Intervistë e Presidentit Meta dhënë për emisionin “Real Story”

701
Gazetari (Sokol Balla): Mirëmbrëma!
Me të thënë e me të bërë është në mes një deti i tërë, thotë populli ynë. Dhe në fakt kjo u provua këtu në Tiranë me marrëveshjen dhe negociatat e detit me Greqinë. Me sa duket qeverisë së Tiranës, para se të gjente dakordësinë me Athinën, duhet të kishte gjetur dakordësinë me institucionet kryesore të vendit, me Presidentin e Republikës, i cili së paku deri më sot nuk i ka dhënë autorizimin ministrit të Jashtëm për negociatat e marrëveshjes së detit me Greqinë. Por a do ta japë Presidenti i Republikës “OK-in” pas disa provimeve dhe testeve që Ministria e Jashtme kaloi përballë ekspertizës së tij. Unë kam kënaqësinë që të kem në studio Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Zoti President mirëmbrëma dhe faleminderit që jeni me mua sonte!
Presidenti Meta: Mirëmbrëma zoti Balla! Juve dhe të gjithë teleshikuesve tuaj që po na ndjekin.

Gazetari: Në fakt po na ndjekin, sepse janë në pritje të asaj pyetje që bëra. Megjithatë do të doja t’ju pyesja fillimisht zoti President: E lexova tërësisht, të plotë, integrale, letrën e dytë që ju i dërguat ministrit të Jashtëm dhe rezervat e detajuara, të thellë. Pra ishin shumë në sasi, por ishin shumë edhe në cilësi. Janë 9 faqe me vërejtje apo ishte mënyra për të treguar se si do ta bënit ju negociatën nëse do të ishit kryeministër?
Presidenti Meta: Së pari për mua nuk ka rëndësi fare se si do ta bëja unë, sepse unë e konsideroj veten, për shkak të pozicionit kushtetues si presidenti, në çdo rast si pjesë e të gjithë këtij procesi, për arsye se kjo është një marrëveshje shtetërore. Dhe si e tillë nuk më shmang nga përgjegjësia e jashtëzakonshme duke qenë se është një marrëveshje e jashtëzakonshme. Është e jashtëzakonshme për arsye se nuk ndodh çdo katër vjet që ndërrohen qeveritë apo çdo pesë vjet që ndërrohen presidentët, që të negociohet një marrëveshje kaq e rëndësishme kufiri, le të themi.
Së dyti është e jashtëzakonshme sepse na ka ndodhur një marrëveshje e nënshkruar gati para një dekade, e shpallur e pavlefshme nga Gjykata jonë Kushtetuese. Dhe nga një problem që mund të ishte zgjidhur para 10 vitesh, kemi trashëguar një problem më shumë në marrëdhëniet me Greqinë. Për shkak të palës sonë, sepse nuk mund të fajësojmë palën tjetër në këtë rast dhe na duhet ta zgjidhim një herë e mirë në mënyrë të qëndrueshme këtë çështje, në mënyrën më të drejtë për të dyja vendet dhe të pakontestueshme një herë e përgjithmonë. Kështu do t’u shërbenim interesave tona, por do t’i shërbenim edhe një fqinjësie më të fortë mes dy vendeve tona, të cilave kemi detyrim edhe ndaj njerëzve tanë në radhë të parë.
Gazetari: Cili ishte shqetësimi kryesor për këto negociata, përveç faktit le të themi të anashkalimit që mendonit se i ishte bërë institucionit të Presidentit, që automatikisht do të çonte në shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010? Pra në thelb, ju si shtetar, si personi që keni pasur dhe keni në karrierën tuaj gjithë pozicionet e mundshme në hierarkinë shtetërore. Cili ishte shqetësimi kryesor për këtë negociatë?
Presidenti Meta: Jam në përmbushje të detyrës sime, e cila me këtë rast është e veçantë për shkak të faktit që kjo është një marrëveshje tërësisht e jashtëzakonshme. Dhe së dyti, për shkak se Gjykata Kushtetuese në vitin 2010 ka marrë një vendim, që nuk thjesht një vendim që shpalli të pavlefshme një marrëveshje. Ai është një vendim që praktikisht përcakton një doktrinë të posaçme juridike për marrëveshje të tilla, dhe në mënyrë të veçantë për ribërjen apo bërjen e një marrëveshje të re të mundshme me Greqinë duke dhënë të gjitha argumentet përse duhej të shpallej e pavlefshme marrëveshja e parë. Gjykata Kushtetuese është një kushtetutë për këtë çështje. Për mua dhe për të gjitha institucionet shqiptare. Së dyti, përveç anës përmjatësore, edhe nga ana formale, kushtetuese, për çdo mungesë respektimi të plotë të pikave të ndryshme të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjet e ndryshme, të cilat ajo është shprehur, nesër mund të përdoret për ta sulmuar përsëri këtë proces nga ana kushtetuese.
Gazetari: Pra në vërejtjet tuaja ju i keni qëndruar totalisht analizës së vendimit, sepse m’u duk sikur ishte shumë profesionale, do të thoja unë, si oponencë që ju i bënit. Ndërkohë ajo dukej sikur shkonte përtej kësaj.
Presidenti Meta: Nuk shkon përtej, për arsye se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është shumë konkret. Është shumë i thelluar, i studiuar mendoj unë dhe çdo çështje ka të bëjë jo vetëm me anën formale, por ka të bëjë edhe me përmbajtjen, me platformën e negocimit mbi të cilën pala shqiptare niset për ta zgjidhur këtë problem me palën tjetër. Dhe unë besoj që gjatë këtyre javëve është bërë një punë shumë e mirë për të arritur drejt këtij momenti që nuk besoj se jemi shumë larg, për të filluar punën ekipi negociator me një platformë të qartë e solide që të garantojmë një marrëveshje sa më të drejtë.
Gazetari: Pra ju po lini të kuptohet që do t’ia jepni autorizimin ministrit të Jashtëm?
Presidenti Meta: Nuk besoj se kam lënë të kuptohet ndonjëherë që nuk do të jap autorizimin…
Gazetari: Jo, jo, dakord, por pas letrës së dytë, dhe me saj informuar unë, ju tashmë e keni marrë edhe një përgjigje të letrës së dytë nga Ministria e Jashtme.
Presidenti Meta: Ajo që mund të them është që është një komunikim i vazhdueshëm mes Presidencës dhe ekipit që po merret me përgatitjen dhe formalizimin e këtij procesi, me Ministrinë e Jashtme, me Kryeministrinë. Dhe ky është një proces që vazhdon edhe tani kur po flasim bashkë dhe në çdo moment që konsiderohet i përmbyllur plotësisht, padyshim jam shumë i predispozuar për t’i hapur rrugë këtij procesi, por njëkohësisht për të treguar përgjegjësinë maksimale, sepse jo vetëm duhet të autorizoj nisjen e këtyre negociatave që i ka kërkuar qeveria, por duhet që në vijimësi të ndjek këtë proces dhe do t’i duhet të shprehet përsëri para nënshkrimit të marrëveshjes, dhe do t’i duhet të shprehet përsëri pasi Parlamenti të shprehet, përmes procesit të dekretimit. Pra është një përgjegjësi e vazhdueshme. Jo vetëm që është një marrëveshje shtetërore, pra nuk është thjesht një marrëveshje qeveritare, por është një marrëveshje e jashtëzakonshme, pra duhet vlerësuar…
Gazetari: …shumë sensitive.
Presidenti Meta: Nuk ka këtu një problem të veçantë në marrëdhëniet e Presidentit me qeverinë, por është diçka tjetër, që po përpiqet të bëjë detyrën e vet me përgjegjshmërinë maksimale.
Gazetari: A keni pasur ju shqetësimin që këto negociata, para ndërhyrjes suaj, po favorizonin Greqinë?
Presidenti Meta: Nuk ka asnjë arsye që të ndikohem nga deklarata, komente apo luftëra politike që në raste të tilla ka edhe akuza, ka edhe interpretime të ndryshme. Nuk besoj se qeveria ka një interes të favorizojë Greqinë, sepse është qeveria e Shqipërisë…
Gazetari: Marrëveshja e mëparshme kështu është interpretuar apo jo?
