Ilir Meta priti Bashkëraporterët e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

461
Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti sot Bashkëraporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Andrej Hunko dhe z. Joseph O’Reilly me të cilët bisedoi mbi situatën aktuale politike në vend, avancimin e reformimit të sistemit të drejtësisë dhe mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme.

Z. Meta vlerësoi punën e raporterëve dhe bashkëpunimin e ngushtë me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në mbështetje të aktivitetit parlamentar të Shqipërisë, veçanërisht në drejtim të rritjes së standardeve të transparencës.

Kryetari i Kuvendit Meta theksoi se situata aktuale politike në vend kërkon përgjegjshmëri nga të gjithë aktorët, transparencë maksimale për zbatimin e besueshëm të reformës në drejtësi dhe në veçanti të ligjit të Vetingut, implementimin e procesit të dekriminalizimit si dhe garantimin e standardeve më të larta bashkëkohore për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të qershorit.

Z. Meta nënvizoi se vendi ka nevojë për një klimë konstruktive e të përgjegjshme politike që rrit kredencialet demokratike të Shqipërisë dhe përshpejton hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sigal