Ish-deputeti i LSI-së, Shezai Rrokaj: PS e shqetësuar nga nxjerra e sekretit

564
Sigal

Ish-deputeti i LSI-së, Shezai Rrokaj, lidhur me reagimin e maxhorancës për daljen e përgjimeve të medias gjermane ”Bild” që implikon kreun e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako me elementë kriminalë për zgjedhjet e 2017, thotë se PS-ja është e shqetësuar për nxjerrjen e sekretit. ”Si mund të futesh në zgjedhje në këto kushte? Ky është një turp që u bëhet qytetarëve të ndershëm, të cilëve u deformohet vullneti me kësi shfaqjesh mafioze. Ndaj, mos u merrni me opozitën sesi duhet të jetë ajo! Merruni me veten! Por është tepër vonë për pastrim. Kjo politikë duhet spastruar. Politika shqiptare e të dyja kahjeve ta mbledhë mendjen. Zgjedhje të lira dhe shtet funksional pa lidera autokratë! Drejtësi të barabartë për të gjithë”,-shkruan Rrokaj.

Postimi i plotë

Për mazhorancën problem është fakti i nxjerrjes së sekretit, jo fakti që ka ndodhur. Kreu i ligjeve, Ulsi Manja, nga foltorja e Kuvendit, floli për nxjerrjen e sekretit hetimor lidhur me 6 përgjimet e botuara nga gazeta prestigjioze Bild. Me një ftohtësi prokurori ai tha se këto nuk janë as të paverteta e as gjysmë të vërteta dhe se mediat pranë opozitës po kërkojnë ta spostojnë vemendjen e opinionit publik.

E çuditshme! Për të nuk ka rëndësi fakti se eksponentë të lartë të forcës së tij politike janë përfshirë në krim elektoral me pasojë deformimin e rezultatit të zgjedhjeve. Për të rëndësi ka fakti pse dolën në media. Po pse nuk është shqetësuar ai dhe forca e tij prej më shumë se 2 vite për zbardhjen e këtyre dosjeve?

Çfarë është më e rëndësishme: fakti i publikimit apo fakti që kjo gjë ka ndodhur me zë e me figurë? Po për dosjet e tjera të ‘peshqve të mëdhenj, që flenë në Prokurori prej vitesh, pse nuk shqetësohet mazhoranca kur krerët e prokurorive i vuri kë deshi? Këto nuk janë thashetheme e as shenja filxhani.

Si mund të futesh në zgjedhje në këto kushte? Ky është një turp që u bëhet qytetarëve të ndershëm, të cilëve u deformohet vullneti me kësi shfaqjesh mafioze. Ndaj, mos u merrni me opozitën sesi duhet të jetë ajo! Merruni me veten! Por është tepër vonë për pastrim. Kjo politikë duhet spastruar. Politika shqiptare e të dyja kahjeve ta mbledhë mendjen. Zgjedhje të lira dhe shtet funksional pa lidera autokratë! Drejtësi të barabartë për të gjithë!