Presidenti Meta: Absolutisht! Kalojmë më pas aty, vazhdojmë me marrëveshjen aktuale. Duhet të kemi parasysh edhe një gjë: që qeveria ka edhe shumë punë të tjera. Në këtë rast presidenti, te kjo çështje, duke qenë se ai ka një përgjegjësi të veçantë, është i detyruar t’i kushtojë një rëndësi çdo detaji. çdo detaji, sepse jo më kot Gjykata Kushtetuese është marrë me shumë detaje, me saktësime termash. çdo detaj ka të bëjë me pozitën negociuese të palës shqiptare me palën tjetër. çdo detaj shpreh një argument më shumë apo një argument më pak. Pastaj më pas, një marrëveshje nuk mund të jetë kurrë e njëanshme. Njëra palë nuk mundet kurrë t’i imponohet tjetrës, por duhet patjetër që të arrihet një kompromis në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, me konventat ndërkombëtare, në përputhjes me ligjet e secilit vend, por është detyra ime të kujdesem si president për një pozitë sa më të mirë të ekipit negociator në këtë proces. Ndërkohë të mos harrojmë që qeveria ka edhe njëqind probleme të tjera. Përfshirë edhe zotin Bushati që është deputet i Shkodrës. Ka edhe shumë çështje të tjera të cilat i vendosin nën presione nga më të ndryshmet. Sigurisht që ka edhe dëshirën ta përfundojë edhe këtë çështje sa më shpejt dhe beson se është në pozitat e duhura për të mbyllur një marrëveshje sa më të mirë, por kjo kurrsesi nuk më vendos mua në një pozitë që të mos jem i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm në çdo hap gjatë këtij procesi.
Gazetari: Në vitin 2009 kur kjo marrëveshje. Kjo është firmosur në fakt në prill 2009, por më pas në shtator ju u bëtë pjesë e asaj mazhorance që e kishte firmosur atë marrvëeshje. Atëhere keni qenë dakord me marrëveshjen? E di pse po ju ngacmoj? Sepse në fakt, po ta lexosh ndër rreshta letrën e dytë, pra të rezervave, të vërejtjeve tuaja drejtuar Ministrisë së Jashtme, vihet re që flitet, nuk po them me simpati, por nuk anatemohet shuëm marrëveshja e mëparshme që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Përshembull ju i referoheni, ju publikisht keni folur për vijën e kuqe të vitit 2010, sot President i Republikës. Për shembull në ato rezerva që keni rreshtuar, i referoheni vlerësimit të një kompanie të huaj, ndërkombëtare që e ka vlerësuar marrëveshjen e vitit 2009. Zoti Berisha në fakt ditën e hënë këtu e përmendi në atë kolltuk ku jeni ulur ju. Vlerësimi është “proper agreement” pra e ka quajtur një marrëveshje të vërtetë, të mirëfilltë. Në një farë mënyre duket dikur e vlerësoni marrëveshjen e vitit 2009, dhe dikush mund të thotë që ju po kontestoni projekt-marrëveshjen e vitit 2018?
Presidenti Meta: Tani ju jeni gazetar dhe keni të drejtë të bëni pyetje, dhe që t’i keqvendosni në interesin tuaj dhe të publikut, unë ju mirëkuptoj. Por është detyra ime të jem shumë i qartë. Kur është nënshkruar marrëveshje e vitit 2009 unë kam qenë në opozitë dhe nuk kam pasur asnjë interes dhe as ndonjë informacion realisht se çfarë ka ndodhur.
Së dyti kur është shprehur Gjykata Kushtetuese kam qenë ministër i Jashtëm dhe sigurisht vendimi i Gjykatës ka qenë i padiskutueshëm edhe në atë kohë. Natyrisht që jam interesuar për përmbajtjen e marrëveshjes dhe për këtë arsye ka ardhur edhe ish-ambasadori ynë në OKB në atë kohë, i cili ka qenë kryenegociator gjatë asaj marrëveshje, njeri për të cilin unë kam pasur besim dhe një vlerësim për aq kohë sa kam punuar në Ministrin e Jashtme në të kaluarën, e kam qenë tri herë atje. I cili më ka siguruar se kjo ka qenë marrëveshja më e mirë e kështu me radhë. Por kjo nuk ka më vlerë për arsye se kjo marrëveshje nuk ekziston më për ne. Për mua si President i Shqipërisë. Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshme. Jo vetëm që kjo nuk ekziston, por Gjykata e ka bërë të qartë se ç’rrugë duhet ndjekur për një marrëveshje të tillë në të ardhmen.
