INTERVISTA/ Deputeti Luçiano Boçi: Aksion opozitar, që çon në rrëzimin e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira

727
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Qëllimi i mirë i reformës në drejtësi është deformuar plotësisht dhe ky proces i shpërfytyruar është duke pjellë një kobure politike që do jetë ekzekutore perfide me silenciator e drejtësisë së ëndërruar

Luçiano Boçi, deputet i PD-së në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se konflikti politik në Shqipëri gjenerohet nga fuzioni i gjerë i krimit me politikën. Reforma në Drejtësi u deformua tërësisht dhe u kap njëanshmërisht nga mazhoranca e sotme, e cila është autore, mbështetëse e realizuese e aferave gjigante. Deputeti Boçi mohon që PD-ja të ketë dakordësi për reformën zgjedhore, ndërsa mos reagimi ndërkombëtar, personalisht ironikisht, më duket si pjesë e përjetimit të Shqipërisë nga trupa diplomatike si ende një vend arkaiko-romantik e xhungël tërheqëse, ku dominant mbetet shijimi i teatrit real të aventurës në çdo pikëpamje, përfshirë dhe atë politike.

 -Zoti Boçi përse KE-ja, në Rezolutën që miratoi për Shqipërinë, i kërkoi vetëm opozitës të kthehet në parlament? Mos vallë ka perceptimin se problemi i konfliktit politik është opozita?

– Konflikti politik në Shqipëri është shumë herë më kompleks në shkaqe, se sa një deklaratë standarde e PE, e dëgjuar shumë shpesh nën të njëjtën formë e muzikë, për kthimin e opozitës në parlament. Ai gjenerohet, pikësëpari, nga fuzioni i gjerë i krimit me politikën, brenda të cilit interesat kriminale prevalojnë mbi interesat publike dhe brenda së cilit politika ka humbur dukshëm valencën e saj si shërbim ndaj votuesit. Së dyti, gjithçka buron nga shtrembërimi i vullnetit politik të votuesit me mjetet e njohura të blerjes, trysnimit, mashtrimit e rrëmbimit të votës, gjë që çon në një mospërputhje midis raportit real të mbështetjes së forcave politike në terren dhe ekzistencës së tyre sot brenda parlamentit. Së treti, konflikti politik i ka rrënjët tek gjendja katastrofike ekonomike e shqiptarëve që çdo ditë e më shumë shtyhen drejt një varfërimit e mjerimit absolut, grabitja e pasurive kombëtare, futja e ekonomisë në darën e koncesioneve e PPP-ve. Së katërti, korrupsioni kapilar që sundon në të gjitha nivelet e qeverisjes, përtej formaliteteve të lustruara ndërkombëtare, është duke klithur kërkesën për një zgjidhje krejt të domosdoshme politike. Mazhoranca e sotme, jo vetëm është dëshmuar e paaftë për të luftuar korrupsionin, por dhe është kapur në flagranca rresht pafund, si autore, mbështetëse e realizuese e aferave gjigante.

– Zoti Boçi, edhe pse Opozita nuk ka dhënë konsensusin për shumë ligje organike të Reformës në Drejtësi, tani janë çuar listat e kandidatëve për KLGJ dhe KLP, edhe pse disa prej kandidatëve janë atakuar nga opozita. A do t’i njihni ju si Opozitë KLGJ dhe KLP?

Avancimi i njëanshëm drejt kapjes absolute të sistemit të drejtësisë nga Rama, nën petkun e domosdoshmërisë së reformës, është vërtetuar e faktuar si ndërmarrja më e madhe antidrejtësi që një mazhorancë ka kryer ndaj këtij sistemi. Reforma devijoi në shumë stade të saj nga marrëveshja konsensuale e korrikut dhe sot është duke u prodhuar e sanksionuar një sistem i përçudnuar, me gjithë ngopjen që i bëhet publikut me prerjen e kokave të individëve të veçantë, me probleme pasurore. Kriteri themelor i pashkruar, që ka sunduar vettingun në shumë raste ka qenë ai politik, pa përmendur këtu alogjizmin e lënies së vendit pa gjykatë kushtetuese e gjykatë të lartë. Brenda kësaj atmosfere gati shekspiriane, ku komplotet ndaj së brishtës drejtësi vazhdojnë njëri pas tjetrit, është krejt e pamundur që KLGJ e KLP, të cilat kalojnë nëpërmjet organeve krejtësisht të kapura politikisht, përfshirë kryeprokurorin e përkohshëm, të ngjallim besimin e pavarësisë, të objektivitetit e të sundimit të së drejtës. Ato më së shumti, janë konkretizim i qëllimeve të mbrapshta politike, për të shtënë në dorë çdo institucion të ngrehinës së drejtësisë e për t’i përdorur ato më pas në revanshet e sulmet e shëmtuara politike të ditës.

– Opozita, si do të reagojë?

