INTERVISTA/ Kastriot Islami: Pritet të hapen llogaritë off shore të Kryeministrit Rama dhe të disa ministrave…

892
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Nga çdo këndvështrim që të analizosh veprimet e sjelljet e Ramës, përfundimi është evident: Kryeministrit Rama është super i korruptuar! Prej nga rrjedh edhe arroganca e tij…

Prof. Dr. Kastriot Islami, ish-kryetari i Parlamentit në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet, se ndërkombëtarët kanë të gjitha provat e faktit, që kryeministri Rama ka depozituar qindra milionë euro në offshore në ishujt Kayman, Karaibe, në Panama etj. Prof. Islami pohon se Rama tashmë e ka humbur mbështetjen e ndërkombëtarëve, dhe se fjalori i tij publik arrogant dhe fyes është demonstrim i frikës së panikut. Prof. Islami thotë me bindje se Rama ka rol në marrëveshjen e Thaçit me Vuçiçit për Korrigjimin e Kufijve. Ndërsa për hetimet e prokurorisë ndaj audio-përgjimit të shantazhit të Denar Biba ndaj gjyqtarit të Strasburgut, Prof. Islami pohon se nuk ka besim tek prokuroria, pasi gjithë Drejtësia tashmë është peng i Ramës.

-PROF. Islami, para 3 vitesh OSBE në Tiranë në raportin për zgjedhjet e 2015 shkruajti që kryeministri Rama ka pasuri 200 milionë euro. Ju si mendoni: Ishte perceptim apo edhe ndërkombëtarët kanë fakte që kryeministri Rama ka qindra miliona euro pasuri personale?

– Përgjigjen e saktë të kësaj pyetjeje duhet ta japin vetë ndërkombëtarët. Unë besoj se ata zotërojnë të gjithë provat e faktet për t’i dhënë një përgjigje të saktë kësaj pyetjeje. E rëndësishme është se shqiptarët, në shumicë e besojnë këtë informacion, pra që Rama zotëronte në atë kohë një pasuri prej 200 milion euro sepse sot zotëron disafishin e kësaj shume. Nga takimet që kam bërë në atë periudhë me përfaqësues ndërkombëtarë më rezulton se është një lajm i besueshëm. Edhe ata shqiptarë, apo ndërkombëtarë që kanë qenë dikur skeptikë gradualisht kanë filluar ta besojnë këtë lajm, sepse të gjithë sjelljet dhe veprimet e Ramës janë konfirmuese.

A ka mundësi që një politikan me një rrogë qoftë edhe të lartë të ketë një pasuri të tillë…?

Absolutisht jo. Dhe kjo është drama që vuajnë shqiptarët kur politikanë si Rama dalin me arrogancë të demonstrojnë jetën e tyre luksoze nga njëra anë dhe nga ana tjetër shpjegojnë se ata gjithçka e bëjnë me rrogën e tyre. Për shembull, nuk ka asnjë shpjegim apo mundësi për një individ të varfër, që nuk ka para për bukë, apo për një pensionist, që mezi e mbyll muajin që Rama me një rrogë shteti të bëjë një jetë superluksoze dhe të ketë mundësi të udhëtojë me një charter, që kushton shumë shtrenjtë, për të parë një ndeshje futbolli në Itali dhe për të bërë thjesht një foto, siç vepron Rama. Apo akoma më e rëndë i duket një punëtori shqiptar që merr 200 mijë lekë të vjetra në muaj, që Rama për një foto me ish-Presidentin amerikan Obama paguan 80 mijë dollarë, ose sa 4000 paga të tij mujore, apo aq sa do të merrte për 3.5 vjet!!!!!

Po atëherë ku i ka gjetur kaq shumë para…?

– Pyetja juaj është shumë e drejtë, sepse këtë pyetje e bënte në emisionin e mëngjesit një punonjës i varfër. Sepse me rrogën e tij është e pamundur të grumbullosh një pasuri kaq të madhe, sepse do t’i duheshin të mos e shpenzonte rrogën e tij prej 2000 dollarë/në muaj për 3.5 vjet?!!! Pra nga çdo këndvështrim që të analizosh veprimet e sjelljet e Ramës, përfundimi është evident: Rama është super i korruptuar! Prej nga rrjedh edhe arroganca e tij…

Atëherë si shpjegohet që ai e ekspozon me arrogancë jetën e tij luksoze siç bëri herën e fundit që vajti në Torino për të parë ndeshjen Juventus-Lacio dhe bëri foto me Ronaldon…?

