Ish-Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati: Qeveria shqiptare duhet ta shohë Serbinë me sytë e Kosovës

15
Sigal

Ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati kritikoi qëndrimin e qeverisë shqiptare lidhur me sulmet në Kosovë, nga ku mbeti i vrarë efektivi i forcave të policisë së Kosovës Afrim Bunjaku. Gjatë një interviste Ditmir Bushati tha mes të tjerash se “Tirana zyrtare duhet ta shohë Serbinë me sytë e Kosovës, me sytë e shqiptarëve që kanë jetuar në ish-Jugosllavi.” Për ish-ministrin socialist është e rëndësishme për Shqipërinë avancimi i të drejtave të shqiptarëve kudo që janë. “Janë dy komponentë shumë të rëndësishëm në politikën e jashtme; historinë dhe gjeografinë. Në aspektin historik kam insistuar dhe insistoj me sa kam mundësi që ne duhet ta shohim, si Tiranë zyrtare, Serbinë me sytë e Kosovës, me sytë e shqiptarëve, që kanë jetuar në ish-Jugosllavi dhe procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë nuk ka pse të përfshijë Shqipërinë. Për Shqipërinë është e rëndësishme avancimi i të drejtave të shqiptarëve kudo ku shkojnë dhe perspektiva euroatlantike e rajonit”, -tha ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati.