Ilir Meta: Gjendje mjaft shqetësuese në zonat e përmbytura, të merren masat e domosdoshme

490
Pas reshjeve intensive të së dielës, situata në Vlorë vijon të jetë e rënduar. Katet e para të pallateve në lagjen “Pavarësia”, “24 Maji” dhe 15 tetori vijojnë të jenë nën ujë, ndërkohë që janë me dhjetëra biznese të dëmtuara. Rrugët lidhëse të Vlorës vazhdojnë të jenë nën ujë, ndërkohë që janë hequr inertet dhe është hapur rruga Vlorë-Orikum. Sipas të dhënave nga prefektura e Vlorës, 16 banesa në qytet, janë në ujë. Situata problematike paraqitet dhe në Selenicë, ku nga dalja prej shtrati e lumit Vjosë, janë të paktën 7 fshatra të përmbytur, ndërkohë që uji ka hyrë dhe në banesa, apo biznese të zonës. Hidrovori i Akernisë, ndonëse ka qenë në gatishmëri, nuk ka punuar për mungesë të energjisë elektrike për rreth 24 orë. Hidrovori i Orikumit është në punë, por ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Reshjet e shiut të dy ditëve të fundit shkaktuan dëme në 550 familje, si dhe në 150 biznese të mëdha e të vogla në qytetin e Fierit. Në zonën e Fierit, gjatë ditës së djeshme janë përmbytur rreth 500 ha tokë bujqësore në Frakull, Levan dhe Hoxharë. Aktualisht, uji po largohet dhe sipërfaqja e përmbytur është rreth 300 ha. Në përmbytjen e kësaj sipërfaqeje, ka ndikuar edhe çarja e bankinës së Kanalit të Ujërave të Larta Levan-Pojan, në të cilën po punohet për riparimin e saj me një ekskavator. Ndërsa me një ekskavator tjetër, po punohet për largimin e papastërtive që bllokojnë punën e hidrovorit të Hoxharës. Në zonën e Lushnjës, hidrovori i Karavastasë nuk është furnizuar me energji elektrike për rreth 20 orë (hidrovori ka hyrë në punë në orën 11:00 të ditës së diel), ndërsa hidrovori i Tërbufit nuk është futur në punë për rreth 15 orë, pasi tensioni në hidrovor nuk lejonte leshin e elektropompave. Kjo bëri që niveli i ujit në hidrovorin e Tërbufit, të rritej 60 cm mbi kuotën kritike dhe në hidrovorin e Karavastasë 70 cm mbi kuotën kritike. Për pasojë, u përmbytën rreth 600 ha tokë bujqësore (kryesisht toka të kripura dhe të pambjella), në zonat Bedat –Karavasta, dhe rreth 20 në zonën e Ngurrzës. Në zonën e Beratit janë evidentuar përmbytje të pjesshme të tokave bujqësore në rreth 200 ha, në Kutalli, Drenovicë, Samatiçe dhe Rërëz. Aktualisht, po punohet me dy ekskavatorë për largimin e shpejtë të ujërave. Në zonën e Elbasanit dëmtime ka pasur në përroin e Zaranikës, Elbasan, si pasojë e prurjeve të mëdha të shoqëruara me gurë, duke dëmtuar argjinaturat mbrojtëse në disa segmente.
Ilir Meta: Gëzimi i kualifikimit të Kombëtares të mos zbehë vëmendjen e qeverisë ndaj problemit të përmbytjes
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ishte kritik ndaj punës së pamjaftueshme të qeverisë, për përballimin e situatës në Jug për të përballuar pasojat e përmbytjes. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, duke pranuar se situata në zonat e përmbytura është mjaft e vështirë, i bëri apel, qeverisë që të bëjë më shumë dhe të marrë masat e domosdoshme. Ilir Meta: “Patjetër që duhet bërë akoma më shumë. Unë kam qenë në ndjekje të situatës vazhdimisht me ministrin e Bujqësisë Panariti. Situata është shqetësuese, sepse pritet edhe në ditët e ardhshme të ketë mot të vështirë. Shpresoj që gëzimi i këtij kualifikimi të merituar të mos çojë në zbehjen e vëmendjes ndaj një problemi real dhe mjaft shqetësues që ndeshen qytetarët tanë në jug të vendit apo dhe kudo tjetër ku situata mund të vështirësohet. Shpresoj që po merren të gjitha masat e domosdoshme”. 
Sigal

Sali Berisha: A është normal ky njeri (Rama)?!

Ish-kryeministri Berisha reagoi për neglizhencën e qeverisë, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të përmbytur, duke thënë se Rama është i papërgjegjshëm. Ja reagimi i Berishës: “A është normal ky njeri?! Jugu mbytej si rrallë herë në histori, Rama bënte pazarin i shoqëruar nga kamerat dhe sulmonte opozitën se po politizon shiun. Edi Rama, siç thotë në mesazhin e tij një banor i përmbytur, kishte zgjedhur për të tallur, me nder prapanicën me fatkeqësinë natyrore të qarqeve të Jugut. Ai kishte ftuar kamerat ta filmonin tek bënte pazar si familjar “shembullor”, blinte tërshërën, erëzat dhe veçanërisht makaronat spageti, që thuhet vazhdon t’i hajë me tenxhere para, sepse pjata nuk i hynë në sy. I papërgjegjshëm dhe jo normal siç është, kritikave të opozitës dhe banorëve të përmbytur për indiferencën e tij ekstreme çnjerëzore, ju përgjigj se po politizoni shiun, të cilin nuk e keni nga qeveria, por nga perëndia, ndaj dhe paçi mëshirën e Zotit se qeveria është në weekend dhe nuk ka punë me ju! Duke denoncuar dhe një herë këtë qëndrim çnjerëzor të Ramës, qeverisë dhe administratës së tij ndaj banorëve të zonave të përmbytura nga shiu i ndihmuar nga qeveria e papërgjegjshme, kërkoj shpalljen e gjendjes së emergjencës civile në këto zona dhe marrjen e masave për zhdëmtimin e tyre në përputhje me ligjet e vendit. I bëj thirrje prokurorisë të ndërmarrë me urgjencë hetimin për të vendosur para ligjit përgjegjësitë e mos furnizimit me energji për 18 orë me radhë të hidrovoreve në zonat e përmbytura! sb