Intervista/ Ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj

582
Demiraj: Vendi në katastrofë, Rama-Çako e Tahiri-Kodheli, përgjegjësit kryesorë 
“Skeptik në rezultatin e ekspertëve të FBI-së, Rama i mbërthyer nga krimi, policia e politizuar, pafuqia e Xhafës për të kryer Vetingun, disa nga pikat kryesore në intervistën e ish-ministrit të brendshëm”
Ish-ministri i Brendshëm Dritan Demiraj në një intervistë të zgjeruar për gazetën “Telegraf”, flet për situatën aktuale në të cilën ndodhet vendi. E konsideron të paaftë qeverisjen e kryesuar nga kryeministri Edi Rama. Për Z. Demiraj, pa u pastruar kupola e policisë së shtetit dhe gjithë zinxhiri komandues, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet në hartën e vendeve të zeza. Po kështu një tjetër e keqe, sipas tij, është edhe përfshirja e ish-ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli në trafikun e drogës, duke qenë një nga mbështetëset kryesore të Saimir Tahirit. Nuk ka besim të plotë tek përfundimet e punës së dy ekspertëve të FBI-së. Ndërsa shton se Rama u dorëzua përpara ndërkombëtareve, pasi vet nuk mund të luftojë kundër atyre që e sollën në pushtet. 
Katër muaj Ministër i Brendshëm. Çdo të thotë për ju? 
Detyra e ministrit të Brendshëm ishte një nga detyrat me përgjegjësi të madhe në kabinetin qeveritar dhe padyshim, duke marrë parasysh dhe rëndësinë në situatën që e mora këtë detyrë e vlerësova pa masë dhe në të njëjtën kohë u njoha me tre prioritete: 

Së pari, zgjedhje të lira dhe të ndershme; 
Së dyti, Luftë kundër drogës pasi Shqipëria është mbytur prej dy vitesh me drogë; 
Së treti, kushte sa më të mira për pushuesit e huaj dhe vendas.

Cila nga këto prioritete në fund të punës suaj arritët të realizoni?
Gjykoj që prioriteti i parë ishte i pamundur, pra zgjedhje të lira dhe të ndershme, pasi pashë një polici, drejtuesit e së cilës ishin të lidhur me pushtetin qendror dhe lokal, një polici e politizuar dhe, në këtë kontekst, nuk dua të flas për të gjithë trupën e policisë, por për drejtuesit kryesorë, të cilët rast pas rasti i kemi denoncuar, por në të njëjtën kohë lufta e policisë për drogën duhet të themi të vërtetën që kur Xhafa ka marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme ka filluar të jepte rezultate pozitive, të cilat gjatë tre muaj e gjysmë gjatë të qëndrimit tim, kanë qenë rezultate të vlerësuara nga ana e ndërkombëtarëve, por dhe nga qeveria dhe kryeministri Rama. Për tre muaj e gjysmë janë kapur 46 tonë drogë dhe janë pastruar mbi 60 mijë rrënjë, janë çuar në pranga mbi 75 drejtues dhe janë sekuestruar miliona euro. Padyshim që unë nuk është se jam kënaqur nga rezultatet, por dua të theksoj që gjatë realizimit të punës sime nuk kam qenë komod, pasi nuk kemi pasur kushte nga Kryeministri i vendit, përkundrazi, nga njëra anë pretendonte sikur ishte për bashkëpunim me ministrat teknikë nga ana tjetër ushtronte të gjitha presionet dhe mekanizmat e tij që të pengohej puna jonë. 

