Ilir Meta: Diplomacia parlamentare në shërbim të afirmimit të shtetit të Kosovës

499
Sigal

 

 

Kryetari i Kuvendit takohet me Presidentin e Republikës së
Kosovës z. Hashim Thaçi

 

Gazeta Telegraf/ Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti dje Presidentin e
Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, i cili shoqërohej prej Ministrit të
Bujqësisë, z. Memli Krasniqi dhe Ministrit të Infrastrukturës z. Lutfi Zharku.
Kryetari i Kuvendit z. Meta shoqërohej prej deputetëve z. Taulant Balla, z. Edi
Paloka dhe z. Petrit Vasili.
 Z. Meta i
uroi mirëseardhjen z. Thaçi në këtë vizitë të parë zyrtare në cilësinë e
Presidentit të Kosovës dhe vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera vllazërore mes dy
vendeve. Në këtë kuadër z. Meta theksoi se bashkëpunimi ndër-parlamentar është
intensifikuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit dhe rikonfirmoi se diplomacia
parlamentare shqiptare mbetet në shërbim të shtimit të njohjeve dhe afirmimit
të mëtejshëm të shtetit të Kosovës. Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi mes
dy qeverive respektive dhe u konfirmua mbështetja e Shqipërisë në forcimin e
perspektivës euro-atlantike dhe forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë, në
interes të stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajonin tonë.
 Presidenti i Kosovës z. Hashim Thaçi shprehu
mirënjohjen për mbështetjen e pandalur të Shqipërisë dhe vlerësoi kontributin e
Kuvendit në rritjen e cilësisë së bashkëpunimit dypalësh dhe në forumet
ndërkombëtare ku Shqipëria është e pranishme. Z. Thaçi theksoi gjithashtu se
intensifikimi i bashkëpunimit në fushat e agro-përpunimit, bujqësisë dhe
infrastrukturës do t’i shërbejë rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe turistike
mes dy vendeve tona. Në përfundim Kryetari Meta dhe Presidenti Thaçi diskutuan
edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon, duke ndarë bindjen e përbashkët se si
Shqipëria ashtu edhe Kosova mbështesin heqjen e barrierave dhe forcimin e
ndërlidhjes rajonale në interes të sigurisë, paqes dhe zhvillimit ekonomik në
Ballkan.