Intervistë me Prof. Kristaq Kume: Palët politike nuk u ulën në diskutime për të zgjedhur Presidentin, por për të përfituar sa më shumë nga situate

163
Sigal

 Grupi i Alibeaj e përdori për tu faktorizuar, dhe pozita diti ta shfrytëzojë. Emergjente ndryshimet në Kod për pjesëmarrjen e emigrantëve dhe diasporës në votime

 

 “Nëse në tre të parat kandidatët duhet të votoheshin nga minimumi 84 deputetë në raundin e katërt mjaftojnë 71 deputetë, që të jenë ‘pro’ një kandidati dhe ai zgjidhet President i Republikës.”

Ish-kreu i KQZ Kristaq Kume ka folur në një intervistë për gazetën Telegraf rreth situatës së krijuar së fundmi nga politika në kuadër të zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit. Kume deklaron se me eleminimin e raundeve mazhoranca do të mund ta zgjedhë e vetme kreun e ri të shtetit. Konstitucionalisti Kume shprehet gjithashtu se çështja e votës së diasporës duhet të zgjidhet me dakordësi politike e jo të lihet ‘topi’ në fushën e KQZ.

E premtja shënoi edhe afatin e fundit për paraqitjen e kandidaturave për Presidentin. Por çfarë pritet nga seanca parlamentare e kësaj të hëne ku nuk do të ketë kandidatura të propozuara nga opozita?

Kristaq Kume: Nëse edhe në raundin e tretë që zhvillohet këtë të hënë nuk do të ketë kandidatë procedurat për zgjdhjen e presidentit kalojnë në raundin e katërt, i cili në ndryshim nga 3 të parët ka një ndryshim esencial. Nëse në tre të parat kandidatët duhet të votoheshin nga minimumi 84 deputetë në raundin e katërt mjaftojnë 71 deputetë që të jenë ‘pro’ një kandidati dhe ai zgjidhet President i Republikës, që do të thotë raundi i katërt dhe pas tij raundi i pestë. Presidenti është i gjithi në dorë të mazhorancës për t’u zgjedhur.

A i ka mazhoranca votat për ta zgjedhur e vetme Presidentin?

Mazhoranca i ka numrat madje ka më shumë se sa 71 dhe e zgjidh ajo këtë problem.

Po mungesa e një kandidature nga opozita a nuk shkakton asnjë problem në këtë fazë?

Kume: Jo nuk ka asnjë problem, ashtu sikurse nuk ka pasur asnjë problem as në raundet e mëparshme. Kushtetuta nuk e parashikon propozimin e një kandidati për Presidentin e Republikës nga partitë politike, por parashikon propozimin e kandidatit nga 20 deputetë, të paktën 20 deputetë, çka do të thotë ajo, që mund të ishte realizuar në raundet e para  ku si kandidat mund të ishte sipas dakordësisë që palët kanë realizuar sot, një kandidat i mbështetur vetëm nga deputetët e opozitës nuk do të thotë se ky mund të ishte një kandidat i mbështetur nga partia që i takon opozitës, nga e gjithë partia. Dhe pastaj në seancë në Kuvend mund të zgjidhej si President i vendit duhet të merrte mbështetjen e 84 deputetëve.

 “Opozita e përfaqësuar nga ajo pjesë e saj që është në kuptimin formal institucional Partia Demokratike e përdori gjithë këtë proces për t’u faktorizuar më shumë se sa për të qenë pjesë e zgjidhjes së problemit, ndërsa mazhoranca hyri në këtë proces për të marrë kredi prej tij në fuksion të konsideruarit, sipas saj të procesit, si proces në të cilin u përfshinë të gjithë palët.”

Si e shihni situatën në Pratinë demokratike, e cla ka qenë duke kërkuar konsensusin brenda partisë?

Kume: Për mua ky proces është shoqëruar me dy momene, të cilat për mua nuk duhet të ndodhnin të mbivendosur, si procesi politik dhe procesi ligjor konstitucional. Natyrisht zgjedhja e Presidentit mbart në vetvete valenca politike, por Kushtetuta e ka të zgjidhur këtë problem duke pasur si synim kryesor realizimin e zgjedhjes së Presidentit si proces konsensual, si proces në të cilit shprehen dakordësitë e tyre nëpërmjet votës deputetët e mazhorancës dhe opozitës. Kushtetuta parashikon që procesi për të filluar si i tillë do 20 mbështetës minimumi që do të thotë se të gjithë deputetët e Republikës, që janë 140 mund të shpien në një séance, në një raund 7 emra dhe natyrisht votohet ai që merr mbështetjen e të tërëve mbështetje e cila nuk ka për mua pse të kërkohet paraprakisht, kur ajo mund të provohet në seancë.