Si e gjykoni situatën aktuale, ku krimi i organizuar dhe droga ka marrë përmasa të mëdha dhe kur ndërkombëtarët si dhe ambasadori amerikan Donald Lu flasin me tone të ashpra?
Kjo situatë kriminale nuk ka ardhur rastësisht dhe nuk mendoj se është prezent vetëm në në kohën e tanishme. Kjo situatë ka ardhur në ngritje në katër vitet e fundit dhe sidomos në këto dy vitet e fundit. E kam theksuar shpeshherë që kanabizimi i Shqipërisë ka sjellë fuqizimin ekonomik dhe rritjen potenciale të grupeve kriminale dhe është e ditur në gjithë botën që kur fuqizohen grupet kriminale fuqizohen me shumë se shteti, kanë fuqi, financa e mjete logjistike me shumë se ai. Kanë mundësi në një territor, në një vend ku agjencitë e rendit, agjencitë ushtarake paguhen kaq pak sa këtu ata mundohen të gjejnë të gjitha format për t’i paguar, për të marrë informacione dhe jo vetëm kaq, por më duhet të theksoj, se që në kohën e qeverisjes së Ramës është fakt tashmë i vërtetuar me prova, me fakte, që krimi është fuqizuar, pasi grupet kriminale dhe njerëzit e fortë, jo vetëm kanë mbështetur Partinë Socialiste, por kanë qenë pjesë edhe e parlamentit shqiptar edhe e kryetarëve të bashkive. Pra, Rama futi në politikë së bashku me një pjesë të pastër të Partisë Socialiste, banditë, kriminelë dhe njerëz që kanë vjedhur, dhunuar dhe marrë me forcë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Është ky Ramë që në sytë e ndërkombëtarëve ka bërë thirrje për ndihmë nga ekspertë të huaj. Ditët e fundit kanë ardhur dy ekspertë të FBI-së. Cilët janë këta ekspertë dhe a kanë këta fuqi për të ndihmuar vendin tonë, për të luftuar krimin dhe kanalizimin e vendit?
Së pari, e përshëndes me forcë ndihmën dhe asistencën amerikane, të cilët prej vitesh kanë mbështetur dhe asistuar policinë shqiptare, duke bërë të mundur që të rriten ndjeshëm kapacitetet e saj. Por a është e nevojshme që kryeministri i vendit të dorëzohet para ndërkombëtareve dhe të thotë, se tani Shqipëria do pastrohet, vendi do pastrohet, sepse do të vijnë njerëzit e FBI-së? Jo! Kjo tregon edhe më shumë se Rama është i pafuqishëm të përballet me njerëzit, të cilët e sollën në pushtet. Thënë kjo, unë gjykoj që kapacitetet e policisë së shtetit, strukturat e saj dhe jo vetëm të policisë së Shtetit, por të shërbimeve informative dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese janë plotësisht të afta për të vendosur rregullin dhe qetësinë, thjesht duhet që qeveria shqiptare të largohet nga suporti i krimineleve, por ajo duket tashmë se e ka të pamundur. Roli i këtyre personave të FBI-së do të jetë asistimi, hetimi dhe pjesë e vendimmarrjes së dosjes kriminale të personave që drejtojnë politikën shqiptare ose njerëzve të lidhur me ta, në mënyrë që të ketë një hetim të rregullt dhe në fund të procedohet me një dënim të personave që kanë shkelur ligjin.

A do të kenë hapësira këta ekspertë që të luftojnë atë për të cilën kanë ardhur. A do të munden të çajnë krimin e mbrojtur nga politika. Tani kemi një opozitë që po nxjerr fakte të inkriminimit të kësaj qeverie. A do të munden dy ekspertët të pastrojnë gjithë këtë vorbull?
Unë jam skeptik që do të ketë rezultate konkrete, me gjithë angazhimin maksimal të zotit Xhafa. Nuk mundet në asnjë mënyrë të jetë i suksesshëm Xhafa, të pastrojë krimin, drogën, kur në kupolën e policisë së shtetit, në gjithë kupolën drejtuese të saj, që nga shefa komisariatesh, drejtorë qarqesh dhe me radhë, dhe në këtë radhë nuk them se janë të gjithë, në mënyrë absolute, të pastrojë dhe të vendos ligjin në Shqipëri, kur drejtuesit e policisë së shtetit të sotëm, janë po ata që janë emëruar dhe vendosur dhe përdorur në këtë detyrë nga ish-ministri i brendshëm Tahiri, i cili tashmë po akuzohet, jo vetëm nga opozita dhe akuza, të cilat kanë qenë katër vjet rresht, të gjitha të provuara dhe që po provohen për përfshirjen e ministrit, kryeministrit dhe gjithë rrethit të tyre të afërt në kanabizimin e Shqipërisë. Është e pamundur që të arrihen rezultate konkrete dhe me persona të tjerë të FBI-së, në rast se Policia e Shtetit nuk do të kalojë përmes një ristrukturimi të thellë dhe përmes një procesi Vetingu.

