Ilir Meta: Fragmentimi i pushtetit vendor pengon investimet vendase dhe të huaja

470
Sigal

Kryeparlamentari Ilir Meta, ishte i pranishëm gjatë një takimi me disa përfaqësues nga gjashtë komuna të Kosovës, të cilët ndodheshin në Tiranë në një vizitë të organizuar nga Instituti për Qeverisjen Lokale në Kosovë. Gjatë këtij takimi Meta deklaroi lidhur me reformën administrative-territoriale se, Shqipëria ka një fragmentim të jashtëzakonshëm të pushtetit vendor dhe të njësive vendore, me 385 njësi vendore, duke u bërë pengesë për investime vendase dhe të huaja. Meta u shpreh se, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës janë të jashtëzakonshme për të gjitha dimensionet që kanë të bëjnë me historinë dhe sidomos të ardhmen. Kryetari i Kuvendit u ndal në iniciativën e maxhorancës për reformën administrative-territoriale, duke e cilësuar si një proces shumë të rëndësishëm.

Sipas tij, ky fragmentim kaq i madh e bën të pamundur që pushteti vendor të bëjë politika reale zhvillimore, të ndërtojë strategji afatgjatë për komunën apo bashkinë, duke u bazuar në resurset natyroren resurset njerëzore në mundësitë financiarë që krijon administrimi i këtyre burimeve e shërbimeve. Meta tha gjithashtu se ky fragmentim pengon edhe investimet, si ato vendase ashtu edhe ato të huaja. “Sepse kuptohet që për t’u bërë një hidrocentral sado i vogël qoftë ai, për t’u bërë një investim sado i vogël në komunë, duhet marrë leje te qarku, duhet marrë leje te komuna e kështu me radhë, dhe kjo e bën të pamenaxhueshëm, të pakontrollueshëm këtë proces, por njëkohësisht edhe nuk kanë kualifikimin e duhur për të bërë një oponencë që një leje e dëmton mjedisin apo nuk e dëmton”, vijoi Meta. Duke sqaruar thelbin e reformës administrative-territoriale, Meta u shpreh se nuk do të reduktohen shërbimet ndaj qytetarëve, por ka nevojë për një vendimmarrje në pushtetin vendor më të kualifikuar dhe më të përgjegjshme. Duke u ndalur te qëndrimi i opozitës për këtë çështje, që deri tani nuk ka marrë pjesë në komisionin e krijuar për realizimin e reformës, Meta tha se, “opozita në të kaluarën është shprehur për domosdoshmërinë e kësaj reforme, por ajo nuk ka pasur votat. Ne i kemi votat. Por pavarësisht nga kjo, ne duam të arrijmë konsensusin”.