INTERVISTA/ Vili Minarolli: Ambasadori Lu kritikon publikisht kriminalizimin dhe korrupsionin, por në prapaskenë mbështet Ramën

533
Jakup B. GJOÇA
Sigal

Vili Minarolli, ish-ambasador në Beograd, Vjenë dhe Athinë: Qeveria shqiptare është inferiore me Greqinë, për hallin e votës për hapjen e negociatave për në BE

Ambasadori Lu u heq vizat amerikane personave “që mbajnë orë të shtrenjta në dorë”, po lejon të shkojë në Shtëpinë e Bardhë dhe t’i japë dorën Presidentit të SHBA-së ministrin e Brendshëm, për të cilin, jo vetëm publiku shqiptar, por edhe shërbimet e specializuara ndërkombëtare e dinin që ishte pjesë e krimit të organizuar. 
Vili Minarolli, ish-ambasadori i Shqipërisë në Vjenë, Beograd dhe Athinë, në intervistën për gazetën “Telegraf”analizon se vendimi i BE për kohëzgjatjen e pranimit të Shqipërisë përtej 2012-s, ka të bëjë me mospërmbushjen e reformave të integrimit nga qeveritë e kryeministrit Rama, duke arsyetuar, se në parlamentin tonë ka deputetë (socialistë) që janë thjesht …kriminelë. Zoti Minarolli, si ambasador i Shqipërisë në Athinë, në kohën e negociatave dhe marrëveshjes së Qeverisë së kryeministrit Berisha me Greqinë për kufirin detar pohon, se komisioni i negocimit nuk kishte plotfuqishmërinë e Presidentit, hedh poshtë teoritë për “tradhti kombëtare”, ndërsa tani thotë se qeveria e Rilindjes është inferiore ndaj Greqisë në marrëveshjet e saj, për hall të votës së Greqisë për hapjen e negociatave, siç bëri edhe në 2013 me Çekinë, së cilës i dhuroi 85 milionë euro, për votën e marrjes së Statusit Kandidat të Shqipërisë. Zoti Minarolli kritikon edhe rolin e dyfishtë që luan ambasadori amerikan në Tiranë, kur publikisht kritikon korrupsionin dhe kriminalizimin e parlamentit e të pushtetit vendor, ndërsa në prapaskenë mbështet politikën e kryeministrit Rama.

-Ambasador Minarolli, pse BE përcaktoi një kohëzgjatje përtej 2025-s për pranimin në BE të vendeve Ballkanike?
– Unë mendoj se anëtarësimi në BE nuk mund të jetë në bllok për të gjitha vendet e Ballkanit, ashtu siç nuk ishte i tillë edhe procesi i liberalizimit të vizave. Ashtu siç nuk mund të jetë thjesht dëshirë e politikës të ditës, apo pjesë e propagandës të forcës politike që ka pushtetin dhe zotëron median. Ai është rezultat i performancës së çdo shteti, që do të thotë, sa ai shtet i plotëson kushtet për të qenë si i barabartë me të gjitha shtetet anëtare. Dhe kushtet kanë të bëjnë me standardet që janë gjithëpërfshirëse, politike, ekonomike, juridike, kulturore, sociale dhe, kur i krahason këto me vendet e ndryshme rreth e rrotull nesh, e kupton se cila mund të jetë radha. E them me keqardhje, se ne duhet të jemi, ose të fundit, ose të parafundit në këtë radhë. Kjo për arsyen e thjeshtë, se tek ne akoma nuk realizohen zgjedhje të lira dhe qeveritë nuk janë produkt i vullnetit të lirë të shumicës të zgjedhësve. Pa folur për standarde të paplotësuara, që për vendet e tjera nuk ekzistojnë ose shprehen si dukuri normale për një shoqëri të hapur. Për shembull, tek ne është i pazgjidhur problemi i pronës dhe nuk besoj se Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg penalizon ndonjë vend tjetër si qeveritë e vendit tonë me gjoba dhe dëmshpërblime për pronarët e ligjshëm. Ligjet antidemokratike të qeverisë aktuale për dëmshpërblimin e pronës së atyre që u takon, janë forma kriminale të grabitjes të pronës që na largojnë çdo ditë nga Evropa. Pa folur për përmasat e krimit të organizuar dhe implikimin e drejtpërdrejtë të strukturave të shtetit në këtë veprimtari, për kapjen e shtetit nga krimi i organizuar, për mungesën e lirisë në media, për veprimet arrogante të njerëzve me pushtet në dëm të pronës dhe lirisë të individit etj., me të cilat qytetari shqiptar ndeshet çdo ditë. Shqiptarët, ndonëse integrimi në Evropë ishte slogani i lëvizjes studentore që përmbysi diktaturën komuniste, janë populli që në shumicë dërmuese e kanë prirjen drejt Evropës aspiratë kombëtare, po binden çdo ditë që ky proces është kthyer thjesht në një mjet të propagandës të politikës të ditës.

