Intelektualët amerikanë flasin tek VOA: Mendimi ndryshe për krizën

594
Sigal

Departamenti i Shtetit këmbënguli që të mbahen zgjedhjet, por disa prej intelektualëve të njohur të sferës shqiptaro-amerikane në SHBA kanë mendime të ndryshme për situatën në Shqipëri

Zëri i Amerikës është rikthyer prej kohësh në qendër të vëmendjes jo vetëm të redaksive të Tiranës, të cilat duan të lexojnë aty më shumë detaje për atë që mendon Uashingtoni, por edhe tek opinioni publik shqiptar.

Në kohën kur Departamenti i Shtetit ka inkurajuar daljen në zgjedhjet e 30 qershorit dhe ka vlerësuar qetësinë e procesit të votimeve, VOA ka intervistuar disa personazhe të rëndësishme të botës shqiptaro-amerikane. Mendimi i tyre duket i ndryshëm nga ai i DASH.

Fillimisht ishte kongresmeni i njohur për shqiptarët, Eliot Engel, i cili doli me një deklaratë para zgjedhjeve.

“Në përpjekje për të zvogëluar tensionet dhe për t’u larguar nga konfrontimet, u bëj thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë kufizimet më të mëdha dhe të ndalojnë të gjitha aktet e dhunës. Kjo mosmarrëveshje mund të zgjidhet vetëm me dialog dhe duke u bazuar në ligje.Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe meriton një të ardhme evropiane, por krizat e përsëritura për shkak të zgjedhjeve minojnë përparimin e vendit. Unë i bëj thirrje popullit shqiptar të angazhohet për një proces zgjedhor të denjë për një anëtar të NATO-s”, tha Engel.

 

Sami Repishti

Më pas foli Sami Repishti, një ndër veprimtarët e njohur të komunitetit shqiptaro amerikan dhe ish-i dënuar politik. Ai tha për Zërin e Amerikës se është logjike të ishin shtyrë zgjedhjet.

“Partia Socialiste është trashëgimtare e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe kërkon pushtetin që e humbi në vitin 1990. Partia Demokratike, që është viktimë e Partisë së Punës të Shqipërisë, kërkon pushtetin që i takon si kundërshtarë të komunizmit. Ky problem do të ishte zgjidhur me kohë, me zgjedhje të lira, por kjo nuk ngjau. Zgjedhjet u akuzuan si të vjedhura, vendi u zhyt në arbitraritet, në korrupsion, parlamenti u kthye në agjenci të ekzekutivit, gjykatat u korruptuan. Sot kemi Gjykatën Kushtetuese vetëm me një anëtar, kur duhet të ishin 11”.

“Është krijuar mentaliteti në kohën e komunizmit se ne nuk kemi nevojë për botën e jashtme se ne i bëjmë të gjitha. S’është e vërtetë! Përsa i përket ndërhyrjes së tashme të qeverisë amerikane, unë me keqardhje them, por nuk e aprovoj. Nuk besoj se është çështja aq e thjeshtë sa të merret një vendim që të mbahen votimet më 30 qershor sepse kështu ka thënë Kryeministri. Kërkesa për ndryshimin e datës së votimeve që ka bërë Presidenti i Republikës, për mendimin tim është logjike dhe nuk do t’i kushtonte asgjë Partisë Socialiste sikur ta ndryshonte këtë datë,” tha Repishti.

 

Nikolla Pano

Një ditë pas zgjedhjeve, tek Zëri i Amerikës foli profesor Nikolla Pano, një vëzhgues i vëmendshëm i çështjeve shqiptare.

“Duke patur parasysh natyrën e situatës, statusi ligjor i zgjedhjeve është qartazi i pasigurtë,” tha ai.

“Pikë së pari, jam shumë mirënjohës, dhe e di që njerëzit në Shqipëri dhe në komunitetin shqiptaro-amerikan janë mirënjohës, për faktin që nuk pati dhunë të vërtetë që shoqëroi zgjedhjet, që ato ishin paqësore dhe që anëtarët e komunitetit të votuesve shqiptarë që patën dëshirën të merrnin pjesë, e patën mundësinë të votojnë. Por, në fund të ditës, zgjedhjet vërtet nuk zgjidhën ndonjë nga çështjet e mbetura pezull në Shqipëri. Tani duhet të presim hapin e ardhshëm pas zgjedhjeve. Qartësisht, Shqipëria nuk mund të vazhdojë të ekzistojë në gjendjen e trazirës që ka qenë tipari i pjesës më të madhe të vitit 2019”.

