Ilir Dhima:“Me KQZ me 4 anëtarë, vihet në pikëpyetje legjitimiteti i zgjedhjeve”

538
Sigal

Rikthimi i KQZ-së në gjendjen e mëparshme, apo rikompozimi i tij me zgjidhje in- extremis, janë dy rrugë të diskutueshme

Ilir Dhima  pedagog i së Drejtës Kushtetuese dhe i Mbrojtjes Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe pjesëmarrës i ‘Forumit Civil 2010’ në intervistën për “Telegraf” argumenton se, një situatë e tillë politike, me KQZ me 4 anëtarë, është një anormalitet,  e cila çon në kufizimin e paligjshëm të kompetencave që do ushtrojë KQZ-ja. Sipas zotit Dhima, rikthimi i KQZ-së në gjendjen e mëparshme, apo rikompozimi me zgjidhje in- extremis, janë dy rrugët e diskutueshme.

– Zoti Dhima, me KQZ-në që funksionon me 4 anëtarë, a mund të zhvillohen  kësisoj zgjedhje dhe, njëkohësisht, mund të jenë ato legjitime?

– Në historikun e zgjedhjeve në vendin tonë kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Një situatë e tillë nuk është aspak normale dhe çon drejt kufizimit të paligjshëm të kompetencave që duhet të ushtrojë KQZ-ja, për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve. Pra, nëse vazhdohet kështu, sigurisht që, zgjedhjet do të jenë në pikëpyetje.

– Dorëheqja e 3 anëtarëve të KQZ-së, është pjesë e zgjidhjes së problemit, apo është pjesë e problemit?

– Dorëheqja e parevokueshme e 3 anëtarëve të KQZ-së, të cilët ishin propozuar nga opozita, u shkaktua nga vendimi i pabazuar i maxhorancës, për të ruajtur kjo e fundit të drejtën e vetos edhe në administrimin e procesit zgjedhor.

– Në qoftë se zëvendësimi i anëtarit të KQZ-së nga Kuvendi është shkelje e ligjit, po kërkesa e opozitës, që të kemi rikompozim të ri të KQZ-së me një kryetar konsensual, a është konform Kodit Zgjedhor?

– Kodi Zgjedhor parashikon që Kryetari i KQZ-së të zgjidhet në mënyrë konkurruese dhe jo nëpërmjet propozimeve politike. Por nuk ndodhi kështu. Prandaj, zbatimi i kërkesës së mësipërme nuk mund të konsiderohet antiligjor. Megjithatë, rikthimi i KQZ në gjendjen e mëparshme, apo rikompozimi i tij me zgjidhje in- extremis, janë dy rrugë të diskutueshme, ndër të cilat e para duket më e mundshme dhe më e shpejtë.

– Derisa opozita nuk jep kandidatë për të plotësuar KQZ-në, a mundet Kolegji Zgjedhor të propozojë kandidatë?

– Sigurisht që jo. Ngërçi “u pleks” në Kuvend dhe atje mund të zgjidhet.

– Me Kuvendin që i ka mbaruar mandati kushtetues, cila është zgjidhja ligjore, për të plotësuar, rikompozuar KQZ-në, edhe sikur të arrihet kompromisi politik për KQZ-në nga palët politike?

– Kryetarja e Kuvendit mund ta mbledhë Parlamentin edhe pas shpërndarjes në prag të zgjedhjeve për organin legjislativ. Por, pa dyshim, në raste emergjencash. Sa për kompromisin politik nga palët politike, ai duhet të bëhet këto ditë dhe jo kur të ketë përfundim votimi.

– A mundet që KQZ-ja të vendosë për çështje të procesit zgjedhor, të cilat kërkojnë votën e cilësuar? (nënkuptoj 5 vota)

– Për çështje që sipas Kodit Zgjedhor duhet të merren vendime me shumicë të cilësuar, përbërja e tashme e KQZ-së është e pafuqishme. Edhe vendimet e tyre do të konsiderohen nul, pra që nuk mund të prodhojnë efekte juridike.

– Atëherë, cili institucion duhet të vendosë për çështjet më të rëndësishme të procesit zgjedhor, në pamundësinë e KQZ-së, me 4 anëtarë të marrë vendimmarrjen?

– Unë nuk di të ketë ndonjë institucion tjetër.

– Nëse kjo KQZ e tanishme, i drejtohet Kolegjit Zgjedhor që të vendosë për ato çështje që nuk mundet ajo, a do të kenë legjitimitet vendimmarrja e Kolegjit Zgjedhor?

– Sigurisht që, kjo lloj vendimmarrjeje, për të cilën pyesni, nuk mund të jetë aspak legjitime. Pavarësisht se disa politikanë dhe zyrtarët të maxhorancës qeverisëse çuditërisht e vlerësojnë normal dhe të mundshëm funksionimin e KQZ-së edhe me 4 anëtarë. Madje ata shkojnë edhe më tej, ekstremisht, kur ndonëse pranojnë se me formatimin aktual të katandisur “kokoshi një thelë” të KQZ-së ky nuk mund të marrë vendime për çështje që kërkojnë shumicë të cilësuar, arrijnë deri atje sa që të shprehen se për kryerjen e kësaj detyre fare mirë mund të investohet Kolegji Zgjedhor (?!). Deklarata të tilla, nëse do të zbatoheshin praktikisht, pa dyshim që do të kufizonin në mënyrë arbitrare kompetencat ligjore të KQZ, ndërsa Kolegjin Zgjedhor, si gjykatë Apeli do ta shndërronin në një organ të përzier. Pra, me atribute edhe gjyqësore, edhe administrative. Prandaj, nuk mund të mos i pyesësh ata funksionarë, se ku i çon kjo papërgjegjshmëri, përse nuk u dashka të zbatohet ligji, kur ky i parashikon, si në të gjithë botën, mjetet e ankimit?

– Faleminderit!