Inceneratorët, Zoto merr edhe 10 mln euro për plehrat

180
Sigal

Durrësi ‘dorëzon’ 10 milionë euro për Zoton, bashkia nxiton të paguajë dyfish

Bashkia e Durrësit dhe Qeveria Rama shpërblejnë me 10 milion euro kompaninë e Klodian Zotos për të bërë të mundur depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës. Procedurat e tenderit rezultuan tërësisht fiktive ndërkohë që pushteti vendor ka nxituar t’i kalojë këto para kompanisë. Bashkia e Durrësit ka vendosur të paguajë në mënyrë të menjëhershme plot 10 milionë euro për depozitimin e plehrave në landfillin e Sharrës, duke dëshmuar një nxitim të tepruar për të mbushur financat e kompanisë koncensionare me administrator të parë Klodian Zoton. Në 10 shtator 2021, administrata lokale ka shpallur tenderin “me negocim, pa shpallje paraprake”, për depozitimin e mbetjeve urbane, me fond limit rreth 11.5 miliardë lekë të vjetra pa TVSH.

Procedura është tërësisht fiktive, pasi Këshilli Bashkiak i Durrësit ka vendosur më herët që kontrata për depozitimin e plehrave të qytetit do të nënshkruhet me kompaninë “Integrated Energy BV”, e cila zotëron me koncension 30-vjeçar landfillin e Sharrës, në Tiranë. Bashkia e Durrësit miratoi një plan emergjence me mbështetjen e qeverisë “Rama” për të paguar për 10 vitet e ardhshme rreth 50 milionë euro për koncensionarin e administruar fillimisht nga Zoto.

Sipas planit, Durrësi do të paguante çdo vit rreth 5 milionë euro për depozitimin e plehrave në Sharrë, shumë që do të ndahet mes të ardhurave të bashkisë dhe ndihmës qeveritare. Këshilli i Ministrave, në një vendim të korrikut 2021, parashikoi që shuma e fondit do të jetë e negociueshme çdo vit mes qeverisë dhe bashkisë. Por, Bashkia e Durrësit ka vendosur që të paguajë inceneratorin e Sharrës me 10 milionë euro vetëm për vitin 2021, duke ngritur pikëpyetje për nxitim në pagesat ndaj kompanisë private. Ky nxitim bëhet akoma më i dukshëm, nga fakti se Bashkia e Durrësit, brenda më pak se një muaji ka shumëfishuar pagesat që parashikon për t’i kryer landfillit të Sharrës. Në fillim të gushtit 2021, administrata e drejtuar nga Emirjona Sako, shpalli tenderin për depozitimin e mbetjeve urbane në Tiranë me fond limit 2.87 miliardë lekë të vjetra pa TVSH, ose rreth 2.5 milionë euro. Por, pa kaluar as një muaj, Bashkia e Durrësit vendos të katërfishojë menjëherë pagesën që do të realizohet për landfillin e Sharrës brenda vitit 2021.