– Sa hapa para ka bërë në politikë Shqipëria pas marrjes të statusit kandidat i BE-së që nga viti 2013?
– Unë mendoj se gati pesë vite më parë statusi na u dha si nxitje që të ecnim përpara në drejtim të reformave. Por unë kam edhe një mendim tjetër, ndoshta personal: Qeveria përpara vitit 2013 e kishte anuluar kontratën me CEZ-in dhe çështja kishte kaluar në Arbitrazhin Ndërkombëtar. Sipas njoftimeve, bëhej fjalë për dënimin e firmës çeke me një gjobë prej 650 milionë euro. Atë kohë komisioner i zgjerimit në BE-së ishte socialisti Fyle, që flitej se ishte i lidhur ngushtë me interesa financiare me firmën çeke. Me ndryshimin e qeverisë në vitin 2013, një nga vendimet e para të qeverisë të re ishte ndërprerja e gjyqit të arbitrazhit dhe pas kësaj detyrimi i shtetit shqiptar për t’i paguar firmës çeke një gjobë prej 85 milionë euro, për gjoja ndërprerje të njëanshme të kontratës. Paratë e taksapaguesve shqiptarë u shpenzuan për të shpërblyer “dashamirësit”. Dihet, se pas marrjes të statusit, vjen procesi i hapjes të negociatave. Nuk ka ndodhur për asnjë shtet që është pranuar në BE apo është kandidat që procesi i hapjes të negociatave të zgjatet mbi pesë vjet dhe çdo herë që qeveria premton për fillimin e procesit, vihen kushte të reja. Pyetët sa hapa para politikë ka bërë Shqipëria? Di të them se kemi ecur mbrapa. Jemi i vetmi vend në rruzull që kemi një ligj të dekriminalizimit të Kuvendit. Do të thotë që Kuvendi ose siç kanë dëshirë ta quajnë, tempulli i demokracisë ka në përbërjen e tij thjesht kriminelë. Do ju sjell një shembull nga historia: Në parlamentin kolumbian arriti të futej si deputet Eskobari. Ai e “bleu” mandatin me paret e drogës dhe me vrasje, si kriminel që ishte thjesht, si kriminel dhe nuk përfaqësonte asnjë forcë politike. Por ai qëndroi në sallën e parlamentit vetëm disa minuta, sepse pas deklaratës të ministrit të drejtësisë, atë e nxorën jashtë. Kurse tek ne politika i përfshiu brenda radhëve të saj njerëzit e krimit, sepse u siguronin votat për të ardhur në pushtet. Po në këto vite vendi u quajt ‘Kolumbia’ e Evropës, sepse strukturat e shtetit në bashkëpunim me krimin e organizuar e shndërruan vendin në prodhues dhe trafik ndërkombëtar të drogës. Pa folur pastaj për plotësim të standardeve ekonomike, sociale etj., që kanë si tregues papunësinë dhe vendin e parë në Evropë dhe të dytin në botë për largimin masiv nga vendi. Dhe, kur shoh këtë braktisje të vendit, veçanërisht nga brezi i ri dhe i shkolluar, më kujtohet koha kur Millosheviçi kërkoi të zbrazte Kosovën nga të rinjtë. Atë kohë Serbia ishte në luftë me pjesën tjetër të ish-Jugosllavisë dhe të rinjve kosovarë u dërgoheshin fletë-thirrjet për të shkuar në ushtri. Ata e dinin se në luftë do të merrnin plumbin prapa kokës si shqiptarë dhe në ditën me diell, në syrin e autoriteteve serbe, braktisnin vendin.