Dështimi i raundeve të bisedimeve a mund të themi se është një lojë e mazhorancës, pasi ka një emër Presidenti të paracaktuar?

Kume: Nuk është për mua ajo çfarë është qasur mazhoranca në këtë rast edhe kryetari i grupit Parlamentar të PS i këtij procesi si faktor në mënyrën që rodhi deri në ditët e sotme procesi, por është angazhimi i tepërt i shtuar bile i partive të opozitës, por jo vetëm për ta trajtuar këtë problem më tepër në aspektin politik të tij. Pra partitë politike për ta trajtuar si mundësi e cila i shërben diskursit politik të tyre dhe luftës midis vetit. Në qoftë se do i referohemi asaj se çfarë ranë dakord palët që për mua në fund të fundit nuk mund të kritikohej si proces që të thuash pse u bë, por do thoja që ishte i panevojshëm si risi për faktin që bëhet në Kuvendin e Shqipërisë, sepse në proceset e mëparshme kjo nuk është bërë në Kuvendin e Shqipërisë, por jashtë tij, është bërë nga lidershipi i partive politike, por që nga mënyra se si u trajtua e realizua kjo risi ishte larg përmbajtjes së saj, që do të thotë u tentua të bëhej si një proces brenda parlamentit dhe u zhvillua si një proces midis partive politike ku secila palë kërkoi që të përfitonte sa më shumë. Opozita e përfaqësuar nga ajo pjesë e saja që është në kuptimin formal institucional Partia Demokratike e përdori për mendimin tim gjithë këtë proces për t’u faktorizuar më shumë se sa për të qenë pjesë e zgjidhjes së problemit. Ndërsa mazhoranca nga ana tjetër hyri në këtë proces për të marrë kredi prej tij në funksion të të konsideruarit sipas saj të procesit si proces në të cilin u përfshinë të gjithë palët. Pra i gjithë procesi të jep përshtypjen se nuk kishte si qëllim fundor të tij. Vërtet të gjejmë një figurë që të na bëjë të gjithëve bashkë se sa ta përdorim në mënyrë sa më të mirë të mundshme në funksion të asaj që donte secila prej palëve në kuptimin e arritjeve në sferën politike të marrëdhënieve me njëri tjetrin dhe midis njëri tjetrit.

Po sa i përket votës së diasporës, sa është pesha e saj në votime?

