INTERVISTA/ Hazizaj: Komisioni i Vetingut dhe ata që qëndrojnë pas tyre duan që ta mbajnë pushtetin e drejtësisë nën tension

598
Përdorimi i standardeve të dyfishta ose mospërfshirja në vlerësim i standardeve të tjera të integritetit, dëfton që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ose nuk e njeh ligjin, ose është orientuar në mënyrë të gabuar. Sepse, nëse do të ishte vlerësuar subjekti, gjyqtari dhe prokurori, në të tre dimensionet, duhej që, nëse një gjyqtar dhe prokuror vlerësohej i aftë profesionalisht dhe i pastër moralisht, nuk kishte arsye që vetëm për shkaqe pasurore, të largohej nga sistemi i drejtësisë ose ushtrimi i detyrës
Procesi i Vetingut ka paralizuar Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, pengon ngritjen e institucioneve të reja të Gjyqësorit, sikurse KLP, KLGJ etj., ndërkohë, që vetëm kryeministri Rama mburret për vetingun. Konstitucionisti Sokol Hazizaj, në intervistën për gazetën “Telegraf” argumenton se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vepron me dy standarde, derisa është shndërruar njëdimensional në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse heton dhe gjykon vetëm pasurinë e tyre, dhe jo integritetin moral dhe profesional. Konstitucionalisti Hazizaj argumenton, se edhe metodologjia që përdor në rivlerësim KPK-ja është joligjore, derisa heton me metodologji që nuk përmbahet në ligj. Madje, konstitucionalisti Hazizaj thotë se është absurde që KPK-ja të rivlerësojë gjyqtarët dhe prokurorët vetëm për deklaratat e pasurisë së tyre, ndërkohë që është edhe institucioni kushtetues ILDPKI-ja, që i ka vlerësuar ata dhe nuk ka nxjerrë deri tani asgjë të jashtëligjshme nga pasuria e tyre. Nuk ka mundësi që dy institucione kushtetuese të nxjerrin 2 vlerësime të kundërta për gjyqtarët e prokurorët, duke hetuar të njëjta të dhëna. 
-Zoti Hazizaj, Vetingu, siç është zhvilluar, dhe me rezultatet që ka dhënë, a ia ka arritur qëllimit të pretenduar?
– Procesi i verifikimit tredimensional ose procesi i Vetingut, ajo çfarë konstatoj unë, është fakti që ka vënë gjithë drejtësinë nën presion, gjithë Gjyqësorin nën presion, me gjithë ngarkesat që kanë marrë sot pushteti gjyqësor i faktit, është fjala për gjykatat gjyqësore, proceduriale dhe të hetimit. Dhe sot ndodhemi në parodi instrumentesh që e shtrëngojnë gjykatën dhe prokurorin. Është instrumenti i Individuales i çdo gjyqtari dhe prokurori, që do përpiqet që ta riverifikojë edhe ai personalisht të dhënat që ka dhënë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, sepse në fund të fundit kjo po ndodh, dhe e dyta, do të përpiqet që të punojë në mënyrë të vazhdueshme, vijuese, duke prezantuar pranë gjykatës, ose gjykata duke marrë vendime në mënyrë të përditshme, mbi zgjedhjen e konflikteve civile dhe penale. Kështu, që ndodhen të gjithë trupat gjyqësore në presionin e këtyre momenteve, padyshim edhe proceduriale, ndërkohë edhe tensionit që shpall Komisioni i Hetimit mbi të dhënat pasurore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që vendimet duhet të jenë ashtu siç duhet në përputhje me të drejtat. Pra, kemi një gjyqësor, i cili, edhe mbase duhet, mirëpo është në trusninë e atyre çka ka ndodhur apo nuk ka ndodhur deri tani. 

