Ish-ministrja e Integrimit: Vendet e rëndësishme ia kanë mbyllur dyert Shqipërisë!

269
Sigal

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, tha në News24, se Këshilli i Integrimit është kthyer në një foltore, ku deputetët flasin pa e kuptuar pse është ngritur ky këshill. Sipas saj, në këshill mungojnë ekspertët e fushës, ndërsa shton se me qeverisjen e Ramës Shqipërisë i janë vënë disa kushte për integrimin në BE.

“Kjo do të thotë që Shqipërisë i janë vënë kushte dhe pa i plotësuar ato nuk ka më asnjë bisedë, asnjë tryezë të përbashkët, asnjë komunikim mes palëve”, tha ish-ministrja.

Më tej, ajo foli dhe për hapjen 100% të listave, duke thënë se nuk mund të quhen të hapura listat, siç i propozon mazhoranca.

“Nuk e di si mund të quhen të hapura listat që vendosen nga kryetari i partisë. Kjo do të thotë se pjesa kryesore e listave, e zgjedhur nga kryetari, duket e paprekshme. Kjo është fyese. Ato krijojnë pakënaqësi dhe nënvlerësojnë votën e qytetarit”, shtoi më tej Gjosha.

Intervista:

Si po përdoret Këshilli i Integrimit nga politika?
Këshilli është kthyer në një foltore, ku të gjithë që marrin fjalën, lexojnë ca rreshta, pa e kuptuar pse është ngritur ai këshill. Ka ekspertë të shumë fushave në vend, që do duhet të këshillojnë qeverinë dhe Kuvendin e Shqipërisë. Asnjëherë nuk ka ndodhur kjo, që nga 2014 kur është formuar ky këshill. Në çdo mbledhje shohim të njëjtën përsëritje. Procesi i integrimit nuk ka të bëjë vetëm me kapituj, por keqkuptohet nga politika. Është një proces që ka të bëjë me vlera, jetën e përditshme të secilit prej nesh, me demokratizim, me mënyrën si i respektojmë ne institucionet. E gjitha kjo do duhej të ndodhte në përditshmërinë e Këshillit të Integrimit. Negociatorët janë njerëz politikë, kur do duhet të ishin ekspertë, njerëz që do duhet të qëndronin në këto grupe negociatore përgjithmonë, deri kur Shqipëria të bëhe anëtare e BE. Ne sot kemi njerëz që mund të zëvendësohen nesër nga politika dhe kjo është papërgjegjshmëri.

E vetmja zgjidhje është ikja e kësaj qeverie…
Ikja e qeverisë nuk është një zgjidhje që jepet nga opozita, por kërkohet dhe nga pala ndërkombëtare. Janë 15 kushte që i janë vënë Shqipërisë për procesin e integrimit.

Si e shihni qasjen e ndërkombëtarëve së fundi? Po qeverisjen e Ramës?
Është për të ardhur keq që Shqipëria nuk është më faktor i rëndësishëm në rajon, siç ka qenë. Nuk qëndron më besnike, ashtu siç ka qenë e qëndrueshme në politikat e saj. Fatkeqësisht Rama i ka ndryshuar politikat, sipas interesit të tij. Janë mbyllur dyert nga vende shumë të rëndësishme, si Gjermania, Franca etj. Kjo do të thotë që Shqipërisë i janë vënë kushte dhe pa i plotësuar ato nuk ka më asnjë bisedë, asnjë tryezë të përbashkët, asnjë komunikim mes palëve.

Deklaratat e ambasadores së SHBA çfarë qasjeje kanë pasur?
Janë deklarata të drejta, sepse flasin për shtetin e drejtë, për një reformë që i duhet vendit sipas një marrëveshjeje që u krye dhe firmos në dyert e rezidencës amerikane. Është shumë e rëndësishme që pala jonë, që ka shkuar në atë rezidencë dhe ka firmosur atë marrëveshje, duhet t’i qëndrojë asaj marrëveshjeje pikë për pikë. Kjo nuk ka ndodhur dhe mazhoranca po i largohet ditë pas dite marrëveshjes. Kjo është fyerje për ndërkombëtarët. Ndaj dhe pala shqiptare po humbet imazhin e saj në sytë e ndërkombëtarëve.

Ç’po ndodh me listat?
Nuk e di si mund të quhen të hapura listat që vendosen nga kryetari i partisë. Kjo do të thotë se pjesa kryesore e listave, e zgjedhur nga kryetari, duket e paprekshme, sepse kushdo që është poshtë, do duhet të marrë shumatoren e gjithë asaj që merr kryetari, për t’u futur. Kjo është fyese. Ato krijojnë pakënaqësi dhe nënvlerësojnë votën e qytetarit. I pari nuk mund të jetë në Kuvend me vetëm 3 mijë vota dhe i fundit që mund të ketë 20 mijë vota të mos futet në Kuvend.

A do të arrihet të kemi sistem të drejtë?
Kam frikë se do ta kemi, sepse çdo gjë që bëhet me shpejtësi, karshillëk apo ndryshime të njëanshme çon drejt zgjedhjeve jo me standarde dhe duke mos i dhënë të drejtën e votës qytetarit. Ndaj e druaj momentin si shkohet drejt zgjedhjeve.

Si po përgatitet LSI për zgjedhjet?
Përgatitja jonë është e përditshme. Ne kemi qenë në terren gjatë gjithë kohës me njerëzit tanë, me anëtarësinë tonë. Në këtë moment shkojmë drejt zgjedhjeve në parti, sepse në fund të fundit ne e quajmë këtë një luftë dhe në luftë shkohet me ushtri. Ne besojmë se e kemi ndërtuar këtë ushtri, tani do shkojmë drejt zgjedhjes së kryetarit të partisë, që besoj do të bëhet në dhjetor.

Flasim pak për situatën e pandemisë, rritja e shifrave… Si po menaxhohet tani nga qeveria?
Mendoj se është një menaxhim që është lënë në rënie të lirë fatkeqësisht. Nuk ka më asnjë ndërgjegjësim për të vazhduar qytetarët për të mbajtur maskën, që duhet të ishte me detyrim brenda dhe jashtë, për mendimin tim. Menaxhimi nëpër spitale është shumë i vështirë, sepse dhe kapacitetet tona janë ato që janë. Shqipërisë i kanë ikur nga vendi qindra e mijëra infermierë e mjekë, që sot do duhet të ishin në dispozicion të spitaleve. Është shumë e shtrenjtë sot të kryhet një tampon dhe kjo do duhej të mbulohej nga qeveria, të paktën për ata që nuk kanë mundësi. Përgjigjja te nr 127 është gjithmonë e njëjtë ‘qëndroni disa ditë dhe pastaj shohim’. Njerëzit kanë nevojë të ndiqen hap pas hapi. E gjithë situata është tejet e rëndë edhe në ekonomi. Dy muajt që u mbyllëm ne nuk patëm asnjë iniciativë për ta bërë biznesin të vijonte punën.