Imuniteti që nuk i “zbret nga kali” pushtetarët

563
Sigal

Flet konstitucionalisti Niazi Jaho: Ju tregoj defektet e reformes zgjedhore

Një ligj që nuk miratohet prej 14 vjetësh
Në nenin 69 të Kushtetutës, veç të tjerave thuhet se “nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë pa hequr dorë nga detyra edhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji”. Nga kjo del se duhej që Kuvendi të miratonte një ligj ku të parashikohej cilët persona që kishin funksione të larta në administratën shtetërore nuk mund të kandidonin e as të zgjidheshin si deputetë pa hequr dorë nga detyra. Ka afro 14 vjet që ky ligj nuk është miratuar, megjithëse deri sot janë bërë disa zgjedhje. Më tërhoqi vëmendjen fakti se në ndryshimet e fundit që iu bënë Kodit Zgjedhor dhe konkretisht nenit 63, në pikën 4, shkronja “g” janë shtuar: “zyrtarët e lartë të administratës shtetërore të përcaktuar me ligj”. Pra edhe këta nuk mund të kandidojnë dhe nuk mund të zgjidhen pa hequr dorë më parë nga detyra. Nuk është e qartë a)përse duhej përsëritur ajo që thuhet në nenin 69 të Kushtetutës; b) përse shprehja funksionarë duhej zëvendësuar me shprehjen zyrtarë; c) pas kësaj shtese në Kodin Zgjedhor, a mendohet të miratohet ligji që do të parashikonte se kush, cili post, cila detyrë duhet të përfshihet në funksionarët e lartë ose në zyrtarët e lartë të administratës shtetërore që para se të vinin kandidaturën për deputet të hiqnin dorë nga detyra. Nëse po, kur mendohet të miratohet ky ligj? Kjo çështje nuk është ngritur për herë të parë. Është thënë ndonjë fjalë, është shkëmbyer ndonjë mendim, dikush ka pretenduar se mjafton ligji, statusi i nëpunësit civil. Duket se deri më sot për këtë çështje nuk është arritur asnjë lloj konsensusi. Miratimi i këtij ligji është detyrim kushtetues, si rrjedhim nuk është fakultativ. Përse nuk paraqitet një projektligj dhe të bëhet ai objekt diskutimi dhe debati gjithëpërfshirës dhe pas kësaj të vendoset. Nëse do të arrihet në përfundimin se dispozita e nenit 69 të Kushtetutës, përsa i përket funksionarëve të lartë të administratës shtetërore nuk shërben ose nuk mund të realizohet. Do të ishte më mirë, ose më korrekte të zhvendosej shfuqizimi i saj, në të kundërt projektligji duhet përgatitur. Interesat partiake mendoj se duhen lënë mënjanë, Kushtetuta është e të gjithëve, i shërben si pozitës dhe opozitës, por në këtë rast mbi të gjitha i shërben zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për këtë mund të merret edhe përvoja e vendeve të tjera. Neni 69 i Kushtetutës synon të parandalojë çdo lloj ndikimi të funksionarëve të lartë të administratës shtetërore, si në favor të vetes po ashtu edhe të subjektit që atë e kandidon. Ndikimet mund të jenë nga më të ndryshmet, qoftë edhe vetëm për shkak të postit që ai ka, të ushtrimit të detyrës në sektorë të ndryshëm apo ndaj personave të veçantë, në mënyrë direkte apo indirekte që mund të ngarkohen në përgatitjen e zgjedhjeve, fushatës, të administrimit të zgjedhjeve etj..

 *konstitucionalist