Policia është në një moment ku kërkohet një pastrim total i saj? Kjo duke pasur parasysh drejtuesit e disa qarqeve duke nisur nga Vlora. Nga duhet të fillojë sipas jush?
Përshëndes vendimin e zotit Xhafa për Vetingun e policisë, por u bë tashmë dy muaj që është shpallur procesi i Vetingut dhe unë nuk shoh asnjë largim të personave të inkriminuar të policisë së shtetit. Le t’i japim edhe pak kohë zotit Xhafa, pasi është e nevojshme, sepse krimi nuk luftohet brenda ditës dhe brenda javës, por unë nuk besoj se do ketë rezultate konkrete, në rast se nuk largohen të inkriminuarit. Zoti Xhafa ka një listë të personave të përfshirë në kanabizimin e Shqipërisë.

A ka emra konkretë kjo listë. Sepse flasim për persona të inkriminuar, por ndërkohë nuk kemi asnjë emër konkret?
Po sigurisht që ka emra konkretë. Ia kam lënë Xhafës mbi tavolinë me mbi 100 persona, të cilët kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejtë në kanabizimin e Shqipërisë, në marrjen e 30% dhe në fasilitimin e trafikantëve për shpërndarjen e drogës dhe krijimin e kushteve nëpër Shqipëri. Nuk mund të ketë proces Vetingu, luftë kundër krimit të organizuar me këtë qeveri. Kjo tashmë është e vërtetuar,e dëshmuar dhe provuar që nuk mund të bëjë luftë kundër krimit. Prandaj së fundmi por dhe në vazhdim ju do të shikoni, se do të dalin fakte të tjera, jo vetëm të ish-ministrit Tahiri, por dhe të ministrave të tjerë të qeverisë, të cilët ose kanë qenë pjesë e fushatës elektorale të mbështetur nga trafikantët, të cilët kanë përfituar nga dhjetëra miliona euro, por se së bashku ka qenë një mekanizëm kriminal për fitimin e zgjedhjeve.

A janë emrat e këtyre ish-ministrave ose ministrave aktualë në listën që ju keni lënë në tavolinën e Xhafës?
Janë të gjithë emrat e denoncuar nga opozita, të denoncuar nga unë gjatë procesit të ushtrimit të detyrës si ministër i brendshëm. Në raportin e OSBE-së një pjesë e mekanizmit të vjedhjes së votës e personave me precedent kriminalë.

Pse mendoni se nuk reagon kryeministri Rama për këtë listë?
Rama nuk ka sesi të reagojë, sepse ai është personi që i ka mobilizuar dhe shfrytëzuar këta njerëz. Objektivi strategjik i Ramës, ishte fitimi i zgjedhjeve me çdo kosto.

A po e rëndon kjo kosto Ramën?
Pa dyshim që e rëndon, por unë gjykoj që qeveria e Ramës është në pozicionin më të rëndë që mund të ketë qenë ndonjëherë.

Si e gjykoni rastin Tahiri, përtej deklaratave politike?
Për sa i përket përfshirjes së zotit Tahiri i ngelet gjykatës dhe prokurorisë, së pari, për ta hetuar dhe së dyti, tjetra për ta gjykuar. Nuk shpreh asnjë dëshirë timen personale që ministri Tahiri apo ministra të tjerë të dënohen. Por duhet të themi që të gjithë personat, që nga kryeministri e poshtë, të cilët kanë abuzuar me ligjin dhe duket haptazi që Tahiri ka qenë vegël e përdorur nga kryeministri Rama për arritjen e objektivave politike, të shkojnë të përballem me ligjin në mënyrë që secili nga këto ministra që do të vijnë në të ardhmen apo nga drejtuesit e policisë, ta kuptojnë që të bërit politikë, të drejtuarit e një institucioni është një përgjegjësi shtetërore dhe nuk mund ta përdorin atë si një aset privat.