– Kryeministri Rama akuzoi PD-në se pengon procesin e integrimit. A mundet që opozita të pengojë procesin e integrimit?
– Kushtet e BE-së dhe realizimi i reformave si kërkesa të procesit të integrimit janë përgjegjësi e qeverisë. Opozita ka për detyrë të luajë rol konstruktiv për realizimin e këtyre reformave. Që do të thotë, të mos lejojë shtrembërime, të cilat janë vërtet shkopinj nën rrota të këtij procesi. Rol konstruktiv, do ta quaja atë që bëri opozita për dekriminalizimin e Kuvendit, tjetër gjë është fakti që ata me precedentë penal u nxorën nga dera dhe i futën nga dritarja. Shumë i dobishëm ishte denoncimi i kanabizimit të vendit dhe i përfshirjes së strukturave të shtetit në këtë vepër kriminale, denoncimi i deformimit të procesit zgjedhor, nëpërmjet shitblerjes të votës me paratë e krimit, denoncimi i shtrembërimeve që po i bëhen reformës në drejtësi dhe arrogancës të mazhorancës për të thyer Kushtetutën. Opozita nuk mund të bëhet bashkëfajtore në krim, për t’u quajtur bashkëpunuese. Unë nuk jam ekspert për çështjet ligjore, por kam besim të plotë tek përfaqësuesit ligjorë të opozitës dhe kam respekt për integritetin e tyre profesional dhe moral. Në të kundërt, për ish-hetuesit e diktaturës dhe ish-përfaqësuesit e lartë të nomenklaturës komuniste kam bindjen se, ata përpara Kushtetutës dhe ligjeve, zbatojnë urdhrat partiakë, sepse i tillë është formimi i tyre.

– Kryeministri Rama është takuar shpesh me kryeministrin serb, aktualisht President i Serbisë, duke pretenduar se ka sjellë një frymë të re në marrëdhëniet bilaterale. A mund të pohoni që tashmë Shqipëria dhe Serbia janë në një klimë përmirësimi dhe mirëkuptimi?
– Takimet bilaterale midis drejtuesve të shteteve janë një mënyrë shumë efektive për zgjidhjen e ndonjë mosmarrëveshjeje si edhe për forcimin e bashkëpunimit reciprok midis dy vendeve. Këto takime janë shumë të efektshëm kur bëhen sidomos midis dy vendeve fqinje dhe, akoma më shumë, kur më parë ka ekzistuar, për shkaqe të ndryshme, një klimë mosbesimi reciproke. Aktualisht, pas pavarësisë të Kosovës dhe pasi udhëheqësit e Serbisë dhe të Kosovës takohen për të zgjidhur problemet reciproke si dy vende të pavarura, përmirësimi dhe thellimi i bashkëpunimit midis Serbisë dhe Shqipërisë është një hap mjaft i rëndësishëm. Të dy vendet kemi të njëjtën aspiratë politike, atë të integrimit në BE, nuk kemi probleme politike të mbetura pezull dhe jemi të interesuara për bashkëpunim reciprok në të gjitha fushat. Pra, takimet janë të mirëpritura, duhet të jenë të hapura dhe transparente për publikun e të dy vendeve dhe pa cenuar interesin e një vendi të tretë.

