INTERVISTA/ Kreu i LDE, Arian Galdini: SHBA janë të shqetësuar për korrupsionin e politikës në Shqipëri. Opozita dhe konsensusi PS-PD

778
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Sot më shumë se kurrë, shqiptarët kaq keq të qeverisur nga Kryeministri i Mafias Estetike (Bella Mafia) Edi Rama, kanë nevojë për shpalosje të një alternativë opozitare. Nuk besoj e nuk shpresoj shumë tek matematika e Opozitës Politike për të prodhuar jetë artificiale opozitare në mbledhje, foltore apo facebook partish a politikanësh

Arian Galdini, Kryetar i LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë ditët e fundit zhvilloi takime me senatorë e kongresmenë në SHBA dhe në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë, se SHBA-të janë të shqetësuar për inkriminimin dhe korrupsionin e politikës në Shqipëri. Zoti Galdini është kryetari i një partie që është me Opozitën, por, haptazi nuk pajtohet tek matematika e Opozitës Politike për të prodhuar jetë artificiale opozitare në mbledhje, foltore apo facebook partish a politikanësh.

– Zoti Galdini cili ishte qëllimi i vizitës tuaj në SHBA dhe me cilët u takuat?

– U takova me shumë miq nga Administrata, Kongresi, media në SHBA, sikurse kongresmenët Robert Aderholt, Pete Sessions, Frank Wolf, Ambasadorin Tony P. Hall, mikun e Presidentit Trump, Anthony Scaramucci, takime në DASH dhe në Këshillin e Sigurisë, për t’u tërhequr vëmendjen kah Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor. Bota e trazuar dhe plot dinamika e sfida të reja shpesh bën që vëmendja ndaj Ballkanit, të mos jetë në nivelin e dëshiruar prej nesh këtu. Andaj është me rëndësi që ne t’u kërkojmë me këmbëngulje SHBA- ve, që t’i mbajnë sytë nga Ballkani e veçanërisht nga Shqipëria e shqiptarët, sepse për ne SHBA janë Fuqia më e madhe, më solide, më themeltare e më parimore, që mund të garantojë zbatimin dhe vendosjen e vlerave të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë. SHBA janë Perëndimi ynë më i mirë dhe ne kemi nevojë që SHBA të jenë qartësisht dhe fortësisht këtu, që forcat properëndimore, idealiste dhe të pastra t’ia dalin mbanë për ta bërë Shqipërinë një vend të zhvilluar, të lirë e demokratik perëndimor.

– Çfarë ju shprehën miqtë tuaj amerikanë për Shqipërinë, proceset e demokratizimit dhe për aktualitetin tonë politik?

– SHBA kanë kanalet e tyre zyrtare të bërjes publike të opinioneve dhe qëndrimeve të tyre. Ambasada e SHBA në Tiranë dhe vetë Departamenti i Shtetit janë autoritetet e vetme që flasin për SHBA.

-A kishte boshllëk midis opinioneve, e qëndrimeve të tyre me qëndrimet e ambasadorit Lu për të njëjtat çështje që biseduat?

– Kam respekt dhe vlerësim të sinqertë për punën dhe shërbimin e Ambasadorit Donald Lu dhe të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Janë duke bërë një punë të shkëlqyer dhe të çmuar.

– A ishin të shqetësuar miqtë amerikanë për inkriminimin dhe korrupsionin e politikës në Shqipëri dhe ku e vunë theksin?

– Gjykoj se korrupsioni endemik dhe lidhjet e politikës me krimin, me të gjitha llojet e krimit, kanë sjellë një lëvizje nga aksi i vlerave perëndimore të Shqipërisë. Kjo sjell shqetësim të madh e serioz tek çdo shqiptar dhe patjetër tek të gjithë partnerët tanë strategjikë euroatlantikë.

Reforma në Drejtësi ka një rëndësi madhore, pasi të gjithë ata, që e kanë udhëhequr Shqipërinë në këto 27 – 28 vite, politikanë, qeveritarë, drejtues institucionesh, të cilët kanë qenë të përfshirë në akte korruptive, keqbërjeje dhe lidhje me krimin, meritojnë të shkojnë në burg dhe pikë.

– Sa produktive është opozita sot përballë keqqeverisjes?