Sa përgjegjësi ka Haki Çako në gjithë këtë situatë të krijuar?
Zoti Çako ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë, pasi ka qenë drejtor i policisë së shtetit në kohën kur Shqipëria është kanabizuar dhe si drejtor i Përgjithshëm ka pasur gjithë përgjegjësinë për ta ndalur këtë proces, për të mos e lejuar, ose të jepte dorëheqjen. Kështu unë nuk shikoj aspak më pak përgjegjësi se Çako dhe drejtuesit e tij të drejtpërdrejtë dhe shpresoj dhe gjykoj që prokuroria, ministri i ri Xhafa me gjithë kërkesën e vazhdueshme ndaj kryeministrit Rama për largimin e Çakos, por nuk ka pasur fuqi për ta larguar, për të vepruar. Në fakt dhe unë kam dashur ta largoj, për arsye se përtej bashkëpunimit institucional që kam pasur me të, një bashkëpunim korrekt me njëri –tjetrin, zinxhiri komandues i Policisë së Shtetit, edhe gjatë kohës time, ka qenë tërësisht i politizuar dhe nën ndikimin dhe mbështetjen e Partisë Socialiste, me metoda të kamufluara ose të hapura gjatë gjithë kohës. 

Pse e mbron Edi Rama Çakon?
Edi Rama dhe kabineti i tij e mbrojnë drejtorin e Policisë së Shtetit pasi, nëse ju kujtohet, kur unë kërkoja shkarkimin e drejtuesve të policisë, të cilët ishin të përfshirë në mënyrë të frikshme në mbështetje të PS në shpërndarjen e parave, në moskapjen e personave që shpërndani para, në moskapjen e personave që sulmonin LSI dhe PD gjatë mitingjeve, morën shpërblimin që u ishte premtuar.

Ngjarja e Elbasanit, ka lënë një shije të hidhur për policinë e shtetit?
Elbasani është vetëm një nga pjesët kancerogjene të mosfunksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Kemi Shkodrën ku disa banditë të armatosur vendosin gjoba dhe policia nuk guxon t’i prekë.

Pse?
Sepse kanë qenë të përfshirë gjatë gjithë kohës së fushatës elektorale në mbështetje të subjektit politik PS dhe deputetëve të PS-së. 

Pra, ju thoni se po marrin haraçin?
Po sigurisht, që po marrin haraçin. Dhe në një kohë kur zoti Xhafa tentoi t’i prekte në Elbasan, ju patë që ata morën para makinën e policisë dhe imagjinoni një trupë policeske me shtatë persona që nuk guxojnë as të futen në një subjekt privat, jo më të futen ta kontrollojnë, ta ndalojnë. Pra është një polici, e cila duhet të kalojë përmes një reforme, por duke ndryshuar njëherë e përgjithmonë, kupolën e saj drejtuese dhe duke bërë një revolucion të plotë brenda saj. Kemi ngjarjen e Lushnjës, Vlorës, Tepelenës, kemi Pukën, Dibrën ku policia nuk guxon t’u kundërpërgjigjet banditëve, po kështu në Malësi të Madhe e me radhë. 

Kaq e vështirë është që një vend i vogël si Shqipëria të mos ketë mundësi të kontrollohet nga shteti?
Nuk është aspak e vështirë. Më lejoni t’iu sigurojë që rendi në Shqipëri vendoset brenda 3 ose 6 muajve, por nëse ka vullnet politik. Unë e vërtetoj këtë dhe me kohën e qëndrimit tim. Në të gjitha vendet ku shkoja, ku kisha prezencë të drejtpërdrejtë, nuk kam parë asgjë më tepër, por një polici të pafuqishme për të goditur njerëzit e inkriminuar dhe në disa raste dhe në prezencën time. Më është dashur të veproj personalisht dhe të mbështes e dhënë kurajë policisë duke bërë kapjen dhe ndalimin e personave personalisht. Kam pasur kontakte me dhjetëra dhe dhjetëra persona të rangut të mesëm dhe të ulët të policisë, të cilët më janë ankuar se nuk guxojnë t’i prekin, pasi gjatë kohës së kanabizimit këto persona që sot bëjnë të fortët, sidomos në Lezhë kanë qenë kontribuesit kryesorë të PS-së. Lezha është kanceri që nuk guxon policia të ndërhyjë. Pasi të gjithë personat e fortë që i kanë dhënë mbështetje dhe vota PS, policia nuk guxon t’i prekë. 