– Ambasador Minarolli, si e shpjegoni që ambasadori amerikan Lu dhe ajo e BE-së Vllahutin lozin atë rol sikur të jenë guvernatorë në Shqipëri? Të besojmë se këto ndërhyrje janë në dobi të demokracisë në Shqipërisë?
– Ambasadorët janë përfaqësuesit e shteteve përkatës dhe për veprimet e tyre janë përgjegjës të institucionit nga varen. Por sa hapësirë i krijohet njërit apo tjetrit ambasador, deri sa mund të krijohet një perceptim i publikut të sjelljes të tij me atë të një guvernatori, kjo varet nga institucionet e vendit, ku është i akredituar. Në të vërtetë, nuk është pa bazë krijimi i një perceptimi të tillë dhe të duket se në vend, drejtojnë dy linja, nganjëherë edhe në drejtime të ndryshme, qeveria dhe ambasadori amerikan. Del ambasadori amerikan dhe i bën thirrje politikës që të distancohet nga personat me precedentë penal, duke i kujtuar këta të fundit edhe me emra. Del kreu i mazhorancës, që shpenzon jo pak kohë me ambasadorin dhe fut në parlament, apo në listat e të zgjedhurve të pushtetit lokal dhe administratës publike, jo pak prej tyre. U heq ambasadori vizat amerikane personave “që mbajnë orë të shtrenjta në dorë”, po lejon të shkojë në Shtëpinë e Bardhë dhe t’i japë dorën Presidentit të SHBA-së ministrin e Brendshëm, për të cilin, jo vetëm publiku shqiptar, por edhe shërbimet e specializuara ndërkombëtare e dinin që ishte pjesë e krimit të organizuar. Mbillet gjithë vendi me drogë dhe qindra tonelata futen në Evropë nga deti, toka dhe ajri kryesisht gjatë mandatit të tij dhe ai nuk thotë gjysmë fjale për shtetin që është kapur nga krimi. Është e vërtetë se ai ka pasur një angazhim të konsiderueshëm për reformën në drejtësi dhe kjo i ka krijuar atij dhe publikut shqiptar mendimin se pa rolin e tij, reforma nuk do mund të bëhet. Unë kam një mendim tjetër. Drejtësia shqiptare është produkt i politikës shqiptare, sepse ka qenë politika që i ka krijuar hapësira të pafundme për korrupsion dhe abuzim. Ne themi “Demi kapet prej brirësh.”, Ambasadori, duke qenë shumë herë prezent në media me deklaratat e tij publike, nganjëherë edhe me detyrime e presione ndaj deputetëve për të votuar ligjet në dobi të reformës në drejtësi, të krijohet përshtypja se është ai që po e drejton këtë reformë. Në të vërtetë, me këtë përshtypje ai i ka krijuar hapësirë mazhorancës ta futë reformën në hullinë e saj. Shikoni rezultatet e deritanishme. Nuk u gjet kandidatura e shoqërisë civile për KLP dhe u zgjodh një PPP me votat e shumicës në kundërshtim me Kushtetutën. Po shqiptarët e dinë se ajo që quhet shoqëri civile tek ne është e njëjtë në përmbajtje me ato që quheshin ‘levat e partisë’ në kohën e diktaturës komuniste. Ambasadori Lu mbështeti krijimin e ONM dhe me të drejtë, por ky organizëm deri tani është jashtë funksionit, sepse mazhoranca emëron edhe ata gjyqtarë e prokurorë për të cilët ONM është shprehur kundër. Dhe disa prej tyre nuk janë as më shumë e as më pak, por persona që i kanë shërbyer diktaturës, duke dhunuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve shqiptarë. Thuhet se opozita nuk e mbështet reformën në drejtësi se “ka frikë” (deklaratë e ambasadorit amerikan Lu). Por unë kam bindjen se nuk ka shqiptar të mos mendojë se mazhoranca gjatë pesë viteve që ka çdo gjë në dorë, nuk do të hezitonte të penalizonte çdo ish-qeveritar në qoftë se do të kishte prova, qoftë edhe duke i sajuar me dëshmitarë të rremë apo me deklarata publike të përfaqësuesve të lartë të politikës, siç jemi mësuar të dëgjojmë jo pak herë këto vite. Kemi dy qasje të ndryshme, për atë që quhet reforma në drejtësi: Nga njëra anë kemi ambasadorin që këmbëngul të kalojë ligjet dhe të krijojë strukturat përkatëse dhe ka mbështetjen e mazhorancës parlamentare, nga ana tjetër kemi mazhorancën parlamentare që thyen, nëpërkëmb ligjet dhe shmang strukturat dhe ambasadorin që hesht.