– Opozita ka zgjedhur të jetë matematike dhe skematike përballë Qeverisë Rama. Ka një plan për të prodhuar jetë opozitare sipas agjendës së saj në shoqërinë shqiptare. Ky vendim e kjo strategji e Opozitës mund edhe t’ia dalin mbanë, por kanë rrezikun e lartë, që të krijojnë një distancë dhe mungesë komunikimi dhe kuptimi mes pulsit dhe jetës reale opozitare të qytetarëve shqiptarë dhe shpresës së Opozitës për rezultat e reagim të lartë qytetar. Sinqerisht kam kujdes e ngurrim të ndershëm qytetar, politik dhe intelektual për të besuar tek ndonjë rezultat inkurajues për Opozitën, nëpërmjet provokimit dhe “peshkimit” që ajo u bën shoqërisë dhe qytetarëve me këtë agjendën e saj politike dhe përpjekjen e saj për krijimin e një jete paralele artificiale opozitare me laps në dorë. Personalisht, i përkas një filozofie opozitare, ku Opozita Politike ndjen, ndjek, kupton dhe udhëheq pulsin opozitar të qytetarëve. Nuk besoj e nuk shpresoj shumë tek matematika e Opozitës Politike për të prodhuar jetë artificiale opozitare në mbledhje, foltore apo facebook partish a politikanësh. E megjithatë, ndonëse unë jam Kryetar i një partie të re e të vogël opozitare të qendrës së djathtë, megjithëse ne zyrtarisht jemi ende pjesë e Koalicionit Opozitar, e vërteta është se prej 1 viti, ne përfaqësuesit e partive opozitare joparlamentare, nuk jemi më të ftuar në aksionin matematik dhe Tryezat e Koalicionit Opozitar të reduktuar tashmë vetëm në 7 apo 8 parti. Ndaj ka shumë pak gjëra që unë mund të them për Opozitën politike sepse ata kanë zgjedhur tê jenë vetëm ata mendimi, tryeza, veprimi dhe shfaqja e kësaj jetës opozitare tê prodhuar me agjendë e matematikë.

Mendoni se opozita ka krijuar tek shqiptarët atë besim se ajo është alternativa politike për qeverisje?

– Nuk e di. Di që unë vetë shoh e takoj çdo ditë e më shumë qytetarë të pakënaqur e të revoltuar me qeverinë, por gjithsesi ende të “pa peshkuar” e të paprekur nga kjo rrjeta e agjendës matematike të Opozitës politike. Mund edhe tia dalin. Nuk i dihet. Por peshkimi është sport që kërkon shumë durim e kohë. Këta kanë zgjedhur peshkimin, si sport opozitar. Dashtë Zoti u del mbarë.

– Mendoni se kauza e Opozitës për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm duhej të vazhdonte me protesta të pandërprera në Rrugë deri në dorëheqje?

– Nuk e di. Asnjë Ministër nuk rrëzohet me opozitarizëm peshkatar. Mua me pëlqejnë sporte më dinamike dhe me shpirt të fort ekipi, bashkëveprimi, sulmues e grintë për fitore.

– Sipas jush pse hesht PD-ja për ndryshimin e Sistemit elektoral? Mos ka konsensus me PS në dëm të Partive të tjera?

– PD dhe Koalicioni i reduktuar Opozitar, vetëm me parti parlamentare, nuk ka kohë dhe hapësirë që në faqet ku bën llogaritë dhe matematikën e agjendës opozitare, të përfshijê shumë çështje. Stili i opozitarizmit me një betejë a çështje për javë, i bën prioritetet strategjike viktima të sigurta. Me apo pa marrëveshje me PS, kjo ka pak rëndësi. Ama, e sigurt është se prioritetet dhe parimet strategjike të Shqipërisë, janë viktimat e sakrifikuara, prej politikës me llogari ditore, aritmetikë e agjendë për të shtyrë javën muajin apo sezonin. Sot më shumë se kurrë, shqiptarët kaq keq të qeverisur nga Kryeministri i Mafias Estetike (Bella Mafia) Edi Rama, kanë nevojë për shpalosje të një alternativë opozitare që garanton rikthimin e pa ekuivok të Shqipërisë në aksin e vlerave, parimeve dhe kulturës e praktikave më të mira e më të ndritura Perëndimore.

– Nëse nuk hapen negociatat, çfarë rrjedhje duhet të marrë politika? Dorëheqja e kryeministrit? Ndryshime në qeveri? Zgjedhje të parakohshme?

– Jam besimplotë se negociatat Shqipëri – BE do të hapen. Nëse ndodh që ky vendim i shumëpritur për arsye të ndryshme, të mos jetë pozitiv në fund të qershorit, atëherë normal që do të krijohen të gjitha shkaset për hapje negociatash mes palëve politike në vendin tonë. Gjithçka mund të ndodhë nëse marrim përgjigje negative nga BE. Asgjë nuk mund të ndodhë, nëse vendimet e muajve në vijim do të përcaktohen nga negociatat e elitave tona politike.