Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, njëherësh kreu i LSI-së, zhvilloi një takim kokë më kokë në zyrën e tij për 30 minuta, me kryeministrin Edi Rama. Mësohet se ka qenë kreu i Qeverisë ai që shkoi në zyrën e Metës, fill pasi kreu i Kuvendi përfundoi një takim prej 45 minutash me ambasadorët Donald Lu (SHBA), Romana Vlahutin (BE) dhe Bernd Borchard (OSBE).
Këto takime intensive ndodhin në po të njëjtën ditë kur në Tiranë do mbërrijnë edhe dy negociatorët e BE-së, David McAllister dhe Knut Fleckenstein, me misionin për zgjidhjen e krizës politike në vendin tonë.
Takimet e sotme të Metës me Ramën dhe me ambasadorët, zhvillohen një ditë pasi ambasadori i SHBA-ve, Donal Lu u takua edhe me kreun e PD, Lulzim Basha.
Mësohet se fillimisht mbërriti në Kuvend, ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin e më pas ambasadori Donald Lu i shoqëruar nga kreu i delegacionit të OSBE në Tiranë, Borchard. Pas daljes nga zyra e Metës, ambasadorët u ndalun duke biseduar disa minuta jashtë kryesisë.
Çështja kryesore e takimit ishte gjetja e një zgjidhjeje për krizën politike dhe ulja e palëve në dialog, ndërkohë që prej mëse dy muajsh opozita është jashtë institucioneve dhe kërkon qeveri teknike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dy partitë e koalicionit qeverisës, PS dhe LSI janë regjistruar në KQZ por asnjë parti e opozitës nuk është regjistruar.
Ndërkohë, dy negociatorët, David McAllister dhe Knut Fleckenstein, kanë marrë përsipër për të gjetur një zgjidhje për ngërçin politik që ka mbërthyer vendin prej gati 66 ditësh, që në nisje të protestës së opozitës. Kjo e fundit prej kohësh kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e qeverisë teknike për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Dje opozita u hodh në protestë, ndërsa bllokoi për 1 orë 5 pika akse në vend.
Sakaq, me ardhjen në Tiranë të dy eurodeputetëve, parashikohet që ata të ulen në tryezë me një draft marrëveshje me disa pika, që do t’ia prezantojnë Ramës dhe lider të opozitës, Basha.