– A është e drejtë gjithë kjo gjendje që përshkruat për gjyqtarët e prokurorët?
– Unë mendoj që me zgjidhjen e drejtë të problemit të vettingut, duhen pasur parasysh atë çfarë ka pasur Komisioni i Vettingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, mbase nuk i ka të qarta, ose mbase nuk do t’i ketë të qarta. Komisioni i Vettingut sot merret vetëm me një aspekt të ligjit dhe merret me aspektin e pasurisë dhe i gjithë indentifikimin e të dhënave pasurore të gjyqtarëve dhe prokurorëve e merr nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit. Veprimtaria e Komisionit të Pavarur një dimensional, vetëm brenda vështrimit pasuror, mund të quhet diskriminim, për shkak të aftësive që i ke fituar konform rregullave në një kohë të caktuar, bazuar me ligjin e kohës. Mos të harrojmë që, bazuar mbi ligjin “Për Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit” ky institucion ka pasur tagrin për të bërë bërë verifikimin dhe hetimin administrative, në rastet kur ka konstatuar paqartësi në të dhënat e deklarimeve të pasurisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Unë nuk di që ILDPKI-ja të ketë identifikuar, ose të ketë hetuar në mënyrë administrative të re të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

– Doni të thoni, që vetingu nuk e beson fare ILDPKI-në, si institucion kushtetues i pavarur, për punën e deritanishme, por ribën hetim për pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve?
– Ndryshe, do të thosha që, ose ligji kushtetues sot dhe ligji për rikualifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pra ligji i vetingut, 842016 nuk ka përputhje me ligjin e mëparshëm, flas vetëm në vështrim ligjor, ose metodika që përdor sot Komisioni i Vetingut, është ndryshe nga metodika e përdorur deri më sot nga ILDPKI-ja. 

– Metodika e hetimit të pasurisë duhet të ishte e njëllojtë edhe nga ILDPKI-ja edhe nga Komisioni i Vetingut?
-Absolutisht, po. Ose, ligji i Vetingut të ishte përmirësim i ligjit për ILDPKI-në. Por, duke njohur të metat e ligjit të ILDPKI-së, del që vetëm këto të dhëna të deklaruara pranë ILDPKI-së, riverifikohen, unë nuk e di se me çfarë metodikë, por edhe me një metodikë, që mund të jetë edhe JOLIGJORE, dhe, pastaj vendos për fatin e gjyqtarit dhe prokurorit.

– Kur pohoni, që Komisioni i Vetingut, tani mund të përdorë për hetim të pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve edhe METODIKË HETIMI JOLIGJORE, çfarë kuptoni?
– Da të them se ato metodika, nuk janë të parashikuara në ligj dhe, si i tillë, natyrisht, që është mekanizëm edhe joligjor. 

– Që të jemi të qartë, Komisioni i Vetingut përdor metoda hetimore joligjore për hetimin e pasurisë, që nuk është e përcaktuar në ligjin përkatës të Vetingut?
– Po, padyshim. Që të jemi të qartë, tani na thonë, që për të njëjtat e dhëna të deklaruara nga gjyqtarë dhe prokurorë, në ILDPKI dhe në Komisionin e Vetingut, na dalin rezultate të ndryshme. Tani, duhet të pranojmë. Ose, rezultati i ILDPK-së është i ligjshëm dhe rezultati i Komisionit të Vetingut është i paligjshëm, ose faji është i ILDPKI-së dhe vendimi i Komisionit të Vetingut i drejtë. Sepse, është e njëjta gjë, është i njëjti informacion i deklaruar në dy institucione të pavarura kushtetuese. Si ka mundësi, që ILDPKI-ja nuk ka gjetur asgjë të paligjshme në deklaratën e këtij gjyqtari dhe prokurori, ndërsa tani Komisioni i Vetingut e gjykon një pjesë të pasurisë të paligjshme? Atëherë, vendimi i kujt institucioni kushtetues është i ligjshëm dhe i kujt institucioni vendimi është i paligjshëm? Këtë kontradiktë ligjore duhet ta zgjidhë ligjbërësi. Ose ndryshe, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duhet të jetë i qartë me subjektet e rivlerësuara, cila është metodika. 

– A ka rrezik, që paskëtaj, duke u bazuar mbi METODIKËN JOLIGJORE të hetimit, të nxirret nga Komisioni i Vetingut edhe një vendimmarrje subjektive ndaj gjyqtarit dhe prokurorit që vlerësohet nga Vetingu?
– Asnjëherë, dhe mendoj se edhe ata, nuk duhet të mohojnë karakterin subjektiv të vendimmarrjes, sepse vendimmarrja është një aspekt shumë i përgjithshëm. Asnjë njeri, që bën një vlerësim, nuk ndodh që të mos jetë subjektiv. Dhe që nga ky moment, metodika e hetimit dhe vlerësimi nga ajo që ka bërë ILDPKI-ja më parë dhe tani, sa kohë që nuk është parashikuar në ligj, ka subjektivitet në vendimmarrje. Dhe, duhet thënë, që edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deri tani e ka kufizuar edhe vetë ligjërisht, veprimtarinë e tyre.

