Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, letër ONM: Jeni në Shqipëri për të bërë politikë apo për të zbatuar ligjin?

321
Sigal

Fatmir Hoxha, ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese që u largua nga detyra në vitin 2018 gjatë procesit të vettingut për mosjustifikim me fatura të një shume të vogël lekësh, kërkoi nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Reformës në Drejtësi, verifikimin e procesit ndaj tij. Rasti i Fatmir Hoxhës është precedenti më i rrezikshëm i reformës, pasi anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) që morën vendimin rezultojnë se kanë kryer shkelje gjatë procesit. Konkretisht për vendimin duhen tre komisionerë, ndërkohë që firma është hedhur vetëm nga dy. Anëtarja e tretë e trupit vlerësues, që ka qenë dhe relatore e çështjes, nuk ka marrë pjesë fare në proces, gjë që sipas ligjit e bën të pavlefshëm vendimin. Publikimi i një vendimi me dy anëtarë kur në fakt duhen 3, përveç se është shkelje kushtetuese ngarkon KPK dhe me përgjegjësinë e falsifikimit të dokumenteve. Për këto dhe arsye të tjera, Famir Hoxha i është drejtuar përfaqësues së ONM, Marie Tuma. Hoxha kërkon hetim disiplinor për trupën që gjykoj rastin e tij, duke i paraqitur dhe dokumentet e akteve të KPK. Anëtarja e ONM, pasi ka lexuar gjithë kërkesën për rifillimin e hetimit, kthen përgjigje me vetëm një fjali, pa asnjë shpjegim ligjor, se nuk ka bazë për hetim disiplinor ndaj dy komisionerëve.

Në një letër që Fatmir Hoxha i dërgon anëtares së ONM, të cilën “Koha Jonë” po e publikon të plotë, shprehet shqetësimi se institucionet që duhet të garantonin pavarësinë e reformës po ndjekin axhenda politike dhe jo zbatimin e ligjit.

Letra e plotë e Fatmir Hoxhës për ONM:

Lënda: Shkresa e ONM-së nr.3367/7, datë 14.08.2019, si epilog i absurdit të Kafkës

Drejtuar : Znj. Marie Tuma

Vëzhgues i ONM-së !

E dashur znj.Tuma!

Me shkresën e mësipërme, në përgjigje të raportimit dhe kërkesës për fillimin e hetimit disiplinor ndaj znj.Xhensila Pine dhe znj. Valbona Sanxhaktari, më keni informuar se:

“Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë studiuar dhe analizuar me kujdes kërkesën tuaj dhe mund t’ju informojmë se kanë arritur në përfundimin se kriteret paraprake sipas nenit 17/1 të ligjit 84/2016 për fillimin e një hetimi disiplinor nuk janë përmbushur”.

Kaq!

Vetëm kaq!

Po pra-vetëm kaq nga “studimi dhe analiza e kujdesshme” e vëzhguesit ndërkombëtar.

– Asnjë pasqyrim i fakteve, të dhënave, provave, argumentave ligjorë e kushtetues që unë kisha paraqitur deri në hollësi e detaje për rastin konkret.

– Asnjë shpjegim se cilat janë rastet paraprake sipas nenit 17/1 të ligjit 84/2016, të cilat nuk përmbushen për fillimin e hetimit disiplinor.

– Asnjë shpjegim dhe analizë se pse provat, faktet dhe arsyetimet e parashtruara në ankesë nuk përmbushin kriterin paraprak e nuk përbëjnë shkak për fillimin e procedimit disiplinor ndaj zonjave komisionere.

Një përgjigje pa përgjigje- memecëri juridike- a thua se ankesa kishte të bënte me lukun, ngjyrat, markat e veshjeve, modelin e flokëve, gjatësinë e takave të këpucëve apo aromat sharmante te parfumeve-të të nderuarave komisionere të KPK-së.

E nderuar znj. Marie Toma!

Nuk kisha dyshim se përgjigja e ONM do të ishte e tillë.

Do të ishte e tillë, jo sepse raportimi im ishte i pabazuar në të dhëna, fakte e prova dhe i pa mbështetur e argumentuar në dispozita kushtetuese e ligjore.

Pikërisht ngaqë raportimi (ankesa) ime ishte më se e bazuar, do refuzohej. Do të refuzohej, siç u refuzua, pa asnjë arsyetim, qoftë dhe minimal (de plano). Në fakt (mos) pritshmëritë e mia, për fat të keq, u vërtetuan.