Pse u largua Artan Didi?
Është tashmë i njohur fakti se Drejtori i Policisë së Shtetit Artan Didi, u largua nga drejtimi, pasi ka treguar integritet dhe nuk ka pranuar të bëhet pjesë e kanabizimit të Shqipërisë. Këtë jua konfirmojë me kompetencë të plotë. Nuk do ta cilësoja kurban, por ai nuk pranoi të bëhej pjesë e zinxhirit kriminal në strukturat qeveritare, apo të bëhej një vegël e një ministri, i cili nuk ka pasur përgatitjen apo pjekurinë e duhur, apo lidershipin e duhur për ta drejtuar këtë ministri. Në fakt gjithë këto ngjarje po tregojnë se qeveria Rama dhe ministrat e tij, apo ish-ministrat kanë qenë ministra diletant dhe delirant, të paaftë për pozicionet që kanë. Këtë e tregon edhe situata në të cilën ndodhet Shqipëria. Edhe për sa i përket pjesës së fushës diplomatike, ekonomike dhe sigurisë. Të gjithë këto janë pasqyrë e paaftësisë totale të kryeministrit për të zgjedhur kabinetin. 

Në këtë kanabizim dhe kalim të tonelatave drejt Italisë, sa është përgjegjësia e Ministrisë së Mbrojtjes?
Ministria e Mbrojtjes ka përgjegjësi të plotë, pothuajse të barabartë me Ministrinë e Brendshme, pasi çështja e radarëve është vetëm njëra nga çështjet e vogla të një korrupsioni dhe organizate të strukturuar kriminale brenda Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët kishin paprekshmërinë nga ish-ministrja e mbrojtjes, nga ish-kolegia ime, Mimi Kodheli. Ajo përmes Sekretarit të Përgjithshëm, politizoi të gjithë Ministrinë e Mbrojtjes. Kemi përdorimin e bazave ushtarake për ruajtjen dhe magazinimin e drogës,. Kemi pasur denoncime të provuara që bazat shqiptare janë përdorur për uljen e aeroplanëve dhe helikopterëve që trafikonin drogë. Kolegia Kodheli për këtë, jo vetëm që nuk mori asnjë masë, por reagoi duke inkurajuar që ta vazhdonin këtë punë, pasi mosveprimi është më i rëndë sesa kryerja e një vepre. Largimi i ushtarakëve më të mirë, të cilët denonconin aferat korruptive në qendrën ndërkombëtare detare, në mosmarrjen e masave për radarët, infiltrimi i personave kriminalë në qendrën e radarëve, duke dhënë informacion mbi lidhjen e mjeteve detare të kriminalëve e i komandantit të forcave detare, për sa i përket pjesës së radarëve dhe shfrytëzimi i të gjithë aseteve nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, tregon që MM, ka qenë pjesë e zinxhirit të trafikut dhe pjesë e përgjegjësisë e krijimit të autostradës së drogës në Adriatik. Për këtë duhet të mbajë përgjegjësi ministrja Kodheli, e cila është autorja dhe mbrojtësja më e madhe e tyre. 

Mendoni se Prokuroria ashtu si në rastin Tahiri duhet të nisë hetim kryesisht edhe për Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli?
Pa dyshim që prokuroria duhet të nisë një hetim. Në ministrinë e Mbrojtjes nën drejtimin e Kodhelit, ka pasur vetëm shkatërrim, në drejtim të personelit prishjes së strukturave operacionale, korrupsion galopant. Çdo gjë bëhej nga Sekretari i Përgjithshëm, madje edhe urdhrat operacionalë ishin në shkelje të ligjit . Përdorimi, keqmenaxhimi i fondeve publike, shkelja e ligjit për gradat, prishja e akademive ushtarake e disa qendrave strategjike, e komandës së forcave speciale, e shërbimit informativ kombëtar . Prishja e gjithë këtyre strukturave, ka mundësuar që në Shqipëri të lehtësohen trafiqet midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Brendshmes. Kodheli bashkë me Tahirin ka qenë në unison. Unë nuk mund të provoj që ata të dy kanë vepruar mbi bazën e urdhrave të kryeministrit, por duket që fasilitimi ka qenë me urdhër nga lart. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër. Unë kam denoncuar në mënyrë të vazhdueshme skandalet dhe rolin e Kodhelit në shkatërrimin e ushtrisë shqiptare në këto katër vjet. 
Vijon……
Sigal