Idajet Beqiri: Po nuk u ndryshua sistemi elektoral, dështon reforma në drejtësi

439
Av Idajet Beqiri, në intervistën për gazetën “Telegraf”, thotë se pa u ndryshuar sistemi aktual elektoral, reforma në drejtësi ka për t’u dështuar, pasi demokracia do të zëvendësohet me një diktaturë më të zezë nga ajo që përmbysëm në 1991. Edhe për Byronë Kombëtare të Hetimit, zoti Beqiri shprehet se me të drejtë Gjykata Kushtetuese e cilësoi atë ligj si antikushtetues, pas kjo Byro e Hetimit duhet të jetë institucion i pavarur Kushtetues, duke shuar kështu strukturën e oficerëve të policisë gjyqësore. Ndërsa për mandatet kushtetuese të anëtarëve të KLD, GJ. K, GJ.L, etj, zoti Beqiri shprehet se at duhet të ndërpriten, pasi me ndryshimet kushtetuese që do bëhen, do të rregullojnë edhe kuadrin ligjor për këtë. Zoti Beqiri shprehet se, nëse opozita nuk do të japë konsensusin për reformën në drejtësi, atëhere maxhoranca duhet ta votojnë me shumicën absolute të Kuvendit, për të mirën e vendit. 

-Zoti Beqiri, derisa kriminalizimi i parlamentit është produkt i sistemit elektoral, i cili i jep monopolin kryetarit të partisë të caktojë ai kandidatët për deputet, përse PD- PS nuk duan ta prekin fare, por hartojnë platforma dekriminalizimi?
– Shteti shqiptar, institucionet e tij, nga pikëpamja e rregullimit ligjor, nga përmbajtja e aftësisë, ndershmërisë, konceptimit, përgjegjshmërisë dhe përkushtimit ndaj detyrës të drejtuesve të institucioneve dhe të punonjësve të administratës publike, nga aplikimi në jetë i ligjit, vazhdojmë të mbetemi shtet i falimentuar. Fatkeqësia e këtij vendi, ish Presidenti dhe ish kryeministri Berisha, në rolin e misionarit për të deformuar, kriminalizuar, shpërfytyruar dhe degjeneruar deri në palcë përmbajtjen e shtetit, të institucioneve të tij dhe të njerëzve që vepronin dhe veprojnë brenda tij, ka bërë që ky vend, kudo që të preket ka plagë të rënda, të maisura, të cilat, pa vënë në përdorim me detyrim antibiotikët më të fuqishëm të BE dhe aleatit strategjik SHBA, nuk mund të shërohen. Ligji elektoral është një paçavure që ka sjellë pjesën dërrmuese të pisllëkut politik, të korrupsionit, të padrejtësisë, të pandershmërisë, të paaftësisë dhe të kësaj gjëndje skandaloze me mungesë de fakto të shtetit, të institucioneve tij dhe të administratës publike. Reforma në drejtësi, nëse nuk zhvillohet dhe nuk bëhet e thellë paralelisht me reformën në sistemin elektorale, jo vetëm që nuk do të ketë efektin e duhur, por përkundrazi, do e çonte këtë vend drejt një deformimi skandaloz, ku vendin e demokracisë do e zinte një diktaturë shumë më e zezë se ajo që u përmbys në dhjetorin e vitit 1990. Nëse nuk do e çojmë të drejtën e zgjedhjes së përfaqësuesve të organit ligjëvues, të të gjitha strukturave dhe institucioneve të shtetit, të të gjitha institucioneve në duartë e votës së lirë të popullit, por do e lëmë ende në duartë e dy kryetarëve të partive kryesore në vend, ky vend e ka të sigurt shembjen në humnerën e zezë për të mos u ngritur më kurrë.Reforma elektorale, sistemi elektorale, mënyra e zgjedhjes së deputetëve, ndërtimi dhe funksionimi i infrastrukturës zgjedhore, duhet të bëhet urgjentisht. Nëse nuk bëhet, pa dilemën më të vogël duhet të ndërgjegjësojmë dhe të përgjegjësojmë popullin se edhe kjo qeveri nuk është e rilindjes së Shqipërisë, e ngritjes së vendit nga gropa e zezë ku është zhytur, por qeveri e vazhdimësisë së flamës 25 vjeçare të Berishës, pa Berishën “de jure”, e ndryshme vetëm në makiazh!

