Intervista/ Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Kjo është qeveri partizane e shtetit partiak, armike e shtetit social të së drejtës

208
Sigal

Kjo është qeveri partizane e shtetit partiak, armike e shtetit social të së drejtës. Raporti i DASH pasyronte me vërtetësi kapjen e institucioneve nga partia në pushtet. Spostimi nga lista i deputetëve kritikë dhe zëvendësimi me ata që ndihmuan “Rilindjen” në ndryshimet e njëanshme kushtetutese dhe Kodin Zgjedhor

 

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish ministër i PS-së

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit pasqyronte me vërtetësi kapjen e shtetit nga partia në pushtet, e cila është e mbërthyer për fyti nga kryetari i saj Rama

Rama është partizan i shtetit partiak, armik i Shtetit Social të së Drejtës

Gazeta Telegraf

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish ministër i PS-së në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke skanuar Raportin e DASH 2020, së pari pohon se këtë raport nuk e diskutojnë në debatet televizive, sepse shumica e kanaleve televizive janë nën pushtetin e kryeministrit Rama, ndërsa ambasadorja Kim, duhet të sqarojë shqiptarët për shumë çështje që janë në kontradiksjon. Por, fillimisht të deklaronte se cili institucioni që e ka bërë raportin, DASH, apo Presidenti Meta? Prof. Sherifii, edhe një herë kritikat i adreson tek SPAK-u, sepse dosjet 184 dhe 339 nuk u hetuan, sepse do të vertetohej përfshirja e qeverisë dhe administratatës qendrore në procesin zgjedhor, çka përbën krim elektoral dhe duhej ndëshkuar.

 

Ambasadorja Kim do të duhej që të sqaronte opinionin publik për shumë çështje që janë ne kontradiksjon. Por, fillimisht të deklaronte se cili institucioni që e ka bërë raportin, DASH, apo Presidenti Meta?

-Prof. Sherifi cili është përgjegjës për çfarë shkruan Raporti i DASH 2020 për Shqipërinë: Shtet i kapur nga krimi, ligje të bëra me porosi për klientët, korrupsioni i pandëshkuar, partia që qeveris (Rilindja) ka kapur të gjitha pushtetet, etj?

– Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit pasqyronte me vërtetësi kapjen e shtetit nga partia në pushtet, e cila është e mbërthyer për fyti nga kryetari i saj Rama. Për marrjen e mandatit të dytë, qeveria dhe administrata qendrore u vunë në shërbim të partisë dhe të interesave të oligarkisë politike, e cila për të marrë mandatin e tretë i ndryshoi Kushtetutën dhe legjislacionin zgjedhor, pa procedura kushtetuese e pa opozitën reale. Shqiptarët po binden, se ajo që u emertua “opozita parlamentare” tani janë në listat e deputetëe të “rilindjes”. Zëdhënësi i tij, që është edhe udhëheqësi politik i fushatës në Qarkun e Tiranës raportin e DASH e konsideron raport të Presidentit Meta, të përgatitur nëpërmjet OJF-ve, që si u shpreh ai në një intervistë televizive, e di si funksionojnë!

– A nuk ka një handikap të madh nga përmbajtja e Raportit të DASH, ku thekson se korrupsioni është i pandëshkuar, me deklaratat e Ambasadores Yuri Kim se Reforma në Drejtësi është një arritje e madhe? Tashmë, kur janë ngritur të gjitha institucionet e reja të Drejtësisë, nuk kemi asnjë zyrtar të lartë të gjykuar për korrupsion.

– Ambasadorja Kim do të duhej që të sqaronte opinionin publik për shumë çështje që janë ne kontradiksjon. Por, fillimisht të deklaronte se cili institucioni që e ka bërë raportin, DASH, apo Presidenti Meta? Kjo merr rëndësi të veçantë për momentin.

– Ju si e shpjegoni që sot në Shqipëri nuk është kryetemë e debatit politik e mediatik Raporti i DASH 2020 për Shqipërinë? 

– Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk diskutohet në asnjë studio, sepse atë nuk e vlerëson dhe nuk e pranon Rama. Dihet, se shumica e mediave televizive kombëtare janë në shërbim të tij.

– Prof. Sherifi, edhe tani, në sloganet elektorale, kryeministri Rama thekson se opozita nuk e do Reformën në Drejtësi. Çfarë kërkon Rama të përcjellë dhe kujt me këtë strategji? 

– Rama është arkitet i deformimit të Reformës në Drejtësi, për ta kapur atë. Prandaj “Prokuroria e Re” i kërkon informacione edhe Ambasadores së SHBA  për akte që ka nxjerr DASH, lidhur me persona që janë shpallur non grata. Opozita e votoi legjislacionin e Reformës neë Drejtësi, akuzat ndaj saj ngjasojnë me shprehjen popullore, “hajduti thotë, kape hajdutin”.