Përsa i takon pyetjes që ju bëtë, ose pyetjes që ju u ngatërruat, e vërteta është – nuk e di se ku keni parë ju këtë letrën e dytë, se letrën e parë e bëra vetë publike…
Gazetari: Ju e dini që nuk i tregojmë dot burimet.
Presidenti Meta: Jo, nuk ka rëndësi.
Gazetari: Besoj se jam i saktë në referëncë?
Presidenti Meta: I saktë, por nga Presidenca nuk e keni. Por nga Presidenca do t’ju jap këtë përgjigje, shumë të saktë…
Gazetari: Nuk jeni aq i sigurt… Kjo është për t’ju ngatërruar edhe më tepër.
Presidenti Meta: Jo, nuk më ngatërroni dot. Ministria e Jashtme për këtë vlerësim, se ai ka qenë i balancuar për vlerësimin e kompanisë amerikane, shprehet për disa pika që ato nuk qëndrojnë. Dhe për këtë është bërë një vlerësim nga ana e ekspertëve të Ministrisë. Dhe ajo që ne kemi kërkuar është që kush e ka bërë këtë vlerësim dhe mbi cilën bazë, sepse kjo ka rëndësi gjatë platformës negociuese. Pra nuk ka qenë se ka një vlerësim për marrëveshjen e 2009-s.
Gazetari: Pra ju i thoni Ministrisë së Jashtme përse nuk keni marrë parasysh këtë vlerësim, këtë raport?
Presidenti Meta: Ideja është për të kuptuar cila ka qenë ekspertiza e Ministrisë së Jashtme që ka nxjerrë disa konkluzione për këtë vlerësim, për disa çështje të kësaj kompanie. Kjo është më e rëndësishme. Pra për mua, nuk kam asnjë emocion për marrëveshjen e 2009-s. Ajo nuk ekziston më. Nuk është më. Ajo ishte një marrëveshje politike që është realizuar në atë kohë, por nuk është e vlefshme as nga ana kushtetuese, as nga ana juridike sot.
Gazetari: Është shumë e rëndësishme kur shikon se përshembull në Greqia, Kocias thirret në interpelancë nga Bakojanis. Në Tiranë Bushati thirret në interpelancë nga Berisha dhe Basha. Pra në një farë mënyre këto janë nënshkruesit e vjetër kundër nënshkruesve potencialisht të rinj. Duket sikur ka edhe sfond politik.
Presidenti Meta: Po, patjetër që ka sfond politik. Ka në Greqi, ka në Shqipëri dhe të gjithë do ta ndjekin këtë proces me shumë kujdes. Prandaj dhe është e rëndësishme për mua si President, i pandikuar nga këto interesa politike të brendshme, i pandikuar edhe nga ato se çfarë diskutohet në Greqi, sepse është e drejtë e tyre, tani në këtë epokë, por ju e kuptoni edhe këtë, një lajm aty vjen këtu…
Gazetari: Në sekondë.
Presidenti Meta: …dhe interpretohet në disa mënyrë të ndryshme. I pandikuar nga gjithçka, i shërbej me përgjegjshmëri, me transparencë, një marrëveshjeje sa më të drejtë dhe e cila e mbyll këtë histori njëherë e përgjithmonë.
Gazetari: Bushati tha në një intervistë në Vizion+ një ditë më parë se tashmë jemi në një ekip me Presidentin Meta. Dihet pak a shumë që nuk keni qenë dhe tani jeni apo jo?
Presidenti Meta: Jo nuk e di se si është shprehur zoti Bushati.
Gazetari: Ose më saktë, ju ndiheni në një ekip me qeverinë në këtë çështje, në këtë problem?
Presidenti Meta: Nuk e di se si është shprehur zoti Bushati. Tani, unë nuk shikoj asnjë problem midis Presidentit dhe qeverisë. Nëse ka pasur disa vështirësi në komunikim me Ministrinë e Jashtme mendoj se pavarësisht nga reflektimi i tyre…
Gazetari: Ka një reflektim nga Ministria e Jashtme?
Presidenti Meta: …pavarësisht problemeve në komunkim në raport me opinionin publik, kemi qenë në një proces bashkëpunimi të vazhdueshëm dhe të dokumentuar dhe jemi shumë afër mendoj të përmbylljes së një platforme serioze në linjat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese
Sigal