– Pa ndryshuar ligjin elektoral aktual, a do të bëhet dekriminalizimi i parlamentit?
– Reforma elektorale, e cila duhet të prekë edhe Kushtetutën e Republikës, edhe sistemin zgjedhor, edhe kriteret ligjore kushtetuese se kush ka të drejtë të zgjidhet përfaqësues i popullit dhe si duhet të zgjidhet, parandalon kriminalizimin e Kuvendit të Shqipërisë, por mbi të gjitha, ndikon dukshëm në dekriminalizimin e gjithë shoqërisë shqiptare, aktualisht e kriminalizuar ekstremisht.

– Byroja e Kombëtare e Hetimit cfarë institucioni duhet të ketë në reformën në drejtësi, meqë p.ligji i saj u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese?
– Në gazetën “Telegraf”, shumë më parë se të bëhej dhe miratohej në Kuvend ligji për Byronë Kombëtare të Hetimit, më shumë se një herë, kemi theksuar pikërisht ato gjëra që ka prekur Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj. Është bërë shumë mirë që ky ligj u konsiderua antikushtetues, sikurse ishte në fakt. Byroja Kombëtare e Hetimit është pjesë përbërëse e reformës në drejtësi. Hetimi është veprimtari shumë e rëndësishme në procesin penal. Prej tij varet lufta kundër kriminalitetit në përgjithësi, si dhe lufta kundër terrorizmit, krimit të organizuar, korrupsionit, kontrabandës, trafiqeve, evazionit fiskal etj etj. Prej hetimit varet edhe lufta kundër korrupsionit në gjithë sistemin e drejtësisë, posaçërisht në gjykata. Për rrjedhojë, kjo veprimtari duhet të rregullohet me ligjin themelor të shtetit, me Kushtetutën e Republikës, por edhe me një ligj të posaçëm, i cili këtë veprimtari procedurale penale ta pavarësojë, ta bëjë institucion me vartësi nga Kuvendi i Shqipërisë. Nga ana tjetër, ky institucion i pavarur të ketë funksion të tij gjithë problematikën e hetimit, duke shuar kështu strukturën e oficerëve të policisë gjyqësore. Kjo do të pasësjellë rishikimin e kompetencave të organit të prokurorisë mbi Byronë Kombëtare të Hetimit, kompetenca të cilat duhet të përqendrohen vetëm në kontrollin e hetimeve, në ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës. Kjo reformë është pjesë përbërëse e projektit të përgjithshëm në drejtësi, dhe pa u kryer edhe kjo, reforma në drejtësi do të ishte invalide!
– Çfarë do të bëhet me mandatet e anëtarëve të KLD, GJ.K, GJ.L nëse ato do të reformohen? Sepse mandatet e tyre janë kushtetuese?
– Rregullimi në ligjet e KLD, të Prokurorisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, etj, do të bëhen, pasi të ndryshojë Kushtetuta e Republikës. Me ndryshimet në Kushtetutë, i hapet rruga rregullimeve me ligj të mandateve të anëtarëve të këtyre institucioneve të rëndësishme të shtetit, për rrjedhoj riformatimit dhe rimandatimit të vet institucioneve dhe të njerëzve që do të hyjnë në to.

– Deri tashmë nuk shikojmë asnjë qasje të platformave të maxhorancës me të opozitës për reformën në drejtësi. A do të ketë vlerë kjo reformë, nëse votohet me 84 vota por pa konsensusin e opozitës, siç ka thënë Kryeministri, që do ta votojmë edhe pa opozitën?
– Vendi ndodhet buzë katastrofës. Shoqëria jonë, institucionet tona, administrata publike, sistemi i drejtësisë janë në kulmin e agravimit të plagëve të pa shërueshme, të cilat po bëhen shkak që shteti dhe i gjithë vendi, në vend që të dekriminalizohen urgjentisht, po kriminalizohen edhe më rëndë. Në këto kushte reforma në drejtësi është emergjencë kombëtare. Ajo është në radhë të parë dhe mbi të gjitha profesionale jutidike, monopol i specialistëve të mirëfilltë, pjesë e kontrollit të organeve të specializuara të BE dhe Këshillit të Evropës. Arritja e konsensusit politik mes pozitës dhe opozitës në Kuvend për të votuar gjithë paketën e madhe të reformës në drejtësi, do të ishte një dukuri tepër pozitive dhe i shërben shumë suksesit të reformës. Por nëse opozita do të vazhdoj të bëj hesape meskine kriminale, bazuar në faktin që kjo reformë prek më shumë drejtpërdrejt vet atë dhe njerëzit e deformuar të saj, do të ishte e pafalshme, madje e ndëshkueshme, që mazhoranca të priste ende dhe të mos bënte numrat në Kuvend për miratimin e ligjeve të kësaj reforme, me apo pa opozitën.
– Faleminderit
Sigal