Mosdënimi nga SPAK i ministrave, deputetëve që dëgjohen me zë nga audiopërgjimet e Dosjeve 184 dhe 339 në krimin elektoral, nuk është thjesht precedent penal, por edhe një inkurajim i shtetit që sërish në 25 prill të bashkëpunojë me botën e krimit, që të manipulojë votën, se ligji nuk i prek. Si do ta mbrojë kësaj Opozita votën, derisa Rilindja ka të gjitha pushtetet? Sa vlerë do kenë pas 25 prillit denoncimet?

– Hetimi i Dosjeve 339 dhe 184, që citoni është vënë si një nga kushtet për t’u plotësuar para organizimit të Konferencës Ndërqeveritare. Ato dosje nuk u hetuan, sepse do të vertetohej përfshirja e qeverisë dhe administratatës qendrore në procesin zgjedhor, çka përbën krim elektoral dhe duhej ndëshkuar. SPAK nuk ka bërë aspak, që i njëjti proces të ripërsëritet në zgjedhjet e 25 prillit. Opozita është përpara një sprove homerike.

 

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk diskutohet në asnjë studio, sepse atë nuk e vlerëson dhe nuk e pranon Rama. Dihet, se shumica e mediave televizive kombëtare janë në shërbim të tij

– Pse kryeministri Rama sulmon çdo herë Bashkimin Europian, qoftë për moshapjen e negociatave, qoftë për mosdërgimin e vaksinave, qoftë duke i akuzuar se ndërhyjnë në fushatën elektorale, ndërkohë, paralelisht, në mēnyrën më demonstrative ofrohet politikisht, diplomatikisht, ekonimikisht nga Turqia?

– Sjellja politike e Rames, nuk përbën më asnjë risi. E kam shprehur edhe me parë. Rama, sytë ka nga Perëndimi, me zemër është në Lindje. Jo më kot e quaj filozofi surelist i së Drejtës. Ai është partizan i shtetit partiak, armik i Shtetit Social të së Drejtës.

 

Ramën do e ndëshkojnë edhe socialistët, sepse edhe në këto zgjedhje, hoqi nga listat e deputetëve kritikët e tij dhe futi turpërisht në listat e deputetëve, shumë syresh, që  e ndihmuan për ndryshimet kushtetuese dhe ligjislacionin zgjedhor

Prof. Sherifi, gjobat e Arbitrazhit ndaj Shqipërisë për të paguar 450 milionë euro, për shkak të ndërprerjes së njëanshme të kontratave, kanë një përgjegjës konkret: arroganca e kryeministrit Rama dhe jo interesat e Shqipërisë. Pyetja është: A duhet SPAK të fillojë hetimet për përgjegjësit dhe përgjegjësitë e shpërdorimit të parave të taksapaguesit shqiptarë?

– Edi Rama për ta konsoliduar qeverisjen e Partisë-Shtet, mori nisma ligjore kundër Medias së Lirë dhe miratoi në parlamentin monokolor ligjin kundër mendimit të lirë e mbylli edhe televizione, si te “çështja Beketi”. Ish Ministri i Financave, sot “ministri i parave” të tërmetit, deklaronte si kokoros, se Shqipëria nuk do të kishte asnjë përgjegjësi për shkaktimin e dëmit. Tani shqiptarët duhet të paguajnë 450 miljon euro për gjyqet e humbura nga Rama. Prokuroria faktet për fillimin e hetimit penal i ka në “ekrane televizive”, por ajo është bërë KAPS, që në lindje.

– A besoni sondazhet paralektorale, ku PS e nxjerrin forcë e parë, edhe pse përmendim korrupsionin, krimunalizimin e parlamentit, kapjen e shtetit, shpopullimin e Shqipërisë?

– Nuk ka shqiptar që beson sondazhet e porositura. Rama me keqqeverisjen e tij ka krijuar një opozitë popullore, e cila do ta ndëshkojë me “votën e hakmarrjes” për mosplotësimin e asnjë premtimi. Atë do e ndëshkojnë edhe socialistët, sepse edhe në këto zgjedhje, hoqi nga listat e deputetëve kritikët e tij, dhe futi turpërisht në listat e deputetëve, shumë syresh, që  e ndihmuan për ndryshimet kushtetuese dhe ligjislacionin zgjedhor, hiqeshin si kritikët e rreptë të qeverisjes së tij, e prandaj i shpërbleu, duke i promovuar si përfaqësuesit e spikatur të “vullnetit të socialistëve”.  Dhe ja ku ish ministri Ditmir, zëvendësohet nga Valteri dhe socialisti Musa, nga Enveri!

– Faleminderit!