– E gjithë kjo arrogancë vjen nga pasuria e madhe që zotëron, por mbi të gjitha nga budallallëku i tij, e cila mund të shpjegojë pikërisht përse ai ekspozon në rrjetet sociale fotot e tij me avion charter apo selfiet në stadium, aq më tepër kur njerëzit për të shkak të varfërisë mezi presin të emigrojnë. Ai jeton jashtë realitetit dhe mendon se kështu do t’i mashtrojë qytetarët, të cilët kanë filluar të reagojnë me neveri dhe urrejtje. Sepse shqiptarët nuk janë naivë të mos kuptojnë lojën tinëzare se ai kërkon t’i mashtrojë me një foto me Ronaldon, e cila mund të joshë disa individë që kanë prindërit e pasur, por jo shumicën që jeton në varfëri. Bëmat e Ramës janë aq të shumta, saqë zullumi është trashur në atë masë sa nuk mban më, ai pritet të këputet nga momenti në moment. Acarimi i njerëzve ka rritur kulmin dhe janë gati të shpërthejnë. Dhe nuk është çudi, pavarësisht se Rama tallet me qytetarët shqiptarë, duke i “krahasuar me organin seksual që nuk ngrihet”, që zemërimi i tyre të shpërthejë në mënyrë të papërmbajtshme dhe të fshijë nga faqja e dheut të gjithë bëmat e Rilindjes. Duhet vetëm një shkëndijë, e cila duket në horizont, do të mjaftonte të hapen llogaritë e tij offshore ,që njerëzit të dalin të revoltuar në rrugë…

A mendoni se Kryeministri ka depozituar pasuritë në off shore?

Unë e besoj këtë lajm. Racionalisht më rezulton një lajm mëse i vërtetë. Dhe kam bindjen se kjo shumë parash të vendosura në mënyrë ilegjitime dhe të fshehura në llogari off shore është rritur në mënyrë të konsiderueshme gjatë këtyre 5 viteve. Po ashtu, kam përshtypjen se shërbime inteligjente të vendeve të rëndësishme janë në dijeni të këtyre llogarive off shore, madje edhe Rama vetë është në dijeni se këto llogari janë zbuluar. Madje, flitet se nuk është e largët dita që disa nga këto llogari që gjenden në parajsat fiskale të tilla, si në Panama, në Ishujt Kayman apo në Ishujt Karaibe do të hapen për shumë nga drejtuesit e korruptuar të Evropës Lindore. Unë besoj se shumë shpejt, në ditët e javët në vijim do të hapen disa nga këto llogari off shore dhe këto skandale do të shërbejnë si shkëndijë për të ndezur revoltën e madhe që është grumbulluar prej kohësh të shumica e shqiptarëve…

– Cila është strategjia e kryeministrit Rama që cilësoi Uashington Times “dritare të shtëpisë Publike” për 2 shkrimet e fundit për Shqipërinë?

Rama bën bllof, duke bërë si arrogant, por është shumë i frikësuar se ndjen që është i rrethuar: nga njëra anë qytetarët janë të acaruar në ekstrem dhe të gatshëm të shpërthejnë; kurse nga ana tjetër Rama ndjen se ka humbur mbështetjen ndërkombëtare në kancelaritë kryesore dhe për më tepër zyrtarët e lartë, apo përfaqësuesit e tyre të kompromentuar në Tiranë janë larguar. Rama është në panik dhe fjalori i përdorur është vetëm demonstrim i kësaj frike dhe paniku. Ai kërkon të hiqet si i qetë, por në fakt është tërësisht i çoroditur, ka frikë nga ballafaqimi dhe si zgjidhje të vetme ka arratinë.

