Imitimi tinzar i qasjes franceze, injorancë e djallëzi?!

428
Sigal

Nga Kastriot Islami

Pas një konsultimi profesional, dhe debatesh të gjata e intensive me kryetarët e bashkive, grupet e interesit, shoqërinë civile, parlamentin, opozitën, Presidenti dhe Qeveria franceze, përmes një procesi gjithëpërfshirës e transparent kanë ndërtuar hartën COVID-19 ku klasifikohen sipas 2 kritereve themelorë (në fakt ekziston edhe një kriter i tretë që lidhet me kapacitetin e departamenteve për të kryer teste) të 101 departamentet e vendit sipas tri ngjyrave: a) e gjelbër, b) e verdhë dhe c) e kuqe.

Ministria e Solidaritetit dhe Shëndetësisë, me një transparencë ekstreme ka vënë në dispozicion on line për të gjithë qytetarët gjithçka duhet (kriteret, të dhënat për përhapjen e virusit, numrin e shtretërve të zënë dhe të lirë në çdo departament, e tjerë) që ata të kenë mundësi të gjejnë ngjyrën e departamentit ku jetojnë, punojnë apo kanë interesat e tyre.

Asgjë e mbajtur e fshehtë dhe asgjë e transmetuar me urdhër të verbër, as nga Ministri i Shëndetësisë, as nga Kryeministri dhe as nga Presidenti.

Nga sondazhet rezulton se 60 përqind e francezëve e miratojnë në parim këtë qasje, pavarësisht vërejtjeve të shumta… Konkretisht, dy kriteret themelore (shih foton) e përdorur për të përcaktuar hartën me tre ngjyra janë:

i) Dinamika e epidemisë e matur përmes qarkullimit të virusit; dhe ii) tensioni në sallat e terapisë intensive e matur përmes përqindjes së zënies së shtretërve në këto salla.

Ekziston edhe një kriter i tretë për ‘kapacitetin e departamenteve për të kryer teste virusologjike dhe gjurmuar rastet e personave në kontakt me ata që kanë rezultuar ‘pozitiv’; por sipas këtij kriteri të tretë, të gjithë departamentet janë klasifikuar ‘të gjelbër’ sepse sasia e testeve është e centralizuar nga qeveria.

Kjo është qasja që ka aplikuar Franca, një qasje profesionale, gjithëpërfshirëse e ekstremisht transparente. E megjithatë vërejtjet, sygjerimet e debatet nuk mungojnë edhe sot, dy ditë para nisjes në datën 11 maj 2020, të ‘hapjes progresive e të diferencuar’ apo thënë ndryshe ‘lehtësimit të masave karantinuese për tu mbrojtur tashmë prej 9 javësh nga kriza sanitare.

Franca

Franca në datën 9 maj ka pasur i) 176658 të infektuar, ii) 82348 raste të mbyllura (26310 të vdekur e 56038 të shëruar) dhe iii) 94310 raste aktive. Ndryshe, në Franca janë 47 % e rasteve të mbyllura dhe 53 % e rasteve janë aktive.

Mund të thuhet se Franca ka nisur procesin e lehtësimit progresiv e të diferencuar të vendit kur ndodhet pothuajse në mes të epidemisë (pa e arritur ende atë) sepse  ka mbi 50 % të rasteve ende aktive, pra të infektuar që kanë nevojë të marrin trajtim derisa  të shërohen.

Shqipëria

Shqipëria në datën 9 maj ka pasur i) 856 të infektuar; ii) 658 raste të mbyllura (31 të vdekur dhe 627 të shëruar) dhe iii) 198 raste aktive. Ndryshe në Shqipëri, janë 77 përqind e rasteve të mbyllura dhe 23 përqind e rasteve ende aktive.

Sa për të krijuar një ide, në datën 9 maj 2020, Korea e Jugut e ka përqindjen e rasteve aktive vetëm 9%, Gjermania-12%, Islanda vetëm 1% kurse Serbia e ka 71%. Mund të thuhet, se nisur nga ky parametër, Shqipëria është shumë më e ‘avancuar’ se Franca në kuptimin se është më ‘afër’ fundit të epidemisa, duke pasë përshkruar mbi 3/4 e rrugës; në këtë kuptim Shqipëria e ka kaluar mesin e epidemisë rreth datës 10 prill 2020.

Po ashtu duhet patur parasysh se Shqipëria e ka pasur shifrën prej 53% të rasteve aktivë rreth datës 12 prill, ndërkohë që Franca e kishte këtë shifër në 9 maj, pra pothuajse pas një muaji. Në një farë kuptimi, marrja e masave lehtësuese për Shqipërinë është në kohën e duhur po ti referohemi të dhënave për epideminë (madje e vonuar), ndërkohë që procesi i lehtësimit të masave shtrënguese paraqitet shumë më i domosdoshëm në Shqipëri sesa në Francë, po të kemi parasysh se gjendja ekonomike e vendit, bizneseve dhe familjeve shqiptare është katastrofike dhe kriza sociale është në prag të shpërthimit.

Imagjinoni kur Franca që ndodhet në mes të epidemisë (pa e arritur ende atë) e ka shqetësimin e hapjes së ekonomisë dhe prandaj ka nisur masat lehtësuese, se çfarë do të mund të thuhej për Shqipërinë e cila për më tepër ka kaluar  3/4 e kësaj epidemie?!

Izolimi absurd i shqiptarëve s’ka asnjë lidhje me qasjen e Francës?!

Qasja e Francës është imituar me injorancë djallzore, dhe mbi të gjitha ky imitim është kryer në mungesë të plotë profesionalizmi, pa asnjë konsultim, fshehurazi e tinëzisht, pra në mungesë të plotë transparence. Pa asnjë konsultim. Pa asnjë studim. Pa asnjë plan apo kalendar veprimi.

Dhe mbi të gjitha duke lëshuar urdhra ‘marrëzie’ nga bunkeri për mbylljet pa asnjë bazë në fund-javë, duke mbajtur të izoluar 6 qytetet kryesore të vendit, Tiranën, Fierin, Durrës Shkodrën, Krujë dhe Kurbin, pra duke izoluar rreth 1,2 milion qytetarë ose rreth gjysmën e popullsisë së vendit për më shumë se 9 javë?!

Ky është një urdhër absurd… aq më tepër që e gjitha Shqipëria nga të dhënat për përhapjen e virusit, por edhe sipas kritereve të Francës, duhet të ishte e gjitha e gjelbër. Ky është një urdhër marrëzie ekstreme që s’ka asnjë lidhje me qasjen franceze pavarësisht se djallëzisht bëhen përpjekje për të krijuar idenë se gjithçka po kryhet në Shqipëri është sipas qasjes franceze?!

Ky është mashtrimi i trashë i radhës për të mbajtur të izoluar shqiptarët nga marrëzia apo frika ekstreme e një hipokondriaku që përpiqet t’ia përcjellë sëmundjen e tij të tjerëve duke tentuar t’i mbajë në tutelë me urdhra autoritarë! Për më tepër që ky urdhër absurd ndikon tepër negativisht në gjendjen ekonomike të vendit, të bizneseve dhe të familjeve shqiptare.