Ish-Eurodeputetja Doris Pack: Plotësimi i kushteve të Gjermanisë nga Shqipëria të jenë pikënisja e integrimit evropian

369
Sigal

Doris Pack: Plotësimi i kushteve të Gjermanisë nga Shqipëria të jetë pikënisja e integrimit evropian

“Shqipëria duhet të nisë më zbatimin e kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman për t’u bërë gati për hapjen e negociatave.” Kështu deklaroi Presidentja e Grave të Partisë Popullore Evropiane, Doris Pack gjatë takimit të forumit të grave të Partive Popullore Evropiane në Vjenë. Zonja Pack tha se kriza politike në vend është reale ndaj 9 kushtet e vëna nga Bundestagu gjerman, duhet të shërbejnë si udhërrëfyese për zgjidhjen e saj: “Opozita i dorëzoi mandatet, pasi nuk kishte më asnjë garanci kushtetuese. Në parlament nuk respektohej e drejta e fjalës dhe mekanizmi parlamentar për kontrollin e qeverisë, ndërsa Gjykata Kushtetuese nuk ekziston. Korrupsioni i lartë dhe krimi i organizuar janë probleme shqetësuese. Një ish-ministër i brendshëm u dënua nga një gjykatë. Ndërkohë që në qendër të Tiranës protestohet prej shumë muajsh në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, të cilin qeveria po kërkon ta shembë për të ngritur kulla të larta vetëm për qëllime fitimi. Shqipëria duhet të nisë përmbushjen e kushteve të vendosura nga Bundestagu, për sa i përket luftës kundër korrupsionit, vënien në funksion të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, të luftojë krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Në këtë mënyrë qeveria do të detyrohet të plotësojë kushtet dhe të hapë perspektiva për shqiptarët në Shqipëri, duke bërë që edhe numri i azilantëve të zvogëlohet.” Të njëjtin qëndrim me Pack, mbajti dhe Kryetarja e Lidhjes Demokrate të Gruas Shqiptare, Albana Vokshi, e cila tha se PD i konsideron 9 kushtet e Bundestagut si një udhërrëfyes për zgjidhjen e krizës politike, për rivendosjen e bazave të shtetit të së drejtës dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme.