Ilir Meta: Me Algjerinë do thellojmë marrëdhëniet në fushën politike dhe ekonomike

503
Në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut që po zhvillohet këtë javë në Tiranë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta dje priti Kryetarin e Asamblesë Popullore Kombëtare të Republikës Demokratike Popullore të Algjerisë, Mohamed Larbi Ould Khelifa. Meta e falënderoi Ould Khelifa për pjesëmarrjen në Asamblenë Parlamentare të Mesdheut dhe shprehu vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë për të thelluar marrëdhëniet me Algjerinë, jo vetëm në planin mesdhetar, por edhe në drejtim të shkëmbimeve dypalëshe. Kryetari i Kuvendit theksoi se Shqipëria dhe Algjeria duhet të intensifikojnë shkëmbimet dypalëshe, si në planin politik, ashtu edhe në planin ekonomik e tregtar, duke vënë në dukje marrëdhëniet shumë miqësore mes dy popujve. Kryetari i Asamblesë Popullore Kombëtare të Republikës Demokratike Popullore të Algjerisë, Mohamed Larbi Ould Khelifa shprehu kënaqësinë e pjesëmarrjes në punimet jubilare të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj asambleje si një platformë dialogu dhe bashkëpunimi për adresimin e sfidave me të cilat përballen vendet mesdhetare, veçanërisht në drejtim të sigurisë dhe forcimit të stabilitetit. Në përfundim, dy kryeparlamentarët ranë dakord për krijimin e grupeve respektive parlamentare të miqësisë dhe për nxitjen e qeverive respektive në intensifikimin e përpjekjeve të tyre në interes të shtimit të kontakteve dhe marrëdhënieve dypalëshe. 
Përshëndetja e kryeparlamentarit shqiptar
Ishte një nder i veçantë për t’u takuar me Presidentin e Asamblesë Kombëtare të Algjerisë, Doktor Mohamed Larbi Ould Khelifa dhe njëkohësisht për të vendosur së bashku, për t’i dhënë një dinamikë të re marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Algjerisë, të cilat kanë qenë mjaft të ngushta në të kaluarën, por të cilat mund të ripërtërihen shumë shpejt në kuadër edhe të zhvillimeve të reja dhe sfidave të reja me të cilat ndeshen edhe të dyja vendet tona. Kemi potencial të rëndësishëm jo vetëm njerëzor, por edhe mundësish për të rritur bashkëpunimin midis dy vendeve tona. Shumë të rinj nga Shqipëria kanë studiuar në Algjeri në të kaluarën. Njëkohësisht jam i bindur se sfidat, me të cilat ndeshet edhe rajoni ynë i përbashkët i Mesdheut i afrojnë të dy vendet akoma më shumë dhe në këtë drejtim, besoj se shumë shpejt do të kemi zhvillime të reja në marrëdhëniet tona. 
Përshëndetja e homologut nga Algjeria
Algjeria dhe Shqipëria janë dy vende mike, që kurrë nuk kanë pasur probleme gjatë gjithë historisë. Është hera e parë që Algjeria merr pjesë në takimet e PAM dhe ne erdhëm këtu, sepse ajo u organizua në Shqipëri. Për shkak të historisë së marrëdhënieve njerëzore dhe gjithashtu për shkak të një numri shqiptarësh, që studiojnë në Algjeri, shpresojnë se marrëdhëniet tona diplomatike do të forcohen më tej dhe ne do të koordinojnë pozicionet tona në mënyrë që të përballojmë ato që po ndodhin në Mesdhe, sfidat e kërcënimet. Perspektivat e bashkëpunimit midis të dy vendeve për sa i përket përballimit të sfidave, si ato të sigurisë apo terrorizmit janë të mëdha dhe të dy vendet ndajnë të njëjtat ide në lidhje me këto çështje. 
Sigal