Ilir Meta në “Zonë e Lirë”/ Intervista e plotë

453
Intervista e Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta në emisionin “Zonë e Lirë” të gazetarit Arian Çani në TV KLAN (E plotë).

Para se të flasim për aktualitetin, unë do të doja ta filloj nga fundi. Ç’ishte ajo darkë me Edi Ramën?
Unë kujtova se do ta filloje nga Doktori.

Jo, do ta filloj nga lajmi i fundit. Ç’ishte ajo darkë, Ilir, me Edi Ramën pak ditë më parë në restorantin e Irfanit, që quhet “Prestige”, që është midis hipotekës dhe burgut?
Si mund t’i rezistohet ftesës së Irfanit? Unë nuk i rezistoj dot.

E kishte organizuar Irfani të gjithë?
Po, po. Ishte kënaqësi.

Donte ai t’ju bënte bashkë?
Ne bashkë jemi vazhdimisht, por ishte një ftesë e tij dhe e respektova siç respektoj ftesën e shumë të njohurve dhe miqve të mi.

Megjithatë, duhet thënë që kjo darkë u bë në vigjilje të 21 janarit, një datë që të kujton 21 janarin e 5 viteve më parë.

Kjo është lidhja dhe spekulimi që bëni ju.

Është koincidencë pra?
Pyesni Irfanin, ai ishte organizatori.
Duke qenë se ju të dy, Ilir, ju dhe Edi Rama, njëri Kryeministër, tjetri Kryetar Kuvendi, në koalicion po qeverisni Shqipërinë prej tashmë 2 vjetësh e gjysmë, të gjithë jemi kuriozë, por jo vetëm kuriozë, po ju, si dy njerëz që keni fatet e Shqipërisë në dorë në këto momente, të paktën keni detyrimin të informoni publikun se çfarë u tha në atë darkë….

Ishte një darkë normale.

Ishte një darkë miqësore? Nuk ka qenë darkë zyrtare?
Sigurisht, ishte darkë miqësore. Ne kemi qenë të ftuar. Për informacione të mëtejshme mund t’i drejtoheni z. Irfan, se ai ishte organizatori, unë nuk mund të flas në emër të tij.

Media foli edhe për prezencën e Koço Kokëdhimës në atë darkë. A është e vërtetë? Më pas u përgënjeshtrua në disa media të tjera.

Unë nuk jam këtu për të bërë zëdhënësin e darkës, por për t’ju qetësuar ju, z. Koço nuk ka qenë në atë darkë.

Nuk ka qenë atje. Po Luan Bregasi ç’donte atje?
1. Luan është institucion, është edhe anëtar i këshillit bashkiak, është edhe kryetar i Business Albania. Nuk ka asgjë të keqe, mendoj. Edhe ju mund të ishit. Nuk qëlloi atë ditë që të flisnit me z. Irfan, se mund t’ju kishte ftuar edhe ju.

Megjithatë, Ilir, meqë ra fjala për Koçon, ai vazhdon të bëjë lajm, sigurisht jo më shumë se ju dhe Ed Rama. Sot ishte në Vlorë, apo dje, dhe ka mbajtur një fjalim si Enver Hoxha, ishte i paparë: “Rroftë Partia Socialiste! Rroftë Edi Rama!” Nuk e di e pe apo jo?
Jo, nuk e kam ndjekur.
Janë këto anëtarësimet e reja.
Mirë ka bërë, këto janë shprehje dhe thirrje që përdoren në aktivitete partie.
Meqë ra fjala te Koçoja, thonë që keni raporte shumë të ngrohta me të. Është e vërtetë?
Kam raporte shumë normale.
Kishte thënë në Vlorë që duhet ta doni Ilir Metën, se, në qoftë se Ilir Meta, LSI-ja nuk është me ne, vjen Saliu në pushtet.
Nuk e di.

Po, po, doli në të gjitha mediat. Mos më thoni që nuk jeni informuar?
Nuk e di si e ka thënë, se unë nuk rri gjithë ditën që të ndjek mediat. Nuk është se nuk ju besoj ju, por një gjë që nuk e dëgjoj vetë…

Ju bëhet qejfi kur dëgjoni fjalë të tilla kaq të mira?
Mos më bëj të skuqem nga turpi, të lutem.
A ju prek në sedër kur dëgjoni një socialist dhe një mik të afërt të Edi Ramës që thotë se duhet ta doni Ilir Metën patjetër.

Nuk besoj, se nuk ka nevojë, me socialistët shkojmë shumë mirë dhe duhemi aq sa duhemi, kështu që mos u shqetësoni.

Për cilin ish-kryeministër të përmendur në çështjen CEZ-DIA e keni fjalën?
Unë nuk merrem me emra. Po të doni mund të vini në zyrën time, aty e kam dosjen, është 1 mijë faqe. Dhe Clifordi e kishte përdorur këtë në gjyq për të treguar që DIA kishte shfrytëzuar zyrtarët. Ishte taktika e Clifordit për të dëmtuar DIA-n në interes të shtetit shqiptar, pasi DIA kërkonte 130 milionë euro kundër shtetit shqiptar.

Që i humbi në arbitrazh…
Megjithatë, dhe një herë tjetër, për të qenë fare të qartë, e theksoj se ky ka qenë një operacion mafioz, politik, në mënyrë të veçantë financiar, mediatik, i cili në mënyrë frenetike, siç shprehej studio në fund fare, në letrën e fundit u përpoqën të krijonin konfuzion dhe të dëmtonin procesin kundër shtetit shqiptar në mënyrë që shteti të humbiste 130 milionë euro. Dhe ju e kuptoni që 130 milionë euro është një shumë e madhe nga e cila do të përfitonin shumë, por do të humbnin shqiptarët dhe natyrisht goditej Ilir Meta politikisht, goditej Sali Berisha. Dhe kjo ishte e programuar, por natyrisht që në fund fare do të goditej dhe Edi Rama, sepse do të humbnin 130 milionë euro. Pa dyshim që këta shqiptarë për këtë çështje do të kërkonin një përgjegjësi ndaj qeverisë, ndaj Kryeministrit, ndaj ministrit të Energjisë. Por e vërteta, e cila asnjëherë nuk u theksua nga mediat, të cilat për fat të keq i jepnin jehonë manipulimit të agjencisë me qendër në Beograd, e cila i referoi Clifordit…

Mua më thanë që financohet nga Sorosi. A është e vërtetë? A keni dëgjuar gjë?
Këtë gjë nuk e di, por di që kur ka dalë kjo çështje, zoti Vasili ka thënë se e vërteta e kësaj, akuza ndaj Metës është sa ishte e vërteta e sondazhit të Soros-it në janar të vitit 2013 për LSI-në, ku LSI-në e nxori me 1% dhe parti të pestë, pastaj rezultatin ju e dini mirë se si doli. Pra, nuk e di tamam, por ndoshta Petriti ka pasur ndonjë informacion më të plotë se unë. Ajo që dua të them është se menjëherë kjo kompani është treguar mjaft korrekte. Pra, kjo studio ligjore, pasi është bërë kjo akuzë, ka bërë një deklaratë mjaft të shkurtër, por të qartë.

E bëri tani…
Jo, kjo është tjetër.

Ajo që thatë se nuk keni përmendur emër?
Jo, nuk kemi përmendur emrin e z. Meta për asnjë çështje korrupsioni.

Ka dalë kjo në media?
Ka dalë shumë pak.

Ndoshta nuk iu dha rëndësia e duhur?
Nuk ka rëndësi. Ata mbajtën qëndrimin e tyre, por nuk bënë një shpjegim më të plotë, sepse çështja ishte në arbitrazh.

Arbitrazhi mbaroi…
Ata, duket qartë dhe nga mënyra se si e kanë formuluar letrën, nuk donin të hynin në një debat, i cili përmes kësaj zhurme, synonte të dëmtonte OSHEE-në dhe shtetin shqiptar në gjyq me qëllimin që pala që donte të merrte 130 milionë euro, që sponsorizonte të gjithë këtë sulm, të arrinte të gjitha objektivat e saj; objektiva politike, objektiva financiare e kështu me radhë. Dhe pas objektivave financiare përsëri objektiva të reja politike.

Ato janë bashkë, sigurisht. Kush qëndron pas këtyre sulmeve? Unë e di që nuk mund t’i vini dot një emër dhe një mbiemër sot këtu, por që të gjitha…

Kjo është çështje e institucioneve të shtetit, nuk është çështje imja si Kryetar i Kuvendit.

Çfarë do të thotë kjo?
Janë institucionet që duhet të gjykojnë.
Kush e do kokën tuaj politikisht, Ilir Meta? Pse të mos e themi? Kjo histori ka vite, nuk është hera e parë…

Për mua nuk ekziston asnjë shqetësim. I vetmi shqetësim imi gjatë asaj periudhe ka qenë vetëm një, që shteti të mos humbiste 130 milionë euro, sepse nuk ishte më asgjë e rëndësishme…

Nuk është vetëm afera e CEZ-it. Akuzat ndaj jush kanë qenë të tmerrshme, të forta…

Këto akuza shqiptarët i ndëshkojnë me votë. Unë nuk kam asnjë shqetësim për këtë gjë. Shqiptarët janë mësuar, janë tejngopur me këto sulme të paprincipta.

Ju ndërkohë nuk keni bërë asnjë gjë, nuk keni hedhur njeri në gjyq, nuk keni kërkuar të hapej një çështje ndaj kësaj historie.

Pse? Gjyqin më të mirë të një politikani ia bën vota e popullit. Kështu që unë nuk ndiej asnjë shqetësim.

Pra, ju prisni votimet?
Po, patjetër, kjo është normale. Po të rri unë të merrem me të gjitha gazetat se çfarë thonë, çfarë shpifin…

Gazetat janë instrumentet. Puna është se kush është njeriu, ose një grup i vogël njerëzish…

Të jetë kush të dojë, nuk më shqetëson kjo gjë. Mua do të më shqetësonte në qoftë se shteti do të humbiste 130 milionë euro. Kjo do të ishte diçka mjaft e rëndë për qeverinë, për mazhorancën dhe për çdo shqiptar, se në fund fare do të bëheshin më pak shkolla, më pak spitale, më pak vepra publike. Ju e dini që dhe kështu siç jemi, jemi në vështirësi.