E kundërta do më suprizonte: Nëse ONM do të bënte detyrën: do të kërkonte sipas ligjit, fillimin e hetimit disiplinor.

Nuk m’a rezervuat këtë surpizë. Tek e fundit, ONM nuk është babagjyshi i vitit të ri, qoftë kjo e përfaqësuar me një emër biblik, si e zonjës Marie.

Populli i Shqipërisë, përmes Kuvendit të tij, me qëllimin e mirë ka ceduar dhe lëshuar sovranitet, duke parashikuar në Kushtetutë dhe ligjin 84/2016, ONM në rolin e një vëzhguesi aktiv (rojtar i ligjit) në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe në procedurat për përgjegjësinë disiplinorë të anëtarëve të institucioneve të Vetingut.

Vëzhguesit e ONM-së kanë marrë përsipër, kundrejt taksapaguesve të tyre dhe institucioneve të BE-së e SHBA-së si dhe janë obliguar para Popullit të Shqipërisë se do të përmbushin detyrat e mësipërme me integritet të lartë moral e profesional.

Për fat të keq, të paktën në rastin konkret, vëzhguesit ndërkombëtarë nuk e kanë kryer apo e kanë kryer keq detyrën, duke dëshmuar mungesë integriteti, dhe më keq akoma: mbrojtës të shkelësve të ligjit. Normalisht se pas frazave: “kanë studiuar dhe analizuar”, pritshmëria është që të lexosh një material të thelluar dhe ekselent, fryt i përvojës ndërkombëtare, por dhe i studimit pesë mujor.

Por jo!

Me ndjeni motër Marie, për padijeninë, por në gjithë jetën time ,nuk kam parë e lexuar ndonjë “studim dhe analizë të kujdesshme”, të pasqyruar në dy rreshta. OMN jep shembullin klasik se si mund të mohohet thelbësisht e drejta për akses, duke mos u përgjigjur edhe për pyetjet më minore:

– Me çfarë përbërjeje të trupës gjykuese duhet t’i japë vendimet KPK? ( Me dy, tre apo zero anëtarë?)

-Dhe nëse KPK-ja jep vendimet me më pak se tre anëtarë, por gënjen duke shkruar se vendimi është dhënë nga tre anëtarë, atëherë a përbën ky fakt një indicie të fortë për fillimin e procedimit disiplinor dhe më tej atë penal?

-Kësaj “dileme juridike”, ONM nuk i është përgjigjur a thua se i ishte kërkuar vërtetimi i ekzistencës së grimcave HIGSS (grimca e Zotit),në zanafillën e krijimit të Universit.

Përmes zërit Tuaj, ONM po na kumton: Gënje, falsifiko në ushtrim të detyrës, në akte e vendime zyrtare dhe kjo s’paska problem as ligjor e as etik!

Duke mos dashur të shohë e të dëgjojë, ulërimat e ujkut të zënë në çark (kurth),ONM paradoksalist shtron pyetjen retorike: “Po gjurmët e ujkut ku janë?!”

Znj.Toma!

Unë e di, se ju e dini, se unë e di, shkakun e vërtetë të përgjigjes suaj:

-Nuk ka lidhje fare me asnjë arsye ligjore, parim të së drejtës dhe për më tepër të moralit.

Thjesht është një përgjigje….po shumë e keqe politike!

Por, ju znj.Toma, besoj se nuk keni ardhur për të bërë politikë. Ju paguheni si misionare dhe eksperte e ligjit. E në këtë situate absurdi-besimi im naiv: se ONM, qenka rojtar i ligji, është shembur.

Më ngjason kjo situatë me përshkrimet e Franc Kafkes tek “Porta e Ligjit”

-ONM, në fakt qenka një rojtarë i “Portës së Ligjit”- d.m.th.një derëtar, portier që nuk lejon të tjerët, për të parë se çfarë bëhet brenda “Portës së Ligjit”.

E tash, nuk e di pse më vijnë ndërmend dy vargje te Ismail Kadaresë:

“Të dhimshëm janë kudo të verbërit,

Por të tillë, ngjajnë vetëm ne Paris”

E që mua më tingullojnë te tilla:

“Të dhimshëm janë kudo te verbërit,

Por të tillë, ngjajnë vetëm në ONM”

Zoti ju dashtë!

Me respekt:

Fatmir Hoxha. 01.09.2020.