Kume: Jemi vendi i vetëm anëtarë i NATO dhe jemi në vendet e pakta në rajon, por edhe në gjithë botën që nuk i kemi krijuar mundësi shtetasve që të votojnë edhe nga jashtë vendit. Një pjesë e shtetasve që mund dhe duhet t’i krijohet mundësia për të votuar nga jashtë vendit si emigrantët. Për rrjedhojë të trajtimit të këtij problemi dhe gjetja e një zgjidhje ashtu siç rekomandohet edhe në dokumentat e ndryshme ndërkombëtare siç përcaktohet në Kodin e Praktikave të mira për Çështjet Zgjedhore të Komisionit të Venecias do të duhet të ishte zgjidhur me kohë. Partitë politike nuk kanë patur ineresa asnjëherë për ta zgjidhur dhe unë e shoh të vështirë dhe jam skeptik edhe për atë që po ndodh e që do të ndodhë pas kësaj. E thënë kjo duke u mbështetur në faktin se në reformën e kaluar për Kodin Zgjedhor një ndër rezultatet që ishte vendosja në Kodin Zgjedhor të dy dispozitave të cilat krijonin mundësitë për votimin nga jashtë territorit të vendit së pari vetë procesi i formulimit të këtyre dispozitave nuk ka qenë proces diskutimi ashtu siç e kërkon problemi dhe në të gjitha aspektet dhe pjesëmarrjen e të gjitha palëve për ta zgjidhur atë sipas standardeve, por sa unë e kam ndjekur atë proces ka qenë vetëm nisëm dhe realzim vetëm i mazhorancës e cila kishte dhe një ministri të asaj kohe, Ministrinë e Diasporës, por mënyra se si e zgjidhi si e parashikon Kodi Zgjedhor votën e emigrantëve për mua jo vetëm që nuk ka zgjidhur shumë çështje, që lidhen me këtë votë, por në të njëjtën kohë ka krijuar një terren legjislativ, i cili ka pamundësuar do thoja realisht votimin nga jashtë territorit të vendit në kuptimin e mundësive për pjesëmarrjen e emigrantëve dhe kjo veçanërisht, sepse në vlerësimin tim e drejta për të votuar nga jashtë territorit të vendit Kodi Zgjedhor aktual kushtëzohet nga fakti nëse është apo jo e regjistruar adresa permanente në shtetin ku banon në regjistrin e Gjendjes Civile në Shqipëri. Nëse nuk e ke të regjistruar adresën nuk mund të votosh nga jashtë territorit të vendit, që do të thotë sipas kësaj mënyre që është trajtuar në Kodin Zgjedhor diaspora ose emigrantët mund të votonin  në Zgjedhjet e 25 prillit vetëm në qoftë se ata do të kishin zbatuar atë që u kërkonte ligji i miratuar për krijimin e regjistrit të adresave për shtetasit, që banojnë jashtë territorit të vendit. Siç dihet në fillimin e procesit zgjedhor të 2020 ishin gjithsej 800 shtetas që ishin të regjistruar dhe që u bënë deri në fund 3000 shtetas, por në krahasim me 1 milionë shtetas që janë në diasporë ky është proces pa asnjë vlerë, e megjithatë kjo nuk u realizua. Pse? Sepse partitë politike nuk ishin të dakordësuara për të realizuar një mundësi të tillë votimi. Mos rënia dakord e tyre u shfaq në sjelljen e Komisionit Rregullator në KQZ ndaj kërkesave të KQZ për të miratuar udhëzimet përkatëse. Zhvillimi i trajtimit të kësaj çështje sot me nismën e KQZ zotit Celibashi dhe me mbështetjen e OSBE në qoftë se do të trajtohet duke patur si objektiv realizimin e këtij procesi dhe plotësimin e standardeve dhe rregullave të mirëpërcaktuar në dokumentet ndërkombëtare dhe referuar eksperiencës së vendeve të tjera është për mua një tregues se në zgjedhjet e ardhshme mund ta kemi reale votën e emigrantëve si mundësi që mund të krijohet e ata mund ta realizojnë. Por për mua duhet të trajtohen disa çështje në të njëjtën kohë e jo të lihet procesi në dorë të KQZ ashtu siç ja kërkon dispozita përkatëse e Kodit Zgjedhor. Duhet që partitë politike të ulen dhe të trajtojnë këto çështje në nivelin e Kodit Zgjedhor e të mos lihet Komisioneri ta trajtojë çështjen në nivelin e udhëzimeve. Duhet të zgjidhet së pari, a duhet të mbetet ky kusht i nevojshëm për të ushtruar të drejtën për të votuar nga jashtë territorit të vendit dhe që është regjistrimi i adresës.

 “Partitë politike nuk kanë patur interesa asnjëherë për ta zgjidhur çëshjen e votës së diasporës dhe unë e shoh të vështirë dhe jam skeptik edhe për atë që po ndodh e që do të ndodhë pas kësaj”

 

Çfarë do të ndodhte me qytetarët, të cilët në një kohë të caktuar janë jashtë vendi?

Kume: Pra problemi nuk duhet të shtrohet siç bëjnë ata: nuk duhet të thuhet vota e emigrantëve, por vota e shtetasve, që ndodhen jashtë territorit të vendit ditën e zgjedhjeve, pra krjimi i kushteve për të votuar pa qenë nevoja për t’u paraqitur në vendvotim të emigrantëve, të studentëve, të qytetarëve që nuk janë atë ditë në Shqipëri, të punonjësve në ambasada apo misione, të gjithë atyre shtetasve që nuk janë në ditën e zgjedhjeve në Shqipëri. Nga ana tjetër duhet pasur parasysh fakti se ligji për adresarin e shtetasve, që jetojnë jashtë vendit ka patur një produkt të papërfillshëm. Për gati 6 vjet që ai është në fuqi. Nga ana tjetër duke e kushtëzuar votën me adresarin e bën praktikisht për mua të paefektshme gjithë këtë ndërmarrje. Në vlerësimin tim referuar rastit të Kosovës në legjislacion nuk ka një gjë të tillë, por mjafton që shtetasi të paraqesë një kërkesë për të votuar nga jashtë territorit të vendit dhe menjëherë nisin procedurat për ta mundësuar atë. Është me shumë rëndësi trajtimi i peshës së votës dhe kjo do dakordësi politike Nuk ka pse të jetë e barabartë pesha e votës së diasporës me qytetarë brenda vendit. Në Kodin e Praktikave të Mira Zgjedhore thuhet që në rastin e votës nga jashtë territorit të vendit mund të trajtohen edhe vendosje të kushteve në Kodin zgjedhor të cilat në fakt bëjnë që të cënohet standardi i barazisë së votës, por kjo është e pranueshme thotë Komisioni i Venecias. Natyrisht se sa mund të cënohet kjo është pjesë  e dakordësisë politike. Ashtu sikurse ka sens të trajtohet edhe pesha e votës së emigrantëve në përftimin e mandateve. Në aktivitetin e kohëve të fundit u përfol edhe Zona e 13.