Fiks në momentin kur Vangjel Dule doli hapur kundër Ramës dhe tha se ishte nga krahu tjetër, nga Berisha. Sot Koço Kokëdhima e sulmoi Vangjel Dulen në Vlorë. Arrestohet Spiro Ksera. Janë të gjitha koincidenca këto Ilir?
Nuk besoj se është kaq e lidhur historia.

Nuk ka lidhje thoni ju?
Nuk e besoj, sepse nuk dua të paragjykoj.

Vetëm unë e kam trurin skiç fare që shoh lidhje të tilla?
Kjo është dhe detyra jote si gazetar, që të spekulosh pak.
Kush qëndron pas gjithë këtyre sulmeve që po ju bëhen juve në vazhdimësi dhe që me siguri nuk kemi parë gjë akoma, sepse zgjedhjet e 2017-s janë akoma dhe një vit larg? Qëndron Edi Rama, me të cilin duhet thënë që ju nuk keni pasur gjithmonë muaj mjalti, por keni pasur konflikte nga më të ndryshmet, herë underground, herë publike e tjerë, e tjerë, i dimë të gjithë, se i kemi parë kronikat nëpër televizione, i dinë sulmet që i keni bërë ju atij, ai ju, qëndron Edi Rama, qëndrojnë ndërkombëtarët Ilir, apo Edi Rama përdor ndërkombëtarët, apo Lul Basha në bashkëpunim me Edi Ramën, apo agjencia DIA-s sponsorizoi të gjithë këtë sulm me ndihmën e SOROS-it? A mos jemi përballë një skenari me një koalicion të madh Rama-Basha, Ilir Meta, për t’ju eliminuar ju dhe për të hequr nga parlamenti të gjithë individët e tjerë, që konsiderohen me rekorde kriminale?
Ju thatë shumë opsione….

Një nga këto do të jetë, apo jo?
Unë shkurtimisht dua t’ju them se nuk dua të mbështetem në një logjikë konspirative, por pa dyshim të gjitha inskenimet kanë një konspiracion dhe ky konspiracion është mbështetur vazhdimisht nga faktorë, të cilët nuk e duan atë stabilitet politik që kontribuon LSI-ja dhe Ilir Meta në politikën shqiptare, por dëshirojnë një konfrontim ekstrem në vend, i cili do të prodhonte kriza të forta, siç edhe ka prodhuar në të kaluarën.

Për sa u takon ndërkombëtarëve, absolutisht që nuk kemi asnjë angazhim të ndërkombëtarëve në këtë drejtim. Kur flas për ndërkombëtarët, ndërkombëtarë ka shumë, ka edhe mafie ndërkombëtare, ka edhe lobingje.

Patjetër, unë i futa me një fjalë.
Absolutisht.
Unë i listova, për shembull, siç i keni çuar një e-mail zonjës Klinton dikur kur keni qenë ministër i Jashtëm, e mbani mend apo jo, e dini shumë mirë? Është një nga njerëzit që Edi Rama, në një farë mënyre, e ka provuar vetë. Edi Rama është krijesë e SOROS-it është njeriu që mbështetet nga SOROS-i, pra të gjitha kë to…

Unë nuk jam dakord me këto çështje, por nuk kam ndër mend të hyj në debat me ju, por do t’ju jap përgjigje për pyetjen që më bëtë.

Nuk e besoj këtë variant, por natyrisht që ka elemente, po themi, të njohur si sorosianë, që kanë punuar ethshëm për një koalicion të madh PD –PS, me qëllim portretizimin e LSI-së, si një forcë me probleme.

Ndërsa, për sa i takon problemit të eliminimit të njerëzve me rekorde kriminale, LSI-ja ka qenë që në fillim për ta zgjidhur menjëherë këtë çështje dhe nuk duhej të ishte zvarritur për një kohë kaq të gjatë. Por më në fund kjo gjë u bë dhe është mjaft pozitive.

Ilir Meta, në rrjetet sociale shkruhet për një skenar, që synon eliminimin tuaj politik, pse jo edhe burgosjen tuaj…

Po kjo është synuar që në vitin 1993, kështu që mos u shqetëso!

E di, e di, po le të marrim këto dy vjet e gjysmë, që jeni në koalicion me mikun tuaj armik, pse jo edhe burgosjen tuaj, që është konceptuar…

Nuk kam asnjë armik unë në politikë dhe kë të e kam treguar vazhdimisht.

Nejse, në politikë ka gjithmonë kundërshtarë, apo jo?
Kundërshtarë! Nuk do të doja t’i quaja kundërshtarë, por..
Janë edhe më të këqinj akoma…
E ke këtë tendencën për t’i dramatizuar raportet.
Po këto janë gjëra që nuk i them unë, vetëm në qoftë se kjo që po bëni ju është teatër, atëherë.

Po pse teatër, cila është teatër?
Po, ja kur shikon këto disa foto kështu, sa të lumtur jeni të dy dhe janë foto të freskëta, tani janë…

Kështu është edhe komunikimi ynë, ka gjëra kur ka edhe humor, por ka edhe gjëra serioze, është e natyrshme. Ky është komunikimi. Ti ke zgjedhur ato që të duket sikur bëhet teatër.

Si i komentoni këto foto?
Po i tregoja nja dy histori me Erën dhe prandaj po qeshnim.

Mos është teatër i gjithi ky dhe neve na bëni të mendojmë sikur ju keni probleme?
Së pari, një herë nuk është se kemi këto probleme që mendoni ju, kemi probleme, sepse janë probleme për çuarjen përpara të reformave, me një administrim më të mirë e kështu me radhë.

Ja, do të vijmë edhe aty. Ta mbaroj unë pyetjen time ..

Pastaj, ju e dinë që media do të ketë gjithmonë lajme, edhe kur ne nuk japim, ndonjëherë i krijon.

I shpik media, i fryn media thoni ju, është mediatike e gjitha kjo?
Tani, ju të gjithë nga shkolla e Nikoll Lesit vini, nga “Koha Jonë” vini, kështu që…

Ndërkohë, nuk është se nuk kanë ndodhur gjëra midis jush, se unë nuk e kam zakon të vë video. E mbani mend videon që…

Edhe kanë ndodhur, por mendoj që të gjithë janë pjekur më shumë.

Nuk jemi asnjëherë të njëjtët.

Puna është të bëjmë gabime të reja, të mos bëjmë këto…

Flitet shumë për eliminimin tuaj politik dhe e thonë, konspiracion do të thoni ju, megjithatë unë jam këtu zëdhënës i të gjithë anonimateve, i të gjitha zërave, që është konceptuar dhe sponsorizuar, sidomos nga fondacioni SOROS, dhe këtë e bën nëpërmjet Edi Ramës, njeriut të tyre. Madje, në këto postime në rrjetet sociale thuhet se është garantuar Basha për të qeverisur pas Ramës në vitin 2021, Ilir Meta. Pra, me fjalë të thjeshta, është garantuar Basha se në vitin 2021 do t’i vijë radha për kryeministër, ndërkohë që duhet lënë i qetë Rama të qeverisë pa Metën, në periudhën 2017-2021. A jeni ju në dijeni të një skenari të tillë? E di që këtu flas për të ardhmen dhe njerëzit mund të thonë: këto janë çmendur! E di që e ardhmja nuk parashikohet, por ne do të mundohemi ta lexojmë të ardhmen, për të kuptuar ç’ndodh tani, apo jo?
Tani, një analize të tillë unë do t’i jepja këtë përgjigje: fondacioni SOROS ka bërë edhe punë të mira në Shqipëri, ka bërë edhe vepra sociale dhe cilido që mendon se po ndodh kjo gjë, do të ishte mirë të jepej mesazhi që para të tilla të mos shkonin kot, por për të shkonin përsëri për vepra të mira, që shqiptarët të vlerësonin kontributin e këtij fondacioni.

Para disa ditësh, filloi një lëvizje në rrjetet sociale për largimin e SOROS-it nga Shqipëria. Le të rrimë pak te SOROS-i, se është një temë interesante, për të cilën njerëzit janë kuriozë , se u duket si ufo Sorosi, po, në fakt, ai është njeri që ka shumë para, por që ka probleme me disa shtete, mbase edhe me shtetin e vet. Me sa duket, në rrjetet sociale ka nisur lëvizje për largimin e SOROS-it, duke parë që Rama nuk mund ta mbajë më, thonë, postin e Kryeministrit, se po bëhet situata shumë keq, SOROS-i, kur them SOROS-i e kam fjalën grupi i tij, ka filluar të mendojë për trashëgimtarin e Ramës, Ilir Meta, më dëgjoni me vëmendje.

Po, po, po dëgjoj.
Ndaj, ka ftuar vetëm pak ditë më parë në Sri Lanka, për të gjithë ju që nuk e dini është një ishull në Oqeanin Indian, ku në një panel ishin ulur miliarderi Soros, mbajtësi i çmimit “Nobel” për ekonominë, Joseph Stiglitz, profesori i Haward-it Osman që paguhet nga Sorosi dhe këshillon Edi Ramën për reformat ekonomike, presidenti i Sri Lankës dhe vetë Erion Veliaj, kryetari i bashkisë, që unë këtu i them “Vilajet qyrku”, me përkëdheli. Thonë se kjo ishte një qokë për Erion Veliajn, për ta pagëzuar si trashëgimtar të Edi Ramës, i cili do të lërë postin e Kryeministrit pas një mocioni që do t’i bëjë Ilir Meta. Besoj se jeni në dijeni për këtë gjë, apo jo? Meqenëse reforma në drejtësi nuk kalon, do të ketë një mocion…

Në dijeni të kujt?
Të gjithë këtij skenari…

Të mocionit. Mos ka bërë ndonjë gjë baba Taku me kokën e tij, se unë nuk di gjë për ndonjë mocion.

Jo, nuk ka filluar ende. Gjithmonë nëse reforma në drejtësi nuk kalon.

Reforma në drejtësi do të kalojë, mos u shqetëso!

Si ka mundësi të jesh kaq i sigurt për një gjë, ndërkohë që je nga ata njerëz që thoni: “Arian, ne nuk jemi të sigurt për asgjë, gjithçka mund të ndryshojë”.

Unë kam thënë nuk jemi të sigurt për asgjë?
Në kuptimin që gjithçka mund të ndryshojë në politikë.
Nëse nuk jemi të sigurt për asgjë, ne jemi përgjegjës për këtë pasiguri.

Pra, ju e keni ndarë mendjen që do ta kaloni me çdo kusht?
Patjetër! Unë të sigurova edhe më përpara. Të jesh i qetë për këtë gjë. Pra, mocioni bie.

Unë dua të kalojë, por pashë Ramën që ishte i shqetësuar në parlament. Ai tha: “Vazhdoni ju tollovinë, do ta shikoni ju”. Pra, ata që pengojnë reformën. Kryeministri që është kaq i shqetësuar, do të thotë se ka të dhëna që…

Mund të ketë dizinformacione.

Kjo është një pyetje, por unë thjesht mundohem të bëj një parashtrim për publikun, më shumë. Ideja është: do të ketë një mocion?
Ta sqarova, nuk ka mocion, vetëm po të ketë bërë baba Taku me mendjen e tij, por unë nuk di gjë.

Ju thoni sot këtu se deri në vitin 2017 do të jeni në këtë koalicion?
Normale, ne këto synime kemi.

Atëherë, keni bërë paqe?
Ne bashkëpunojmë, paqe bëhet me dikë që edhe nuk bashkëpunon. Bashkëpunimi është më shumë se sa paqja.

Pra, ti thua: “Do të përpiqem të frenoj rritjen e LSI-së, por nuk e ndaloj dot”. Çfarë do të thotë?
Si mund të thuhet më qartë?

Kush ju ka kërkuar ta frenoni? Diçka ndodh, që thoni: “Unë do të përpiqem ta frenoj”.

Duhet të ketë një rritje graduale që të jetë e menaxhueshme në mënyrën më të mirë, sepse mund të dalë rritja nga kontrolli, duhet të jetë një rritje shumë e përgjegjshme.

Kjo fjali që e thatë atje, ku ishte Rama, Basha, Donald Lu, ambasadori amerikan, mendon se i ka pëlqyer Ramës dhe të gjithë aktorëve të tjerë, pra që ti më në fund të mos i bësh xhelozë njerëzit, keni filluar…
Ai është mendimi im. Unë thashë që ka pasur shumë akuza ndaj LSI-së, se dihej që LSI-ja do të rritet. Tani këto akuzat do të vazhdojnë, sepse, edhe pse përpiqem ta frenoj, ajo do të rritet, por ajo që kemi në dorë, sepse nuk kemi në dorë të ndalojmë akuzat, është të zhvillojmë transparencën maksimale. Kjo është arsyeja pse LSI-ja ka bërë publike një platformë për transparencën…

Për të gjithë shpenzimet që bëni ju…
Për çdo gjë, janë online. Iki në një aktivitet, para se të shkoj në aktivitet çdo shpenzim që është bërë për aktivitetin. Mund të shkojnë dhe ta verifikojë çdo gazetar me fatura, me gjithçka. Bën aktivitet LSI-ja, LRI-ja, LGI-ja brenda 48 orëve çdo gjë bëhet online, publike dhe cilido mund ta verifikojë, në mënyrë që t’i japim fund spekulimeve të ndryshme që bëhen, shqetësimeve që krijohen, të cilat janë normale. Ne nuk shqetësohemi kur të tjetër rriten, përkundrazi gëzohemi.

Vërtetë? Nga zgjedhjet e fundit sikur nuk doli kështu: Partia Socialiste ishte në rënie, ndërsa ju në rritje.

Koalicioni ynë fitoi shumë bindshëm. Ju donit të fitonim të gjithë Shqipërinë.

Po të bëj një parantezë, po kur dolët nga “Rogneri”, para disa muajsh, e mbani mend, të pyetën gazetarët dhe në një moment të caktuar thatë: “Unë kur them po, them po. Thojini doktorit!” Çfarë ishte ai mesazh? E mbani mend?
Ishte mesazh, që kur themi po, themi po, kur themi jo, themi jo.

Për çfarë bëhej fjalë?
Nuk e mbaj mend tani, për para disa muajve. Ndonjë gjë serioze do të ketë qenë.

1. Lu tha se ka parw gangsterw nw qendrat e votimeve. Ju e gjeni veten brenda tyre? A mendoni se LSI-ja ka pasur gangsterë në qendrat e votimit?
Jo , absolutisht nuk e gjej veten te këto.

Pse, jo?
Kam vënë re disa aludime, sidomos për situatën në Vorë, e cila u tensionua për shkak se Partia Demokratike e kishte të sigurt humbjen e Tiranës, u përqendrua në Vorë, për të ruajtur këtë të fundit. Natyrisht, ne që kishim të sigurt fitoren e Tiranës u përqendruam aty, sepse edhe PS-ja ka qenë historikisht e dobët dhe jo e bashkuar. U bë një zhurmë shumë e madhe nga eksponentë të PD-së. Kanë dalë edhe në televizion eksponentë të caktuar të PD-së duke thënë se grupe kriminale dhe kështu me radhë. Unë kam pasur komunikim edhe me ministrin e Brendshëm dhe i kam thënë se nuk kanë asnjë lidhje me ne, askush. Të ndalohet, të goditet kushdo dhe merrini atyre denoncimin. Policia t’u marrë denoncimin. Kush janë, futini brenda. Asnjë nuk kishte bërë asnjë veprim, asnjë denoncim.

Pra ishte një zhurmë politike. Ndërsa, për sa i takon blerjes së votës, mund t’ju them se LSI ishte e vetmja forcë politike, që bëri edhe një spot, duke i ftuar qytetarët shqiptarë për të denoncuar cilindo që synonte të blinte votën. Jo vetëm kaq, por kur gazeta RD ka nxjerrë një fotografi të dikujt. E nxora edhe këtu.

Me të cilën jeni në gjyq tani.
Po, jemi në gjyq.
Nuk do të tërhiqeni nga padia? Nuk do të bëni paqe me RD-në?

Po ta shpjegoj se përse nuk e gjejmë veten këtu. Në qoftë se ka ndodhur, ka ndodhur më 23 maj, te gazeta zyrtare – se mund ta nxjerrë çdo gazetë, nuk do të merremi me çdo gazetë e me çdo portal – por ajo është gazetë zyrtare e Partisë Demokratike. Ajo dhe “Koha Jonë” jonë janë themelueset e shtypit të lirë në Shqipëri. Fakti që ne e kemi çuar këtë çështje në gjyq nuk është tregues i ndonjë hakmarrjeje nga ana jonë. Përkundrazi, është tregues i respektit tonë për RD-në.

Është gazetë zyrtare e Partisë Demokratike, gazeta e vetme e opozitës më të madhe në Shqipëri dhe ne duam që lexuesit e kësaj gazete, pra të Partisë Demokratike, të lexojnë gjëra të vërteta. Duke pasur edhe dyshimin se vërtetë ndokush nga LSI-ja mund ta ketë bërë këtë veprim, atëherë ky njeri të identifikohet, me ndihmën e gazetës – sepse ajo nuk mund të botojë mashtrime, apo jo? Ne besojmë se RD-ja gjithmonë thotë të vërtetën – ky njeri të marrë dënim maksimal.

Nëse është i LSI-së. Në qoftë se pastaj s’është i LSI-së, përsëri të dënohet. Nëse kjo është e pavërtetë, pastaj shohim e bëjmë.

E qartë! Më vijnë mesazhe, më fal që po e copëtoj kështu intervistën, por më pëlqen – e më thonë: Çani, po vjen koha e ngjalave prapë, më duket. Ngjalat, për ata që nuk e dinë, ose që nuk u kujtohet, është një darkë që ka ngrënë Edi Rama – darkë apo drekë, s’e mbaj mend mirë – në Gjirin e Lalëzit, më 1 prill të vitit 2013. 

Ngjala, tha Doktori, por peshk kishim.

Nuk ishin ngjala?
Jo, ngjala tha Doktori.

A po vjen koha e ngjalave prapë, me Edi Ramën? Pra, a do të uleni prapë, siç u ulët?
Ne jemi ulur dhe jemi në një proces të vazhdueshëm. Ne ulemi çdo javë. Bile ju shqetësoheni kur ne ulemi dy herë në javë.

Jo, përkundrazi! 
Një herë të premten dhe një herë, fjala vjen, te “Prestigji” i z. Irfan.

Thuhet se ka një propozim nga ndërkombëtarët europianë, dhe propozimi është: të shkëmbehet Kastriot Ismaili me SOROS-in, thotë mesazhi.

Nuk dua të komentoj këto.
Ilir Meta, a keni menduar ndonjëherë që, ajo që në fakt SOROS-i do të dëshironte të bënte, është të bënte bashkë Ramën dhe Bashën, për një koalicion të madh? Çfarë do të bënit në një moment të tillë? E keni menduar mundësinë që ata të dy të bëhen bashkë?
Së pari, njëherë, unë do të dëshiroja shumë që Rama dhe Basha të bëheshin bashkë, duke kuptuar përgjegjësinë e përbashkët që kanë ndaj vendit. Një koalicion PD-PS, që të dyja partitë e bëjnë me vullnetin e tyre, për t’i dhënë vendit një zgjidhje më të mirë se sa koalicioni aktual, për ne është një koalicion që respektohet.

