Idajet Beqiri: I gjithë sistemi gjyqësor të kalojë në filtra!

505
Sigal

Flet për “Telegraf” av. Idajet Beqiri: I gjithë sistemi gjyqësor të kalojë në filtra

 Edi Rama: Do vendosim kontrollin në gjithë vendin. S’do lejojmë Lazaratin në drejtësi!

Kryeministri Rama garantoi dje se qeveria do të vendosë kontrollin në të gjithë territorin e vendit, përfshirë dhe Lazaratin. Duke folur gjatë prezantimit të linjës falas kundër trafikimit te personave, Rama tha se, në Shqipëri funksionon një tjetër Lazarat më i rrezikshëm dhe më i përhapur, duke ju referuar sistemit të drejtësisë.

Kreu i qeverisë tha se, gjyqtarë dhe prokurorë nën petkun e pavarësisë dhe mbrojtjes nga Kushtetuta, po barazohen me kriminelët që kryejnë krime sapo fitojnë lirinë e pamerituar.

“Nuk mund që nën ombrellën apo me flamurin e pavarësisë në dorë këta gjykatës t’i marrin jetën njerëzve të pafajshëm. Unë nuk mund të rri e të bëj shpjegime, duke justifikuar pozicionin tonë sa herë që shohim shifrat e kriminalitetit të ndikohen, duke u rritur këtu e atje për shkak se këta kriminelë ende të lirë në një pushtet që nuk ua ka dhënë e drejta e tyre por një gjykatës tërësisht i padrejtë, por tërësisht e korruptuar dhe në bashkëpunim të plotë me krimin e kriminelin. Ne mund të bëjmë të gjitha ligjet që duam në Parlament, por ne duhet të bëjmë betejën që duhet dhe duan jo vetëm shqiptarët, por dhe ndërkombëtarët për ta shporrur këtë kastë gjykatësish e prokurorësh të korruptuar që tallen e pasurohen duke marrë jetë njerëzish në bashkëpunim me kriminelët. Kjo është e vërteta. Ju siguroj se nuk do të rrimë duarkryq dhe po përgatisim shumë mirë dhe ofensiva do të nisë dhe nuk do të ndalet, deri kur në Shqipëri të vendoset normaliteti, edhe në këtë pjesë që është jashtë kontrollit të të gjithëve. Jam shumë i bindur se kanë të drejtë të gjithë ata që kërkojnë që të vendoset rregulli kudo. Asnjë metër katror të territorit s’do të jetë jashtë ligjshmërisë në Shqipëri, dhe këtu kam parasysh edhe Lazaratin. Por, ka një Lazarat tjetër, shumë më të shtrirë në të gjithë territorin, me një pandëshkueshmëri që ia ka garantuar vetes, dhe ky është sistemi jonë i drejtësisë, pasi kërcënon çdo ditë ekonominë dhe jetën e njerëzve tanë”,-tha Rama.

Idajet Beqiri: I gjithë sistemi gjyqësor të kalojë në filtra!

Lidhur me deklaratën e z.Rama, ku quajti sistemin e drejtësisë një tjetër Lazarat në vendin tonë që rrezikon dhe merr jetë njerëzish është shprehur për “Telegraf” av. Idajet Beqiri, i cili ka thënë se: “Më vjen sinqerisht mirë që kreu i ekzekutivit shqiptar, drejtpërdrejt dhe fortë e vendos gishtin në plagë. Edi Rama dhe “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” duhet të mbështetet fuqishëm për të çliruar sistemin gjyqësor nga krimi dhe kriminelët që e kanë uzurpuar në të gjitha segmentet e tij, duke filluar nga organi i akuzës, prokuroritë e të gjitha shkallëve, e deri te të gjitha shkallët e gjykimit.  Fenomeni i “lazaratizmit” ka prekur mbi 80 për qind të gjithë këtij sistemi”.  Lidhur me pyetjen se, cilët duhet të jenë hapat konkret që duhet të ndërmarrë Qeveria për ta luftuar këtë fenomen, z. Beqiri tha se: “Kryesore është që plaga preket fort ku dhemb. Deri më sot i kemi ardhur rrotull plagës. Nuk e kemi prekur nga frika prej të pafrikshmes, domethënë nga demagogjia abuziviste se ‘mos të prekim pavarësinë e sistemit gjyqësor”! Duhen reforma të thella në Prokurori dhe në sistemin gjyqësor. Duhen riparë dhe riformuluar ligjet organike që rregullojnë veprimtarinë organike të tyre. Duhet urgjentisht të përcaktohen kritere rigorozisht evropiane për përzgjedhjen e kandidaturave për gjyqtarë dhe prokuror të të gjitha shkallëve të gjykimit, deri në Gjykatën Kushtetuese. Duhet t’i kalojnë në filtra testimi të fortë dhe të pakomprimisa profesionale, morale, njerëzore, humane dhe intelektuale të gjithë punonjësit aktual të të gjitha shkallëve të gjykimit dhe të akuzës, dhe të pastrohet sistemi me solucion “antikorrupsion”. Të mbahen vetëm ata punonjës me integritet të lartë profesional dhe moral, dhe të flakën si lecka të gjithë të korruptuarit dha dallkaukët që i kanë zënë frymën gjithë sistemit. Më pas të vazhdojë reforma në legjislacion, i cili është bërë një”zhele” e vërtetë”.

 Jonathan Moore: Drejtësia, në udhëkryq kombëtar

I ftuar në konferencën e mbajtur për 5-vjetorin e NATO-s, zyrtari i Departamentit amerikan, Jonathan Moore u shfaq me mesazhin sërish mbi drejtësinë shqiptare. “Lufta kundër korrupsionit, reforma në drejtësi dhe ajo territoriale janë sfida shumë të rëndësishme, që duhen fituar. Por kujdes?! “Lufta kundër korrupsionit duhet të kalojë përmes sistemit të drejtësisë, dhe jo nga partitë politike”…Nuk është rastësi që ky mesazh jepet në zyrën e Presidentit, njëherazi kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Vetë Nishani e ka thënë me zë të lartë, më shumë se 1 herë vizionin e tij për drejtësinë, edhe në gjendjen që është sot. Për Presidentin, pavarësia vjen përpara nevojës për reformimin. Në prag të provimit të qershorit, Shqipëria është përballë një dileme të vështirë: të reformojë sistemin e drejtësisë, por nga t’ia nisë? ”, – tha Moore

Stefan Fyle: Reforma, emergjente në drejtësi

Stefan Fyle në përfundim të raundit të tretë të dialogut të Nivelit të lartë Shqipëri- BE, u shpreh qartë në lidhje me reformën në sistemin e drejtësisë, duke thënë se, në raport-progres përfshihet ecuria e reformave në muajt e fundit. “Ne e kemi bazuar këtë rekomandim te angazhimi i vazhdueshëm në luftën kundër korrupsionit, reformën gjyqësore, gjithëpërfshirëse dhe vendimet që janë ndërmarrë nga Shqipëria”,-tha Fyle. Ai tha se, s klima e vazhdueshme konfliktuake politike e dëmton imazhin e Shqipërisë dhe mund te pengojnë ecurinë e reformave, ndaj ftoi që si qeveria edhe opozita të tregojnë kompromis dhe të ndërmarrin reforma emergjente në sistemin e drejtësisë.