeministri. Nëse ka njeri që e bëri Ramën kaq të pushtetshëm ai është vetëm Berisha dhe besoj Kryeministri akual i është mirënjohës. Opozita e vërtetë ka dhjetëra mundësi ta risjellë rotacionin politik dhe kjo duhet të fillonte me ligjin zgjedhor, gjë që nuk po ndodh, duke çuar në minimum shanset për ndryshimin e qeverisjes.

– Zoti President, Shqipëria nuk mundet të plotësojë dot deri në Maj 2020, kushtet e Bundestagut për hapjen e negociatave për anëtarësim. A mendoni se do ndryshojë për të mirën e demokracisë tonë, hapja e negociatave, siç jemi dhe pastaj, BE do të monitorojë më afër proçeset politike në Shqipëri? Apo mazhoranca do ketë përfitime politike në dëm të proçeseve demokratike?

Integrimi i Shqipërisë në familjen europiane ka vite që ka nisur rrugëtimin dhe kurrsesi nuk fillon me përpjekjet personale të z. Rama, që më shumë e shikon këtë aksion për fitimin e zjedhjeve të rradhës. Integrimi nuk mund të jetë rrugëtim personal, por i të gjithëve për qëllimin më të madh të shqipëtarëve. Nuk ka shqiptar mendoj që të mos e ëndërrojë një gjë të tillë. Problem është se nuk është kuptuar si duhet që integrimi fillon këtu në Shqipëri dhe jo në Bruksel. Si është niveli i demokracisë, institucionet, ligjet, cilësia e administratës, drejtësia, prona dhe liritë e të drejtat e njeriut, korrupsioni e krimi i organizuar. E parë nga brenda dhe e konfirmuar nga jashtë ky vendi ynë ka probleme që duhen zgjidhur. Nuk kemi pse revoltohemi kur na kontestojnë. Ne presim të na duan më shumë qytetarët europiane se sa duam ne veten? Një shprehje thotë: Duaj veten dhe respekto rregullat e miqësisë. Ne më duket se kemi çeduar rëndë tek të dyja. Të duash veten, do të thotë të reagosh ndaj padrejtësive gjë që nuk po ndodh. Të respektosh miqësinë do të thotë të respektosh rregullin e tyre ku ti kërkon të futesh, gjë që pak ka ndodhur. Në këto kushte gjithçka kthehet në propagandë dhe këtu fiton gjithmonë më i fuqishmi domethënë Qeveria.

-Ju falenderoj, zoti President!