Ju kaloni në opozitë…

Patjetër! Me kënaqësi. Ne kemi qenë në pushtet, dhe nga pushteti krijuam një forcë opozitare, LSI-ja.

E di, e di, e mbaj mend. Në kohën e Nanos.

I mbani mend sfidat e mëdha që ne kemi përballuar.

Mbaj mend Edi Ramën pra, që thoshte: Ilir, ik më mirë fare tani! Bëjmë një parti. Të vij edhe unë me ty. Pastaj, ti ike, por ai s’erdhi.

Këtë s’e mbaj mend, se ka kaluar kohë e gjatë. Kështu që, për ne, çdo lloj koalicioni që shqiptarët e bëjnë me ndërgjegje të plotë, për t’i dhënë një alternativë më të mirë Shqipërisë, absolutisht është i respektuar.

Pastaj, përpjekjet që bëhen, konspiracione këtu-aty, këto janë axhenda jotransparente, që jo vetëm ne, por të gjithë shqiptarët nuk i pranojnë. Por nuk dua të ushqej paragjykime të tilla dhe konspiracione.

Si t’u duk Blushi dje, te Sokol Balla ose, më mirë, si t’u duk kjo deklaratë që ne kemi shkëputur?
Ilir Meta – Nuk kam dëshirë të bëj komente sepse do të hyja në çështje të brendshme të PS-së. Unë dikur kam qenë pjesë e problemeve të brendshme të Partisë Socialiste dhe nuk dëshiroj të rikthehem në këto raporte. Unë besoj te eksperienca dhe përgjegjshmëria e socialistëve, që edhe debatet që kanë t’i menaxhojnë në një mënyrë sa më bashkëpunuese.

Ç’mendon, pra, që Edi Rama nuk po bën zgjedhje në parti, Ilir? A keni një qëndrim për këtë?
Po, këto janë qëndrimet e Partisë Socialiste. Nuk janë qëndrimet e mia. ne mund të flasim për qeverinë e vendit…

Një tjetër përplasje midis jush, Ilir Meta, dhe aleatit tuaj politik, Edi Rama, ka qenë edhe reforma për ngritjen e byrosë së hetimit. Edi Rama ka debatuar ashpër me ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani. Media ka shkruar se Manjani ka përkrahur variantin e propozuar nga ndërkombëtarët, për të miratuar variantin e byrosë së hetimit në varësi të prokurorisë, ndërsa Edi Rama ka qenë kundër, pasi kërkon sërish që byroja e hetimit të jetë në kontrollin e një prej ministrave të besuar të tij, mundësisht të Saimir Tahirit.

Ju e dini që ka pasur probleme me Byronë e Hetimit, që Gjykata Kushtetuese e ka kthyer një herë, probleme të pajtimit me Kushtetutën, të funksionimit të saj. Aktualisht, ne jemi në një proces reforme dhe ende disa pyetje apo pikëpyetje nuk kanë marrë zgjidhje, sepse jemi në procesin e ndryshimeve kushtetuese, kështu që në këtë kuadër vendoset edhe kjo çështje, që të arrijmë rezultatin më të pjekur në mënyrën e funksionimit të saj. Kjo është e gjitha. Gjithçka tjetër pastaj është legjendë, që njëri është për këtë, njëri për atë.

Arjan Çani – Sa paqësor po më dukesh sot.

Konstruktiv. Po të jesh konstruktiv, ju dukesh armik, sepse nuk prodhon lajme.

Duhet të të besojnë, domethënë?
Kjo është e vërteta. Sepse, edhe nëse ka mendime të ndryshme, kjo është gjë pozitive. Shqetësuese është kur të gjithë kanë të njëjtin mendim.

Po, ambasadori amerikan si ka mundësi që pas takimit me ju për tri orë në zyrën tuaj para dy javë e gjysmë, sepse ka pasur një takim shumë të gjatë me ju dhe jo vetëm me ju, por pati edhe me ju një takim shumë të gjatë, papritur nuk doli më në media. Dilte çdo ditë dhe thoshte: “Reforma në drejtësi do të bëhet patjetër. E duan amerikanët”. Çfarë ndodhi në atë takim, Ilir ?
Nuk e keni dëgjuar “Zërin e Amerikës” para dy ditësh?

Dakord. E pamë “Zërin e Amerikës”, por u rralluan daljet e Lu-së.

Nuk e di. Kjo është një çështje që nuk më takon mua. Ne kemi një bashkëpunim shumë konstruktiv.

Përveç këtyre?
Kaq besoj se mjafton për sa i takon takimit.

Po, por ju çfarë i sqaruat Lu-së, sepse ndoshta ai kishte një keqkuptim? Arritët të merreshit vesh?
Ne jemi marrë vesh vazhdimisht në mënyrë shumë korrekte dhe shumë të hapur.

Kush e pengon byronë e hetimit?
Nuk mendoj se e pengon dikush, por qartësia se si do të zgjidhen disa çështje të tjera, ka të bëjë edhe me mënyrën se si do të zgjidhet çështja e byrosë së hetimit. Pra, problemi kryesor, sipas meje, meqenëse erdhëm te kjo çështje, në Shqipëri, është ky, sepse nuk është problemi thjesht i një agjencie këtu, i një agjencie atje, por është zgjidhja e dy kolonave kryesore të sistemit gjyqësor, pra problemi i hetimit dhe problemi i gjykimit. Sot hetimi çalon, sepse ka disa probleme dhe ka disa varësi të ndryshme dhe në fund fare, kur çështjet shkojnë te gjykata, atje thuhet: “Dosja nuk është e plotë. Ka probleme”.

S’kemi prova…
Dhe, njëkohësisht është problemi i gjykimit, sepse kemi gjykim mjaft të vështirë, të komplikuar, që zgjat shumë në kohë dhe që lë mjaft hapësirë për arbitraritet, për korrupsion, për zvarritje e me radhë. Është shumë e rëndësishme, në radhë të parë, që kjo reformë t’i japë zgjidhje të qartë problemit të hetimit, që ai të jetë sa më i qartë, sa më i disiplinuar, sa më i kontrollueshëm, i verifikueshëm dhe, njëkohësisht, ta thjeshtojë problemin e gjykimit, në mënyrë që të vendosen disa standarde dhe mundësisht të kemi vetëm një gjykatë të lartë, sipas mendimit tonë. Megjithatë ne jemi të hapur për çdo zgjidhje më të mirë, ku Gjykata e Lartë të ketë të drejtë të marrë vendime me karakter unifikues dhe gjykatat e tjera, poshtë, t’i zgjidhin çështjet në këtë mënyrë.

Po tani si është, nuk është kështu?
Tani është që ndodh një ngjarje, një vepër penale, e cila gjykohet edhe në Vlorë, edhe në Durrës, edhe në Korçë, e kështu me radhë dhe mund të jepen vendime të ndryshme. Në rast se do të jepen vendime të unifikuara që ky rast gjykohet dhe trajtohet në këtë mënyrë, atëherë do të kemi vendime shumë më të qarta, sepse unë mendoj se më e lehtë për të kontrolluar apo për të inspektuar është gjykata. Sepse në qoftë se gjykatës i shkon dosja e qartë, me prova, i shkon dosja e konsoliduar, gjykata nuk ka nga lëviz.

Ky është qëndrimi juaj, pra i LSI-së. Po qëndrimi i Ramës, cili është, sepse ju takoheni me të? A ka të njëjtin qëndrim për këtë çështje?
Besoj se duhet të ketë një qëndrim pas përgjigjeve që do të japë përsëri Komisioni i Venecias, sepse jemi në proces.

Pra, në muajin mars. Duhet të presim 20 marsin?
Edhe më përpara ndoshta. Duhet të jesh më optimist për reformën në drejtësi. Mendoj se duhet të jesh pak më shumë, sepse ishe shumë pesimist.
Unë e vetmja gjë për të cilën jam pesimist..
Dhe nuk ke faj, sepse me ato që dëgjove dje në parlament …

Si ka mundësi atëherë, që del Spartak Braho dhe deklaron se nuk ju kupton vonesat për miratimin e kësaj strukture dhe thotë: Çfarë ka Rama, pse vonohet, pse nuk e kalon? Spartaku nuk besoj se flet nga mendja e tij?
Dy gjëra duhet të kemi parasysh, që zoti Braho është një deputet i dyfishtë, është edhe i PS-së..

Vërtet, shumë interesant është statusi i Spartak Brahos.
Edhe i LSI-së. Me deklaratën e djeshme, unë u njoha kur isha në Kuvend, sepse pashë aty me titra që kishte dalë me këtë prononcim. Mendoj se ka qenë një prononcim i nxituar, sepse ne jemi në një proces, që nuk është thjesht dhe vetëm një proces midis PS-së dhe LSI-së, por është midis maxhorancës dhe opozitës. Kurse, për byronë e hetimit është një proces në bashkëpunim të ngushtë edhe me SHBA-të, të cilat janë të vendosura për ta mbështetur edhe me asistencë edhe me mbështetje financiare krijimin e një agjencie të tillë, pra jemi në një proces ku nuk mund të thuhet se e ka fajin ky që po e vonon apo jo. Kjo është iniciativë që është diskutuar, që ka kaluar një herë në parlament, e ka kthyer Gjykata Kushtetuese dhe në kuadër të të gjitha zgjidhjeve që do të japë reforma në drejtësi, do të zgjidhet edhe kjo çështje dhe besoj do ët zgjidhet shpejt.

Është bashkë me reformën në drejtësi kjo, apo nuk ka lidhje me të?
Normalisht, ka një lidhje me mënyrën se si do të zgjidhen disa çështje edhe me reformën në drejtësi.
Është e komplikuar. Më mirë të mos mundohemi të kuptojmë asgjë ne të tjerët. I zgjidhni vetë ju disa gjëra.
Jo, këto i komplikojmë ne, me deklarata ndonjëherë…

Jo, janë të vështira për t’u kuptuar nga publiku. Kjo lojë për çfarë po bëhet?
Jo, edhe shumë të thjeshta nuk janë për t’u kuptuar, por besoj se do të zgjidhen shumë shpejt.

Në rast se gjërat nuk do të funksionojnë jo për fajin tuaj, por në qoftë se ju nuk do të bini dakord me disa pika, le të mos shohim prapaskena ose konspiracione, ju në parim jeni dakord për zgjedhje të parakohshme, po apo jo? Nuk po ju them se kush e ka fajin, apo kush do t’i kërkojë, por vetëm në parim, jeni pro, apo kundër?

Po përse për zgjedhje të parakohshme?
Në qoftë se ka një ngërç dhe palët nuk bien dakord, në qoftë se koalicioni nuk funksionon më. Ilir kjo nuk është tabu dhe ndodh në çdo vend të botës, madje edhe në Itali ka ndodhur pa fund.

Ne punojmë dhe besojmë që punët të ecin përpara dhe reformat të bëhen, të zgjidhen, qeveria të përmirësohet më tej, por, supozojmë se gjërat shkojnë shumë keq dhe gjithçka bllokohet e kështu me radhë, patjetër që vendi nuk mund të mbahet peng as nga ne dhe nga askush.

Do t’u duhet shqiptarëve të japin një gjykim të ri për mënyrën se si duhet të drejtohen në ardhmen, por jeni shumë larg këtij varianti apo këtij supozimi.

Jemi larg thoni ju?
Patjetër!

Pra, zgjedhjet janë në maj apo në qershor të vitit 2017? 

Por çfarë bëri maji apo qershori, çfarë bëri 29 maji apo 2 qershori?

Do zgjidhet edhe presidenti më duket në maj, apo jo?
Nuk e kam të qartë se janë çështje afatesh që duhen përllogaritur nga juristë.

Po ju e dini që presidenti zgjidhet një ose dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, apo jo?
Ilir Meta – Nuk e kam të qartë.

Pra, ky president që pritet të zgjidhet në Shqipëri në 2017-ën do të kapë për herë të parë 3 mandate parlamentare?
Nuk mendoj se kjo është shumë interesante për ata që na dëgjojnë, për qytetarët.

Më thoni konkretisht, a do bini dakord me Edi Ramën dhe me Bashën, që sistemi zgjedhor të ndryshojë? Nuk duhet të jetë një sistem me “Prim”, siç u hap fjala, që duhet të jetë me “Prim”?
Para se të jap një përgjigje, sepse kemi qenë vazhdimisht në presionin e mediave që kur është hapur kjo ideja e “Prim”-it dhe më duhet të them dy gjëra, se ne i referohemi vazhdimisht sistemit me “Prim” të Greqisë, kam një pyetje për ju: A e ndihmoi sistemi me “Prim” Greqinë për të evituar atë krizë të rëndë financiare që u krijua në vend?

Sigurisht që nuk është sistemi që shpëton një vend.

Po them për këtë sistem, a e ndihmoi?
Sigurisht që jo, ashtu siç nuk do ta ndihmonte edhe ndonjë sistem tjetër.

Më fal, se jo vetëm që nuk e ndihmoi, por edhe pse vazhdon ta ketë me “Prim”, është e detyruar të shkojë drejt koalicioneve, siç ka qenë edhe rasti në dy zgjedhjet e fundit, që Ciprasi ka qenë në koalicion edhe para këtyre zgjedhjeve, edhe tani që u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme.

Së dyti, ky ishte sistemi me “Prim” varianti i Greqisë, se dihet varianti gjerman se çfarë sistemi ka, që nuk kanë lidhje me këtë sistem. Çani, ne sistemin me “Prim” e kemi pasur, kemi pasur Dushkun.

Në një farë mënyre e vërtetë është.
Dushku i vitit 2001, kur unë isha kryeministër. Natyrisht që nuk e bëra unë. Dushku u bë më pas, pas ditës së zgjedhjeve, u bë në balotazh, në qoftë se e mban mend, në ato komunat e Dushkut. Prandaj mbeti edhe emri i Dushkut, ju kërkoj falje të gjithë banorëve të Dushkut. Wshtw një fshat shumë i dashur për mua. U quajt Dushku, sepse Doktori e amplifikoi shumë. E quajti deformim të votës, e quajti të pandershëm, sepse u morën shumë më tepër mandate sesa realisht i takonin proporcionalisht. Ne kemi pasur Dushkun. Ta kthejmë Dushkun, ta ligjërojmë.

Pra, ju jeni kundër sistemit me prim. A jeni për sistemin me lista të hapura, Ilir? Deri tani ne po votojmë me lista të mbyllura.

Po, me lista të hapura. Për sa i takon kësaj me prim, që ta mbyll këtu…

Je i qartë.
Jo, ne jemi që kjo gjë të bëhet me konsensus. Në qoftë se PS- PD thonë: “E duam me prim”, atëherë çfarë do të bëjmë ne? Ne nuk do të qajmë.
Kjo është pyetja.

Ne do të luftojmë të marrim primin.
Vërtetë?
Po, por kjo nuk do të jetë e drejtë, sepse shqiptarët nuk do të përfaqësohen në mënyrë të drejtë. Kështu që unë mendoj se ne duhet të orientohemi te respektimi i atij parimi bazë të Kushtetutës që thotë se vota është e barabartë.

Sot Arben Ristani, e dëgjova në ekran, kishte dalë në një deklaratë, ku mes të tjerave tha: “PD-ja përjashton koalicionin me LSI-në në rastin e një palë zgjedhjeve të parakohshme ose edhe me zgjedhjet tjera”.

Unë e respektoj këtë vendim të Partisë Demokratike dhe e përshëndes.
Ju vetë çfarë ndjesie ju krijon kur dëgjoni, për shembull, se PD-ja në një moment të caktuar duket sikur është afër jush në disa pika, që ka të bëjë me reformën në drejtësi e të tjera, sepse ju e mbështetët shumë PD-në dhe PD-ja ju, apo jo, dhe papritur del Ristani dhe thotë: “Ne me LSI-në nuk qeverisim, nuk është fare në opsionet tona” ?

Mendoj se kjo është shumë normale. E kam thënë edhe më parë, ne nuk mund ta ndajmë Shqipërinë në disa copa: PS, PD, LSI e të tjera. Ne jemi të detyruar të merremi vesh për çështjet kryesore, që kanë të bëjnë me qytetarët tanë, të cilat janë njësoj të rëndësishme për të gjithë, pavarësisht nga përkatësitë partiake apo preferencat politike. Pastaj çdo forcë politike ka aleancat e saj, ka objektivat e saj, përputhen nuk përputhen. Unë e përshëndes këtë deklaratë dhe e respektoj shumë.

Ju vetë e përjashtoni një koalicion të ardhshëm me PD-në, Ilir, siç ishit deri para pak kohësh, në qeverisje po flas?
Tani, derisa Partia Demokratike e ka përjashtuar, pa dyshim që mua nuk më ngelet gjë tjetër, vetëm të bashkohem me vendimin e Partisë Demokratike.

Ai është qëndrimi i tyre, por unë dua të di: ju vetë e përjashtoni në parim?
Ore, Çani, unë të them ty: nuk të dua, ti më thua mua: të dua! Po, kjo nuk ka kuptim!

Ti ke dhënë prova deri tani që, edhe ata që nuk të kanë dashur, ti prapë i ke dashur, prandaj po të pyesë.

Mirë unë do të vazhdoj t’i dua të gjithë, por për sa i takon koalicionit, koalicioni bëhet me dëshirë, nuk bëhet me pahir.

Dakord, por nuk e përjashton, apo jo? Në parim nuk e përjashton, qoftë edhe me PD-në.

Tani, ne jemi në një koalicion Çani, ky koalicion po funksionon.

Po flas në qoftë se ky prishet një ditë.

Po, pse të prishet?
Në vitin 2017, në qoftë se asgjë nuk ndryshon deri në atë moment…
Ne sapo kemi filluar vitin 2016, ti kalon te viti 2017.

Erdhi, erdhi, është shumë afër. E di sa shpejt ikën.

Po mirë, kur të fillojë viti 2017, vijmë përsëri këtu dhe bisedojmë prapë. “Çdo gjw nw kohwn e duhur” thonë gjermanët. Unë nuk di gjermanisht, por ka disa shprehje që më pëlqejnë shumë.

Ilir Meta, për t’u rikthyer vetëm një moment, sepse ndoshta nuk e sqaruam deri në fund, një koalicion i mundshëm PS-PD, a e keni menduar si do të reagoni?

Mund të flasim hapur?
Hapur. Unë atë po pres, në fakt.

Është aluduar dhe është krijuar një atmosferë, sidomos nga gazetarët që do të bëhet koalicion PS-PD.

Jo vetëm nga gazetarët.
…se LSI-ja kështu, ashtu. Unë kam folur shumë hapur dhe sinqerisht edhe me kryetarin e PS-së, Kryeministrin, zotin Rama, dhe i kam thënë: për mua në çdo moment që mendon se një koalicion me PD-në mund të funksionojë më mirë, mund t’i bëjë reformat më mirë, unë të jap dorën, të respektoj, mbetemi miq, kaloj në opozitë dhe drejtoj opozitën, nuk ka asnjë problem, por do të mbështesim integrimin evropian të vendit dhe reformat. Absolutisht, ne jemi për çdo zgjidhje që e çon Shqipërinë më shpejt në drejtimin e duhur.

Si ka mundësi, ke 20 vjet që nuk bën asnjë gabim kur flet publikisht, çudi e madhe?
Edhe gabime bëjmë.
Nuk ke asnjë lapsus në politikë dua të them.
Nuk jam i sigurt për këtë.
Të kam ndjekur shumë dhe çuditërisht…
Të falënderoj për vëmendjen!

