Imuniteti, një”Krokodil” tjetër për opozitën

445
Sigal

Deklarata e kreut të selisë rozë, Edi Rama, ditët e fundit se PS do të votojë pa kushte ndryshimet kushtetuese për imunitetet, nuk ishte as befasuese dhe as ndonjë gjë e re për politikën që ndjek opozita. Nuk është hera e parë që PS bën tërheqje të tilla të befta të minutës së fundit. Madje mund të thuhet se tërheqjet janë bërë moda e sjelljes së saj gjatë afro tetë vjetëve në opozitë. Në emër të një interesi madhor, sikurse është fitimi i statusit të vendit kandidat për në BE, ky gjest i opozitës në tërheqjen e fundit ngjan si shumë patriotik. Për më tepër kur mësohet se kjo tërheqje ndodh vetëm pak ditë para një takimi të Edi Ramës me Stefan Fylen në Bruksel. Në aspektin politik ky gjest meriton të përshëndetet, megjithëse i vonuar. Sepse po ta analizosh me vëmendje, nuk duket si një lëvizje e sinqertë e opozitës.

Votim pa kushte apo dorëzim pa kushte?

Mjafton të kujtojmë se pak javë më parë, pra më 6 gusht, ishte pikërisht kjo PS që bëri të dështonte një seancë e rëndësishme parlamentare për ndryshimet kushtetuese lidhur me heqjen e imuniteteve. Para 6 gushtit Edi Rama dhe PS vunë disa kushte që penguan miratimin e ndryshimeve të kërkuara nga Brukseli. Atëherë, si ndodhi kjo piruetë e Ramës brenda një muaji? Arsyeja duket e thjeshtë: Rama ndodhet nën një trysni për votimin e këtyre ndryshimeve, përndryshe do t’i ngelej në dorë dopio gjashta e mosmarrjes së statusit në tetor. Kjo do të ishte fatale për opozitën dhe për vetë Ramën. Këtë me sa duket e ka kuptuar mirë Rama, i cili pasi deklarohet për një fitore të sigurt të opozitës në zgjedhjet e 2013-s, nuk sheh rrugë tjetër përveç bindjes së plotë deri në zgjedhjet e ardhshme. Në të vërtetë ky është nënshtrim dhe dështim i opozitës, dorëzim pa kushte i saj. Ky votim pa kushte tregon paaftësinë e saj dhe mungesën e vizionit në politikën që ndjek. Mjafton të kujtosh këtu disa momente nga sjelljet e kësaj opozite, të paktën që nga 2009- e këtej. E filloj me protesta masive nëpër rrugë e sheshe kundër abuzimeve që u bënë me votat në zgjedhjet e 2009-s, vijoi me grevë urie të deputetëve dhe pasi u lodh e nuk fitoi asgjë u kthye kokunjur në Parlament. Një darkë te “Krokodili” në Bruksel i vuri vulën gjithçkaje. Ristani, i akuzuar si vjedhësi i votave, mbeti sërish i palëkundur në krye të KQZ-së. Në zgjedhjet vendore të 2011-së, PS-ja, pavarësisht këmbënguljes, hyri në zgjedhje me kodin e vjetër zgjedhor dhe po me Ristanin në krye të KQZ-së. Dhe ndodhi ajo që ndodhi: Rama megjithëse i fitoi zgjedhjet në Tiranë, qoftë dhe me 10 vota, doli humbës me firmën e Ristanit. Dhe Ramës nuk i ngeli gjë tjetër veç të ulet e të shkruajë librin “Kurban” me të cilin në dorë shëtiti anembanë vendit dhe në kryeqytetet e rajonit.

Përsëritet historia e “Krokodilit”

Edi Rama do të udhëtojë këtë javë drejt Brukselit, ku ditën e mërkurë në mesditë do të takohet me Komisionerin për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Stefan Fyle. Objekt i takimit do të jenë imunitetet dhe paketa e PS-së për drejtësinë. Të mos harrojmë se Stefan Fyle ishte në krye të tavolinës së “Krokodilit” dy vjet më pare, ku u takuan Rama me Berishën pas mbylljes së grevës së urisë së deputetëve socialistë para Kryeministrisë. Pavarësisht se pas “Krokodilit” nuk u dha asnjë deklaratë zyrtare as nga Fyle, as nga Berisha dhe as nga Rama, shqiptarët e “lexuan” deklaratën në qëndrimin e mëpasëm të opozitës, ku pati tërheqje dhe zmbrapsje të vazhdueshme. Këtë radhë, Rama duket se i parapriu “Krokodilit”: e bëri tërheqjen para se të takohet me Fylen. Ditën e mërkurë ai do t’i raportojë Fyles se do të votojë imunitetet pa kushte dhe pret që zyrtari i lartë i Brukselit t’i rrahë shpatullat e t’i thotë: “Bravo! Ja një opozitë e tillë na duhet në vendin e shqiponjave!” Jo më kot thonë se historia përsëritet, por jo dy herë njëlloj. Kështu dhe “Krokodili” i kësaj radhe. Vetëm një gjë nuk kuptohet qartë: ku e sheh sigurinë e fitores në zgjedhjet e 2013-s, Edi Rama?! Mbase dhe këtë do ta marrim vesh pas atyre zgjedhjeve.