– Ambasador Minarolli, ju keni qenë në detyrë në Greqi kur u negociua marrëveshja për kufirin detar me Greqinë. Cili është mendimi juaj? Mos vallë tani Kryeministri Rama “u dorëzua para Greqisë nga nevoja e votës greke në BE për hapjen e negociatave?
– Është e vërtetë që atë kohë unë kam qenë ambasador i Shqipërisë në Greqi, por nuk kam qenë pjesë e negociatave për kufirin detar. Kam takuar disa nga anëtarët e komisionit shqiptar ditën e parë që erdhën në Athinë dhe vetëm kaq. Por dua të them se kam pasur dhe kam respekt për profesionalizmin dhe integritetin e atyre anëtarëve që njihja dhe asnjëherë nuk kam menduar dhe nuk e mendoj se “i kanë falur detin tonë Greqisë”. Ata kanë punuar dhe vazhdojnë të jenë në pozicione të larta në administratën shtetërore. Po ashtu, nuk kam menduar dhe nuk e mendoj se mund të ketë pasur “tradhti kombëtare” nga ana e ish-kryeministrit, apo ish-ministrit të jashtëm dhe ai që ka punuar në administratën e lartë e di mirë si veprohet në këto raste. Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë marrëveshjen me të drejtë, se për komisionin negociator nuk ishte marrë plotfuqishmëria e Presidentit të Republikës. Për të tjerat, nuk di ç’të them, se janë probleme të metodologjisë, mbi të cilën u veprua. Di gjithashtu të them se atë kohë, në fillim të vitit 2009, Shqipëria nuk kishte asnjë problem me shtetin grek që ta pengonte në procesin e integrimit Euroatlantik. Greqia kishte ratifikuar MSA-në dhe kishte miratuar anëtarësimin e vendit tonë në NATO. I ashtuquajturi “ligji i luftës”, pas nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit, ishte thjesht një rudiment i së kaluarës. Ky ligj u dekretua nga ish-Mbreti i Greqisë në vitin 1940, kur Italia edhe nga kufiri i Shqipërisë të pushtuar, i shpalli luftë shtetit helen dhe nuk ka efekt mbi ligjin e sekuestrimin të pronave të popullsisë shqiptare në Çamëri të vitit 1945, kur çamët u dëbuan me dhunë nga vendi i tyre. Popullsia çame, pronare e ligjshme e pronave të tyre në tokën greke mund t’i marrë pronat vetëm në rrugë ligjore, ndoshta jo ashtu me sorollatje, abuzime dhe korrupsion si të gjykatave shqiptare, por edhe të mosvullnetit të politikës, siç po përpiqen të marrin pronat e tyre shqiptarët në vendin e tyre. Kam një pyetje lidhur me këtë problem: Në qoftë se ish-qeveritarët shqiptarë kanë kryer “tradhti kombëtare” me nënshkrimin e marrëveshjes të detit, pse nuk janë dënuar deri tani? Apo, mos vallë është shkelur më qëllim Kushtetuta dhe ligji do të ishte i pavlerë, për të mos cenuar interesat e ndonjë shteti tjetër? Unë i qëndroj mendimit se është shmangur Presidenti, pa dijeni të shkeljes të Kushtetutës. Ndoshta edhe gabohem. Unë nuk kam asnjë informacion në lidhje me atë që po bëhet tani për kufirin detar, edhe unë si kryeministri nuk e quaj të gabuar deklaratën e Ministrit Kotzias për 12 miljet, teorikisht si kufi detar i një shteti, por të pazbatueshëm në rastin tonë apo dhe të shteteve të tjera dhe në këtë rast kufiri realizohet me marrëveshje dypalëshe. Në qoftë se tani zhvillohen negociata midis ekspertëve për kufirin detar dhe nuk është marrë plotfuqishmëria e Presidentit, në këtë rast kemi një veprim që tashmë dihet pavlefshmëria e tij, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese aktualisht nuk është e aftë për vendimmarrje (e qëllimshme?!) dhe pala tjetër nuk duhet të lejojë të bëhet pjesë e lojërave të politikës sonë joserioze. Edhe unë si ju mendoj. Ky “nxitim” i qeverisë sonë pas një heshtjeje shumëvjeçare them se ka të bëjë me raportin që po përgatiste BE. Tani që edhe ai kaloi, ashtu siç edhe pritej, punët mund të merren më me qetësi. Unë mendoj se ka shtete shumë dashamirëse që mund të afrojnë ekspertizë shumë të specializuar në lidhje me kufirin detar dhe kjo praktikë është mjaft e njohur në zgjidhjen e problemeve të ndjeshme, që ka dhënë rezultate të pranueshme nga palët. 

– Faleminderit!