… edhe Lul Basha nuk bën gabime në diskursin politik, kur flet publikisht e kam fjalën. Gabime të tjera mund të bëni të gjithë ju, por nuk po i futem asaj, flas që në diskursin politik, nuk para bëni gabime, nuk keni lapsuse. Si ka mundësi Ilir? Është shkollë më vete kjo që mësohet gjatë jetës?
Nuk e di. Ai ka bërë shkollën e Doktorit.
U takove me Lulin, pashë që i dhe dorën atë ditë…
Po, patjetër. Unë sa herë qe takoj cilindo, çdo politikan si mos të japim dorën, aq më tepër…
Kishte kohë që nuk kishe shumë marrëdhënie, sikur ishte ftohur pak me Lulin, apo jo? E mban mend herën e fundit qe ke qenë këtu te unë, që të pyeta?
Unë mund të kem ndonjë vërejtje…
Po dorën ia jep…
Siç thotë ndonjëherë Dylgjeri që “Luli lu, baba nuk lu”, por unë prapë e respektoj.

Luli lu, thotë Dylgjeri, baba nuk lu. Po baba kush është?
Po, Doktori.

Çfarë ishte ajo dolli që ngrite për Doktorin në ditëlindjen e Fari Balliut? Para ca ditësh dhe më thanë që ke ngritur një dolli për shëndetin e Doktorit: ta pimë këtë dolli ke thënë për shëndetin e Doktorit, me një dashuri të paparë. Çfarë ishte kjo?

Kjo, në fakt, nuk është tamam kështu. Deri diku, por nuk është se e ngrita në mënyrën që thoni ju. Problemi është se aty ishte edhe z. Ramush Haradinaj, ku unë edhe Ramushi u revoltuam me z. Fari, që ishte organizatori, kishte 60-vjetorin, sepse ai thotë që është nga Mokra, mirëpo bëri 15 dolli dhe nuk e ktheu me fund një teke raki. Nuk e ktheva, madje nuk e ktheva as atë që ishte për Doktorin. Kështu që Ramushi më tha ta kthej me fund për Doktorin dhe, duke e ngritur për Doktorin, e ngrita automatikisht edhe për Fahriun. Fahriu u gëzua më shumë, sesa po ta ngrija për të.

Në fakt, Doktori nuk ishte në ditëlindje?
Jo, nuk ishte, por shkëlqente me mungesën e vet.
Po tani, duke folur me mua, se ju nuk flisni vetëm me mua, por flisni edhe nëpër ambiente të tjera, a nuk mendon se militantët e partisë tënde, që është një parti e majtë, mund të bëhen keq kur dëgjojnë me sa dashuri flet për Doktorin? Ai është kundërshtari juaj politik.

Unë mendoj që nuk po bëj teatër. E dyta, unë mendoj se demokratët i njoh nga afër për shkak të një koalicioni 4-vjeçar (gjë që s’e kisha menduar kurrë) dhe ndoshta ai më ndihmoi për t’i parë gjërat me më shumë realizëm dhe për të kuptuar se nuk jemi aq larg sa mendojmë kur jemi të ndarë në dy kampe.

Jo vetëm kaq, por unë s’e kuptoj se përse ka opozitë në këtë vend, se mund të ishit edhe të tre bashkë.

Domethënë që opozitë të ishit vetëm ju, si shoqëri civile?
E ç’duhet opozita në këtë vend?
Unë mendoj se është thjesht një raport njerëzor, që s’ka të bëjë me raportet politike dhe që nuk duhet keqkuptuar. Unë mendoj se duhet ta kalojmë stadin, kur duhet të flasësh me urrejtje për tjetrin, thjesht që të mos zhgënjesh simpatizantët e tu, madje ka nevojë për bashkëpunim, për tolerancë për zgjidhje dhe, pa dyshim, për opozitë, për dallime, për t’i zgjidhur bashkë disa gjëra të mëdha, në mënyrë që ato t’i qëndrojnë kohës.

Kaluan 20 vjet në këtë ekuilibër. Ke 20 vjet që je gjithmonë në fije të perit. A vjen një moment kur njeriu thotë: “Mjaft më”? Ka pasur edhe disa raste që të ka ikur truri dhe ke dalë e u ke rënë në kokë, kur ta kanë sjellë vërtet në majë të hundës, dhe të shumtën e viteve në këtë karrierë të gjatë që po bën, mua më duket sikur je gjithmonë në fije të perit, në një ekuilibër, në një distancë të paparë.

Unë mendoj që politika është patjetër ndryshim, por është edhe ekuilibër.

Po si e përballoni, Ilir? Se duhet të keni nerva shumë të forta.
Kjo është një detyrë që duhet bërë.
Ka zanatin e vet edhe ajo.

Është një përgjegjësi publike dhe njeriu duhet të jetë i përgjegjshëm, sepse nuk ka të bëjë thjesht me fatin e vet individual. Nga nxitimi, nga gjaknxehtësia dhe nga nervozizmi mund të bëhen gabime, të cilat u kushtojnë të tjerëve. Kur nuk je në gjendje të përfaqësosh interesat e të tjerëve, atëherë duhet të shohësh punët e tua dhe të familjes tënde dhe nuk e ke këtë përgjegjësi. Secili e bën zgjidhjen e tij.

Do të rrini bashkë në koalicion me Ramën në zgjedhjet e 2017-s?
E lamë pra që do ta jap fjalën pas 2016-s.

Gjithsesi, sot na garantuat që nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.

Nuk shoh asnjë arsye për zgjedhje të parakohshme.

Kush mund t’i provokojë zgjedhjet e parakohshme? Kush mund t’i ketë në dorë, me këtë formulë që keni aktualisht?
Nuk shoh asnjë arsye për të provokuar zgjedhje të parakohshme. Që të zgjidhen problemet më mirë, zgjedhjet duhet të kthehen në normalitet dhe të zhvillohen çdo 4 vjet.

Meqë u përmend çështja e zgjedhjeve, tani u kompletua edhe Komisioni për Reformën Zgjedhore. Është shumë e rëndësishme që çdo ndryshim si në zbatim të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it apo gjithçka tjetër, të bëhet në kohën e duhur dhe zgjedhjet e ardhshme të jenë zgjedhje të shkëlqyera dhe jo më të mira se ato që kaluan.

Po, duhet të ikin të gjithë, duhet të filtrohen të gjithë kandidatët.
Patjetër, do të ecë edhe procesi i ashtuquajtur i dekriminalizimit.

Si është puna, sepse mora vesh që Petrit Vasili ka dalë kundër HEC-it të Skavicës. Si është puna e HEC-it të Skavicës, që Edi Rama shkoi në Turqi, që këtë e mori një kompani turke, ndërkohë që duhet të vinin disa japonezë dhe do të hidhnin rreth 400 milionë, ndërkohë që Edi Rama ia ka dhënë një kompanie turke, e cila do të japë shumë më pak se kaq. Ç’është kjo histori? Pse Petrit Vasili i LSI-së doli kundër këtij projekti të qeverisë?
Nuk mendoj se ka dalë kundër, por z. Vasili ka pasur një ndjeshmëri, e cila është bërë edhe publike nëpër medie, nëpër portale të ndryshme, që ka të bëjë me faktin se kanë nisur procedurat për ndërtimin e një HEC-i mbi 20 mega, i cili pretendohet nga ekspertë të ndryshëm se do të bëjë më pas të pamundur realizimin e projektit të madh të Skavicës dhe të digës së madhe të saj, e cila mund ta humbiste përgjithmonë rëndësinë strategjike të ndërtimit të saj, si një rregullator i të gjithë kaskadës së Drinit dhe të liqenit të Fierzës për të hequr njëherë e mirë jo vetëm rrezikun e përmbytjeve në Shkodër dhe në Lezhë, por edhe për të optimizuar në maksimum burimet hidrike të vendit.

Pra, ju jeni kundër ndërtimit të kësaj?
Jo, ne jemi për ta gjykuar …

E thënë më thjesht?
Domethënë, ne nuk jemi shumë të qartë. Është ngritur një shqetësim. Disa ekspertë thonë kështu, disa të tjerë thonë ashtu. Këto çështje duhet të diskutohen dhe çdo gjë duhet të shterohet para se të merren vendime. Nëse do të merret vendimi për ndërtimin e këtij HEC-i dhe ky pengon përfundimisht realizimin e aftësive të kësaj zgjidhjeje rregullatore afatgjatë, kjo gjë të mos realizohet ose nëse do të bëhet, të bëhet me një konsensus të plotë, sepse ajo është pa dyshim një pasuri kombëtare.

A keni mundësi të vini veton?
Nuk është puna te veto. Ajo është një çështje me interes kombëtar.

Po Rama ka shkuar në Turqi dhe u ka dhënë fjalën atyre.

Shumë mirë ka bërë. Ai nuk ka dhënë fjalën. Ai mund të shkojë në Turqi dhe mund të takojë kë të dojë, por shteti ka ligje, ka procedura, ka konkurrencë, prandaj nuk keni pse e paragjykoni.

Nuk po e paragjykoj, përkundrazi them se ai është Kryeministër dhe ai do që të bëhet.

Nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar. Këto janë diskutime. Është si puna e asaj që lexova dje në gazetë, që do të jepet koncesioni i targave me çip, e thashë gjithandej. Fola sot me z. Haxhinasto dhe më tha se nuk ka asnjë procedurë të tillë. Është një kompani që ka paraqitur një projekt të tillë, por kjo gjë nuk është vendosur. Është çështje që mund të diskutohet, mund të shqyrtohet dhe në qoftë se do të bëhet, do të bëhet me transparencë të plotë”.

Targa me çip…
Fjala vjen, domethënë, sepse media dhe shtypi, merr një letër këtu, merr një letër atje…
Ka çipa gjithandej, e ke vënë re?
Po, jetojmë në kohë të reja të teknologjisë moderne.
E ke menduar, për shembull, se sa agjentura mund t’ju përgjojnë ju në këto momente, Edi Ramën? Pa fund, apo jo?
Po, pafund, normale.
Si ia bëni ju, për shembull, me telefonin e Edit?
Po dhe argëtohemi ndonjëherë.