– Do vazhdojmë të qartësojmë publikun, por dhe faktorin ndërkombëtar, se qëllimi i mirë i reformës në drejtësi është deformuar plotësisht dhe se ky proces i shpërfytyruar është duke pjellë një kobure politike që do jetë ekzekutore perfide me silenciator e drejtësisë së ëndërruar. Hapat e tjerë kanë të bëjnë me ndërprerjen e ndikimit politik të kësaj mazhorance ndaj drejtësisë, duke i stopuar asaj mandatin e grabitur dhe duke i kthyer këtij vendi e gjithë sistemit në tërësi normalitetin e kërkuar. Stakimin e spinës politike që ushqen dhe devijon drejtësinë drejt interesave personale dhe politike. Kjo do të thotë aksion tërësor opozitar që çon në rrëzimin e Ramës e zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

– Taulant Balla pohoi se edhe Opozita ka dhënë konsensusin për Reformën e re Zgjedhore. Sa e vërtetë është?

– Balla nuk është i kthjellët në dallimin midis dakordësisë për pika të caktuara dhe konsensusit për Reformën zgjedhore. Depolitizimi i administratës zgjedhore dhe votimi e numërimi elektronik janë pika të pa negociueshme, por dhe të domosdoshme. Jo vetëm kaq. Tashmë ne kemi bërë publike platformën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, e cila në themelin e vet ka vettingun politik dhe që i cili është filtri kryesor ku kalon dhe kjo reformë. Kërkesat tona janë shumë më përtej disa formulimeve standarde, apo atij implementimi monoton, të disa rekomandimeve të OSBE-ODHIR. Ato janë një set i gjerë masash, të cilat synojnë largimin e krimit nga politika, ndërprerjen e kontrollit të krimit mbi votën e votuesin, shmangien e parave të pista të drogës e korrupsionit. Vija e kuqe është hequr dhe tashmë pranimi, ose jo i vettingut politik është momentum-i që do përcaktojë të gjithë reaksionet politike totale të opozitës.

Mazhoranca ka shansin e saj të fundit, të shpëtojë në këtë situatë, së paku, nderin e saj të humbur prej kohësh, sepse çështja e tik-takut të pushtetit të saj, është tashmë në kufijtë e një tingulli që ka humbur ngjyrën dhe peshën.

Në draftin e ri të Reformës Zgjedhore nuk ka depolitizim të Administratës Zgjedhore, as numërim elektronik. Do votojë opozita një Reformë të tillë? Si do të parandalohet manipulimi dhe shitblerja e votës në zgjedhje?

– Një draft i tillë është i mangët dhe krejtësisht i pa produkt. Thjesht formal dhe për t’i hedhur hi syve të publikut dhe faktorit ndërkombëtar. Drafti ka në konsideratë një shtet tjetër imagjinar dhe nuk besoj se i tillë, siç e parathoni, t’i referohet vendit tonë, ku pushteti përdor çdo detaj për rrëmbimin e votës. Ku shoku dhe miku më i ngushtë i kryeministrit është krimineli, apo kriminelët, banda apo bandat më të famshme të vendit, siç dhe është vërtetuar. Nuk mundet që një kod i tillë zgjedhor, të mbajë në zinxhir dëshirën e madhe të bandës politike-kriminale në pushtet, për të bërë bis dhe pis pushtetin nëpërmjet grabitjes së votës. Vetëm vettingu politik, depolitizimi i administratës zgjedhore e më tej, votimi i numërimi elektronik, e masat e tjera konkrete të propozuara në platformën e PD do mund të prodhojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërkohë, kushti themelor për këto zgjedhje, që vlen më shumë se dhe vetë kodi, janë zhvillimi i zgjedhjeve pa Ramën Kryeministër, por nëpërmjet një qeverie antimafia.

Zoti Boçi edhe pse Opozita përditë denoncon korrupsione të qeverisë, Prokuroria nuk heton asnjë, edhe kur ndodhin arrestime të zyrtarëve të Lartë, ata nxirren nga burgu me vendim Gjykate. Ndërkombëtarët edhe pse bëjnë apel për luftën kundër korrupsionit, nuk adresojnë kritikën tek qeveria. Atëherë, çfarë duhet të bëni më shumë?

– Të presësh nga prokuroria jonë e përkohshme e zhdrejtësuar, është një utopi po aq e madhe sa vetë komunizmi, sepse troç, është vetëm e thjesht një mëkëmbëse politike e bindur e kryeministrit. Ndërsa mos reagimi ndërkombëtar, personalisht ironikisht, më duket si pjesë e përjetimit të Shqipërisë nga trupa diplomatike si ende një vend arkaiko-romantik e xhungël tërheqëse, ku dominant mbetet shijimi i teatrit real të aventurës në çdo pikëpamje, përfshirë dhe atë politike. Ku anormaliteti, ka statusin e normalitetit, ku çmenduria trajtohet si zgjuarsi dhe ku krimi merr kurorat e lavdisë e të suksesit. Aferim! Ajo që duhet të bëjmë: shembja e këtij mentaliteti dhe e këtij realiteti që po mpak e mplak çdo ditë Shqipërinë, të shitur tezgave të botës nga grabitësit e saj qeveritarë, si “skllave” e bukurisë së vet të pakrahasueshme natyrore.