– Ku e bazoni këtë mendim?
– Është marrë vetëm me të dhënat që vijnë vetëm nga ILDPKI-ja. Unë nuk di, vetëm nëse ju dini ndonjë rast, që është bërë vlerësimi i posaçëm mbi subjektin, gjyqtarin dhe prokurorin, për integritetin moral apo karakterin personal. Që do të thotë, kemi përdorimin e standardeve të dyfishta. Qoftë edhe në respekt të ligjit për institucionin kushtetues, nga i cili vijnë të dhënat mbi deklarimin e pasurisë. Pra, kemi një vlerësim mbi të dhënat që vijnë nga një institucion kushtetues dhe përdorimi i standardeve të dyfishta mbi këto të dhëna, dhe nuk kemi vlerësim mbi të dhëna të tjera, të cilat vijnë nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, dhe nga Drejtoria e Informacionit të Kualifikuar, që është DSIK-u. Pra, deri sot ne kemi vetëm një interpretim ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të verifikuar deri tani. Përdorimi i standardeve të dyfishta, ose mospërfshirja në vlerësim i standardeve të tjera të integritetit, dëfton që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ose nuk e njeh ligjin, ose është orientuar në mënyrë të gabuar. Sepse, nëse do të ishte vlerësuar subjekti, gjyqtari dhe prokurori, në të tre dimensionet, duhej që, nëse një gjyqtar dhe prokuror vlerësohej i aftë profesionalisht dhe i pastër moralisht, nuk ishte arsye që vetëm për shkaqe pasurore, të largohej nga sistemi i drejtësisë, ose ushtrimi i detyrës. Ose, një gjyqtar dhe prokuror mund të jesh shumë i mirë, i paidentifikuar në çështjen e deklarimit të pasurisë, sepse je shumë i zgjuar, di të fshehësh në deklarime, por ama, je i kalbur moralisht, sepse në fund të fundit, në vendimmarrje gjykatësi ka edhe anën subjektive, dhe për shkak të kësaj kalbësire morali që ke, nuk ke deklaruar pasuritë, je i pazoti profesionalisht, sepse për shkak të kësaj mungese profesionale nuk ke deklaruar, sepse ke bërë vetëm ryshfete, je sërish në sistemin e drejtësisë. Tani, më thoni ju, cili standard i drejtë ligjor është ai që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deri tani vlerëson gjyqtarët dhe prokurorët vetëm mbi bazën e deklarimit të pasurive, dhe shpërfill integritetin moral dhe profesional. 

– Konkretisht, deri tani, në vendimmarrjet, që ka dhënë Komisioni i vetingut ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, ju gjykoni se ka selektivizëm?
– Deklarimi i standardeve të ndryshme, ose përdorimi i një standardi, ndryshe nga ai standardi i mëparshëm, nga i ILDPKI-së, më bën të rezervohem në gjykimet e mia, se procesi i Vetingut është i bërë. 

– Praktikisht, shikojmë edhe radhën e marrjes në veting, ku gjyqtarët dhe prokurorët janë nga institucione të ndryshme. Mendoni se kjo bëhet për selektivitet?
– Është më thjeshtë të kritikosh, kur bën vlerësimin institucioni, sesa të jesh pjesë e atij organi. Ajo çfarë vlerësohet, ndryshe nga ligji, duke mos i ritheksuar të njëjtit fakt, që ndryshimet e ligjit kushtetues dhe ndryshimet e ligjeve për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, u bënë të menjëhershme dhe ndoshta të pakonsultuara mirë. Vetëm të nisur nga opsioni, që të zbrazim kalbësirën e pushtetit dhe të së drejtës në Shqipëri. Ose, nga një opsion populist, që kuptohet, u shfrytëzua 50 %-shi, sepse në gjykatë gjithmonë fiton gjysma e gjysma humbet, kështu, që mjafton të përplasësh këto dy kahe të kundërta me njëra-tjetrën, përsëri del I fituar në opinion publik, në pikëpamje sociale. Ajo çka vlerësohet, është se vetë KPK-ja, ka kaluar në atë që ka vuajtur gjithmonë ligjshmëria zbatuese shqiptare. Në mungesën e veprimtarisë ligjore të tyre. Po ta shikosh me vëmendje ligjin 842016, edhe ligjin kushtetues , e konstaton se që të parët që kalojnë në procesin e verifikimit dhe rivlerësimit janë ata të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, Kryeprokurori, kandidatët për KLGJ dhe KLP, e pastaj të tjerët, për të zgjidhur problemin e administrimit të Gjyqësorit. Ne sot jemi në tejkalimin e afateve kohore të parashikuara në ligjin kushtetues për KLGJ dhe KLP dhe krijimin e institucioneve të tjera qeverisëse të Gjyqësorit. Fakti që jemi me vonesë, dhe kjo do të shkojë sërish me vonesë, edhe procesi i rivlerësimit. Përdorimi i shumë standardeve nga KPK, mospërdorimi i një standardi, eks/ufiço, të fillonte procesin për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, domethënë, jo çfarë parashikohet në ligj, por për shkak të detyrimeve, në të vërtetë ligji kërkon që edhe nisja e procesit gjyqësor duhej normalisht, siç e parashikon edhe ligji, nga kjo kategori që përmenda. 