“Pyetja e madhe që unë kam është: meqë zgjedhjet, në mendimin tim, nuk zgjidhën problemet me të cilat përballet vendi, pyetja qëndron se cilat janë opsionet që ekzistojnë për Shqipërinë? A janë zgjedhjet e parakohshme zgjidhja, si në nivelin lokal edhe në atë kombëtar? Sa shpejt mund të krijohet Gjykata Kushtetuese? Kjo është thelbësore për të trajtuar disa nga problemet me të cilat përballet Shqipëria në periudhën afatgjatë.

Gjithashtu, duhet hartuar edhe një lloj programi me afate kohore, për të mundësuar ndryshimet ligjore dhe institucionale në Shqipëri, të cilat i nevojiten vendit në mënyrë të domosdoshme. Dhe do të thoja se pyetja parësore është se çfarë iniciativash duhen ndërmarrë për krijimin e mirëbesimit, për të filluar nxjerrjen e Shqipërisë nga rrëmuja në të cilën e gjen veten tashmë. Kush do ta udhëheqë këtë përpjekje? Dhe a mund të krijohet mbështetje e mjaftueshme nga publiku për ta bërë realitet një iniciativë të tillë? Nuk ka diskutim se ekzistojnë probleme serioze në Shqipëri dhe këto probleme thjesht nuk mund të lejohen të zgjaten. Ato jo vetëm po dëmtojnë pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por ato po shkaktojnë probleme ekonomike në Shqipëri, po devijojnë vëmendjen nga moria e problemeve sociale dhe ekonomike, të cilat duhen trajtuar në Shqipëri, për të përmirësuar kushtet e mjeruara që mbizotërojnë në aspekte të ndryshme të jetës shqiptare,” tha Pano.

 

David Philips

Ndërkohë të martën foli tek VOA edhe profesori dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, analisti David Philips.

Drejtorit të Institutit për Paqe në Universitetin Kolumbia në Nju Jork tha se zgjedhjet duhet të përsëriten.

“Sipas tij procesi i 30 qershorit ishte një farsë zgjedhore, pa mundësi zgjedhjeje, e tipit që do të organizonte një parti-shtet. Analisti propozon gjithashtu edhe një rishikim të qasjes së administratës amerikane ndaj Shqipërisë, për të cilën thotë se ka mbyllur sytë përballë problemeve reale që po kalon vendi.

“Edi Rama është përpara një zgjedhjeje të rëndësishme: ose do të hyjë në histori si autokrat i një shteti të dështuar ose do të këtë mundësinë të bëhet burrë shteti duke i bashkuar njerëzit, duke u ofruar atyre zgjidhje dhe falë forcimit të demokracisë. Zgjedhja i takon atij. Shpresoj që ai do të veprojë në emër të popullit dhe kombit shqiptar”. “Këto nuk ishin zgjedhje të lira e të ndershme, nuk kishte zgjedhje. Këto janë zgjedhje të llojit që do të organizonte Ramiz Alia dhe Enver Hoxha. Shqipëria është kthyer në një vend me një parti shtet. Nuk ka mendim ndryshe. Nuk ka asnjë mundësi për opozitën për të shprehur pikëpamjet e saj”.

“Ajo që duhet të kishte ndodhur, duhet të kishte qenë shtyrja e zgjedhjeve sipas rekomandimit të Presidentit Meta. Votuesit shqiptarë kanë nevojë të kenë një alternativë. Qeveria e SHBA-së duhet të këmbëngulë që ata të kenë një alternativë, përpara se t’i çertifikojnë zgjedhjet dhe të thonë se janë të lirë e të drejta. Ka ndodhur një shpërfytyrim i demokracisë nga qeveria shqiptare dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mbyllur një sy lidhur me këtë. Mendoj se është për të ardhur keq që SHBA-ja e ka lejuar këtë të ndodhë. Këto zgjedhje duhet të ribëhen më 13 tetor. Duhet kaluar nëpër një proces të besueshëm për t’u përgatitur për zgjedhjet në mënyrë që të gjithë shqiptarët të kenë një zë. Përndryshe këto zgjedhje do të shënojnë vdekjen e demokracisë në Shqipëri dhe jo një hap tjetër drejt demokratizimit të vendit”