Ilir Zela i drejton letër ministrit të Brendshëm: Koncesionari i pasaportave poshtëron qytetarët

621
Sigal

Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Republikës së Shqipërisë, Ilir Zela i drejton një letër ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, duke i shpjeguar pse koncesionari i pasaportave është mbi Kushtetutën, duke sorollatur shqiptarët dhe duke vënë çmim të “kripur” për një pasaportë. Letra e Ilir Zelës:

I nderuar ministër Sandër Lleshaj.

Po ju shkruaj publikisht me lutjen për t’u marrë seriozisht me dhënien fund të poshtërimit të qytetarëve shqiptarë sa herë bëjnë një aplikim për pasaportë. Sot u paraqita për aplikim në pikën pranë njësisë 2 dhe aty nuk kishte shërbim. Asnjë njoftim për arsyen dhe as ku duhet të drejtohet qytetari. Me dashamirësinë e punonjësve të njësisë 2 mësova se, duhet të shkoja për aplikim tek njësia 5. Kur paraqitem aty, më kërkojnë pasaportën e vjetër që ta dëmtojnë para se të bëj aplikimin për të renë. U them se duhet të udhëtoj, ndërkohë që përgatitet e reja. Më thonë që kështu është rregulli. Çfarë është ky rregull antikushtetues që pengon të drejtën time kushtetuese për të lëvizur? Apo është interesi i ALEAT përmbi Kushtetutën! Dhe një gjë tjetër i dashur vëlla: pse duhet të shkojë qytetari në tre vende, 5 herë për të bërë një pasaportë? Dy herë tek gjendja civile, një here tek ALEAT dhe dy here në polici? 5 ditë pune i dashur ministër! Për të mos folur për çmimin e pasaportës që e kanë vënë sikur të ofrojnë shërbim me standard të barabartë me SHBA. Të lutem jepi fund këtij poshtërimi!