– Sipas jush, përse procesi gjyqësor i vetingut nuk filloi siç e parashikonte ligji?
– Sa kohë nuk ka filluar, dhe vazhdon në mënyrë të çuditshme të marrë një herë kandidat për KLGJ, dhe njëherë një gjyqtar, që nuk ka lidhje me asnjë institucion që përmenda sipas radhës, njëherë me një prokuror të zakonshëm, njëherë me një prokuror që nuk ka lidhje me asnjë institucion si KLP, etj, tregon faktin që KPK, ligjzbatuesi sot, dhe ata që qëndrojnë pas KPK-së…

– Kë fotografoni ju, “ata që qëndrojnë pas KPK-së”?
– Ambasadorët jo, Pra, KPK, ligjzbatuesi sot, dhe ata që qëndrojnë pas KPK-së duan që ta mbajnë pushtetin e drejtësisë nën tension. E vërteta kjo është. Ndërsa qytetarët nuk e kuptojnë këtë që, ai që merret me peshoren e drejtësisë që pushteti i drejtësisë në përgjithësi nuk është në terezi. Jo se ka qenë ndonjëherë në terezi, por, nëse dje dje nuk ishte në terezi për shkak të një formaliteti që ka pasur Shqipëria në mënyrë të vazhdueshme, gjë e cila vazhdon, sot pushteti i drejtësisë nuk është 2 herë në terezi. Formaliteti i tashëm dhe përdorimi i shumë standardeve të organeve të Kushtetutës sot.

– A mendoni, se kjo drejtësi që kemi sot, është kështu, sepse kështu e donin dhe e duan ata që kanë qeverisur e qeverisin deri më sot?
– Ne kemi vuajtur në mënyrë të përhershme, jo nga fryma e formalizimit të ligjeve, por nga fryma e moszbatimit të ligjeve. Dhe, moszbatimi i ligjeve ka edhe diçka. Ka edhe rezistencën e më të fortit. Dhe sa kohë pushteti ekzekutiv është më i forti, në mënyrë absolute, dhe ky pushtet ka rezistuar ndaj ligjzbatimit, padyshim që të gjitha organet e tjera që vijnë pas politikës, kanë qenë rezistence ndaj ligjit. 

– KPK-ja, duke mos zbatuar radhën e institucioneve, që duhet të marrë gjyqtarët e prokurorët në rivlerësim, e bën qëllimisht sepse kështu duan politikanët, apo ndodh rastësi kaosi i vetingut?
– Në KPK mund të ketë edhe njerëz të pazotë, për shkak të kurrikulës që përfaqëson. Por unë besoj, që më shumë se kushdo tjetër në atë komision të Vetingut, kryetarja e KPK-së, zonja Bungo, i di më mirë gjërat, sesa edhe nga ata që kanë formatuar ligjin, dhe pjesa më e madhe e atyre që merren me rivlerësimin, për shkak të karrierës, profesionalizmit dhe inteligjencës që ka. Në momentin që unë flas, zonja Bungo e kupton shumë mirë se cilat janë të metat ligjore dhe jo ligjore mbi të cilat funksionon Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. 
(Vijon nesër)
Sigal