Çfarë mendoni ju për zonën e 13?

Kume: Është një ndër zgjidhjet për administrimin e votës për t’u kthyer në mandat. Për mua zgjidhja më e mirë për kushtet e vendit tonë do të ishte shpërndarja e votave për t’u numëruar në atë zonë zgjedhore ku shtetasi ka regjistrin e gjendjes civile të tij. Por edhe kjo për t’u realizuar kërkon dakordësi politike e nuk mund t’i lihet Komisionerit për të zgjidhur këtë problem. Jemi në momentin kur nuk duhet ta zhvillojmë këtë punë siç tha zoti Majko që topi është në fushën e Celibashit. Për mendimin tim topi është në fushën e partive politike. Dhe koha për të gjetur zgjidhjen nxiton, që do të thotë nëse duam që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të kemi votën e emigrantëve puna duhet të nisë tani, sepse dakordësia politike nuk ështe e lehtë për t’u arritur.

Po politika a po nxiton drejt gjetjes së kësaj zgjidhjeje?

Me këtë aktivitet, që zhvilloi politika së fundmi tregoi që është gati të nisë procesin. Procesi nis në Kuvendin e Shqipërisë. Por në Kuvend ne ndeshemi me një problem tjetër që është Komisioni Hetimor për Reformën Zgjedhore që në dijeninë time, Alibej ka propozuar tashmë edhe disa emra për këtë komision, por unë mendoj duke ju referuar asaj se si zhvillohet procesi politik në gjirin e PD nuk do të jetë ky komisioni për reformën zgjedhore, që do të realizojë këtë produkt. Unë besoj se kjo do të zgjidhet vetëm pas zgjidhjes së çështjeve të brendshme të PD, kur të kemi tamam anëtarët e një komisioni e një pjesë të mos sulmojë pjesën tjetër dhe për pasojë problemi të ngecë.

 “Kodi Zgjedhor jo vetëm që nuk zgjidh çështjen e votës së diasporës, por e pamundëson atë”

Cila është mënyra ideale për të mbledhur votën e emigrantëve?

Kume: Çështje po prap shumë e rëndësishme, e cila duhet të ketë dakordësinë mes palëve dhe jo ashtu siç e ka të përcaktuar Kodi Zgjedhor actual, i cili thotë ‘KQZ ka të drejtën dhe detyrën për të zgjedhur mënyrën e votimit të qytetarëve jashtë territorit të vendit”. Mënyra më e shpeshtë është mënyra me postë, me prokurë, me votim në qendra votimi në shtetin ku banon qytetari, ashtu si edhe votimi përmes internetit. Përvoja që kanë vendet e tjera mendoj se mënyra më e mirë është me votimin përmes postës. Votimi përmes internetit është një mënyrë, që duhet përjashtuar qoftë duke u referuar vendimit të gjykatës në Gjermani, e cila e ka konsideruar votimin përmes internetit jokushtetues, hakërimi i procesit është mundësi reale. Por nëse pranohet për qytetarët jashtë vendit e njëjta mënyrë duhet të parashikohet në Shqipëri. Pse duhet të shkojë një person nga Tirana në Vlorë për të votuar nëse do votonte në internet. Mënyra më e mirë do ishte vota përmes postës nëse palët do kishin besim tek ofruesi i këtij shërbimi, pra te sistemi postar. Votimi me prokurë te ne është përdorur vetëm për personat me nevoja të veçanta.