Nëse ju kujtohet para 5 vitesh ai e cilësoi VOA-n si “kafenetë e Tiranës”, sepse DASH ishte nën kontrollin e Soros. Po tani ku mendoni ju se Rama ka mbështetje akoma në SHBA që fyen kaq rëndë Washington Times?

– Përsëris me bindje se Rama është krejtësisht i destabilizuar dhe vepron në panik. Dy shkrimet e fundit në Washington Times e kanë goditur në shenjë dhe janë në sinjal i qartë se është i “rrethuar”, prandaj ai nga frika e paniku ka përdorur një fjalor ordiner dhe vulgar, duke u sjellë edhe si arrogant. Gjithçka ka thënë është demonstrim i gjendjes në të cilën ai ndodhet, sepse një kryeministër normal dhe i sigurt në pastërtinë e tij sillet me qetësi e maturi edhe ndaj lajmeve të rreme e të sajuara. Rama kujton se me arrogancë mund të maskojë bëmat dhe zullumet e tij, por në fakt sjelljet dhe fjalori i tij vulgar veçse e dekonspirojnë dhe e nxjerrin lakuriq në sytë e publikut vendas e të huaj, ashtu siç është në të vërtetë.

Ju si mendoni: Administrata e Trump është në dijeni që Soros e ka devijuar Reformën në Drejtësi në Shqipëri?

– Përgjigjen e pyetjes suaj e kanë dhënë senatorët e Trump dhe një organizatë shumë pranë tij. Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. Procesi i vetingut kontrollohet nga Rama, i cili shumë shpejt do të kontrollojë të gjithë gjyqësorin. Këto janë dy përfundime të qarta nga reforma në drejtësi në Shqipëri. Këto shqetësime janë paralajmëruar fillimisht nga Komisioni i Venecias dhe janë stigmatizuar më vonë nga senatorët republikanë amerikanë dhe organizata amerikane Judicial Watch, e cila i ka çuar në prill 2018 Mike Pompeo, drejtues i Departamentit të Shtetit, një dokument analitik prej 27 faqesh. Pra, për këto fakte nga Shqipëria është e njohur plotësisht administrata e re amerikane. Më konkretisht, administrata e re e Presidentit Trump është në dijeni në raportit të organizatës amerikane J W, e cila bazuar në një letër të 6 senatorëve republikanë të Senatit të SHBA dhe pas një hetimi të saj të thelluar të saj, ka bërë me dije ndër të tjera se:

  • “Fondacioni Shoqërisë së Hapur-Shqipëri dhe ekspertët e saj, me financim nga USAID, kanë krijuar Dokumentin e diskutueshëm të “Strategjisë për Reformën Gjyqësore Shqiptare”. Mendohet se kjo ‘reformë’ ka pasur për qëllim t’i japë Kryeministrit Rama dhe qeverisë socialiste kontroll të plotë mbi gjyqësorin;
  • Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Donald Lu, i administratës së Obamës, ka qenë i lidhur ngushtë me Sorosin dhe qeverinë socialiste në Shqipëri.
  • Në maj 2017, Donald Lu ka ndihmuar të minoheshin veprimet e opozitës shqiptare për të protestuar ndaj zgjedhjeve të ardhshme parlamentare duke deklaruar se SHBA do të pranonin rezultatet e zgjedhjeve edhe, në qoftë se partitë e opozitës do të refuzonin të merrnin pjesë.

Këto fakte janë të depozituara në Ministrinë e Jashtme të SHBA (në Departamentin e Shtetit: që aktualisht drejtohet nga Mike Pompeo, person shumë i afërt i Trump dhe ish-drejtues i CIA. Pra kjo është një panoramë e qartë që njihet shumë mirë nga administrata Trump, madje nga persona shumë të rëndësishëm të kësaj administrate.

A mendoni se Kryeministri Rama është Aktor në qëndrimet Thaçi-Vuçiç për “Korrigjimin” e kufijve? Dhe pse?

