Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani:  Organet e reja të drejtësisë kanë filluar të funksionojnë dhe të japin rezultate konkrete

197
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Zhvillimi i këtij takimi, si dhe diskutimi lidhur me veprimtarinë e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, veçanërisht  në fazën e parë të Këshillit të Lartë të Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, përbën në vetvete një tregues të qartë, se Reforma në Drejtësi ka nisur rrugëtimin e saj. Dhe rezultatet e këtij monitorimi dhe raporti, tregojnë qartë se ky rrugëtim tashmë nuk ka më kthim pas. Kjo reformë përbën një nga ndërmarrjet më të mëdha për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri. Eshtë një nga reformat më të thella kushtetuese, ligjore dhe institucionale, që ka prekur sistemin e drejtësisë jo vetëm në vendin tonë, por padyshim ndër reformat më të thella, krahasuar edhe me sisteme të tjera drejtësie. Jetësimi i reformës, i organizimit të ri kushtetues të sistemit të drejtësisë, i kompetencave të reja, dhe për më tepër i filozofisë së re të ushtrimit të këtyre kompetencave, nuk është aspak e lehtë. Jo thjesht se ngritja dhe venia në funksionim e institucioneve të reja ishte dhe ende mbetet një sfidë për shumë arsye, disa jo edhe në mundesitë dhe dorën e institucioneve të reja. Por, reforma në drejtësi, është një proces transformimi, i cili kërkon kohën e vet për të realizuar qëllimin për të cilën ajo u ideua dhe hartua. Megjithatë, unë mendoj se organet e reja të drejtësisë kanë filluar të funksionojnë, kanë filluar të ushtrojnë kompetencat e tyre në masën më të madhe të tyre, kanë filluar dhe të japin rezultate konkrete. Dhe natyrisht, këtu nuk është vendi për të evidentuar arritje, pasi nuk eshte as koha, as vendi dhe as faza në te cilën ndodhet procesi i zbatimit të reformës në drejtësi. Jemi ende larg asaj qe pritet prej nesh, por edhe ne prej vetes. Por, unë mendoj se është vendi të thuhet se procesi i reformimit të sistemit të drejtësisë dhe funksionimi i organeve të reja, efikasiteti dhe suksesi i tyre dhe në tërësi i zbatimit të së drejtës në Shqiperi, kërkon mbështetjen dhe bashkëpunimin intensiv dhe të vazhdueshëm ndërmjet vetë këtyre organeve, por edhe të akademikëve, ekspertëve, organizatave të shoqërisë civile, medias dhe partnerëve tanë ndërkombëtare si BE dhe SHBA, të cilat e kanë mbështetur këtë reformë  jo vetëm financiarisht, por edhe në krijimin dhe zbatimin e një mënyre të re të menduari apo mentaliteti të ri, me qëllim ndryshimin e kulturës së korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Organizatat e shoqërisë civile paraqesin një mënyrë alternative të mbrojtjes së interesave të qytetarëve, këndvështrime te ndryshme, presionin pozitiv ndaj vendimmarrësve dhe drejtuesve të organeve të reja të drejtësisë, mbikëqyrjen e veprimtarisë së tyre dhe me të drejtë edhe kërkimin e përgjegjësisë nga këto organe. Në të njëjtën kohë, mendoj se ky proces mbikëqyrje mund të mos fokusohet vetëm në rrafshin e identifikimit të problemeve dhe dhënies së rekomandimeve. Qasja kritike dhe identifikimi i problematikave është vetëm një mjet. Në rastin konkret në kuadër të një mbikëqyrje efektive, duhet një edhe bashkëpunim i vazhdueshëm ndërmjet organeve të reja të sistemit të drejtësisë dhe organizative të shoqërisë civile. Bashkëpunimi është një proces i domosdoshëm, e që kërkon vullnet të dyanshëm: edhe institucionet te jene te hapura për këtë bashkëpunim, por edhe organizatat e shoqerise civile duhet të ofrojnë këtë bashkëpunim. Kam besim se vetem nepermjet funksionimit te plote te organeve të reja të sistemit të drejtësisë, angazhimit te plotë të organizatave të shoqërisë civile, të ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, do të bëhet e mundur një zbatim efikas në praktikë i Reformës në Drejtësi, bazuar në profesionalizëm dhe të ngritur mbi parimet e llogaridhënies dhe pavarësisë, aksesit për të gjithë, dhe mbi të gjitha, edhe për çfarë shërbeu si shtysë për konceptimin e kësaj Reforme, kthimin e besimit të publikut në drejtësi. Personalisht jam i bindur se gjetjet e këtij raporti monitorimi janë një pikënisje shumë e mirë, për një analizë të plotë të gjendjes aktuale të organizimit dhe funksionimit të organeve të reja të sistemit të drejtësisë, me qëllim evidentimin e problematikave, të cilat janë kanë ardhur si pasojë e ushtrimit të kompetencave gjatë veprimtarisë fillestare, si dhe nevojave për përmirësim në të ardhmen. Duke falënderuar znj. Skëndaj dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit, në lidhje me monitorimin e procesit të ngritjes dhe funksionimit të organeve të reja të sistemit të drejtësisë, gjej rastin të përgëzoj gjithashtu për punën e bërë dhe rezultatet e arritura, edhe kolegët e mi Znj. Llagami dhe Z. Ibrahimi, si dhe anëtarët e Këshillave, të cilët janë angazhuar maksimalisht, në ushtrimin e detyrave të tyre gjatë kësaj periudhe.