Irena Beqiraj: Ja ku ndryshon Ballkani i Hapur nga Procesi i Berlinit

164
Sigal

Ish-zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj, ka bërë një shpjegim se ku ndryshon Ballkani i Hapur nga Procesi i Berlinit. Pasi bën krahasimin, ajo thotë se nga Ballkani i Hapur del më e fituar Serbia dhe humbet më shumë Kosova.“Unë jam pro integrimit rajonal. Por dua të shpjegoj nga ndryshon Procesi i Berlinit nga Ballkani i Hapur. Në Procesin e Berlinit kishte lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit, por pa bashkim doganor. Ne, të gjashtë vendet, kishim autonominë tonë për të bërë politikat tona tregtare me vendet e tjera dhe do bashkoheshim njëherë e mirë në bashkimin doganor evropian.Open Balkan tingëllon më tepër si një bashkim doganor, ku ne humbasin autonominë tregtare. Po a jemi gati që të heqim dorë nga autonomia për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin? Kjo është një pyetje që duhet diskutuar.Dikush mund të thotë se dua të bëj tregti me Maqedoninë. Atëherë nëse do heqim dorë nga pjesa e autonomisë tregtare, do humbasin disa të ardhura, por përfitimi që do kishim nga tregtia kaq e lëshuar nuk do ishte kaq e madhe. Kjo sepse ne jemi ekonomi komplementare. Ne kemi provuar që të jemi pa tarifa që nga viti 1992. Kjo nuk e ka rritur tregtinë me njëri-tjetrin. I vetmi vend që ka kapacitet eksportues në Ballkan është Serbia.Nga ana ekonomike përfiton Serbia se ka kapacitetin prodhues dhe eksportues më të lartë. Vendi që ka kapacitetin më të ulët është Kosova. Prandaj ata nuk duan ta humbasin autonominë tregtare”, tha Beqiraj.“Kosova ka një të drejtë që askush nuk mund t’ia mohojë, që pa një dakordësi politike nuk mund të ketë marrëveshje ekonomike dhe kulturore. Këtë e kemi provuar disa herë në Ballkan. Pa një njohje të shtetit të Kosovës, unë mendoj se do jetë shumë e vështirë që Kosova të pranojë të bashkohet dhe të heqë kufijtë me Serbinë”, shtoi ajo.