– Absolutisht që ka një rol në këtë marrëveshje. Ai ka qenë gjatë të gjithë kohës në dijeni të kësaj nisme dhe unë kam përshtypjen se ai ka luajtur rolin e koordinatorit mes Thaçit e Vuçiç. Këto fakte i kanë zbuluar shumë politikanë dhe intelektualë kosovarë, të cilët, mesa duket, kanë informacione të shumta për rolin e Ramës në çështjen e ndryshimit të kufijve mes Serbisë e Kosovës. Por atë që Rama e ka të pamundur ta përgënjeshtrojë është deklarimi i ish-kryeministrit të Suedisë Karl Bildt, që, duke kundërshtuar ashpërsisht këtë nismë, deklaroi se për këtë “nismë ka dijeni edhe Rama”. Në këto momente Rama është detyruar, apo i është sugjeruar të heshtë. Në varësi të ecurisë së këtyre negociatave, do të vijë momenti që Rama do të flasë dhe do të tregojë se çfarë roli konkret ka luajtur në këtë rast. Marrëdhëniet e Ramës me Vuçiç janë të ngushta dhe të farkëtuara nga një tutor i përbashkët, që media botërore ia ka nxjerrë emrin, që është Xhorxh Soros, i cili duket mentor i kësaj marrëveshjeje dhe djali i tij është përdorur si broker për të çuar mesazhet tek Vuçiçi, Thaçi dhe Rama.

PROF. Islami përditë dalin fakte kaq tronditëse që Qeveria e Ramës, ministra, bashkëqeverisësi Taulant Balla kanë lidhje me njerëzit e Botës së Krimit, u japin atyre tenderë, koncesione qindra milionë Euro dhe tek e fundit ….Çudia zgjat 3 ditë. Si e shpjegoni këtë imunitet të kriminalizimit të qeverisë së Ramës?

Nga zullumet e këtyre 5 vjetëve unë besoj se qytetarët e kanë tashmë të qartë se çfarë përfaqëson Rilindja.

  • Nuk ka më asnjë shqiptar dhe ndërkombëtar që nuk e di së në parlamentin shqiptar deputetët rilindës janë pa arsimin përkatës, se shumë prej tyre janë me rekorde të tmerrshme kriminale, se një pjesë tyre janë pinjollë të nomenklaturës së lartë puniste, dhe një pjesë tjetër rezultojnë me pasuri të paligjshme; dhe ata të paktë që mbeten janë thjesht kukulla dhe manekinë që recitojnë fjalimet që iu shkruajnë të tjerët dhe ngrenë kartonin pa e ditur se cbëjnë.
  • Nuk ka më asnjë shqiptar dhe ndërkombëtar se ministrat e brendshëm të Ramës janë të lidhur me klanet e familje mafioze, janë të lidhur me trafikantët e drogës.
  • Nuk ka më asnjë shqiptar dhe ndërkombëtar që nuk e di se disa ministra dhe disa kryetarë të bashkive janë të korruptuar dhe të cilësuar nga KLSH si abuzues të fondeve publike.
  • Nuk ka më asnjë shqiptar që nuk e tanimë të qartë se mjekësia falas është një dështim dhe një gënjeshtër e madhe.
  • Nuk ka më asnjë shqiptar që nuk e di se kjo qeveri e ka shndërruar Shqipërinë në vendin e parë botë për kultivimin e kanabisit, të trafikimit të drogave nga Amerika e Jugut, vendin e parë në Evropë për pastrimin e parave të pista.
  • Çdo ditë në emisionet e mëngjesit shumica e qytetarëve të revoltuar dhe të acaruar shprehin hallet e shqetësimet e tyre duke u ankuar se nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje në asnjë zyrë të shtetit. Shumica e të rinjve, gati dy të tretat e tyre, shprehen në sondazhe se janë të papunë dhe duan të emigrojnë.
  • Të gjithë partnerët ndërkombëtarë e cilësojnë qeverinë Rama të korruptuar dhe të inkriminuar, duke i mbyllur derën e hapjes së negociatave me BE për më tepër që shqiptarët zënë vendin e parë në Evropë për numrin e azilkërkuesve.
  • Senatorët republikanë amerikanë, por edhe organizata të shoqërisë civile amerikane kanë shprehur shqetësimin se sistemi i drejtësisë kontrollohet nga Edi Rama.

-Por duket sikur qytetarët janë të mpirë dhe sikur nuk kanë dëshirë të reagojnë…?

