Ilir Meta:Me PS për të ardhmen europiane. Meta: Ata që s’dinë të bëjnë politikë, kritikojnë!

514
Sigal

Ilir Meta: Koalicioni LSI-PS, i natyrshëm dhe që synon t’i japë vendit një frymëmarrje të re demokratike dhe bashkëpunimi

LSI-ja  zhvilloi  dje mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar

LSI organizoi këtë mbledhje të Komitetit Drejtues Kombëtar pas disa zhvillimeve të rëndësishme politike të cilat sollën një situatë të re në konfigurimin e skenës politike shqiptare, që lidhet me vendimin e rëndësishëm të Kryesisë së LSI-së për të pranuar ftesën e PS-së për koalicion parazgjedhor me këtë forcë politike.  Në fjalën e tij Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se me vendimin e marrë për një koalicion me Partinë Socialiste, Kryesia e LSI-së pranoi kështu një koalicion të natyrshëm i cili synon t’i japë vendit një frymëmarrje të re demokratike dhe bashkëpunimi. Ndër të tjera, Meta theksoi: “Koalicioni PD-LSI ka qenë një koalicion i papritur, i paparashikuar dhe i panatyrshëm. Megjithatë absolutisht që ka qenë një vendim i drejtë, i imponuar nga interesi i vendit, i stabilitetit të tij dhe besoj se koha na ka dhënë plotësisht të drejtë në këtë vendim. Momenti në të cilin ndodhemi u vlerësua për një kompleks rrethanash nga Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim si një moment kur LSI, përmes këtij koalicioni të ri dhe përmes këtij bashkëpunimi të ri, mund të japë një kontribut shumë më të madh për perspektivën evropiane të vendit sesa duke vazhduar në situatën e mëparshme. Koalicioni me PS-në nuk është një koalicion i panatyrshëm si ai i katër viteve më parë. Është një koalicion mëse i natyrshëm për arsye se këto forca janë forca të cilat i takojnë të majtës, pavarësisht nga historia e ndryshme, kanë një qëndrim të përbashkët apo të përafërt lidhur me historinë, lidhur me qëndrimin ndaj luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, por edhe lidhur me çështje të rëndësishme parimore dhe programore. Unë besoj se ne duke kaluar në opozitë, jo vetëm që jemi rikthyer atje ku e filluam si LSI, si forcë opozitare, por njëkohësisht edhe kemi marrë të gjitha përgjegjësitë dhe të gjitha pasojat, duke treguar edhe njëherë se LSI është një forcë kurajoze, e cila di të guxojë në emër të ndryshimit, të një ndryshimi më të mirë dhe konstruktiv për të gjithë vendin dhe shoqërinë tonë. Sot është e rëndësishme të kontribuojmë për një balancim të këtyre pushteteve në të ardhmen sepse edhe ngërçi i krijuar lidhur me bashkëpunimin e reformave, të cilat kanë të bëjnë me integrimin evropian, është edhe si rezultat i një mosbesimi të thellë politik që vjen për shkak të këtyre raporteve midis pushteteve në vendin tonë. Unë jam i sigurt se përmes këtij vendimi ne kemi çelur një perspektivë të re, natyrisht një sfidë të re, por LSI është krijuar si parti e sfidave dhe do të vazhdojë që në emër të atyre sfidave që ndihmojnë vendin dhe që ndihmojnë shoqërinë dhe qytetarët tanë të ecin më shpejt në rrugën e stabilitetit, të progresit dhe të integrimit evropian të bëjë më të mirën sepse LSI është një parti që pasqyron vlerat më të mira më të mira evropiane të shoqërisë shqiptare. Është parti e dialogut, është parti e bashkëpunimit, është parti e marrëveshjeve. LSI, si forcë evropiane, thelbin e moralit të saj ka ligjin dhe zbatimin e ligjit.