INTERVISTA/ Silvana Caka: Ligji për të mbrojtur allishverishet e noterëve

454
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Deputetja e LSI-së Silvana Caka në intervistën për gazetën “Telegraf” sqaron që ligji “Për noterët” është klientelist dhe partiak. Deputetja Caka shprehet se Në këtë ligj kritika e saj është tek mënyra e përzgjedhjes së zëvendësnoterit dhe mosrregullimi i përgjegjësive të tij dhe pasojave që mund të shkaktojë, gjatë ushtrimit de facto të detyrës së noterit. Mënyra se si duan ta imponojnë zëvendësnoterin në zyrën noteriale, tregon qartë edhe për mënyrën e përzgjedhjes së tij, nëpërmjet implikimit të Dhomës Kombëtare të Noterëve dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ligji detyron noterët që të lidhin kontratë kolektive të detyrueshme sigurimi, e cila do të prokurohet nga Dhoma Kombëtare e Noterisë, duke iu hequr kështu të drejtën noterëve, që të zgjedhin ata vetë kompaninë e sigurimit.

– Zonja Caka ku e kritikoni ju ligjin për Noterët?

Ligji “Për Noterinë” është një ligj derivat i paketës së ligjeve të Reformës në Drejtësi, i cili ka ardhur në disa forma e drafte deri më sot. Drafti i fundit synon rregullimin e fushës dhe do të duhej të karakterizohej nga një frymë e përgjithshme pozitive, por ajo që na shqetëson tej mase, është pikërisht tendenca klienteliste dhe partiake që po synohet t’i jepet. Kritikat tona qëndrojnë në po të njëjtat pika, që ka evidentuar edhe dekreti i Presidentit, lidhur me nenet 61, 65 dhe 76. Neni 61 parashikon “futjen në lojë” të zëvendësnoterit në rastet kur noterit, i pezullohet licenca, për arsye personale, ose të parashikuara në ligj, si masë disiplinore. Në këto raste, zëvendësnoteri do të jetë ai që merr atributet e noterit, në aspektin e çeljes së testamenteve dhe në aspektin e administrimit të arkivit së noterit. Qëllimi i krijimit të funksionit të zëvendësnoterit, në thelb nuk përbën problem, madje mund t’a konsiderojmë një masë të nevojshme, që merret për të garantuar qytetarët, të cilët për asnjë arsye nuk duhet të ngelen pa marrë shërbim, kur noterit që ata kanë zgjedhur për kryerjen e shërbimeve të tyre, i pezullohet licenca. Ajo që na shqetëson në këtë çështje, është mënyra e përzgjedhjes së zëvendësnoterit dhe mosrregullimi i përgjegjësive të tij dhe pasojave që mund të shkaktojë, gjatë ushtrimit de facto të detyrës së noterit. Është për të ardhur keq që qeveria dhe mazhoranca në Parlament, duan të qeverisin me zëvendësa, pikërisht për të mos marrë përgjegjësi për veprimet e tyre të paligjshme. Mënyra se si duan t’a imponojnë zëvendësnoterin në zyrën noteriale, tregon qartë edhe për mënyrën e përzgjedhjes së tij, nëpërmjet implikimit të Dhomës Kombëtare të Noterëve dhe Ministrisë së Drejtësisë, kur kjo e fundit njihet mirë për konkurset fiktive në punësime në sektorin e burgjeve. Zëvendësnoteri, si rregull, do duhej të zgjidhej nga vetë noteri dhe për shkak të natyrës së punës, do duhej të ishte një njeri i besuar i tij. Mirëpo deputetët iniciatorë të projektligjit “Për noterinë”, kërkojnë që të krijohet një konkurs i administruar nga Dhoma Kombëtare e Noterëve dhe Ministria e Drejtësisë, gjë që e zhvlerëson rolin e zëvendësnoterit, duke e kthyer atë në informator të këtyre dy strukturave, në zyrat noteriale. Një tjetër shqetësim lidhur me funksionin e zëvendësnoterit, është përgjegjësia që ai mban lidhur me shlyerjen e detyrimeve financiare të zyrës noteriale. Nga ligji nuk del e qartë se si do funksionojë zyra në mungesë të noterit dhe ç’është më e rëndësishme, lidhur edhe me nenin tjetër që ne kritikojmë, nenin 65, nuk del aspak e qartë në ligj se kush do mbajë përgjegjësi (sidomos financiare), në rast se zëvendësnoteri i shkakton dëm klientëve të zyrës apo palëve të treta. Kritika e dytë i shkon Nenit 65, i cili është haptazi një nen klientelist, i cili shumë shpejt do të tregojë se cila është kompania e sigurimeve që preferon mazhoranca. Në çdo vend të botës, sigurimi i profesioneve është një sigurim që bëhet në mënyrë vullnetare nga profesionisti. Në rastin konkret, një noter, për të rregulluar pasojat financiare të një veprimi të tij, do duhej të siguronte veprimtarinë e tij, vullnetarisht. Ligji i ri “Për noterinë”, nuk ia lejon këtë të drejtë; ligji detyron noterët që të lidhin kontratë kolektive të detyrueshme sigurimi, e cila do të prokurohet nga Dhoma Kombëtare e Noterisë, duke iu hequr kështu të drejtën noterëve, që të zgjedhin ata vetë kompaninë e sigurimit, të cilës do duan t’i besojnë sigurimin e veprimtarisë së tyre profesionale. Në këtë nen gjithashtu, parashikohet që kufijtë minimale dhe maksimale të tarifës se sigurimit të detyrueshëm të profesionit të noterit, t’i përcaktojë Ministri i Drejtësisë.

Përveç klientelizmit, nuk shoh asnjë arsye pse duhet të jetë Ministri i Drejtësisë, funksionari që përcakton këto tarifa. Gjithashtu, ky parashikim, nuk është diskutuar as me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe as me Byronë Kombëtare të Sigurimeve, të cilat janë dy institucionet që rregullojnë tregun e sigurimeve në vend. Mungesa e transparencës, mungesa e konsultimit me grupet e interesit dhe mosreflektimi i opinioneve të tyre në ligj, është shenjë e klientelizmit që ka kapur Qeverinë dhe mazhorancën në Kuvend.

– Konkretisht, çfarë qëllimi do mazhoranca të arrijë me këtë ligj dhe cilave interesave i shërben?

Është për të ardhur keq që fryma e mirë e ligjit të bëhet hi, veç për hir të këtyre 2 neneve që përmenda më sipër, 61 dhe 65. Këto dy nene e transformojnë ligjin dhe e vënë në shërbim të klientit të radhës së qeverisë, i cili tashmë do vijë nga fusha e sigurimeve. Nëse sigurimi i profesioneve do lihej të kryhej vullnetarisht nga noterët, do të ishte një veprim për t’u përgëzuar, por sanksionimi i tij në ligj si detyrim, e aq më tepër kolektiv, i orienton noterët drejt një kompanie të vetme, kur tregu i sigurimeve ka shumë kompani, të cilat operojnë sot. Me pak fjalë, mazhoranca, me ketë sigurim të detyrueshëm kolektiv, i orienton të gjithë noteret drejt klientit të radhës së Kryeministrit dhe ministrave të tij.

– A është marrë në konsideratë mendimi i palëve të interesuara?

– Ligji rezulton i pa konsultuar me të gjitha palët e interesit dhe si rrjedhojë, kërkesat e tyre mbeten të pa reflektuara në ligj.