Jo, e vërteta është krejtësisht ndryshe. Të gjithë këto bëma kanë lënë gjurmë në mendjen e çdo qytetari dhe votuesi shqiptar dhe me siguri do të përcaktojnë sjelljen e tyre. Por mbi të gjitha këto bëma e zullume janë bërë aq të shumta, sa që qytetarët janë në gatishmëri të shpërthejnë, mjafton një shkëndijë e vogël… Pra shqiptarët nuk janë aspak të imunizuar as nga korrupsioni, as nga krimi, as nga trafiqet, as nga arroganca e Ramës dhe qeveritarëve të Rilindjes, ata janë të revoltuar, por ende nuk kanë shpërthyer, por me siguri nuk është e largët dita që ata do të shpërthejnë në mënyrë të pakontrollueshme. Rama i ka bërë llogaritë gabim, duke menduar se shqiptarët nuk kanë fuqi të reagojnë dhe janë të nënshtruar.

Sa akoma mund të jetë i besueshëm tek ndërkombëtarët se Qeveria jonë e lufton Korrupsionin vetëm me procesin e Vettingut dhe shkarkimin e disa gjyqtarëve dhe prokurorëve?

– Ramën nuk e beson më askush, as brenda vendit dhe as nga komuniteti ndërkombëtar:

  • Uashington Times ishte një shembull i qartë se çfarë mendojnë ndërkombëtarët.
  • Vendimi i Merkel, Makron dhe kryetarëve te shteteve të BE për të mos hapur negociatat për Shqipërinë për shkak të korrupsionit e të lidhjeve te qeverisë me krimin ishte shprehje e mosbesimit të ndërkombëtarëve te Rama, pra ata e kanë shumë të qartë gjendjen në Shqipëri.
  • Raportet e Bankës Botërore, FMN apo Departamentit të Shtetit për korrupsionin me koncesionet, për kultivimin e marijuanës, për trafiqet e drogës e tjerë janë tregues i qartë se komuniteti ndërkombëtar e di më saktësi gjendjen reale në Shqipëri. Goditja e klanit të Habilajve të lidhur me Tahirin dhe qëndrimi i deputetëve gjermanë për vëllain e Xhafës tregon se komuniteti ndërkombëtar e ka humbur besimin te qeveria Rama.

-Por çfarë ka bërë kryeministri që ky perceptim të maskohet….?

– Rama është përpjekur deri tani të krijojë alibinë, se gjërat shkojnë për mrekulli në Shqipëri duke kompromentuar përmes diplomacisë së kanabisit ndonjë zyrtar të lartë në Bruksel apo ndonjë përfaqësues të tyre në Tiranë, por nuk ka mundur të ndryshojë të vërtetën që njihet saktësisht në Washington, në Berlin, në Paris, në Romë apo kudo në Evropë. Po si mund të jetë i besueshëm për një drejtuese serioze si Merkel një individ si Rama që për të rënë në sy ose tregon barsoleta ose vishet me brekushe dhe atlete dhe nga ana tjetër bashkëpunon me Vuçiçin e Thaçin për ndryshimin e kufijve. Si mund të jetë Rama i besueshëm për administratën Trump kur e quan “turp i njerëzimit” Presidentin e SHBA, apo voton kundër qëndrimit amerikan për vendosjen e ambasadës së SHBA në Jerusalem. Po si mund të merret seriozisht një kloun, si Rama, që shfaqet me atlete në prani të zëvendës presidentit amerikan, i cili detyrohet ta largojë nga momenti i bërjes së fotos familjare të aktivitetit. Si mund të merret seriozisht një kryeministër, që angazhon sekretarin e përgjithshëm të KM dhe një jurist të tij t’i bëjë shantazhe një gjykatësi të Gjykatës së Strasburgut. Për çfarë procesi të saktë të vetingut mund të bëhet fjalë kur senatorët e Trump dhe organizata e tij Judical Wotch e cilëson, të dështuar reformën në drejtësi, sepse përmes saj Rama ka vënë nën kontroll gjyqësorin.

