Ish-ministri Saimir Tahiri nuk paraqitet në përballjen me Apelin

340
Sigal

Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u detyrua të shtynte seancën të enjten për shkak të mungesës së Tahirit dhe avokatit mbrojtës.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e nisi me shtyrje përballjen e tij me Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.  Koordinatorja për të Drejtën e Informimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit i tha BIRN se seanca e parë u shty për shkak të mosparaqitjes së të pandehurve dhe avokatit mbrojtës.

Seanca për Tahirin dhe ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela ishte parashikuar të zhvillohej pa praninë e mediave, për shkak të masave të ndërmarra në kuadër të epidemisë së COVID-19.

Në shtator të vitit të kaluar, Saimir Tahiri u shpall fajtor nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda për veprën penale “shpërdorim detyre”, ndërsa mori pafajësi për veprat penale më të rënda të  trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Në përfitim të gjykimit të shkurtuar, Tahiri u dënua me 3.4 vjet burg, dënim i cili u pezullua nga gjykata me një afat 3-vjeçar. Së bashku me Tahirin u shpall fajtor për “shpërdorim detyre” edhe ish-drejtuesi i policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Tahiri dhe Çela u akuzuan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për implikim në trafikun e narkotikëve, e kryer nga një organizatë e krimit të organizuar e drejtuar nga vëllezërit Habilaj.

Tahiri ishte i pranishëm gjatë gjithë procesit në shkallën e parë, ndërsa ish-kreu i Policisë së Vlorës ndodhet në arrati së bashku me dy policë të tjerë vendorë – Gjergji Kohila dhe Sokol Bode. Për këta dy të fundit u vendos pezullimi i shqyrtimit gjyqësor dhe ndarja e çështjes.

Anëtarët e organizatës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj, kushërinj të ish-ministrit, u ndaluan në tetor të vitit 2017 nga autoritetet italiane dhe u dënuan në qershor të 2019-ës. Ndërkohë, një proces paralel për ta filloi edhe në Shqipëri. Ata u arrestuan nga policia Italiane teksa po tentonin të trafikonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.

Seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme të Apelit u caktua më 28 prill, ora 11:00.