Ilir Meta: Të forcojmë marrëdhëniet ndërparlamentare me Kuvajtin!

469
Sigal

Ambasadori i Kuvajtit në Republikën e Shqipërisë, Najeeb Al-Bader u takua dje me Kryetarin e Kuvendit, z. Ilir Meta në selinë e Kuvendit. Ambasadori Al-Bader bëri me dije se, ky takim zhvillohet në kuadër të përgatitjes së vizitës zyrtare të Grupit Parlamentar të Miqësisë të Kuvajtit i kryesuar nga deputeti, Saud Ahuriaji, që viziton Shqipërinë në datat 20 -22 qershor 2014, si dhe për të diskutuar në lidhje me një numër çështjesh me interes të përbashkët mes dy vendeve. Gjatë takimit, Al-Bader vlerësoi rezultatet e frytshme  të arritura nga vizita e fundit e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë në Shtetin e Kuvajtit, vizitë e cila ka  kontribuar në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat. Në këtë drejtim, Ambasadori Al-Bader vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve në të gjitha fushat si politike, ekonomike dhe kulturore, duke vënë në dukje shkëmbimet e vizitave të nivelit të lartë mes dy vendeve, veçanërisht vizita e ardhshme e Kryeministrit z. Edi Rama në Shtetin e Kuvajtit në muajin tetor. Nga ana e tij, Kryetari i Parlamentit Meta shprehu kënaqësinë e tij për rezultatin pozitiv të vizitës së tij të fundit në Kuvajt dhe mirëpriti vizitën e Grupit Parlamentar të Miqësisë të Kuvajtit në Shqipëri, duke theksuar se, kjo vizitë do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve ndërparlamentare. Meta theksoi dëshirën e vendit të tij për të zgjeruar marrëdhëniet me Kuvajtin në horizonte edhe më të gjëra, në shërbim të interesave të përbashkët të të dy vendeve.