A mendoni se edhe ndërkombëtarët tani në Vetting janë masha e kryeministrit Rama Për të kontrolluar Drejtësinë dhe emëruar në institucionet e reja të Drejtësisë ata gjyqtarë e Prokurorë që Rama u ka “besimin”?

– Nuk mund të flas me prova e fakte për veprimet e ndërkombëtarëve konkretë. Por fakti që vetë përfaqësues të administratës së re amerikane janë shprehur se Rama ka vënë nën kontroll sistemin e drejtësisë, madje duke përdorur edhe paratë e taksapaguesve amerikanë. Madje senatorë republikanë të SHBA janë shprehur se Rama është ndihmuar nga Soros për të ardhur në pushtet dhe për të vënë nën kontroll drejtësinë. Mendoj se një raport pozitiv i Komisionit Evropian, i paraqitur me nota shumë pozitive në favor të Ramës dhe që hidhet poshtë nga Këshilli Evropian i kryetarëve të shteteve të vendeve të BE, i shtyn qytetarët shqiptarë të arrijnë në përfundimin racional se disa ndërkombëtarë janë të kompromentuar nga Rama për të shkruar raporte të sheqerosura për një gjendje tejet katastrofike.

– Po ku qëndron e vërteta në këtë rast…?

Shqiptarët duhet të jenë të sigurt se zyrat serioze në Bruksel dhe kryeqytetet kryesore të vendeve të BE dhe shërbimet e tyre inteligjente i zotërojnë të gjithë informacionet për lidhen e Ramës dhe të ministrave të tij për korrupsionin, krimin dhe trafiqet e qeverisë së tij. Vetëm diçka duhet të kujtojnë shqiptarët: organet ligjzbatuese italiane kishin përgjuar nga afër të gjithë lëvizjet dhe veprimet e Tahirit me klanin e Habilajve, duke filluar vetëm 3 muaj, pasi Tahiri ishte ulur në karrigen e ministrit të brendshëm dhe kur Rama e gjezdiste ministrin e tij të “suksesshëm” si ariun e cirkut nëpër Shqipëri dhe në kancelaritë e Evropës, deri në zyrën ovale, duke e prezantuar si ministrin më të suksesshëm. Pra, sado që Rama mund t’i hedhë hi syve përkohësisht shqiptarëve e ndërkombëtarëve, ai e ka të pamundur t’i mashtrojë ata pafundësisht dhe ta mbulojë të vërtetën përgjithmonë. Të gjithë tanimë janë të ndërgjegjshëm për bëmat dhe zullumet e Ramës dhe ndëshkimi i tij është çështje kohe…

-Zoti Islami, cila është domethënia e shantazhit të Bibës ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Strasburgut?

– Nga këndvështrimi ligjor le të shpresojmë që Prokuroria do të fillojë të veprojë, por unë nuk kam asnjë besim se kjo do të ndodhë, sepse Prokuroria është nën kontrollin politik e personal të Ramës. Kurse politikisht domethënia e këtij shantazhi është i qartë: Vërtetim i plotë i hipotezës se pasi Rama ka vendosur nën kontroll gjyqësorin shqiptar po tenton të paralizojë edhe veprimet e Gjykatës së Strasburgut, jo vetëm duke dërguar si propozime për gjyqtar nga Shqipëria për në Gjykatën e Strasburgut anëtarë të klientelës së tij, që deri tani janë refuzuar nga Këshilli i Evropës, por edhe duke shantazhuar e kërcënuar edhe gjyqtarin aktual. Dhe ajo që është më e rënda ky veprim shantazhues bëhet për një çështje shumë delikate, atë të pronës për të cilën shqiptarët janë shumë të revoltuar për padrejtësitë që ju janë bërë dhe të vetmen shpresë e kanë në Strasburg. Dhe Rama përmes këtij shantazhi synon që edhe këtë shpresë të vetme t’jua vrasë. Kjo është e tmerrshme dhe besoj se do të ketë reagim të ashpër pavarësisht se Rama me teknologjinë gebelsiane të një media të paguar me paratë e korrupsionit, krimit dhe trafiqeve po përpiqet ta maskojë e sfumojë edhe këtë skandal.