Vërtet?
Po.
Nuk u lodhët?
Pse, ju nuk argëtoheni?
Meqë ra fjala, e di që sërish nuk do të më japësh përgjigje të qartë për ata që na dëgjojnë, megjithatë, ç’rëndësi ka?!
Pse më paragjykon?
Deri tani…

Të kam dhënë edhe përgjigje të qarta gjatë kësaj mbrëmjeje. Në qoftë se ju doni, ose quani të qartë çdo përgjigje që ju dëshironi që unë të jap, atëherë nuk ka nevojë që unë të vij këtu.

Nëse Rama, Kryeministri, përmes një mocioni besimi kërkon zgjedhje të parakohshme, a keni ju një skenar për ngritjen e një qeverie me votat e opozitës? Në këtë rast, a do të bisedonit me Lulzim Bashën, që është kryetari i PD-së, apo me Sali Berishën që është ish-kryetari i PD-së?
Nuk ka nevojë të bisedoj me njeri, sepse opozita ka qenë prej dy vjetësh për zgjedhje të parakohshme. Në qoftë se Kryeministri kërkon zgjedhje të parakohshme, atëherë kjo është çështje zgjedhjeje, bëhen zgjedhje të parakohshme.

Po ju vetë me kë do të bisedoni?
Përse? Zotëri, ne kemi një raport miqësor prej 20 e ca vjetësh.
Jo, nuk ka problem, mund të flasim me “ti”.
Ju thoni në qoftë se Kryeministri Rama kërkon zgjedhje të parakohshme.
Jo, pyetja është, a keni një skenar për bërjen e qeverisë me fotot e opozitës?
Më fal! A do të flisja me opozitën për të bërë qeveri?
Po…
Po pse do të flasë? Opozita ka dy vjet që kërkon zgjedhje të parakohshme. Zoti Rama kërkon zgjedhje të parakohshme? Atëherë, edhe ne jemi dakord për zgjedhje të parakohshme.

Është edhe skenari tjetër, që ju me opozitën, ju si LSI dhe opozita…
Opozita ka dy vjet që kërkon zgjedhe të parakohshme. Ju thoni që në momentin që Rama kërkon zgjedhje të parakohshme, opozita do të thotë jo?

Jo, nuk bëhet kjo?
Nuk e besoj të ndryshojnë rrugës.
A mendoni se ka një diferencë, Ilir Meta, ndaj jush midis Bashës dhe Berishës? Nëse po, mendoni se këtu është edhe roli i ambasadorit Lu?
Tani, diferenca ka pa dyshim, sepse janë dy politikanë të ndryshëm. Unë gjithmonë kam menduar se do të isha më pranë…

Me Bashën?
Pranë Bashës në të kaluarën, por e shikoj që …
Ka njerëz që thonë se je më pranë Berishës.
Si sintoni, si më pranë Doktorit, por ai është model i ri politik dhe shpresojmë të ketë sukses!

Nuk ma the këtë gjë, a ndikon roli i ambasadorit Lu në këtë histori? Ngaqë ai shkon shpesh te Basha, e ke parë sa shpesh shkon?
Normale që do të shkojë, sepse është gjë pozitive të qëndrosh pranë opozitës, sepse t’i qëndrosh qeverisë nuk është ndonjë gjë e re, apo jo? T’i qëndrosh opozitës është gjë e mirë.

T’i qëndrosh opozitës është gjë e mirë?
Po, gjë e mirë është. Unë i qëndroj opozitës. Më ke parë në parlament, si Kryetar Parlamenti? Më kritikojnë vazhdimisht.

Sot mund ta themi me gojën plot, që shyqyr që të kemi që na ruan demokracinë në këtë vend. Apo jo?
Jo, demokracinë e ruajnë shqiptarët.
Nejse, nëpërmjet një partie tjetër, se po të ishin dy parti, do të ishte bërë nami.

Vendi ka dhe parti të tjera dhe sistemi zgjedhor duhet të krijojë hapësirë edhe për forca të tjera politike, sepse ka nevojë për një dinamikë tjetër.

A është e vërtetë se në një mbledhje që ju keni pasur pak ditë më parë me drejtues të lartë të LSI-së, që ka qenë me dyer të mbyllura, keni thënë se formula e re është Berisha president, Meta kryeministër?
Jo, këtë nuk e kam thënë.
Kanë dalë nëpër portale të gjitha këto. Nuk janë shpikjet e mia.
Sa portale ka…

E di, por unë jam i detyruar t’i verifikoj. Nuk do të ishte e pamundur, apo jo?
Me “nëse” ne mund të vazhdojmë gjithë kohën, por jemi ende në fillim të vitit 2016.

Vërtet nuk mendoni se ka ardhur koha për një formulë të re politike?
Kjo formulë e re është, 2 vjet ka që ka filluar të funksionojë.

Pra, thoni se është herët?
Kështu mendoj unë. Besoj dhe ju po ta gjykoni më me qetësi, në këtë konkluzion do të dilni.
Në këto 2 vjet e gjysmë që jeni në pushtet bashkë me Edi Ramën nuk mendoni se duket sikur keni 20 vjet, aq konsum të madh ka? Ndërkohë që nuk u pa kjo gjë me doktorin. Doktori, qeveria e tij, filloi të gabonte sidomos në mandatin e dytë. Si ka mundësi që në këto 2 vjet, Ilir, ekonomia është ku thërret qameti? Njerëzit çdo ditë e më shumë po vuajnë. As rrogat nuk janë rritur, as pensionet nuk i kanë rritur. Mua vetë më ka rastisur, kam shkuar nëpër spitale me disa njerëz të mi të afërt që i kam shoqëruar, se më ka ardhur keq. Madje kam vënë syze dhe një kapuç në kokë që të mos më njihnin, se doja të shikoja reagimin normal. Të presësh në Urgjencë me orë të tëra, nuk kishte krevate. Pra, është një tmerr i paparë! Ndërkohë taksa progresive që ju keni votuar janë rritur shumë, janë shumë të larta. Unë vetë paguaj 20% të rrogës dhe kështu si puna ime janë shumë. Bizneset po mbyllen. Situata është e rëndë. Është depresion jo vetëm ekonomik, por edhe psikologjik. Pyetja ime është e thjeshtë: Nuk mendoni se ka ardhur momenti që të ketë një formulë të re apo ju do të mbani koston e konsumit të tmerrshëm të kësaj qeverie? Duke qenë se keni dhe 4 ministra në qeveri.

Unë mendoj se kjo panoramë kaq e zymtë që ju shprehët…
Ju kërkoj ndjesë, në qoftë se është e zymtë, por në fakt të gjithë treguesit e thonë këtë gjë!
Dakord, sepse ka dhe aspekte…
Mjafton të shihni tatimet, doganat, për shembull, e thotë dhe vetë Edi Rama. Këtë nuk është se po e them vetëm unë. Janë keq!

Kjo panoramë e zymtë që ju thoni, apo që ju portretizoni, nuk është rezultat dhe faktor thjesht i qeverisë apo i qeverisjes, e cila ka bërë përpjekjet e saj dhe ka arritur disa përmirësime të rëndësishme…

Ku, për shembull?
Më falni, pra! Kudo: në energji, në rendin publik, në shumë drejtime, se nuk dua të rri këtu t’i përmend të gjitha, por…

Pra, ju duket e mirë puna e Saimir Tahirit, apo jo?
Ilir Meta – Ju lutem, tani! Patjetër që ka progres në shumë drejtime.
E rëndësishme është të kuptojmë që klima politike në vend, ajo klima që përcollët edhe ju nga debati i djeshëm në parlament, që, për fat të keq, është çdo ditë po të shikosh në ekranet e televizionit…

Por përtej kësaj…
Më falni! Por ajo ndikon shumë. Ajo ndikon për të krijuar këtë frymë zymtësie…

Pra, ju thoni është thjesht psikologjike kjo krizë?
Më falni, pra: depresioni, pasigurie, ndërkohë që mendoj se duhet një frymë tjetër për të rritur optimizmin, për të rritur konsumin, për të rritur investimet, për të rritur kreditimin e ekonomisë dhe kjo është një detyrë edhe e qeverisë, kjo është një detyrë dhe përgjegjësi edhe e opozitës, sepse, të mos harrojmë që kjo qeveri e mori trashëgiminë ekonomike, financiare, makroekonomike mjaft të vështirë. Të mos harrojmë që Shqipërisë, në krahasim me shumë vjet përpara, i mungojnë gati 500 milionë euro nga të ardhurat e emigrantëve për shkak të faktit se emigrantët tanë ishin kryesisht në Greqi, që u prek në mënyrë dramatike nga kriza apo janë në Itali, e cila është në një situatë mjaft të vështirë.

Të mos harrojmë që shumica e eksporteve tona shkon në Itali dhe atje rritja ekonomike është tepër e ngadaltë. Pra, janë shumë faktorë dhe ajo që ne duhet të kuptojmë, mendoj unë, edhe ne si maxhorancë, por edhe opozita, është që edhe një ndërrim i vendeve sot, pra kjo opozitë të vijë në pushtet dhe kjo maxhorancë të kalojë në opozitë me këtë frymë konfliktuale, me këtë frymë të një retorike mjaft helmuese dhe që mbjell dëshpërim…

Meqenëse jemi në momentet e fundit…!
…nuk krijohet asnjë lloj optimizmi për ekonominë te sipërmarrësi, te qytetari, tek…

Po Luan Rama kur doli tani…? Kur doli para disa ditësh, ishte i drejtpërdrejtë, apo jo? Si ka mundësi? Këta të gjithë të LSI-së nuk dalin me kokën e tyre?
Tani, e para një herë se shprehin një mendim, është e drejtë e tyre.

Janë mendimet e tyre personale, nuk janë qëndrime të LSI-së?
Tani, qëndrimi i z. Luan u sqarua që ishte qëndrim i tij.
U sqarua në darkë nga Petrit Vasili.

