Ish-ministrja Gjosha: Dy opsione drejt BE-së janë refuzuese

499
Sigal

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha thotë se dy opsionet drejt BE-së, që parashtrohen para qeverisë shqiptare janë refuzuese. Deri në këto momente, Shqipëria ka dy opsione për negociatat dhe të dyja fatkeqësisht të çojnë drejt refuzimit, pavarësisht propagandës politike që dëgjojmë nga qeveria. Versioni i parë është refuzimi i plotë i negociatave, nëse Holanda dhe Franca do t’i qëndrojnë vendimeve të tyre të deritanishme. Kjo do të thotë që Shqipëria do të nisë sërish raportimet e një pas njëshme mbi pesë prioritetet, dhe do të duhet të presë raportin e radhës të Komisionit Evropian si dhe një diskutim nga Këshilli Evropian për t’i dhënë një dritë jeshile. Këtu rrezikojmë një humbje të madhe kohore për arsye edhe të zgjedhjeve që kanë institucionet evropiane. Versioni i dytë është shprehja e një vullneti pozitiv për çeljen e negociatave, por duke vendosur edhe kushte shtesë për Shqipërinë dhe pa pasur një datë konkrete për fillimin e bisedimeve, pasi kjo do të jetë në varësi të plotësimit të kritereve. Pra në asnjë rast nuk do të kemi nisjen e punës konkrete për çeljen e kapitujve dhe procesi do të bëhet i paparashikueshëm. Rezervat për Shqipërinë janë të mëdha dhe çështjet kryesore kanë të bëjnë me krimin e organizuar, korrupsionin, pastrimin e parave, ngërçin e krijuar me reformën në drejtësi, mungesën e reformës zgjedhore si dhe numrin e lartë të azilkërkuesve. LSI-ja ka qenë tejet konstruktive, sepse kjo është kultura jonë e të bërit politikë. Kjo është sjellja që i takon një vendi që kërkon t’i bashkohet vlerave evropiane. Përgjegjësia e “Jo-së” duhet të jetë shumë e madhe ndaj qytetarëve shqiptarë, dhe unë besoj se do të jenë vetë ata që do kërkojnë një alternativë në të cilën të ndërtojnë besimin e tyre për një të ardhme më të mirë. Një “Jo” për Shqipërinë, do të ishte fatale për rrugëtimin evropian të Shqipërisë, sepse do duhej të prisnim një kohë shumë të gjatë deri në takimin e radhës të vendeve anëtare apo të konkluzioneve të mundshme që ato do të merrnin bazuar mbi gjithë setin e kushteve të reja tashmë që mund t’i vendosen Shqipërisë.