Irena Beqiraj / Mbase, duhet ta falenderojmë Macron-in !

697
Sigal

Irena Beqiraj

Ish-Zv/ministre e Financave

 

 Ka kohë që ka pasur një kontradiktë të hapur dhe të qartë, midis qëndrimit politik të disa vendeve të BE-së dhe qëndrimit teknik të KE -së mbi hapjen e negociatave me Shqipërinë. Politikanët evropianë nuk bëjnë përjashtim nga rregulli. Janë të detyruar të mbajnë ato qëndrime të cilat perceptohen si të drejta nga elektorati i tyre pavarësisht, nëse janë këto qëndrime të duhura apo të drejta. Sikurse nuk duhet të harrojmë që edhe në gjuhen e rrumbullakosur dhe pozitive të teknicienevë të BE (Mogherini e Hahn) ka një dozë optimizmi që duhet marrë me rezervë, pasi nga përparimi dhe rezultatet e vendeve kandidate vlerësohej edhe performanca e tyre. Nuk fitojmë gjë, sikur nuk kemi fituar deri tani , të gërmojmë për të vërtetat tona në raportet edhe qëndrimet e BE-së, të debatojmë nëse ne i kemi përmbushur detyrat apo jo, të akuzojmë Francën si jo dashamirëse apo ta konsiderojmë ‘JO-në’ një thikë pas shpine. Cilido të jetë qëndrimi ynë në këtë debat nuk na çon asgjëkund. Disavantazhin e një ‘JO –je’, përtej propagandës, duhet ta kthejmë në avantazh, duke ndryshuar qasjen tonë karshi procesit të integrimit. Nëse fjalën integrim do ta zëvendësonim me fjalën kontribut, nuk do të kishte nevojë të na i përcaktonte BE-ja detyrat e shtëpisë e as të na vendoste kushte, por do të ishim vetë në gjendje të përcaktonin, nëse jemi gati të ulemi në tavolinë me BE-në për të negociuar? Negociatë do të thotë të japësh dhe të marrësh. Çfarë jemi në në gjendje të japim? Çfarë jemi në gjendje ekonomikisht sot të kontribuojmë në BE? Të ardhurat tona për frymë janë sa 35% e të ardhurave për frymë në Evropë. Jemi Ekonomia me pak produktive, me aftësi konkurruese më të ulët, me stabilitet makro-fiskal të luhatshëm, me koeficientin më të ulët të hapjes tregtare, si dhe akoma larg të qenit një ekonomi tregu funksionale. Çfarë jemi sot në gjendje politikisht të kontribuojmë në Evropë? Jemi një demokraci e dobët, me lidership politik autoritar, gjithmonë në kriza politike të njëpasnjëshme, me një kulturë dialogu mjerane, e cila lë shumë për të dëshiruar. Sa jemi në gjendje sot të themi, nëse ndajmë apo jo të njëjtat vlera themelore me të; mbi të Drejtat e Njeriut dhe të Drejtat e Pronës? Pak, shumë pak! Negociatat janë përdorur gabimisht, por jo në mënyrë naive nga qeveritë si matësi i performancës. Negociatat janë pritur nga populli si i vetmi shpëtim për të dalë nga vështirësitë dhe konfuzioni që kemi 25 vjet që ejetojmë si shoqëri, qoftë ekonomikisht, qoftë politikisht. Makron-i do të kishte bërë një “Acte Noble” po t’i kishte shtrirë dorën këtij populli që nga mungesa e busullës politike endet në kërkim të ndihmës . Por besoj që ‘Jo-ja’ e tij është po aq për vlerësuar dhe falënderuar, pasi në mënyrë të pazgjidhshme na detyron që zgjidhjet t’i gjejmë mes nesh dhe rrugën drejt suksesit ta përcaktojmë vetë. Dhe rruga drejt suksesit u përket të gjithë atyre që disavantazhin dinë ta kthejnë në avantazh.