Po, ishte qëndrim i tij. Do ta ndalosh një njeri të mbajë një qëndrim?
Pra, nuk mbante qëndrimin e LSI-së?
Pse pak deputetë ka nga Partia Socialiste që dalin dhe shprehin një qëndrim ndryshe? Nuk ka…
Jo, përveç Blushit, nuk kam dëgjuar gjë!
Po ka, sa të duash në Parlament, në komisione e të tjera. Patjetër!

Ju thoni që qeverisja është OK, nuk ndodh asgjë? Jemi në rregull, apo jo?
Qeveria dhe qeverisja është më e gjerë, pa dyshim që ka nevojë për t’u përmirësuar më tej, sepse problemet janë të mëdha, janë të shumta, por mbi të gjitha klima politike në vend duhet të ndryshojë dhe ne duhet të diskutojmë më shumë për problemet më të mëdha ekonomike që ka vendi…
Pikërisht pra!

Po mirë, ne nuk diskutojmë për këto. Po t’i shikoni ju kronikat, çdo ditë shikoni, domethënë që 90% e debateve janë të bazuara në denigrime personale: ky vodhi këtu, ai bëri këtu, ky vrau këtu, ky preu këtu. Natyrisht që kjo krijon një situatë jo-optimiste edhe për ekonominë dhe për këtë përgjegjësia është e të gjithëve. Duhet të ndryshojë kjo klimë dhe duhet të diskutojmë më shumë probleme të tilla.

A jeni bërë pishman për taksën progresive që e votuat dhe ishit pro para dy vjetësh? Po të kishit mundësi, do ta kishit korrigjuar?
Tani, nuk është ndonjë sekret të them që ne nuk është se kemi qenë partizanë të taksës progresive, si LSI.

Po, por e votuat, ama!
Po mirë, ne e votuam, sepse ishte një premtim elektoral i Partisë Socialiste…

Po, po, por tani kur shikoni që të ardhurat janë më pak…?
Partia Socialiste ishte partneri kryesor i koalicionit dhe forca kryesore që fitoi zgjedhjet. Kështu që ne nuk mund të kushtëzonim për një çështje të tillë Partinë Socialiste.

A është me votat tuaja në qeveri…?
Patjetër që është me votat tona, por…!

Po për çfarë është, që ju të mos dorëzoheni?
Po ne pa votat e tyre ishim në qeveri? Jo! Ata kanë më shumë vota dhe natyrisht kanë disa prioritete që ne do t’i respektojmë. Ne kemi përfshirë disa prioritete të tjera. Por diçka tjetër që dua të them, edhe taksa e sheshtë vitet e fundit e dha efektin e saj jopozitiv për sa i takon administrimit të të ardhurave. Pra, pati një rënie dhe kjo ishte tregues i një impakti edhe ndërkombëtar ndaj ekonomisë së vendit tonë, pra nuk ishte si në vitet e para, të cilat ishin vitet e një rritjeje të madhe ekonomike: 7%, 8%, sepse në Greqi ishte tjetër situatë, në eurozonë ishte tjetër situatë. Me përkeqësimin e situatës, pra mendoj se janë disa gjëra më esenciale.

Ndërsa, për taksën, unë e kam thënë: për ne nuk është e rëndësishme “është taksë progresive, është taksë e sheshtë”. Për ne politika e taksave duhet parë si një instrument për të zhvilluar ekonominë.

Po pra, por treguesit janë negativë.
Të thashë pra, që edhe me taksën e sheshtë treguesit ishin negativë përpara se kjo qeveri të vinte në pushtet, sepse ishin treguesit ekonomikë…

Po pra, meqenëse ishin përpara ashtu, tani ti justifikon edhe këto?
Kemi parasysh njëkohësisht që ishim të detyruar për shkak të borxhit të jashtëzakonshëm, deficitit të jashtëzakonshëm që kishin dalë nga kontrolli të bënim edhe një marrëveshje me FMN-në, apo harrove?

Jo, nuk harrova fare, jo! Ju personalisht mendoni se është gjë e mirë që keni bërë një marrëveshje me FMN-në, apo jo?
Unë kam qenë partizan që marrëveshja me FMN-në duhet ta bënim që në kohën që LSI-ja ishte në qeveri me Doktorin, po, sepse po ta kishim bërë që atëherë do të ishin frenuar përkeqësimet e disa treguesve makroekonomikë, mendoj unë.

Dje Blushi një nga pyetjeve që iu përgjigj te Balla, kur ai e pyeti rreth… pasi Blushi tha: unë do të kandidoj, meqenëse do të ketë garë tha, po të ishit ju kryetar partie, a do të bënit koalicion me Ilir Metën? Dhe Blushi i tha, jo nuk do të bëj ashtu, thjesht do ta ndryshoja, do ta përmirësoja koalicionin. Ju vetë e shikoni veten, Ilir Meta, në koalicion me një Blush në krye të PS-së? Pra, më mirë me një Blush në PS apo me një Rama në krye të PS-së?
Ne respektojmë gjithnjë vendimet e Partisë Socialiste. Me Blushin kemi qenë shokë klase te Sami Frashëri.

Jam kurioz ta di se ku do të jetë Ilir Meta, dhe kjo është pyetja e fundit, në vitin 2017? Do të jetë në Presidencë, pra, President i Republikës? Do të jetë Kryeministër? Do të jetë sërish në koalicion me Ramën, siç është tani? Do të jetë në koalicion me Lulzim Bashën? Apo do të jetë në opozitë kundër Ramës dhe kundër Bashës? Besoj se një nga skenarët do të ndodhë patjetër.

Ajo që do të ndodhë është se do të jem në Shqipëri, gjithmonë midis shqiptarëve. Do të respektoj çdo vendim të tyre.

Asnjë përgjigje nuk mund të japësh sot?
Nuk ka përgjigje më të mirë se kjo.

Nuk ke asnjë ide se ku do të jesh në vitin 2017? Pas një viti është!
Nuk e vendos unë se ku do të jem. Do të jem te emisioni “Zonë e Lirë”. Patjetër, besoj! Sido që të jetë ju do të më ftoni mua, në çdo rast! Ilva Tare ju tha dje një gjë shumë të mirë. Tha: “Duhet këmbëngulur deri në fund dhe nuk duhet humbur asnjëherë besimi”. Që personi, të cilin e fton, do të vijë.

Pyetja ime është e thjeshtë: E ke pyetur ndonjëherë, kjo është më shumë për ta relaksuar bisedën, përpara se të ikësh nga studioja, pse ka një lloj mllefi? Pse nuk është i qetë? Tani është Kryeministër. E arriti atë që donte prej kohësh. Pse nuk është pak më i qeshur? Kur them i qeshur jo të gajaset, por të jetë më pozitiv kur flet, të jetë më njerëzor. Pse nuk është si ty, Ilir? Unë nuk them si ty, që të bëhet si ty

Po edhe ti nuk je si Ilva. Ajo tha: “Unë këmbëngul deri në fund”, ti thua: “Unë nuk këmbëngul dot”.

Kur them si ty, e kam fjalën si ty, si doktori, si Basha. Si të thuash, janë më njerëzorë. Ky ka një mllef, një inat. E ke vënë re edhe kur del e flet?
Kështu të duket ty. Edhe ti se ç’ke një mllef me atë.

Po ti mendon se këtë e them unë?
Po ku di unë tani!
Se do të ishte sot avokat kaq i mirë i Ed Ramës nuk ma kishte marrë mendja. Sot e ke mbrojtur Ed Ramën në mënyrë brilante, Ilir. Është çuditur gjithë dynjaja, po vijnë mesazhe pa fund. E di ç’ke bërë me këtë intervistë? U ke thënë gjithë gazetarëve, gjithë portaleve, jo mua, se unë e di, të gjithëve, që ne bëjmë sikur, nuk ka asgjë të keqe midis nesh. Kjo ka dalë, të jesh i bindur për këtë.

E rëndësishme është që të punojmë e të bashkëpunojmë të gjithë në mënyrë që të rritet optimizmi në këtë vend, që ju të mos e përshkruani situatën kaq të errët, kaq të pashpresë dhe për këtë ne duhet të punojmë shumë, opozita më shumë dhe të gjithë bashkë në mënyrë që rritja ekonomike të jetë më e lartë në mënyrë që t’i ndihmojmë më shumë ata që janë pa punë, të gjejmë punë, t’i japim optimizëm sektorit privat dhe t’i japim një frymëmarrje tjetër gjithë ekonomisë në vend.
Kur ju vijnë njerëz që ju qajnë hallin, që ju thonë na ndihmoni, vijnë te LSI-ja për punë, si ia bëni? A ju ka lënë dorë të lirë Ed Rama që të sistemoni edhe njerëzit tuaj? E kam fjalën jo vetëm këtu në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Ose Erion Veliaj, për shembull, pa votat tuaj, ai nuk do të ishte kryetar bashkie, apo jo?
Dhe nuk do të kishte shkuar në Sri Lanka doje të thoshe? Kemi bashkëpunim shumë të mirë me Erionin dhe unë mendoj që Erioni është rritur shumë politikisht dhe ka mjaft energji pozitive.

Pra, nga një duel midis jush dhe Ramës, hipotetik, se nuk ndodh kurrë, ju jeni miq, direkt del Erioni, apo jo? E ka fushën e hapur.

Ky është mendimi juaj ose dëshira juaj. Atje ku ju shikoni duel, unë shikoj duet.

Vërtet? A ju thashë? Ilir, kur do të shihemi prapë? Sot jemi më 29 janar të vitit 2016.

Kur të doni ju.
Zgjedhje të parakohshme më the që nuk do të ketë?
Në qoftë se ju do të më ftoni në vitin 2017, në rregull.
Unë them pak më shpejt.
Edhe unë them pak më shpesh.
Nga pranvera, nga 1 prilli?
Kur të doni ju. Në qoftë se ju doni më 1 prill, unë do të vij më 1 prill.
1 prilli i vitit 2013 është datë e rëndësishme për ju, apo jo?
Nuk ka rëndësi. Doni më 1 prill, unë do vij kur të dëshironi ju.
Sigal